KULTURË

Rushen Golemi, hartuesja e formulës së betimit të presidentit

13:15 - 01.03.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Luli Progni – Një tekst i shkurtër, i ndjerë dhe plot patriotizëm do të lexohej nga Presidenti i parë në Shqipërinë pluraliste, pas rrëzimit të sistemit komunist. Ishte formua e betimit të presidentit, e hartuar në seancat e para të parlamentit të parë pluralist. Është hartuar nga deputetja e Kuvendit të asaj kohe, Rushen Golemi, e cila mbështetej në të tjera tekste të ngjashme në Kushtetuta të vendeve perëndimore. Është një seancë e rëndësishme në Kuvendin e majit të vitit 1991, kur diskutohej edhe hartimi i formulës së betimit të presidentit.




Është një prej momenteve më të bukura të jetës parlamentare të deputetes demokrate në ato fillime të demokracisë në Shqipëri. Ishte seanca e majit të vitit 1991 dhe kishte veçse dy muaj që kishte nisur aktivitetin politik, parlamenti i parë pluralist. Mes dhjetëra propozimesh për tekstin e betimit të presidentit, spikat propozimi i zonjës Golemi, i cili edhe u vlerësua maksimalisht nga deputetë të majtë dhe të djathtë. Teksti i propozuar nga zonja Rushen Golemi u miratua me të gjitha votat e parlamentit dhe mori vlerësime të shumta nëpër fjalimet e deputeteve, kryesisht kundërshtarëve të saj.

Formula e betimit
“Betohem solemnisht në nderin tim për besnikëri ndaj popullit dhe atdheut, ndaj idealeve të lirisë dhe të përparimit, të pavarësisë dhe të paprekshmërisë tokësore të Shqipërisë. Betohem të respektoj Kushtetutën dhe ligjet e vendit tim, të mbroj e të zhvilloj demokracinë, lirinë e të drejtat e njeriut dhe të plotësoj me vullnet e ndërgjegje të gjitha detyrat si President i Republikës së Shqipërisë. Betohem!”.
Një ndër deputetët që e vlerësuan propozimin e Rushen Golemit ishte edhe Namik Dokle. Ja çfarë thoshte ai kur votoi pro këtij propozimi të deputetes Ryushen Golemi.
“Në hartimin e kësaj formule të betimit të presidentit, grupi i punës u mbështet në sugjerimet shumë të vlefshme të të gjithë deputetëve që folën mbrëmë dhe duke respektuar edhe ndjenjën poetike të deputetes së nderuar Rushen Golemi, hartoi këtë formulë betimi që sapo e dëgjuam”, shprehej Dokle.

Një fjalim për viktimat e 2 prillit
Rushen Golemi ishte një mjeke e nderuar në vitin 1990, kur vendosi t’i bashkohet Partisë Demokratike të sapothemeluar. Ajo ishte deputete në Kuvendin e parë pluralist të Shqipërisë dhe një ndër zërat më aktivë në hartimin e ligjeve të reja në kushtet e pluralizmit politik. Është mjaft aktive me fjalime për momente të rëndësishme të historisë së fillimit të demokracisë. Një prej tyre është edhe fjalimi për ngjarjet e 2 prillit në Shkodër. Në një prej seancave parlamentare kur diskutohej për komisionin hetimor për vrasjen e katër qytetarëve në 2 prill në Shkodër, Rushen Golemi mbajti këtë fjalim:

Rushen Golemi – I nderuar zoti kryetar, të nderuar zotërinj deputetë,
Nga ana e Akademisë Franceze të Mjekësisë të viteve ’40 nuk u pranua fillimisht në praktikën mjekësore përdorimi i një medikamenti që paralizonte frymëmarrjen dhe që sillte një hap cilësor në zhvillimin e anestezisë, sepse frymëmarrja kthehej sapo ikte efekti i këtij bari, me pretekstin se natyra ose Perëndia njëherë ia ka dhënë frymën njeriut dhe vetëm njëherë mund t’ia marrë. Unë dua të pyes: po për jetët e të pafajshmëve që marrim, a nuk duhet të preokupohemi të gjithë së toku? Ne u betuam solemnisht mbi nderin tonë para popullit që përfaqësojmë se do të luftojmë për të mbrojtur të drejtat dhe liritë e individit. A nuk është tejet e dhimbshme, që në themelin e demokracisë të rrjedhë gjak shqiptari nga dora e shqiptarit? Si nënë që dhuron dhe përtërin jetën, si mjeke që luftoj për ta mbrojtur atë, mendoj se duhet ta ngremë zërin së bashku me forcat përparimtare dhe të bëjmë të pamundurën për të hedhur dritë mbi masakrën tragjike të paramenduar të Shkodrës. Nuk është në nderin e zotit Gramoz që, pas një diskutimi aspak bindës, pa baza shkencore, të shprehë dhe keqardhjen për shkarkimin e tij nga detyra e ministrit. Unë mendoj që do ta lartësonte figurën e tij. Po kështu duhet të vepronte dhe zoti Fatos Nano, që drejtonte qeverinë në kohën e ngjarjes dhe që do ta na drejtojë edhe qeverinë e ardhshme dhe që për çudi nuk prononcohet në asnjë diskutim, sikur kjo të kishte ndodhur në ndonjë qeveri të ndonjë shteti tjetër. Figura e tyre do të lartësohej nga ato, po të dilnin para këtij Kuvendi dhe të raportonin saktë për aq sa kishin bërë, që të kërkonin falje. Nga kjo tribunë i bëj thirrje ndërgjegjes së personave dëshmitarë, autorë në këtë masakër, që të ndihmojnë për zgjidhjen e enigmës, që të vëmë fajtorët para ligjit, sepse kështu do të ndihmonim sadopak me hedh balsam në plagët që i janë hapur popullit. Gjithashtu, mendoj që shpresa që na u dha nga njoftimi i parë i komisionit parlamentar për çështjen e Shkodrës u zbeh në njoftimin e dytë. Komisioni parlamentar nuk ka punuar në nivelin e duhur. Përse zoti Alushani, kryetar i këtij komisioni, i servir këtij auditori të dhëna jo të plota të autopsive, duke lënë mjaft pika të errëta, që nuk i shërbejnë nxjerrjes në pah të së vërtetës? Uroj me gjithë shpirt që në të ardhmen të dhënat të jenë të pranueshme, për t’i dhënë njëherë e përgjithmonë fund dhunës në Shqipëri. Meqenëse m’u dha fjala, do të shtoja dhe një preokupim që kanë shumë zotërinj deputetë. Dua të shtroj këtu çështjen e garantimit të shumë personave, që ligjërisht nuk u takon. Që të mos ndodhin ngjarje të tilla si plagosja e një djali 20-vjeçar nga bahçevani i shokut Haxhi Lleshi. Ju lutem që në të ardhmen të nxjerrim ligje respektive.
Rushen Golemi u nda dje nga jeta pas një sëmundjeje të rëndë. Ajo mbahet mënd si një ndër zonjat më të respektuara të politikës në vitet e para të demokracisë, ndërkohë që është mjekja e parë kirurge në Shqipëri.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.