Gjatë konferencës për shtyp me homologen shqiptare, ministren Etilda Gjonaj, ministri italian i Drejtësisë, Andrea Orlando, është pyetur nga gazetarët edhe për dosjen “Tahiri” dhe për atë “Habilaj” për të cilën po heton gjykata italiane.
Pyetur për ish-ministrin e Brendshëm, Tahiri sa i përket vendimit të dhënë për bllokimin e lëvizjes jashtë shtetit për të, ministri italian theksoi: “Nuk komentoj veprimet e magjistraturës italiane, aq më pak nuk mund ta bëj me vendin e Shqipërisë, puna dhe detyra jonë është që shkëmbimet e magjistraturave të bëhet sa më mirë, jo të gjykojnë në vend të gjyqtarëve dhe të hetojmë në vend të prokurorëve”.
Nga ana tjetër, Orlando ka dhënë përgjigje edhe për interesin e medias për dosjen “Habilaj”, nëse Italia ka ende pikëpyetje që mbetet për tu sqaruar me autoritet shqiptare.
“Në shkëmbimin e informacionit kemi raporte të shkëlqyera dhe niveli i bashkëpunimit mes dy vendeve është nga më të mirët. Probleme që ekzistojnë janë mënyrat e vlerësimit të disa proceseve që janë zhvilluar në mungesë të të pandehurve, por edhe në këtë pikë mendoj se pas një ballafaqimi teknik edhe ky problem mund të zgjidhet”.