EKONOMI

Rrugë të reja, mbi tryezën e ministrit vijnë dy oferta për koncesion

12:35 - 23.01.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Qeveria do të ndërtojë tri rrugë të reja, ku dy prej tyre do t’u jepen me koncesion kompanive private.  Ministrisë së Transporteve i janë paraqitur dy propozime të pakërkuara për ndërtimin me koncesion të rrugës Vaqar-Kavajë dhe Milot-Balldrem, ndërsa do të nisë hartimi i projektit për Elbasan-Qukës.




Zv.ministri i Transporteve, Artan Shkreli, tha dje në Komisionin e Ekonomisë se Ministria po shqyrton projektet me koncesion për ndërtimin e dy rrugëve.

“Për rrugën VaqarKavajë dhe Milot –Balldrem kanë ardhur propozimet në ministri dhe në këto momente janë duke u shqyrtuar studimet e fizibilitetit ku një pjesë e tyre duken mjaft të mira. Ky është motivi që janë hequr dy nga këto projekte për financim nga marrëveshja e huasë, sepse do të shikohen me kontrata me koncesion. Me këtë financim ka mbetur vetëm bypass-i i Elbasanit, siç duket nuk ka pasur interesim në këtë nivel”, u shpreh Shkreli.

Drejtori i Transportit në Ministrinë e Transportit dhe Energjetikës, Dhimio Plaku, tha se të dyja projektet e paraqitura janë autostrada me 4 korsi.

“Ofertën për propozim të pakërkuar, me partneritet publik privat e kemi për Milot-Balldrem dhe do të jetë autostradë, paralel me rrugën ekzistuese me katër korsi. Për Vaqar –Kavajë projekti është autostradë me katër korsi”,- tha Plaku. Kryetari i Komisionit të Ekonomisë, Erjon Braçe, kërkoi shpjegime për veçimin e autostradës Vaqar-Kavajë nga projekti ekzistues, Thumanë-Rrogozhinë.

“Ai konsiderohet një projekt nga Thumana në Rrogozhinë, nuk e kuptoj pse e keni copëtuar. Pse ky segment autostrade është i kufizuar nga Vaqari deri në Kavajë”, tha Braçe. Zv.ministri i Transporteve, Artan Shkreli, shpjegoi se kërkesat nga kompanitë private ishin më të larta për Vaqar-Kavajë, ndërsa Thumanë–Kashar është veçuar për shkak se është pjesë e projektit Adriotiko-Jonian.

“Shprehja e interesit nga Vaqari në Kavajë është më e lartë. Ndërsa hapja e segmentit të ri që shkon në Rrogozhinë ka më pak kërkesa dhe studimet e fizibilitetit janë më të gjata dhe më të ndërlikuara për ne për të bërë një përmbledhje”, tha Shkreli. Komisioni i Ekonomisë miratoi dje marrëveshjen e huasë së butë, me vlerë 30 milionë euro që do të përdoren për hartimin e projektit të rrugës Qukës-Elbasan, bypass-in e Elbasanit dhe bypass-in e Beratit.

“Kredia që po shqyrtojmë është një vendim që është marrë para shumë vitesh. Flitet për ndryshimin e studimit të fizibilitetit dhe të impaktit mjedisor në dy akse, nga Milot-Shkodër që ishte, ne do të bëjmë Elbasan-Qukës për të lehtësuar trafikun që është në këtë aks dhe një rrugë e papërshtatshme për transportin e mallrave, që vijnë nga dy doganat kryesore Kapshticë dhe Qafë– Thanë. Nga ana tjetër do të zëvendësojmë Vaqar-Kavajë me bypass-in e Beratit, i cili do të lehtësojë rrugën për Skrapar dhe Çorovodë dhe do të lemë siç ishte bypass-in e Elbasanit”, u shpreh zv.ministri Shkreli.

Burimi: Panorama


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.