KULTURË

Benjamin Ziervogel, violina e parë e Vjenës në Tiranë, luan ‘Margjelo’ e ‘Dashnor t’u bana’

13:03 - 14.02.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli  – Benjamin Ziervogel sapo ka mbërritur në Tiranë kur e takojmë.




Në aeroport e ka pritur një taksist, me të cilin kanë biseduar gjerë e gjatë nga Rinasi për në qytet, madje në një bar në bllok, kanë pirë edhe nga një gotë.

Krejt si një njeri i thjeshtë i them, si një ballkanas. Ziervogel qesh dhe thotë për “Gazeta Shqiptare” se, mbase puna në Slloveni e ka afruar më shumë me gjakun ballkanik a me stilin e gadishullit.

E megjithatë, Ziervogel është violina e parë e Vjenës, i lindur në Austri dhe tanimë koncertmaestro i Orkestrës Simfonike të RTV Sllovenisë.

Duket vërtet i lumtur që është në Shqipëri, ndryshe prej frazës standarde të kujtdo që e pyet se si ndihet në vendin tonë. “Unë jam i kënaqur që jam këtu dhe fakti që do të luaj në një koncert me Inva Mulën, më bën vërtetë të ndihem mirë”. E pyes pse dhe më thotë se ka qenë fare adoleshent kur sopranoja shqiptare, njëherë një artiste ndërkombëtare që ka prekur skenat më të mëdha të botës, u bë pjesë e “Fifth element”.

“Isha adoleshent. Atëkohë pati një lloj ‘debati’ se cila soprano do të interpretonte, çka më bëri mua ta ndjek ende më me shumë vëmendje dhe më pas lexova se sopranoja se ishte Inva Mula. Pastaj e dëgjova dhe u mahnita. Ndaj, të qenit me të në një skenë më bën shumë të lumtur”, – thotë Benjamin. Arsyeja pse është në Tiranë? Një koncert që pritet të jetë madhështor: “Vienna Salutes Tirana” mbahet me 15 shkurt në orën 19:00 tek Pallati i Kongreseve.

Ai çel Vitin Kulturor Austri – Shqipëri 2018 me artistët e mirënjohur Inva Mula (Soprano) dhe Ramon Vargas (Tenor), Genc Tukiçi (pianist dhe kompozitor), Benjamin Ziervogel (violina e parë) & ACIES Quartet, Thomas Tatzl (bass bariton), Günter Haumer (bariton) dhe me pjesëmarrjen e artistëve të Teatrit të Operas dhe Baletit, Vikena Kamenica (soprano), Enada & Gerd Vaso (balerinë të parë & koregrafë). Koncerti “Vienna Salutes Tirana” u paralajmërua nga ambasadori i Republikës së Austrisë në Shqipëri Johann Sattler në fund të janarit. Ai bëhet i mundur nga bashkëpunimi i kësaj ambasade për Vitin Kulturor Austri – Shqipëri 2018

RRËFIMI I VIOLINËS SË PARË TË VJENËS
Benjaim Ziervogel ka qenë nxënës i Igor Ozim, Benjamin Schmid, James Buswell dhe Joseph Kalichstein, madje, ka marrë mësime me Isaac Stern. E pyes sa kanë ndikuar ata te ai. “Secili të jep diçka. Duke parë e mësuar prej më të mirëve do marrësh patjetër”, -thotë Ziervogel. Mandej, interesohem të di, nëse ai, kur ka qenë i vogël, ka punuar me orë të tëra, paradite e pasdite, duke u ushtruar për të qenë ai që është sot.

“Kam punuar shumë, por jo orar e pa orar. Rëndësi ka të mësosh teknikat, të perfeksionohesh në teknika më pas, pjesët bëhen me të lehta. Sigurisht që duhen prova, por në raste turesh koncertore është e pamundur të ushtrohesh shumë. Të duhet që në 10 ditë të kesh pesë koncerte me pjesë të ndryshme. Ndërkaq, duhet të udhëtosh, nga një vend në tjetrin, të bësh prova me orkestrat që luan dhe koha për ushtrim vetjak mbetet më e shkurtër, ndaj ka shumë rëndësi teknika. Pasi ta përvetësosh atë është më e lehtë”, – thotë Ziervogel.

“A nuk ke pasur një fëmijëri, ku prindërit të linin në dhomë të ushtroheshe për orë të tëra? Ai qesh dhe mohon. ‘Oh, jo, falë Zotit. Prindërit e mi nuk ishin të fiksuar. Nuk kanë të bëjnë me muzikën. Unë kam pasur gjyshen që luante në piano dhe mbase e kam marrë nga ajo”.
A kanë vështirësi shkollat e ndryshme të Lindjes e Perëndimit? Ziervogel pohon, por pa i dhënë shumë rëndësi.
Ai luan me një violinë ‘Domenico Montagnana’ të vitit 1727. E pyes nëse magjia e tingujve është e ‘Domenico Montagnana’-s apo e Benjamin Ziervogel. Ai qesh dhe thotë se ka luajtur me disa lloj violinash. “Sigurisht, secila violinë ka tingullin e saj dhe Domenico Montagnana është ndër më të mirat. Por, unë kam luajtur edhe me Strtadivarius, kam luajtur edhe me violina më të lira dhe shpesh veç llojit të violinës ka të bëjë artisti”.
Shqipëria? Si erdhe këtu, të propozuan, apo ishit i interesuar? “Më propozuan dhe pranova menjëherë”, – thotë violinisti. Ndërsa kur e pyes se çfarë ka ndërmend të shohë, thotë se do shumë të shohë sa më shumë, por pyetja do marrë përgjigje pas koncertit.

Si është për një vjenez të luajë Margjelon? Violinisti qesh dhe thotë se ka dëgjuar disa versione të këngës kur pa që do ishte në program. Ishte në një farë mënyre kurioz para se të dëgjonte pjesën e ripunuar nga Genc Tukiçi.
“Janë dy këngë që do i luaj me Genc Tukiçin dhe Inva Mulën: Dashnor t’u bana dhe Margjelo. Kam dëgjuar në youtube disa versione të Margjelos, që është këngë më e famshme, thjesht për të ditur si tingëllon. Por sigurisht, ne do punojmë me ripunimin që i ka bërë Genc Tukiçi këngës”.
Nga pjesët klasike, Ziervogel përmend Johann Strauss, Richard Strauss, Franz Lehar, Massenet, etj.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.