KULTURË

Intervista/ Kujtim Çashku: Kadare ishte një inspirim në një botë të errët, siç ishte Shqipëria asokohe

11:00 - 18.12.17 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Emri, jeta dhe vepra e shkrimtarit të njohur shqiptar, Ismail Kadare, gjithashtu një nga më të njohurit edhe në arenën ndërkombëtare që nga gjysma e dytë e shekullit të kaluar e në vijim, i përkthyer në më shumë se 45 gjuhë të botës, fitues i disa prej çmimeve më prestigjioze në Evropë, anëtar i Akademisë Franceze të Shkencave Politike dhe Morale, disa herë kandidat i çmimit Nobel në Letërsi, ka ngjallur dhe vazhdon të ketë një interes të jashtëzakonshëm kudo ku flitet dhe shkruhet për të. Kjo sidomos, kur për të flasin emra të njohur të kulturës, artit, letrave shqipe etj., të cilët kanë pasur rastin dhe fatin që gjatë jetës e karrierës së tyre profesionale të kenë bashkëpunuar me të. Një prej tyre është dhe kineasti e regjisori i njohur, Kujtim Çashku, (president i Akademisë Multimediale “Marubi”), i cili në emisionin “Rrëfim” në TV “SCAN”, ku ka qenë i ftuar para disa kohësh, ndërmjet shumë gjërave të tjera, në bashkëbisedim me moderatoren e njohur Albana Shehu Qirjako është ndalur e ka folur edhe për Kadarenë. Nga ajo intervistë e gjatë, ne kemi shkëputur këto pasazhe, që po ua japim lexuesve të “Gazeta Shqiptare” në shkrimin e mëposhtëm.





Kujtim Çashku: Pas çlirimit, Shqipëria kishte nevojë për të krijuar për herë të parë, disa si të thuash, kënde të ndryshme për të parë vetveten. Njëri prej tyre ishte edhe kinematografia, teatri, universiteti që u hapën dhe gjëra të tjera, që kështu në këtë rast bëhet fjalë në vitet ‘80-të.
Natyrisht që unë pata një fat, që në një moshë fare të njomë, shumë të re, në moshën 27 vjeç, m’u dha mundësia që të kontaktoja për herë të parë me Kadarenë. Në fakt me të kam kontaktuar kur kam qenë student në Rumani, në një takim që kemi pasur në Bukuresht. Më pas, në vitin 1977, kur filloi procesi i të menduarit i filmit “Ballë për ballë”, i cili përfundoi në ‘79-ën, patëm mundësi që së bashku me Pirro Milkanin, ndaj të cilit unë isha një asistent që kur kisha ardhur në Kinostudio dhe më pas u bëmë bashkautorë. Fati e solli që unë u mora me një temë shumë kardinale dhe shumë të fuqishme e në të njëjtën kohë pata rastin të isha përballë një njeriu, që qe si të thuash, një inspirim në një botë të errët, siç ishte Shqipëria në ato vite. Kontakti, ballafaqimi me një mendje gjeniale hapte tek unë një hapësirë tjetër. Një 27-vjeçar që vihej para një gjëje kur thuhej: Dalja nga Traktati i Varshavës, baza e Pashalimanit…., e kështu që të gjitha bisedat që kisha pasur me ketë shkrimtar të madh më krijuan një imazh, më krijuan mua një mendje tjetër për të parë krejtësisht ndryshe dhe të gjeja e të përcaktoja atë gjuhën vokabulare, që ka Kadareja në të gjithë veprën e vet. Dmth., si shumë shkrimtarë të tjerë në botë, qoftë edhe Shekspirin për ta lexuar, duhet që të kesh kodet e tij që i propozon, duhet të dish gjuhën e tij për ta lexuar. Ndryshe, njeriu sorollatet në pakuptueshmëri dhe më tepër humbet në botën e vet, duke u marrë me vetveten, se sa duke reflektuar me universin që krijon në këtë rast bota e këtij gjeniu. Kështu që ishte shans i madh për mua, që 27 vjeç u ndodha përballë këtij njeriu, jo ballë për ballë me të, por ballë për ballë me një mendje të ndritur që më ndihmoi. Kemi diskutuar gjëra nga më të ndryshmet, gjuhë që për kohën mendoj se mund të ishte shumë delikate, kemi folur dhe mbartur ngarkesa të ndryshme, simbolikash të ndryshme brenda gjithë strukturës së veprës. Por çfarë ishte me shumë rëndësi, mund të them, në qoftë se Enver Hoxha në fund të fundit, i frikësuar nga pushtimi i Çekosllovakisë dhe nga ngjarje të tjera që po ndodhnin në Evropën Qendrore, apo të themi në gjysmën e Evropës, merrte masa ushtarake, pasi një pushtim mund t’i ndodhte edhe vendit tonë nga Traktati i Varshavës. Ndërhyrja siç u bë në Çekosllovaki, mund t’i kushtonte jetën atij dhe shpeshherë unë mendoj se Enver Hoxha ka konturuar shumë interesa në funksion të frikës që kishte ndaj asaj që rrezikonte kokën e tij dhe unë them se diktatorët bëhen diktatorë gjithmonë nga pushteti i frikës.


Sepse gjithmonë, ata përpiqen të eliminojnë për të garantuar kokën e tyre, të gjithë çfarë kanë vetes. Neve nga ana jonë që kishim profilet tona, sepse sigurisht Enver Hoxha do ta quante atë krenari të vetvetes, se ishte ai që shkëputi marrëdhëniet, por për ne përbënte krenari të madhe, sepse shkëputi për herë të parë lidhjet nga Traktati i Varshavës, nga bota e pansllavizmit, e hartës së pansllavizmit, hartë e cila është shumë evidente sot. E kam thënë disa herë, ne jemi një popull që vazhdojmë me këto hartat e vjetra, të cilat si fantazma shtegtojnë në vazhdim dhe nuk po arrijmë të vijmë te një luciditet i yni i mirëfilltë oksidental, sepse na determinon ose neo-otomanizmi, që po shfaqet gjithmonë në mënyrë galopante, ose kjo pjesa tjetër e interesave pansllave. Në përgjithësi vepra e Kadaresë, “Dimri i vetmisë së madhe”, më dha mua një zhalon. Meqenëse ju po flisni se cilët janë gurët, më dha një gur të rëndësishëm kilometrik që të shikoja parametrat se ç’do bëja më tej, disa stacione të tilla, sikurse me filmin “Ballë për ballë”, unë e kam parë gjithmonë fenomenin otoman të kohës, një fenomen që në fund të fundit ka lënë gjurmë të llahtarshme në të gjithë atë që kemi dhe sot. 500 vjet otomani i kanë kushtuar shumë shtrenjtë Shqipërisë, pavarësisht se disa njerëz shohin aspekte pozitive të saj. Për mua akoma kjo pjesë e Shqipërisë ka fenomene që na bën ne të njësohemi me një formë mentaliteti që vjen nga një frymë shekullore otomane. Kështu që në këtë drejtim, filmi “Ballë për ballë” hedh dritë mbi këtë dhe po të shikoni me vëmendje, filmi nuk është gjë tjetër veçse një ballafaqim në mes oksidentit dhe botës otomane. Do të thotë që e gjithë përcjellja e nizamëve, jeniçerëve të vegjël, xhamitë që pushtonin do të krijonin hartën, sikurse është tendenca e sotme, sikurse Enver Hoxha shpalli krijimin e ateizmit, u bë një hartë tjetër galopante, për të vënë kudo xhami dhe kisha, sepse interesat ishin që këto zona të krijonin influencat e tyre. Madje, më duhet ta them se shpeshherë edhe nëpër zona dhe fshatra ku nuk kishte banorë, u ngritën disa antena që janë në funksion të kësaj harte për të cilën po flas, që neve duhet të zgjohemi në një vetëdije tjetër dhe filmi e bën këtë gjë. Ky është një gur tjetër kilometrik tejet i rëndësishëm. Ashtu si gur tjetër kilometrik, unë quaj “Kolonel bunker”, çfarë do të thotë…?


Albana Shehu Qirjako: Si është kultura pas viteve ‘90-të, në një kohë tjetër?
Kujtim Çashku: Unë nuk i ndaj kohët, ai është një koncept tjetër që mund ta trajtojmë pak më vonë, se çfarë do të thotë në kulturë kohë. Në kulturë nuk ekziston as gjeografia e as koha, ato janë pretekste për krijuesin kudo që ndodhet. Relata e tij është me vendin në proporcion të kushteve që vendi imponon. Por, gjithçka te krijuesi është një gjë që del përtej kohës dhe përtej lokacionit, vendit ku ai është i destinuar për të zhvilluar aktivitetin e tij. Do të Doja të flisja për bunkerët, sepse e kam parë gjithmonë peizazhin e bunkerëve jo si fizik, por si një peizazh që ka të bëjë me mentalitetin e bunkerëve. Çka do të thotë që edhe sot ne e kemi shumë të lehtë që të projektojmë fajin tek të tjerët dhe të krijojmë një lloj elementi gjoja mbrojtës, që nuk është gjë tjetër veçse fenomeni i izolimit. Çdo fenomen i izolimit shoqërohet me fenomenin e agresivitetit, sepse njerëzit e izoluar, më falni se nuk ka asnjë lidhje për ta bërë paralelizmin, se unë kam shumë respekt edhe për qentë, sepse qentë po t’i mbash shumë të mbyllur, bëhen shumë të egër dhe hanë të zotin ndonjëherë. Kështu që në këtë drejtim, do kujdes të madh për të kuptuar drejtimin dhe mendoj se ky alarm vjen sot në rend të ditës për shoqërinë, se çfarë duhet të shikojmë dhe të reflektojmë si shoqëri për veten tonë. Kur fola për mentalitet bunkeri, unë e ndiej këtë edhe në përditshmërinë politike të kohës. Është shumë e lehtë të përbaltësh, është shumë e lehtë të futesh në një bunker dhe fillojnë godasin pafund, jashtë çdo lloj mundësie alternativash, hapin horizonte, hapin alternative të tjera për zhvillimin dhe emancipimin njerëzor.
Tjetra është ajo që kam quajtur… ju jeni, jeni pjesë e medias që jeni këtu, jam marrë apo jo me filmin e “Syrit magjik”, që bën fjalë për pushtetin e medias, që unë e quaj bombardimin e butë të trurit që bën media sot për të manipuluar turma, individë, për të shndërruar pushtetin e tyre në pushtet profiti. Janë evidente në filmin “Syri magjik”, ku produksionin e kam bërë me gjermanët. Pastaj në një farë mënyre interesat e mija ishin që të kryeja këtë Akademi të “Marubit”, që mendoja se kështu mund t’i shërbeja vendit tim, duke krijuar një shkollë filmi, që përgatiste gjeneratat e reja që vinin nga një vend, që madje ka histori kinematografike, siç është Kinostudio. Të gjitha këto përbëjnë stacione të ndryshme për mua.


Albana Shehu: Po rikthehem edhe njëherë te filmi “Ballë për ballë”, ndoshta për ata të rinj që nuk e kanë kapur atë periudhë kohe, është marrë pikërisht nga romani “Dimri i vetmisë së madhe” të Ismail Kadaresë. Do të doja t’u ngacmoja edhe njëherë, sepse jemi në kulmin e disa debateve anti-Kadare.
Kujtim Çashku: Mendoj se është farsë e disa njerëzve, se edhe në atë kohë ka pasur shumë njerëz që ngriheshin. Jo individë të klasës punëtore, por një anonim që mendonte të bëhej i dëgjueshëm, të bëhej i vlerësueshëm, por shpeshherë kjo lufta e anonimitetit për të krijuar zë, për t’u faktorizuar është një aspekt dhe kjo ndodh në dominime mediokritetesh të shoqërish mediokre, që shpesh janë të gatshme të vihen në shërbim të diktaturave, në shërbim të pushteteve, në shërbim të interesave të ngushta individësh. Një tjetër kompleks është tendenca e atyre dy hartave që thashë: harta neo-otomane dhe harta pansllave, e cila në një farë mënyre kërkon të zhdukë disa simbole të kulturës perëndimore dhe kjo për mua është thelbi i gjësë. Unë nuk u kushtoj shumë rëndësi këtyre zërave, të cilat si të thuash në një farë mënyre kërkojnë t’i japin vetes duke goditur majat, njëlloj qëndrimi të caktuar për të arritur, për të konfirmuar një zë të vetvetes, por këtë unë e quaj fenomen më të rrezikshëm. Që vjen për të gjurmuar dhe goditur në mënyrë shumë të sofistikuar çdo gjë që ka të bëjë me frymën e ndikimin e kulturës perëndimore në këtë vend. Ky për mua është alarmi më i madh që ne kemi për Shqipërinë.


Albana Shehu Qirjako: Në fakt, mos ndoshta po krijohet në Shqipëri një lloj manie për të sulmuar vlerat, e keni vënë re, e kanë tentuar këtë?
Kujtim Çashku: Kjo që thatë është e vërtetë, sepse hierarkia e vlerave nuk mund të krijohet as nga mediat. Kur flasim për vlera në fushën humane, në fushën e kulturës, ato janë, të cilat konsolidohen jo nga ne. Janë mekanizma të tjerë që punojnë, të cilat fillojnë dhe krijojnë. Mendoni pak, kush donte të dinte se ekzistonte një Franc Kafka, dmth., në anonimat të plotë, askush nuk dinte gjë, në një moment të caktuar pushtoi botën dhe ndryshoi konceptin për botën. Madje, unë do të thosha një gjë tjetër mjaft delikate; asnjëherë, asnjë epokë nuk e ka kapacitetin dhe aftësinë për të lexuar vlerën e vetvetes. Ashtu sikur mund të thuhet se asnjë epokë nuk e ka kapacitetin për të zbuluar krimet e vetvetes. Shpeshherë janë epokat e mëpasshme, të cilat fillojnë e gjykojnë. Në këtë kor të madh njerëzish kanë pretenduar jetë e mot të sillen në të gjitha mënyrat, me forma të ndryshme… se ka një frazë Ismaili, fantastike, që thotë për krimbin: Si u ngjite o krimb në atë majë? Dhe ai i thotë duke iu përgjigjur: Duke u zvarritur, duke u zvarritur… – Dhe sapo ngjitet e bie poshtë… Dhe kjo është historia e disa njerëzve që përpiqen në një farë mënyre duke përdorur skutat, anonimitetin, mediokritetin, të gjitha këto për të krijuar gjoja një kor në vetvete, që përbën diktaturën e mediokërve. Dhe diktatura e mediokërve është përtej çdo diktature tjetër në botë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.