KULTURË

Rikthim në errësirë/ Historia e artit hiqet nga kurrikula mësimore

13:45 - 03.03.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Oltsen Gripshi – Së fundmi është ngritur një diskutim në gjirin e artistëve dhe studiuesve të arteve pamore mbi emërtimin e ardhshëm të Galerisë Kombëtare të Arteve, ku sipas dikasterit më të lartë shtetëror, që është Ministria e Kulturës dhe vendimor, bashkë me aprovimin nga Këshilli i Ministrave, ky institucion në të ardhmen e afërt nuk do të mbajë më të njëjtin emërtim, pasi ai do të emërtohet Muzeu Kombëtar i Arteve të Bukura! Padyshim deri këtu nuk ka asgjë për t’u shqetësuar, sepse statusi i këtij institucioni jetik dhe të vetëm në Republikën e Shqipërisë, të paktën nuk do të humbas reputacionin e tij gjithëpërfshirës dhe mbarëkombëtar për të gjithë artistët e arteve pamore.




Ajo çfarë unë mendoj, është se problematika më e madhe dhe thelbësore nuk qëndron vetëm te diskutimi i emërtimit të një institucioni muzeal sikurse është sot Galeria Kombëtare e Arteve apo nesër Muzeu Kombëtar i Arteve të Bukura, por përqendrimi më tepër tek studimi i historisë së arteve në shkollat e mesme shqiptare. Dhe kjo është çështja e qenësishme për t’u analizuar (thembra e Akilit). Në këtë vështrim diskutimi zgjeron fushëpamjen e tij gjithëpërfshirëse, duke prekur në gjenezë çështje shumë të mprehta, siç është ai i edukimit të brezave të rinj me artin dhe trashëgiminë kulturore shqiptare.

Një diskutim ky, i cili në pamje të parë duket i pavlerë dhe gati utopik për shoqërinë tonë bashkëkohore (pa paragjykuar askënd, por kjo është e vërteta), por në të vërtetë është ABC-ja e gjithçkaje. Ministria e Arsimit e asokohe plot nëntë vite më parë (2009) bashkë me Institutin e Zhvillimit të Arsimit (IZHA), hartuan kurrikulën e re bërthamë mbështetur mbi parimet e një sistemi parauniversitar perëndimor, ku pjesë e saj (më në fund, ndonëse shumë pak, një herë në javë, por, gjithsesi ishte një dritare e hapur drejt njohjes me artet) e detyrueshme ishte edhe lënda e Historisë së Artit e shtrirë në të tria klasat 10, 11 dhe 12. Një lëndë e munguar deri asokohe, e cila brenda saj përmblidhte njohuri teorike mbi të katër artet: Art Pamor, Muzikë, Teatër dhe Balet.

– Shprehem në kohën e shkuar, sepse fatkeqësisht tanimë prej dy vitesh kjo lëndë u rihoq nga kurrikula bërthamë e detyrueshme, duke u vendosur nga hartuesit e kurrikulës bërthamë të detyrueshme për shkollat e mesme në lëndët me zgjedhje, për më tepër vetëm për klasën e 10-të.

Atëherë ku qëndron shqetësimi, lind natyrshëm pyetja?! Së pari, le ta ndajmë në dy kahe këtë shqetësim për të nxjerrë në pah anët pozitive përse duhet domosdoshmërish të studiohet lënda e Historisë së Arteve në kurrikulën bërthamë të sistemit parauniversitar dhe anët negative nëse ajo braktiset si lëndë e panevojshme (jo detyruese)?! Në këtë vështrim kjo çështje merr natyrshëm më përparësi dhe rëndësi sesa vetë emërtimi i ri i GKA-s, që sigurisht në logjikën time është pjesë fundore e pandashme e këtij filli të cunguar edukativ ndër vite si:

1. Vazhdimi i edukimit të brezave të rinj pa kurrfarë njohurie mbi katër fushat e arteve jo vetëm në procesin zhvillimor dhe ndikimin e tyre emancipues për shoqërinë shqiptare, por edhe jashtë saj, duke i mohuar dhe cunguar atyre dijet gjithëpërfshirëse si qytetar të denjë të Evropës së shumë adhuruar, e cila mbi artin dhe trashëgiminë kulturore ka ngritur themelet e madhështisë së saj të përjetshme.

Vendosja me zgjedhje e lëndës së Historisë së Artit vetëm për klasën e 10-të, jo vetëm e nxjerr atë jashtë interesit të nxënësve, por dhe e përdhos atë, duke e kthyer në një lëndë të dorës së fundit qesharake dhe të pavlerë për t’u studiuar. Një hap i tillë padyshim reflektohet dhe dëmton procesin e formimit të gjithanshëm të të rinjve shqiptarë, ku zhvillimet kaotike të 28 viteve të demokracisë në Shqipëri e dëshmojnë qartazi, aq sa mos njohja me Historinë e Arteve, monumenteve, arkeologjisë, trashëgimisë materiale dhe shpirtërore ka bërë që breza të tërë të rriten pa njohur asgjë mbi këto fusha dhe si pasojë të mos kenë brenda tyre asnjë lloj ndjeshmërie ndaj shkatërrimit të artit në tërësi. Kjo natyrshëm ka ndikuar në degradimin dhe shfarosjen e shumë vendndodhjeve arkeologjike, ku më e prekshme dhe më e dhimbshme është Dyrrahu, Dyrrachium apo Durrësi i sotëm. Qytet, i cili në nëntokën e tij ka të shtresëzuar kulturat më të rëndësishme të qytetërimit evropian, nga Pellazgo-Ilirët, Helenët, Romakët, Bizantinët dhe deri vonë tek Osmanët, duke i zhdukur në errësirën e natës një herë e përgjithmonë këto pasuri jo vetëm tonat kombëtare, por edhe të rralla në nivel ndërkombëtar dhe mbi to kanë ngritur përbindësha betoni pa kurrfarë vlere arkitektonike bashkëkohore, të cilat stonojnë me gjithçka gjendet rrotull tyre! Për të mos harruar manastire të shumtë ortodokse dhe kisha katolike apo kala ilire dhe ura osmane të rrënuar dhe drejt shkatërrimit të plotë. E gjitha kjo është pasojë e mosedukimit të brezave, të cilët jo për fajin e tyre, por për sistemin edukativ nuk kanë pasur asnjëherë njohuri mbi rëndësinë e kësaj trashëgimie kulturore të përbashkët.

2. Vendosja e lëndës së Historisë së Arteve në kurrikulën bërthamë detyrues në shkollat e mesme me dy herë në javë dhe me dy kredite, sigurisht që do të rrisë interesin e nxënësve për ta studiuar atë dhe ky është hapi i parë. Së dyti, studimi i kësaj lënde në sistemin parauniversitar do të edukojë brezat e së tashmes dhe të ardhmes për rëndësinë jetike që ka trashëgimia kulturore në zhvillimin e turizmit në vendin tonë dhe sesi mund t’i mbrojmë e promovojmë të gjitha vendndodhjet arkeologjike dhe monumenteve shekullore të kategorisë së parë në territorin shqiptar. Kjo e përkthyer në një ekonomi dhe mirëqenie më të mirë për të gjithë shqiptarët. Së treti, nxit shumë të rinj të kultivojnë talentin e tyre, duke frekuentuar licetë artistike dhe Universitetin e Arteve (institucione, të cilat vit pas viti po shkojnë drejt mbijetesës, sepse askush nga të rinjtë ndoshta të talentuar nuk rrezikon të studiojë arte, sepse e ardhmja është e zymtë dhe pa perspektivë). Pra, vendosja e lëndës së Historisë së Artit në shkollat e mesme do të ishte një hapësirë shumë e mirë edhe për punësimin e mësuesve të arteve dhe jo lënia e tyre në periferitë e harresës. Së katërti, do të ndikonte thellësisht në formimin intelektual të gjithsecilit dhe në qasjen më me vetëdije për mbrojtjen dhe jo shkatërrimin e pronës së përbashkët artistike. Padyshim që do t’i afronte brezat e rinj më pranë shfaqjeve të teatrit, baletit, ekspozitave dhe muzikës klasike-operistike, ku e gjitha përkthehet në një proces të fuqishëm ekonomik dhe vetëfinancimit nëpërmjet shitjes së biletave etj., por dhe për njohjen me Kadri Roshin, Violeta Manushin, Sandër Prosin, Pirro Manin, Kolë Jakovën, Onufrin, Kolë Idromenon, Vangjush Mion, Ibrahim Kodrën, Sadik Kacelin, Qamil Grezdën, Simon Rrotën, Jan Kukuzelin, Niketë Dardanin, Palok Kurtin, Marie Krajan, Tefta Tashko Koçon, Ramadan Sokolin, Ibrahim Madhin, Marie Logorecin, Panajot Kanaçin, Agron Alian, Skënder Selimin e shumë artistë të tjerë, si dhe me vetë institucionet e artit në Shqipëri si: Galeria Kombëtare e Arteve, Teatri Kombëtar, Kinostudio, Teatrin e Operës dhe Baletit etj., ndaj, ju lutem, znj. Ministre e Arsimit rivendoseni në kurrikulën bërthamë të detyrueshme lëndën elitare të Historisë së Artit në gjimnazet shqiptare, sepse jam i bindur që brezat e rinj do të përplotësohen në formimin e tyre intelektual dhe patjetër që do të bëhen më të ndjeshëm ndaj artit dhe kulturës tonë të çmuar kombëtare si qytetar të denjë të këtij vendi. Jam më i bindur se kurrë në thënien time se “ARTI ËSHTË SHPIRTI I NJË KOMBI”.

Lumturohem kur një ish-nxënësi im pas përfundimit të gjimnazit në vitin 2014, largohet për të studiuar në Holandë dhe një ditë më shkruan e më tregon sesa i kishin vlejtur ato njohuri për Van Gogh-un përballë miqve të tij holandezë, që i kisha shpjeguar falë lëndës së Historisë së Artit, por sa keq dhe e trishtueshme është që kjo lëndë nuk është më pjesë e kurrikulës mësimore?! Ju lutem, ne duhet të rrisim dhe edukojmë të rinjtë tanë të barabartë dhe bashkëkohorë me të rinjtë e Evropës Perëndimore dhe jo t’i mohojmë atyre dijet mbi zhvillimin historik të arteve. E përsëris, Ju lutem, mos na riktheni në errësirë!
*Artist & Historian Arti


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. Përshëndetje ! A edhe gjerë këtu në këtë gjendje paskemi ardhur-arrijtë ne shqiptarët me drejtuasit e endteve që caktojnë pa ose me vetëmosdije duke dredhë lakun e konopit vetëvrasës për të kaluarenë dhe të ardhmen historike për historinë e rrënjëve e trungut të kulturesë kombëtare…Mos, mos mos vraponi errësirës në drejtim të humnerës së shkatrrimit të kësajë busolle të shenjtë e cila ruanë thesarin kulturor e edukativ të një kombi e në këtë rast kombit tim, tan shqipëtar që me shekuj heci pa hile shenoi histori faktike prej se kur dhe kush kemi qenë e gjerë më sot se kush jem…Unë nuk po e luti askend, jo por e ka vet jeta obligim e ajo jetë e shkurtë e jona bën mbajtjen gjallë përmes kësajë historie të kulturës dhe arteve pamore zgjatë jetenë e kombit Shqipëtar sepse njeriu në këtë rast “Kurrikul” një herë gabon me ose pa qëllim e me shekuj do na kushton ky gabim. Urojë të mendoni “Sejcil kulturë ka histori” por historija e kulturës tan shqipëtare nuk e besojë që meritonë ta denojmë me vdekje historinë tan…Nuk gëzonë të drejtenë askush e askushi ta “na riktheni në errësirë” ars. Sejdi B. Zeka-Dreni

    Përgjigju ↓