KULTURË

“Moti i madh” për Skënderbeun, ekspozohet objekti i vitit 1465

10:30 - 16.01.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli/ Një ekspozitë me statute, faksimile, gravura të autorëve të ndryshëm dhe portrete, me anën e të cilave vizitorët njihen me momente nga jeta dhe betejat e Heroit Kombëtar të shqiptarëve, Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Ky është thelbi i ekspozitës “Moti i madh”, që çelet në Muzeun Historik Kombëtar më 17 janar.




Drejtori Dorian Koçi tha dje për “Gazeta Shqiptare” se ndërkaq, do të ketë edhe projeksione artistike me dokumentarë dhe imazhe nga filmi i Skënderbeut, që e pasurojnë këtë ekspozitë të veçantë gjatë gjithë hapësirës së hollit kryesor të Muzeut Historik Kombëtar.

I pyetur se cili është angazhimi i MHK në Vitin Mbarëkombëtar të Skënderbeut (550-vjetori i kalimit të tij në amshim), Koçi zbuloi se në Muzeun Historik Kombëtar, sipari i aktiviteteve për Skënderbeun do të çelet më 17 janar me një ekspozitë të titulluar “Moti i Madh”. I cilësuar si përfaqësuesi më i shquar i elitës shqiptare, që udhëhoqi frontin e luftës kundër Perandorisë Osmane, ekspozita për nder të tij, përmban ekspozitorë me armë origjinale mesjetare, si dhe libra të autorëve të ndryshëm dedikuar Skënderbeut. “Figura e Skënderbeut mbeti e gjallë në ndërgjegjen e popullit shqiptar si kujtim i asaj lufte që habiti botën me fitoret e tij legjendare dhe u bë krenaria për një të kaluar, të cilën donin ta përsërisnin. Figura e Skënderbeut ka tërhequr vazhdimisht vëmendjen e ushtarakëve, të burrave të shtetit e në përgjithësi të opinionit publik evropian, të cilët kanë kërkuar të nxirrnin mësime nga përvoja luftarake e shqiptarëve, sidomos kur vendet e tyre luftonin kundër pushtuesve të huaj”, tha Koçi, historian veçse drejtor.

Ai kujton se Viti i Skënderbeut nuk ka në vëmendje heroin. “Në fakt, brenda këtij viti ka edhe ngjarje të tjera të rëndësishme, që kanë po të njëjtën rezonancë. Kemi 140-vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe 110-vjetorin e Kongresit të Manastirit, të cilat do të përkujtohen dhe festohen në këtë kuadër. Edhe aktivitetet e tjera, që do të organizojë Muzeu Historik Kombëtar do të jenë në kuadër të këtyre ngjarjeve. Në këtë mënyrë do të kemi një përafrim dhe një përqasje më tepër të historisë”, vërejti Koçi.

Ai bëri me dije se do të jenë në dispozicion të ekspozitave me tematikë nga epoka e Skënderbeut, por edhe të ngjarjeve të tjera që përmenda më sipër, holli qendror i Muzeut Historik Kombëtar, si dhe sallat e ekspozitave. Salla “UNESCO” dhe ajo “Konstandin Shpataraku” gjithashtu do të jenë të gatshme për aktivitete shkencore dhe mbajtje kumtesash. Ndërkohë që vizitorët do të mund të njihen me objektet e kësaj periudhe, që janë të pasqyruara në Pavionin e Mesjetës, ku një hapësirë të madhe të tij e zë periudha e Skënderbeut.

TË NJËKOHSHËM ME SKËNDERBEUN
Çfarë kemi të njëkohshme me Skënderbeun? Jo shumë.
Në përgjigje të pyetjes se çfarë ruan Muzeu prej kohës që heroi qe gjallë, Koçi thotë se “objekti qendror i ekspozitës është kambana e Karpenit, e cila daton në vitin 1465. Po ashtu, përshkrimi i Arbërisë para pushtimit osman pasqyrohet nëpërmjet hartës me principatat shqiptare të kohës, bashkë me emblemat e tyre, fisnikët që morën pjesë në Besëlidhjen e Lezhës, bashkimin politik dhe ushtarak më të rëndësishëm në historinë e shqiptarëve. Ekspozita përmban ekspozitorë, të cilat paraqesin për vizitorët armë mesjetare si dhe libra të autorëve të ndryshëm dedikuar Skënderbeut. Objektet e ekspozuara e ilustrojnë qartë armatimin e kohës”.

Mandej, i pyetur nëse MHK ruan MHK botime që mund të dalin në dritë me këtë rast, Koçi vendos të tregohet disi diskret. “Ky është një vit ku pritet të ketë një vlerësim të madh të figurës së Skënderbeut përmes dokumenteve që lidhen me epokën e tij. Kështu që në vazhdimësi gjithçka e re do të publikohet përmes ekspozitave të ndryshme dhe kumtesave shkencore. Angazhimeve të marra nga qeveria shqiptare për të kremtuar vitin 2018 si vitin e Skënderbeut, i është bashkuar edhe Akademia e Shkencave duke çelur një konkurs për botimet që lidhen me figurën e Heroit tonë Kombëtar”, përfundon ai.

KAMBANA E SHELCANIT
Në kuadër të përkujtimit të 550-vjetorit të Skënderbeut do të ekspozohet edhe një tjetër kambanë, që për nga paraqitja, simbolikat që bart dhe viti i gdhendur në të është ende më e rëndësishme. Kjo kambanë do jetë pjesë e ekspozitës që Kryeministria çel në Pallatin e Kongreseve.
Bëhet fjalë për kambanën e Shelcanit.

Në vitin 2016 studiuesja Dorina Arapi shkruante se në Muzeun Historik Kombëtar, në pavijonin e mesjetës, ekspozohet një kambanë, që sipas të dhënave, e ka prejardhjen nga fshati Shelcan i zonës së Shpatit. “Ajo mban datën e vitit 1455. Kjo gjë dallohet nga numrat romakë, të gdhendur mbi të në pjesën e prapme të saj.
Në kambanë, e gdhendur në reliev, paraqitet një skenë e veçantë. Aty paraqitet Shën Ana, nëna e Shën Mërisë, Shën Maria më e vogël në trup dhe Krishti fëmijë. Shën Ana paraqitet e ulur në fron e në duart e saj mban dy flamuj me kryq. Ajo mban pranë saj Shën Mërinë e ndërsa Shën Mëria mban në prehrin e saj Krishtin fëmijë, i cili është paraqitur gjysmë i zhveshur. Kjo gjë të kujton ikonografitë e rilindjes italiane. Mjafton të shohim pikturat e mjeshtërve fiorentinë, për të vënë re ngjashmërinë në konceptin artistik”, shkruante Arapi.

Sipas saj, kjo temë ikonografike nuk ekziston në Shqipëri, në ikona apo afreske pasbizantine, ndaj për mungesë të dhënash të plota, këtë gjë e pranojmë me rezervë. Të njëjtën gjë mund të themi për ikonografinë bizantine në Shqipëri. Shtonte se është mungesa e shumë kishave të kësaj periudhe që nuk e lejon një studim më të detajuar. Arapi bënte me dije se ato kisha, që ende trashëgojmë janë kisha e Shën Mërisë së Maligradit në Prespë (1345 dhe 1369), kisha e Ristozit në Mborje, kisha e Shën Triadhës në Berat etj. Me gjithë këto, Arapi theksonte se këtë temë ikonografike, që njihet ndryshe si ikonografi “Shën Ana trinitare”, gjendej mjaft e përhapur në Europën e mesjetës dhe në epokën humaniste italiane.
Arapi, që ka bërë një studim të detajuar për këtë kambanë, ka sqaruar edhe se “në skenën që paraqitet në kambanën e Shelcanit Shën Ana, nuk paraqitet në rolin e edukueses së Nënës së Zotit, së Shën Mërisë apo në rolin e mbrojtëses së familjes. Qëndrimi i Shën Anës në fron, jep idenë e një figure monumentale dhe me pamjen e një mbretëreshe. Kjo gjë përforcohet nga dy flamujt me simbolin e kryqit që ajo mban në duar. Shën Ana në këtë rast ka rolin e mbrojtëses së krishterimit, duke lartësuar kryqin, simbolin e shpëtimit”.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.