MILOSAO

Poet i ndjeshmërisë së thellë. In memoriam për Basri Çapriqin

13:22 - 28.01.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Sadik Bejko – …Për miqtë e tij ishte dhembje e madhe. Por jo vetëm për miqtë e të dashurit. Disa njerëz fati i pais me talente, me dhunti jo të zakonshme. Basri Çapriqi ishte njëri nga këta të zgjedhurit e fatit.




Ai pati talentin e publicistit, të poetit, të lektorit universitar të lëndëve semiotikë , stilistikë dhe letërsi bashkëkohore shqipe. Shkroi dhe botoi libra studimorë që i shërbyen karierës së tij universitare për të marrë gradën shkencore të Doktorit të shkencave dhe titullin Profesor.

Si studiues dhe hulumtues në Kosovë dhe në shumë aula ndërkombëtare u përfaqësua me dhjetra kumtesa e studime.

Sikur vetëm me njërin nga këto talente të shquhesh, mbetesh i nderuar për gjithë jetën. Basri Çapriqi nxitoi të jetë një emër në gjithë këto fusha sikur ta dinte se do të ikte shpejt nga kjo jetë.

Sipas një ligjësie të njohur prindërit, kur ikin, jetojnë te bijtë, profesionistët e shquar jetojnë te kolegët e tyre, ata më të përkryerit si poetë, si shkrimtarë, si studiues bëjnë jetën e të gjallit te veprat që kanë shkruar. Jetë të tilla të pasura për nga cilësitë lënë pas zbrazëti dhe dhembje. Kjo nxit atë që kujtimi i tyre të mbetet jo vetëm në emocionet e bashkëkohësve, të studentëve, të kolegëve, miqve, poetë e profesorë, por dhe të bëjë vend, të rëndojë në thesarin e mjediseve që i patën në pjesë. Basri Çapriqi ishte njeri i detyrës.

Ai diti dhe pati fuqinë që t’i kryejë më së miri detyrat. Talentet, dhuntitë i ktheu në vepra. Miqtë e tij kurrë nuk u ankuan prejj tij. Dhe si familjar qe me fat, bashkë me Sazana Çapriqin, rritën, edukuan dy fëmijë të mbarë.

Dhe pikërisht në kohën kur kishte shënuar pikun e arritjeve të tij, ishte afirmuar si individualitet, kur mund t’ lëmonte dhe thellonte më tej prirjet e veta, ai ndahet përfundimisht nga kjo jetë.

E kam njohurBasriun si poet dhe si kreun e PEN Qëndrës së Kosovës. Kemi recituar dhe kemi parashtruar pikëpamjet tona në shumë veprimtari në Shqipëri, në Kosovë dhe në konferenca e kongrese te PEN Internacional. Basri Çapriqi në të parë ishte një natyrë e tërhequr, mund të thuash e ftohtë. Miqtë e moshës sime, si i ndieri Ali Podrimja, e vlerësonin këtë tipar jo emocional të Basriut. Ne vinim nga një kohë e angazhimeve. Basriu ishte i ftohtë, por kjo mbase kjo është shenjë e largësive që detyrimisht njërin brez e ndan prej tjetrit.

Basriu këtë tipar të distancës nga ndjeshmëritë me ngarkesa dyshuese a negative që i ushqejnë ngushtësitë e mjediseve tona, që i ushqejnë ndonjëherë vanitetet a egoizmat e lëmisë së krijuesve letrarë, e dëshmoi për gjatë gjithë kohës në udhëheqje të PEN Kosovës. Ky ishte një virtyt i tij, një cilësi e brendshme e personalitetit të tij. Ai kështu i ndihmoi krijimit të marrëdhënieve bashkëpunuese, projekteve që i bëjnë më produktive bashkësitë e shkrimtarëve në Shqipëri dhe në Kosovë.

Dhe në poezi Basri Çapiqi erdhi me prurjet e veta. Kjo nuk është në fjalë dhe aq. Në fillimet e krijimtarisë ai solli në mjediset e Prishtinës poezi të aromës mesdhetare. Me kohë kjo poezi mori tiparet e atij brezi që pasoi poetët e brezit të Ali Podrimjes, e brezave të gjysmës së dytë të shekullit të 20-të. Po vinte një brez që ndjeshmëritë e veta në këto kohë tronditjesh, mund të thuash kohë tërmetesh, shoqërore, politike dhe nacionale po i përcillte në art me mjete të tjera shprehëse. Me më pak retorikë. Me një optikë të distancës që shprehet me mejete të ironisë, të groteskut, të mosfunksionit të qëndrimeve angazhuese ndaj ndonjë kauze, madje të mohimit të çdo kauze. Indivdi merr peshë tashmë jo kolektivja.

Por në këtë gjuhë të tëhuajtur sa nga intimja, po aq dhe nga përkushtimet e jashtme, Basri Çapriqi poet solli brumin e vet, erdhi me bukën e vet në furrën e lashtë ku mbruhet e piqet lënda e poezisë. Dhe ai nuk ishte një poet i ftohtësisë. E ankthshmja, kllapia në sintaksën e poezisë së tij, është shenjë e së ethshmes, e nxehtësisë, e vlimeve të thella në ndjeshmëri. Basri Çapriqi poet ishte bir i epokës së tij, i një gjuhe postmoderne, i prirjes për ta përqeshur atë që ankthshëm na ngushton jetën edhe kur “muret” ideologjikë, kulturorë, politikë në dukje kanë rënë. Ndaj emblematike do të mbetet poezia e tij “Dritaren lëre hapur”.
Basri Çapriqi iku në kulmin e fuqive të tij krijuese. Nuk mund të profetizojmë se çdo të sillte e nesërmja e tij. Veç dhembjes që ai la si studiues, si përfaqësues i botës akademike të Prishtinës, si poet më së shumti la një zbraztësirë që do të ndjehet.

Si mik i tij do t’më mungojë një bashkëpunëtor i përkushtuar në veprimtaritë e përbashkëta, do t’më mungojë një Basri që e donte miqësinë, ushqimin e mirë, bisedën e shtruar me një gotë verë, Basriun që e donte shumë jetën, i donte shijet dhe gëzimet që burojnë nga thjeshtësia e të qenit bashkë me miq të së njëtës prirje.
Duke menduar se portreti i tij ka nevojë për më shumë se sa përshtypjet e mia, që në këtë rast mund të jenë shumë emocionale, po sjell më poshtë ç’kanë shkruar për të tre nga zërat më përfaqësues të mendimit shkencor dhe letrar në Prishtinë dhe në Tiranë.
Dritaren po e lë hapur…

Nga BASRI ÇAPRIQI

DRITAREN LËRE HAPUR
Dritaren lëre hapur dritaren lëre
të hyjë ajri nga rruga
flaka t’i dalë

Dritaren lëre hapur dritaren lëre
ta përpish frymën
të dalë erë e keqe e trupit

Dritaren lëre hapur dritaren lëre
të thyhet vizioni në sy ta spastrosh shpirtin
nga hapësirë e mbyllur

Dritaren lëre hapur dritaren lëre
ushton zë epik i poetëve nxitojnë fëmijët të ikin
nga terri nga tingujt e mprehur

Dritaren lëre hapur dritaren lëre
zbrsin bishat nga malet
shkelin mollët në gratë e vdekura

Dritaren lëre hapur dritaren lëre
shi bie pak ujë sidomos pak ujë
në buzë të plasur vëre

Dritaren lëre hapur dritaren lëre
çlirohu nga epshet nga faji
përfalu me të vdekurit tuaj sidomos

Dritaren lëre hapur dritaren lëre
me qentë ta bësh gjumin me insektet
me shpirtrat e territ me zërat e largët

Dritaren lëre hapur dritaren lëre
kufomat janë bashkudhëtarët tuaj të sinqertë shih
ata s’të vrasin s’të zënë kalimin frymën

Dritaren lëre hapur dritaren lëre
para se të niseni në atë udhëtim të fundit
me nga një ombrellë të çeliktë shi i kuq pikë

Dritaren lëre hapur dritaren lëre
thyeje pasqyrën katrore me fytyrën tënde
në kënd të dhomës e nisu

Dritaren lëre hapur dritaren lëre
se ti je i vdekur në ushtrinë që marshon nga qielli
mbylle derën mbylle

mos të dalin bishat dhe njerëzit

LIRIA
Asgjë e re s’ndodh dhe do të shkojmë në fund
në fund të fundit
liria është një mut i madh dhe s’e vlen më as jetën
ta japësh për të as atë cikrrimë lirie si s’i lodh
ata hanë hekur me dhëmbë liria është një faj
i rëndë që bartim lidhur në qafë e shpiem diku larg
ku s’dinë as ata që hedhin hapa mamutësh liria
është një mut i madh të lodhin heronjtë dhe kurvat
të mbesin në qafë ata hanë hekur me dhëmbë ato hanë
hekur me dhëmbë dhe të shtrydhin me fjalime të gjata
për paqen dhe pastërtinë e racës ata i lodh paqja
ma sjellin lirinë në pjatë dhe thikën në tryezë
ma marrin frymën kur u pëlcet lëvozhga nga qetësia

MURI GJIGANT
Njerëzit janë të përkryer
mbështesin krahun për mur
vënë një vijë duke bërë limitin e vet
në jetën plotësisht të pranueshme
muri s’është aty për t’u kapërcyer
për t’u ndarë më dysh
rruga zgjatet e ne jemi këtu për të shkuar pranë
gjithnjë pranë kalon deri në fund
ku të humbet guximi për ta bluar në mendje

Njerëzit janë të përktyer
e bartin nën gjuhë dheun At
s’çlirohen nga harresa nga shpresa e pafund për triumfin
një mijë vjet janë vënë nën faqe të Murit
duke trashur terrin në kujtim të një dritareje të zbehur

Muri që rri aty s’të ndan ty nga barbarët
ti je këndej andej dashuria të digjet
netët e errëta në mes drunjtë e përkulur deri në tokë
shirat që bien shtojnë lëmashk mbi gurët e mbi terrin
kudo që hap derën ti veç mbështet fytyrën kah Muri
e lakon qafën në atë faqe të drunjve
ti vetëm dheun zbraz At a Murin mbulon
të ndjek Muri shikimin se ti dheun At bart nën gjuhë

Prof. Isak Shema

ÇAPRIQI Basri (1960- 2018). Poet, studiues i letërsisë, profesor universiteti. Lindi në Krythë të komunës së Ulqinit. Kreu shkollimin fillor dhe të mesëm në Ulqin, ndërsa studimet e letërsisë shqipe në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës (1983). Në fillim punoi si gazetar në Radiotelevizionin e Malit të Zi në Podgoricë, kurse në vitin 1986 u zgjodh asistent i lëndës letërsi e sotme shqipe në Fakultetin e Filologjisë në Prishtinë. Po në këtë fakultet kreu studimet pasuniversitare dhe më pas mbrojti tezën e disertacionin të doktoratës (2004). Ndërkohë, në Universitetin e Edinburgut mori diplomë me temën “Poezia konkretiste e Edvin Morganit”. Në degën e letërsisë dhe të gjuhës shqipe u angazhua të mbajë ligjërata nga lëndët stilistikë dhe semiologji, duke u avancuar në titujt përkatës universitarë. Në vitin 2004 u zgjodh kryetar i parë i PEN Qendrës së Kosovës, funksion që e ushtroi për shumë vjet me radhë. Për dy mandate ishte kryetar i këshillit drejtues të Universitetit të Prishtinës. Si kryetar i Pen Qendrës së Kosovës, mori pjesë në kongrese, konferenca dhe në shumë takime ndërkombëtare të shkrimtarëve. Ka botuar vëllimet poetike: “Ulli me dy mijë unaza” (1983), “Në fund të verës” (1986), “Ma qet gjuhën” (1989), “Frutat bizare (1996)”, “Burimi nën gjuhë” (2005), “Zbutja e gjarprit” (2006), “Përkryerja e shiut” (2013). Poezitë e tij janë përfshirë në disa antologji të poezisë në gjuhën shqipe dhe në gjuhë të huaja. Libra me poezi të tij të zgjedhura janë botuar në anglisht “Grass on the Ëindoë” (1996), në rumanisht “Deschiderea scoicii” (2010) dhe në gjuhën malazeze “Savršenstvo kiše” (2012). Ka publikuar vështrime kritikë, studime dhe monografi: “Mikrostruktura e tekstit” (1990), “Aksidenti i orës shqiptare” (1993), “Përmasat e kontekstit” (1998), “Simboli dhe rivalët e tij” (2005), “Paradigma Kadareane” (2006). Përveç shkrimeve publicistike, ka botuar edhe një sërë shkrimesh prezantuese dhe kritike për autorë të rëndësishëm të letërsisë shqipe, si Martin Camaj, Azem Shkreli, Ismail Kadare, Ali Podrimja, Rrahman Dedaj etj. Është bashkautor i botimit “Antologji e poezisë shqipe të shekullit XX”, hartuar nga PEN Qendra e Kosovës dhe e Shqipërisë.

ÇAPRIQI, POET I VEÇANTË

Nga Ali Podrimja

(fragment)
Në kohë të mëdyshjeve, përplasjeve e kërkimit të së resë zbriste një i ri nga cepi verior i Ilirisë, i cili artin do e kuptojë, para së gjithash, shpalim të vetes e kënaqësi estetike si dhe mjet për të dëshmuar identitetin; do u shmanget skemave banale e streotipeve, verbi i tij poetik do lëvizë nga poezia imazhiste me nuanca mitike e deri te poezia e revoltës dhe e asaj konceptuale. Përballemi me një krijues, i cili veçohet nga brezi i tij për ndjeshmëri e artikulim bashkëkohor, koncepte e ide si dhe për guxim intelektual edhe ndaj temave tabu…. Vënia e problemeve qenësore në spikamë e shkëput Barsi Çapriqin nga poezia e hershme imazhiste me nuanca mitike, të cilat më vonë do i reflektohen si drita nostalgjike…. Ndeshemi me shenjat e para të poezisë konceptuale. Artikulimi është shpesh dhe dramatik. Problemet marrin shtrirje të gjerë, ku shenjat dhe mesazhet do i lexojmë si fatkeqësi njerëzore. Poeti thekson: “të ndjek Muri se Ti Dheun At bart nën gjuhë”, pra, shtrohet pyetja: Mos erdhi koha që gjërat të shikohen në copëza dhe liria na qenka mbyllja në vetvete nga frika e Murit Gjigant?… Në një situatë të tillë vërejmë se Muri i ngritur rreth tij e që e shkruan me shkronjë të madhe do e sjellë te një përfundim jo bash i lehtë. Përballja me të shkakton dhembje, se dritarja vazhdon të zbehet dhe shikimi të mbetet diku te korniza e fatkeqësisë. Vërtet ç’duhet bërë të lirohemi nga ajo dhe Muri lëvizës? Shikimin nga dritarja që zbehet poeti e mbyll me një buzëqeshje të skajshme ironike: “njerëzit janë të përktyer/ e bartin nën gjuhë Dheun At”. Ligjërimi u drejtohet shpërbërjeve jo vetëm të sistemeve, por edhe popujve. Sintagmën Dheun At linguistika bashkëkohore do e interpretojë si diçka të çrëndomtë, siç do të veprojë edhe me titullin “Burimi nën gjuhë”, një sintagmë jo e zakonshme. Ky çrëndomtësim gjuhësor shpalos ironinë e tij rrënuese, asnjë sistemi karakteristikë e krijuesve që nuk pajtohen me kanune Kujtoni njeriun e ri të diktaturës, pas rënies së sistemit ai nuk do të mund të gjendet në hapësirën, se kishte problem me hapësirën. Poeti e vë në tallje regjimin dictatorial dhe ndjen dhembje për njeriun që eksperimentohej me të në laboratorin e tij. Dhe morali pa etikë poeti na e thotë përmes një lavireje dhe dy ministrave, njëri i ushqimeve dhe tjetri i industrisë së rëndë, i vendos përballë raportet njerëzore dhe nxjerr kontradiktat si barazim grotesk mes sistemeve. Në një mjedis tjetër njeriu, i ashtuquajturi i ri, na del figurë tragjike, ku morali shndërrohet në monedhë (Vajza nga Lindja prostitutë në Romë). Zhgënjimi është më se njerëzor, se mbyllja hermetike ishte katastrofale. Pajtohesh edhe me turpin, krimin, vandalizmin. Tëhuajzimi ishte i thellë dhe lypset të kthehen gjërat në normalitet…. Ja, deri ku Muri Gjigant i çoi popujt, që ishin shkëputur për një kohë të gjatë nga grigja njerëzore dhe ishin të detyruar të fshehin nën gjuhë Dheun At, që është njëherazi dhe pezmi i poetit ndaj tkurrjes së vazhdueshme të hapësirës së tij.
(Parathënia Çapriqi, poet i veçantë nga libri Basri Çapriqi Burimi nën gjuhë, poezi të zgjedhura, Toena, Tiranë, 2005)

Prof Bashkim Kuçuku

Ironia disa llojesh, posaçërisht ajo e paradoksit, është e dukshme në krijimtarinë e Basri Çapriqit (1960). Më e shpeshtë ironia është ndaj zhgënjimit prej tabuve e dogmave politike, idhujve dhe shenjtorëve, pritjeve të pafrytshme, besimit dhe mirëbesimit të djeshëm. Disa herë ajo strukturohet mbi përmbysjen e thënieve filozofike popullore, dhe, herë të tjera me ndryshimin e vargjeve të poetëve të njohur, që do të thotë se ironizohen, gjithashtu, vetëdija, mendësitë dhe morali tradicional, si dhe mendimi e konceptet estetike të tejkaluara, arkaike. Basri Çapriqi, formuar në mjedisin letrar të Prishtinës në të cilin është shkruar me përparësi poezia moderne, ka ndjekur vazhdën e saj, vetkuptohet, me lëndë, ndjeshmëri dhe veçori të tjera. Poezia e këtij bartësi dhe risuesi të modernitetit, është edhe më afër ezoterizmit, më saktësisht, hermetizmit. Mendimi zhvillohet nëpërmjet një loje këmbyese midis përcaktueshmërisë dhe papërcaktueshmërisë, me metonimi, metafora e simbole me një apo pa asnjë këmbë mbështetëse për konkretëslinë, pasi lidhjet me dukuritë jetësore janë të tërthorta e të largëta, jo rrallë parabolike. Në një pjesë të madhe të saj vrullojnë përjetimet e njeriut të atij mjedisi, ku mungesa e lirisë dhe dhuna po tkurrnin gjithçka nën koracën e heshtjes vetëmbrojtëse, mbushur plot me pasiguri, frikë dhe tmerr, prandaj, mund të cilësohet poezi e pasojave traumatike, e, posaçërisht, e ankthit të rrezikut ekzistencial, vetiak dhe kolektiv etnik, që është i rrallë ose edhe i panjohur në poezinë e modernitetit evropian të gjuhëve të tjera. Poezia me këto gjendje psikologjike dhe përjetime më shpesh është me strukturë kontrastuese dhe përmbajtje antonimike, në përngjasim me realitetin jetësor të mbingarkuar me konflikte, dukuri, prirje, qëndrime dhe filozofi skajshmërisht të kundërta. Në këtë antonimi figurash e përmbajtjesh me rezonancë të gjerë edhe për lexues jo shqiptarë, përbri simbolit të ombrellës së çelikut, shiut të kuq, siluetave të zeza të rrugës që shfaqen edhe në ëndërr apo hiperbolës ironizuese të botës së pshurrur nga frika e fëmijëve është leitmotivi metonimik i ndjenjës përtëritëse dritaren lëre hapur dhe lutja thirrore për katarsë, për pranim të fajit. Hapja e dritares së komunikimit me botën, tej hapësirës së vet, dhe mbyllja e derës për bishat e dhunës primitive ndryn në vetvete procesin historik tragjik, që sapo është mbyllur në Ballkan. Si poezi e ankthit të rrezikut ekzistencial, nën trysninë e të cilit gjithçka ndryshon përmasat e veta dhe bëhet flu, imazhet e saj janë si copëzat e një pasqyre të thyer. Lexuesi duhet t’i ngjitë e t’u rregullojë konvergimin për t’i kuptuar plotësisht.
Nga “Antologji e poezisë shqipe bashkëkohore”
Bashkim Kuçuku, Onufri, 2008


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.