OPINION

8 rreziqet kryesore të 2018-ës

07:26 - 06.01.18 Edval ZOTO
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Në një këndvështrim optimist, viti i saponisur do të jetë vit në të cilin do të hidhen disa hapa të rëndësishëm për zhvillimin demokratik dhe politiko-ekonomik të vendit, duke nisur nga reformimi i sistemit të drejtësisë, hapja e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian e, duke vijuar me jetësimin e programit ambicioz të qeverisjes nga kabineti i dalë nga zgjedhjet e qershorit 2017, program që pritet të mundësojë një rritje ekonomike në nivelin jo më pak se 4% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB).




Ndërkohë, nga një këndvështrim qëllimisht skeptik, e duke vërejtur një sërë faktorësh të brendshëm e të jashtëm, në një skenë tepër dinamike në të cilën jetësohet realiteti shqiptar, mund të evidentohen disa rreziqe, të cilët më shumë se disa të tjerë të mund pengojnë zhvillimin e Shqipërisë përgjatë këtij viti. Këto rreziqe, me shumë gjasa nuk pritet të ndikojnë në atë masë sa të ndryshojnë në mënyrë domethënëse rrugëtimin politiko-ekonomik të vendit, por që me shumë mundësi do ta bëjnë atë më të vështirë, duke krijuar pengesa, vonesa dhe shpërqendrime të ndryshme, sipas karakteristikave të tetë rreziqeve më të mundshme të evidentuara si më poshtë:

 Skena politike do të vijojë të qëndrojë e radikalizuar, duke e vështirësuar politikëbërjen dhe vonuar vendimmarrjen. Forcat kryesore politike do të vijojnë mosmarrëveshjet e përplasjet publike duke synuar dobësimin e kredibilitetit publik të palëve kundërshtare, si dhe rritjen e radhëve të mbështetësve nëpërmjet afrimit të të pakënaqurve dhe oportunistëve qoftë në radhët e politikës, por dhe të publikut. Fitorja domethënëse në zgjedhjet parlamentare i jep mundësinë Partisë Socialiste të qeverisë e qetë e vetme dhe gjithashtu i jep avantazhin e përzgjedhjes së aleatëve në vazhdimësi. Afrimi, si dhe homogjenizimi politik i këtyre është i pashmangshëm në kushtet e mungesës së alternativave të besueshme opozitare. Nga ana tjetër, forcat opozitare, nëse vijojnë me modelin e të bërit opozitë duke ruajtur një nivel të lartë radikalizimi dhe konfliktualiteti në marrëdhëniet me pozitën, në mungesë të skandaleve konkrete qeveritare, pritet të pësojnë humbje të mbështetjes publike.

 Zbritja e konfliktualitetit në qeverisjen vendore dhe përgatitja e “betejës” zgjedhore vendore në 2019. Gjatë këtij viti pritet që konfliktualiteti midis forcave politike në pushtet dhe atyre në opozitë të zbresë dhe në nivelin e qeverisjes vendore. Në këtë nivel, konkurrenca politike do të parapërgatitet për zgjedhjet vendore të vitit 2019, të cilat do të diktojnë dhe orientimin apo karakteristikat e veprimtarisë politike të këtyre forcave në 61 bashkitë e vendit. Radikalizimi dhe konfliktualiteti i lartë politik në vend pritet të ndikojë gjithashtu dhe në shkurajimin e investitorëve, por edhe në bllokimin e vonimin e projekteve zhvilluese, sidomos në rajonet me rivalitet të theksuar politik.

 

Rritja e kriminalitetit dhe e akteve kundër rendit publik si pasojë e reformave institucionale. Reformat e nisura në sektorin e drejtësisë, por dhe në ekzekutiv pritet të shkaktojnë pakënaqësi në radhët e personave të inkriminuar, të cilët mund të kundërveprojnë duke ndikuar në sigurinë publike. Jo vetëm procesi i vetingut në gjyqësor, por dhe ai i nisur tashmë në Policinë e Shtetit pritet të nxjerrë nga sistemi një serë individësh të inkriminuar e me lidhje të provuara me kriminalitetin në vend. Këta individë të përjashtuar, e sidomos ish-pjesëtarët e forcave të sigurisë, nga eksperienca të mëparshme është provuar se përfundojnë në shërbim të kriminalitetit si dhe të grupeve kriminale me të cilët kanë bashkëpunuar më parë. Gjithashtu, përjashtimet e mësipërme, në mungesë të strategjive re-integruese në komunitet, mund të shkaktojnë dhe veprime hakmarrëse kundrejt institucioneve shtetërore, të cilat mund të ndikojnë sigurinë publike. Një aspekt tjetër që mund të ndikojë në shkallën e kriminalitetit në vend është dhe formësimi rishtazi i një sërë strukturash me karakter “task-force”. Organizime të tilla në brendësi të forcave të sigurisë, sidomos kur kërkohet të funksionojnë me afat të gjatë, shkaktojnë dhe probleme që lidhen me mbivlerësimin e vetë strukturës “task-force” dhe nënvlerësimin e strukturave të zakonshme (qoftë dhe në pikëpamje të menaxhimit të personelit). Gjithashtu, krijimi i një sërë institucionesh të reja në kuadër të Reformës në Drejtësi, ka premisa të ndikojnë në shpërqendrimin e institucioneve ekzistuese të angazhuara në luftën kundër kriminalitetit.

 

Ri-“ballkanizimi” dhe zhvendosja drejt rajoneve jo-tradicionale të hartës së mbjelljes së kanabisit. Pavarësisht angazhimit publik të autoriteteve shtetërore për eliminimin e fenomenit të prodhimit të kanabisit në Shqipëri, angazhimi kriminal në vend ka një “kërkesë”, për të përmbushur dhe përpjekja për vijimin e kësaj veprimtarie të paligjshme nuk ka për t’u ndërprerë, ndërkohë që pritet që plantacionet e reja të kanabisit të spostohen drejt rajoneve më pak të kontrollueshme të vendit, ku vështirësia e monitorimit është më e lartë dhe lehtësia e shmangies së forcave të ligjit është më e madhe. Plantacionet e kanabisit pritet të zvogëlohen në përmasa, por duke u përhapur në shumë zona, duke mos përjashtuar dhe përhapjen e plantacioneve në hapësira të mbyllura (sera, kapanone) ndërkohë që pritet gjithashtu që të sofistikohen dhe mënyrat e transportit dhe trafikimit jashtë vendit.

 

Rënia e nivelit të investimeve të huaja si rezultat i përfundimit të projekteve madhore në zhvillim. TAP dhe Statkraft, që kanë qenë motorët e fuqishëm të injektimit të investimeve në vend përgjatë viteve të shkuara, pritet të përfundojnë fazat zhvilluese të investimeve të tyre në Shqipëri në vitin 2018. Bashkë me to pritet të ndalojë dhe fluksi i valutës që futet në vend nga këta aktorë me ndikim mbresëlënës në ekonominë e vendit. Gjetja dhe tërheqja e investitorëve madhorë të jashtëm mbetet një sfidë e madhe për autoritetet shtetërore.

 

Paketa fiskale 2017: Qeveria bën mirë të dijë mirë çfarë ka bërë. Nga të gjitha amendimet fiskale që qeveria ndërmori në fund të vitit që lamë pas, amendimi që tërhoqi më shumë vëmendje, e që ngjalli më shumë shpresë ishte favorizimi me ulje takse, që qeveria u bënte operatorëve ndërkombëtarë të hotelerisë, ose emrave të mëdhenj, si “Sheraton” etj., në përpjekje për të tërhequr investitorë seriozë në këtë sektor. Përkundër çfarë pritej, dhe si një grusht i beftë nën brez për hartuesit e paketës fiskale, erdhi lajmi i tërheqjes së “Sheraton”, linjë hotelesh e “Marriot International”, nga Shqipëria që në ditën e parë të 2018-es. Pavarësisht se ky largim, siç përflitet, nuk ka lidhje me vështirësitë e lidhura me përballimin e taksave shtetërore, por me mosmarrëveshjet midis investitorëve në rastin konkret, do të ishte mirë që të paktën ky rast të shërbente edhe si mësim për administratën që do të implementojë paketën e re fiskale dhe të menaxhojë favorizimin me po aq rigorozitet sa dhe trajtoi “Marriot International” ruajtjen e brandit të saj, “Sheraton”, në raportin me një kompani vendëse.

Përtej amendamenteve fiskale për sektorin e turizmit, amendamenti që do ndikojë më gjerësisht ekonominë vendëse do jetë ai i uljes së pragut të TVSH-së. Për këtë amendament qeveria ka marrë kritika nga aktorë të rëndësishëm në vend, duke përfshirë FMN-në si dhe Dhomën Amerikane të Tregtisë dhe gjithashtu në këtë rast qeveria duhet t’i ketë bërë mirë “hesapet”. Mijëra biznese të vogla pritet të përfshihen në këtë skemë dhe pavarësisht se rëndom përmendet se kjo masë do të ulë informalitetin, askush nuk ka mundur të parashikojë shifra konkrete.

Gjithashtu, qeveria i ka dhënë edhe vetvetes të drejtën për të ndryshuar pragun e TVSH-së sipas gjykimit të Këshillit të Ministrave, gjë e cila ndikon negativisht në krijimin e besueshmërisë për tregun, nga ana e investitorëve vendës apo të huaj.

 

Një rend ndërkombëtar pa një “rend” të caktuar, dhe një rajon i stabilizuar, por jo i qetë. Oportunizmi, kryeneçësia dhe mungesa e gatishmërisë për t’i kushtuar vëmendje opinionit dhe interesit të gjerë publik janë karakteristikat që sipas të gjitha gjasave do të karakterizojnë rendin ndërkombëtar në vitin 2018. Tashmë, protagonistë të kësaj lloj sjelljeje delegjitimuese të rendit ndërkombëtar janë jo vetëm liderë lindorë, por edhe perëndimorë. Në këtë mjedis, vendet e vogla si Shqipëria, janë më të pambrojtura dhe lehtësisht të ndikueshme qoftë edhe nga interesa afatshkurtra të shteteve të fuqishme. Për më tepër, vendosja në një rajon emblematik të përplasjeve të ndikimeve të shteteve më të fuqishme i krijon Shqipërisë dhe shqiptarëve disa kokëçarje më shumë. Fqinji ynë jugor, megjithëse i kërrusur nga situata ekonomike, qëndron i patundur në bllokimin e çfarëdo iniciative që lidhet me Maqedoninë, fqinjin tjetër tonin, për arsye të emrit kushtetues të tij. Nga ana tjetër, zgjidhja e këtij konflikti, përveç përftimeve për palët e drejtpërdrejta do mundësonte edhe anëtarësimin e Maqedonisë në NATO, duke lehtësuar kështu gjithë aleatët e shumtë në rajon. Përkundër kësaj ideje krah-renditëse, përvijohet dhe fuqizimi i marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Rusisë, e sidomos i atyre ushtarake, gjë që si anëtarë të NATO-s na shqetëson, ose më mirë duhet të na shqetësojë, të gjithëve ne aleatëve aktualë në Ballkan.

 

Terrorizmi. Duket sikur rreziku terrorist është i reduktuar për vendin tonë, por në fakt është i pranishëm si rrallë herë më parë. Numri i madh i bashkëqytetarëve, por edhe i bashkëkombësve tanë pjesëmarrës në luftën në mbarim në Siri e Irak krahas grupeve terroriste, sidomos numri i atyre që akoma s’janë kthyer e që pritet të kthehen, numri i të dënuarve për vepra terroriste në Shqipëri e Kosovë, si dhe së fundmi plani i dështuar për të ndërmarrë një sulm terrorist vdekjeprurës në territorin shqiptar në fundin e vitit 2016, tregojnë se rreziku terrorist për vendin tonë mbetet i lartë. Ndërkohë që në vitin 2018 pritet të nisin funksionimin të paktën dy institucione të reja, që do të merren drejtpërdrejt me fenomenin e terrorizmit: Qendra e Ekselencës e NATO-s për Studimin e Fenomenit të Luftëtarëve të Huaj dhe Qendra e Koordinimit kundër Ekstremizmit të Dhunshëm. Ngritja e pritja për nisjen e punës nga ana e këtyre institucioneve me emra të gjatë, por deri më tani pa histori, gjithsesi nuk e lehtëson faktin se Shërbimi Informativ Shtetëror (SHISH), kali historik i betejës i vendit tonë në luftën kundër terrorizmit, ka mëse dy muaj pa një drejtor të emëruar.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.