OPINION

A do jetë 2018-a viti i drejtësisë?

07:28 - 05.01.18 Nga MIMOZA KOÇIU
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 Viti që lamë pas ka qenë si kurrë më parë i ngjeshur me zhvillime politike që nga përplasjet, flirtet, konfliktet, fitoret e dështimet, marrëveshjet publike e pas kuintave, deri tek zbulimet e forta mbi raste të denoncuara herët, por të pakonsideruara me vullnet të qartë politik, si rasti i ish-ministrit të Brendshëm, i deputetëve me rekorde të dyshimta kriminale, apo edhe tonelatat e drogës, transporti i të cilave nga Shqipëria drejt fqinjëve ka vijuar kokëfortësisht, përkundër strategjive e përbetimeve qeveritare se denoncimi i tyre e njollos imazhin e Shqipërisë në botë.




E pavarësisht nga problematikat e spikatura, për herë të parë Shqipërisë iu dha një mesazh i qartë shprese nga Brukseli, se pranverën e 2018-ës, nëse tregon vullnet në zbatimin e reformës në drejtësi e luftën kundër krimit e korrupsionit, do t’i hapen negociatat e anëtarësimit me Bashkimin Europian.

Përtej situatës së vështirë ku ndodhet vetë Bashkimi Europian, me Brexit-in e shtrirjen e ndikimit të Rusisë e Turqisë në rajonin ballkanik, në kushtet kur Brukseli ka humbur vëmendjen ndaj vendeve, që i ka lënë prej vitesh në pritje pas derës së tij, në rastin e Shqipërisë, çelësi që do sigurojë hapjen e asaj dere, do jenë pikërisht rezultatet e para që do japë zbatimi i reformës në drejtësi. Diplomatët amerikanë dhe ata të BE në Tiranë, ia kanë dalë pas një sprove 2-vjeçare, ta fusin procesin në shinat e duhura. Me shumë durim dhe me mënyra jo gjithnjë “ortodokse”, e kanë çuar procesin përpara, duke ia dalë të zhbllokojnë ngërçin e krijuar me Këshillin e Lartë të Prokurorisë (KLP), organi që prej muajit prill të vitit të kaluar nuk ngrihej, pasi në mënyrë të çuditshme, e me sehirin e pozitës e opozitës, nuk arrinte të identifikonte një kandidaturë nga shoqëria civile, ai grup shoqëror, të cilin e kemi parë të protestojë disa herë për ecurinë e ngadaltë të ngritjes së organeve të vetingut, gjatë dy viteve të fundit.

Dukshëm, zhbllokimi i procesit me zgjedhjen e kryeprokurores së përkohshme është meritë e qartë e diplomatëve në Tiranë, të cilët pas kuintave ushtruan presionin e duhur. Nuk është rastësi që pas kësaj zgjidhjeje ndërkombëtare, ngritja e Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP), tashmë është vetëm çështje kohe. Është KLP organi që i hap rrugë ngritjes së Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), e cila përbëhet nga Prokuroria e Posaçme dhe Njësia e posaçme Hetimore, e njohur si Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH), pasi KLP emëron prokurorët e posaçëm, por edhe vetë drejtuesin e BKH.

Nga mënyra se si u përzgjodh kryeprokurorja e përkohshme, shenjat janë se edhe drejtuesit e anëtarët e SPAK do kenë të njëjtën “vëmendje të posaçme” të misioneve të BE e SHBA, të cilat me ligj do monitorojnë punën e Prokurorisë së Posaçme dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit, në varësi të saj, të paktën për dy vjet.

Pra, i hapet rruga hetimit nga SPAK, e asistuar nga ekspertë ndërkombëtarë në terren, i çdo vepre penale apo korrupsioni, janë 40 të tilla të parashikuara në ligj, që nga drejtuesit më të lartë në vend, Presidenti i Republikës, kryetari i Kuvendit, kryeministri, ministrat, gjyqtarët kushtetues, vetë prokurori i përgjithshëm, kryetarët e bashkive e deri tek të gjithë të zgjedhurit e tjerë, qendrorë a vendorë në institucionet e pavarura publike, të krijuara me ligj a me Kushtetutë.

Pra, tashmë duket se këtë proces e kanë marrë në dorë ndërkombëtarët, të cilët i kanë kryer të paramenduara këto lëvizje nxitëse, duke bërë edhe paralajmërimet e hapura sipas rastit, siç ishte ai për arrestimin e peshqve të mëdhenj nga ambasadori amerikan, Donald Lu.

Që ky proces duhet parë me pritshmëri të larta, e dëshmon edhe mungesa e entuziazmit edhe e mazhorancës, edhe e opozitës për këtë arritje të rëndësishme të reformës në drejtësi, falë së cilës u bë premtimi nga Brukseli. E duket se në 2018-ën, të gjitha gjasat janë, që përveç politikanëve as engjëj e as misionarë, shahistë apo amatorë, të shohim në rrjetë peshqit e mëdhenj abuzues, shumëngjyrësh.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.