AKTUALITET

Veliaj thirrje të rinjve: Të gjithë bashkë të kapim trenin për BE

21:49 - 04.02.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Kryetari i Bashkisë së Tiranës u bë sot pjesë e tryezës me temë “Modeli i Bashkimit Europian – Shqipëri 2018”, ku të rinj nga vendet të ndryshëm simuluan rolet dhe personazhe të ndryshme politike në debatin për integrimin e vendit tonë në Bashkimin Europian. Në fjalën e tij kryebashkiaku Erion Veliaj evidentoi se sfida në këtë aspekt është e përbashkët për të gjithë institucionet dhe aktorët, përfshi shtetin, qytetet dhe individët.




Ai theksoi se sa i përket rolit të shtetit në drejtim të integrimit, duhet të dëshmojë dhe të jap argumente bindëse ndaj BE-së se e meriton të jenë anëtarë i saj, pavarësisht qëndrimeve gjithmonë e në rritje të faktorëve euroskeptikë që ekzistojnë në disa shtete të Bashkimit Europian.

“Unë besoj që në dallim nga shumë të tjerë që me një mendje të lehtë thonë, hë more se ata na kanë inat se kështu kanë qenë gjithmonë, ju përfaqësoni një pjesë shumë të sofistikuar të shoqërisë dhe të rinisë sonë sepse do të thotë që po mendoni edhe për çështje shumë të rëndësishme të brendshme.

Pra nuk është pse na kanë inat të tjerët, por si mund të sofistikojmë ne argumentin tonë, gjuhën tonë, lobimin tonë që kjo të arrihet. Vendet e BE i ngjajnë pak a shumë një çatie. Një çati nuk prishet kur i bien tjegullat, por mjafton që njëri prej trarëve të thyhet, nuk mban pastaj e gjithë çatia. Do të thotë se duhet të ketë një konsensus se nëse një nga trarët bie atëherë nuk funksionon kjo strukturë”, u shpreh kryetari i Bashkisë së Tiranës.

Duke ndalur te roli i dytë, pra ai i qyteteve, kryebashkiaku Veliaj nisur edhe nga eksperienca e tij në krye të Bashkisë së Tiranës dhe marrëdhënieve që ai ka me shumë krerë bashkish të tjera europiane, u shpreh se qytetet kanë sot një ndikim shumë të madh në orientimin e opinioneve dhe qëndrimeve të vendeve të shtetasve të vendeve të ndryshme. Për këtë ai solli si shembull atë që ndodh në Angli ku ndërsa qeverisja qendrore është për daljen e vendit nga BE, vet Londra qeveriset në nivel vendor nga një politikan që ka si slogan “Londra është e hapur”.

“Ky është një rol që unë e marr shumë seriozisht kur shikoj që shumë prej kolegëve të mi në BE e marrin shumë seriozisht rolin e qyteteve. Shembulli më i mirë për t’u ilustruar është shembulli i Britanisë ku po shkohet në dy drejtime të ndryshme, pra politika shtetërore është për Brexit, për të dalë nga BE, për të kënaqur një elektorat që ndjehet i lodhur nga zgjerimi dhe ka një populizëm në rritje dhe një lëvizje komplet në krahun e kundër të qyteteve. Në qoftë se keni ndjekur fushatën e Sadiq Kahn, “London is open”, sepse ai thotë, mund t’u interesojë disa konservatorëve në Britani të dalin nga Brexit për votat e tyre, a i intereson qytetit tim Londrës ti ikin të gjithë agjencitë euopiane?

Kështu që roli i qyteteve po bëhet gjithmonë e më i rëndësishëm”, u shpreh Veliaj.

Gjithashtu ai theksoi se qytetet në vetvete janë në garë se cila prej tyre zhvillohet më shumë dhe del më shumë në pah në sytë e europianëve si një vend që meriton të jetë në BE. “Tirana është në garë me Sarajevën, me Beogradin, me Shkupin. Kush ka më shumë insiotucione të BE, ku ka më shumë aktivitete, kush del më shumë në pah si një qytet evropian. Thënë këtë asnjë prej nesh nuk është naiv, unë i pari. Do të thotë që ne këtu jetojmë në një ishull që ka trajta të një vendi europian. Teksa po vija këtu kur ti shikon korsitë e biçikletave, kur ti shikon mënyrën se si pastrohet qyteti, kur ti shikon mënyrën se si funksionon Tirana qendrore nuk dallon fare nga një vend tjetër i BE. Por le të mos gënjejmë veten sepse shkëputja nga realiteti na bën të humbasim pak fokus se sa shumë punë duhet të bëjmë në nivel kapilar, përtej qendrës së Tiranës, përtej qendrës së qyteteve, në zona rurale ku ende ka shumë vështirësi”, shtoi kryetari i Bashkisë së Tiranës.

Por ai u shpreh se roli më i rëndësishëm është ai individual, sidomos tashmë që në botën e internetit secili mund të jetë një zëdhënës i vendit të vet.

Në këtë sens ai theksoi se kur bëhet fjalë për interesat tona në raport me BE-në dhe vendet e tjera, të gjithë duhet të sillen me përgjegjshmëri.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.