OPINION

Jeta e njeriut midis indiferencës dhe neglizhencës

07:25 - 30.12.17 Nga Fitnete GRUDA
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nevoja për shërbime me cilësi e “njerëzllik” nga mjekët e spitaleve shtetërore u nënvizua nga kryeministri i vendit, pas bashkëbisedimit me qytetarët për të bashkëqeverisur. Por, papërgjeshmëria, mungesa e bashkëpunimit janë kthyer në stil pune për një pjesë të personelit mjekësor në QSUT. Në urgjencat e këtij spitali i sëmuri mund të humbasë lehtësisht jetën si pasojë e mos përcaktimit në kohë të shkallës të përparësisë të pacientit, ku sipas nenit 15 të ligjit numër 147/2014 për shërbimin e urgjencës, shkalla e përparësisë të pacientit caktohet brenda 15 minutave.




Po në këtë ligj në pikën 2/a të nenit 19 theksohet se mjeku i urgjencës trajton pacientët në varësi të shkallës së përparësisë dhe rëndësisë së problemit që paraqet. Por, nëse shkalla e përparësisë së pacientit nuk caktohet në kohë (ka raste që zgjat me orë, jo minuta) dhe problemi që paraqet pacienti nuk merret seriozisht kuptohet edhe trajtimi nuk do të jetë me përparësi. Çfarë trajtimi me përparësi mund t’i japësh një pacienti të ardhur në gjendje të rëndë, i cili qëndron i ulur në karrocë për mungesë shtretërish! Teksa sheh familjarët e një pacienti duke marrë vetë barelën për të çuar atë, as vetë se dinë se ku …

Apo familjare të një pacienti tjetër, të shokuar nga neglizhenca e mjekëve, kur për 5 orë nuk është bërë një eko dhe një analizë gjaku (për mungesë të një tubi, sipas mjekëve) thua kujt t’i besoj: Pushtetarëve me objektiva ambicioze në 100 ditët e qeverisjes, apo kësaj situate shokuese që po shoh me sytë e mijë!? Momenti më delikat ku jeta e pacientit vihet në rrezik dhe ku dukshëm vihet re papërgjeshmëria dhe neglizhenca, është momenti kur një pacient vendoset të kalojë për shtrim në pavion apo reanimacion; aty krijohet një rreth vicioz me hidhje pritje për një kohë shumë të gjatë nga ana e mjekëve përkatës ku asnjëri nuk e merr përsipër të sëmurin e si pasojë rëndojnë gjendjen e pacientit. Ka pasur raste ku kjo lojë “ngecje” ka çuar pacient, në gjendje të rëndë, në pavionin e gabuar, duke e “shtyrë” kështu drejt vdekjes.

Nuk duhet harruar fluksi i madh i të sëmurëve që shpesh i drejtohen urgjencës në QSUT, e veçanërisht asaj të zemrës. Por, për këto raste autoritetet duhet të kishin menduar diçka duke shtuar mjek (mendoj unë) dhe mjekët duhet të kishin ngritur zërin, për situatën e papërballueshme në kohë. Çudia tjetër qëndron se mjek roje, në urgjencë dhe në pavione, gjen më së shumti mjek të rinj apo studentë që kanë fazën e specializimit. Është normale që edhe kjo kategori mjekësh do të praktikohet dhe ushtrojnë profesionin e tyre në të gjitha dimensionet, por mendoj që duhet të alternohen edhe me mjek me përvojë më të gjatë pune, pasi dihet që natën nuk kanë mundësi të konsultohen me mjek të tjerë për t’i dhënë zgjidhje situatave vështira që mund të dalin me pacientët, por jo vetëm, problem për ata përbën dhe mospërballimi natën zgjuar ku në momentet që pacienti ka më tepër nevojë për mjek, ata relaksohen në dhomat e tyre ku nuk u bëjnë përshtypje as thirrjet rrëqethëse të familjarëve dhe as trokitja pa pushim në derë.

Krahas tyre qëndrojnë dhe infermierët të cilët nuk duan t’ia dinë për situatën e pacientit dhe nuk guxojnë të tregojnë dhomën e mjekut apo t’i thërrasin ata në mënyrë që t’u vijnë në ndihmë pacientëve. Ndërsa pacienti ka arritur në koma është skandaloze të dëgjosh mjekun (për të shfajësuar kolegët): “Jemi mjek roje, jo qen roje”. Me sa duket ky mjek ka harruar betimin e Hipokratit; aq më tepër kur pacienti është në gjendje të rëndë dhe pjesë e rëndimit të mëtejshëm je dhe “TI”, përgjegjësia jote si mjek rritet aq sa,për të mbrojtur jo vetëm jetën e pacientit por edhe veten të duhet të bëhesh edhe “qen” roje, që do të thotë – “të rrisësh përkushtimin”.

Mendoj që është detyrë e mjekut, sqarimi i familjarëve për situatën e pacientit dhe shkakun e kësaj gjendjeje bazuar në rezultatet e analizave jo mbi bazën e aludimeve të “X” apo “Y” personi, pa interes për pacientin. Indiferenca e organeve kompetente për të pajisur spitalet me të gjitha medikamentet, mjete, pajisjet e nevojshme dhe për të qenë në kontakt me gjendjen në spitale,së bashku me neglizhencën e mjekëve shpesh bëhen pengesë për shpëtimin e jetës për pacientët, aq sa përtej dhimbjes familjarëve iu shton edhe një breng. Investimet në spitale kanë qenë motoja e ministres në 100 ditët e qeverisjes ku ndër ato nënvizohej përmirësimi i furnizimit me barna dhe pajisje mjekësore. Le të niset ky përmirësim me gjërat më emergjente që mungojnë, si: medikamente të ndryshme, shtretërit, tubat për analizat e gjakut, pompat e oksigjenit…që janë aq të nevojshme në momente kyçe për jetën e njeriut. Nuk duhen përgjithësuar dhe etiketuar të gjithë mjekët, ku midis tyre gjen modele nga më të mirat, por edhe këto raste të veçanta që listova janë një alarm për ndryshim pasi flitet për jetë njerëzish. Ndoshta kujtesa e herëpashershme për më shumë përgjegjshmëri, humanizëm dhe njerëzllik do t’i bënte mirë mjekësisë tonë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.