KULTURË

“Realizim plani në masën 100%?” Ka edhe bileta që shiten në masën 104%

18:08 - 25.01.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Fatmira Nikolli/ Në një konferencë për mediat mbajtur ditën e sotme, Drejtoresha e Përgjithshme e TKOB, Zana Çela, para se të lejonte stafin të fliste për superproduksionin “Carmen” ka bërë një analizë suksesesh për vitin e kaluar. E megjithëse analiza përmban shifra me tejkalim plani, e vetmja shifër e munguar në konferencë ishte kostoja financiare e “Carmenit”, premiera e parë për këtë vit.




Në konferencë u kujtua se opera është në rikonstruksion, një projekt i nisur që me Ilir Kernin drejtor, para se Çela të merrte detyrën.
Megjithëkëtë, nisja u punës, “u shoqërua me një punë kolosale të transferimit jo vetëm të trupave dhe mjeteve, por dhe arkivave, dekoreve dhe kostumeve. Zhvendosemi për t’u rikthyer në një godinë që artistët dhe publiku shqiptar meriton të ketë”, u tha në konferencë.

U vu në dukje se gjatë kësaj kohe, “TKOBAP jo vetëm që nuk rrëzoi ritmin e shfaqjeve, por i dha mundësinë publikut shqiptar, si kurrë më parë në historinë 61-vjeçare të TKOB, të ndiqte artin operistik në të katërta anët e Shqipërisë”.

Në këtë vazhdë, u rifol për zgjerimin e audiencave përmes: Opera në Teatër, Opera on Tour, Opera Open Air dhe “Edukimi përmes Artit”.

U kujtuan aktivitetet për Prenkë Jakovën, 60-Vjetorin e krijimit të Ansamblit Popullor të Këngëve e Valleve, etj.

SUKSESE E PUBLIK
Për sa më sipër, u tha se numri i shfaqjeve për periudhën Janar – Dhjetor 2017 ishte 105, opera, balet, koncerte dhe eventet e kalendarit “Edukimi përmes Artit”, nga të cilat 24 ishin shfaqje premierë.

Gjatë vitit 2017 shfaqjet sipas TKOB u ndoqën nga 258,055 spektatorë. Më tej, u ripërmend se:

– Kalendari artistik mori një audiencë të madhe, veçanërisht në shfaqet OPEN AIR në muajin Korrik të vitit 2017-të në Sheshin “Skënderbej” me koncertin “Opera Jeans”, baletin “Monger”, koncertin e Ansamblit Popullor dhe në 28 Nëntor me Operan “Skenderbeu”, shfaqe te cilat u ndoqen nga mbi 200,000.

– U ritha se gjatë vitit 2017 audienca u rrit shumë me serialin e shfaqjeve OPERA ON TOUR.

– U ritha se për herë të parë pas 35 vjetësh, TKOBAP performoi nëpër qytetet e Shqipërisë me vepra operistike dhe baleti, si: Shkodër, Elbasan, Fier, Vlore, Durres, Prishtinë, Korçë etj.

– Viti 2017-të u cilësua si viti i premierave të mëdha të suksesshme, të cilat sipas drejtuesve edhe pse u përshtaten me shumë vështirësi në sallën e Pallatit të Kongreseve, u realizuan me një nivel të lartë artistik dhe audiencë maksimale. Po sipas TKOB, ndër to më të suksesshme ishin: Baleti “Liqeni i Mjelmave”, Opera “Peshkatarët e Perlave”, Baleti “Exil-Déjà vu”, 60 – Vjet Ansambli Popullor – Koncert Gala, Grand Gala e Vitit të Ri – “Pop Stars to Opera Stars” etje.

Si të mos mjaftonin sukseset që numëruan më lart, mes tyre u llogarit si sukses edhe “një fushatë të fortë, bazuar në promovimin e aktivitetit të TKOB në rrjetet sociale përmes Instagram, Tëetter dhe në kanalet e komunikimit në faqen zyrtare të Opera Europa, dhe veçanërisht në faqen tonë zyrtare në Facebook, e cila është kthyer në një nga faqet më të klikuara të artit në vend”.

OPERA LLOGARIT SI SUKSES PUNËN E GAZETARËVE

Për së dyti, edhe këtë herë, si muaj më parë, është llogaritur si sukses puna e gazetarëve. Teatri i Operas, thotë se “janë prodhuar mbi 250 kronika lajmesh, 200 dalje televizive të përfaqësuesve të TKOB, solistëve, kasteve artistike dhe drejtuesve të trupave”.

Më tej vëren se gjatë 2017-ës “në aspektin e marketingut ndërkombëtar, një sukses i rëndësishëm ishte anëtarësimi në Opera Europa i cili do na ndihmojë për të ekspozuar prodhimet e teayrit tone ndaj audiences ndërkombëtare”. U soll në vëmendje vizita e delegacionit të Akademisë së teatrit “La Scala” në Shqipëri ku u diskutua realizimi si bashkërrugëtar me TKOB, i projektit “Investing on People”, projekti i cili do të profesionalizojë në nivelin më të lartë artistik dhe teknologjik, stafin e TKOB, për tti hapur rrugën dhe ndërtuar kështu Teatrin e vitit 2020.

FONDET

TKOB pretendon se ka rritur fondet dhe të ardhurat nga sponsorizimet dhe bashkëpunimet. “Gjatë vitit 2017 TKOB, rriti buxhetin nga sponsorizimet dhe bashkëpunimet në vlerën 17.926.258 lekë më shumë se viti 2016 ose 181 % më shumë”. Po ashtu, pretendon se ka kostot e shpenzimeve për zërin honorare (artist të huaj) 61 % më pak se vitit 2016 duke i dhënë besimin artistëve të teatrit tonë dhe duke stimuluar talentet e reja dhe është dyfishuar sipas të dhënave të TKOB buxheti i investimeve për kostume dhe skenografi që do ti mbeten Operas.

“Investimet janë rritur në vlerë prej 3.512.922 lekë më shumë se në 2016 ose në masën 186 %”, thotë njoftimi.

Si krahasim, ofrohen edhe shifra: “gjatë këtij vitit krahasuar me vitin 2016, u prodhuan 380 kostume në shumën 2.446.560 lekë ose 386 % më shumë se në vitin 2016. Gjatë këtij vitit krahasuar me vitin 2016, kemi rritje të investimeve në skenografi në shumën 1.066.362 lekë ose 85% më shumë se në vitin 2016”.

Por, nëse i kujtoni frazat e kahershme me “realizim pllani në masën 100 %”, kemi edhe të fraza të ditëve tona që tingëllojnë kështu: “U rritën të ardhurat nga shitja e biletat për shfaqje në masën 104% më shumë se në vitin 2016. Theksojmë se numri më i madh i shfaqjeve është dhënë në në skenat e teatrove të rretheve, Open Air dhe Muzeun Kombëtar ku shfaqjet kane qenë falas per publikun si dhe në teatrot e rretheve ku të ardhurat nga shitja e biletave i kanë arkëtuar teatrot respektive”.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.