Kryesore

Rikthehet debati për Ligjin e Artit, ministria konsulta online, artistët: Nuk ka vullnet

19:32 - 06.03.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli-Pas debateve që shoqëruan disa ndryshimeve të propozuara në Ligjin për Artin dhe Kulturën, Ministria e Kulturës së fundmi ka hapur një platformë ‘online’, ku sipas saj, mund të përfshihen të gjitha grupet e interesit.




Njoftimi, i cili është bërë publik në faqen e ministrisë thotë se: “Pas konsultimeve me ekspertë dhe grupet e interesuara, Ministria e Kulturës, me qëllim përfshirjen e publikut të gjerë në procesin e vendimmarrjes, ka hapur thirrjen për “Konsultim Publik për ndryshime mbi Ligjin për Artin dhe Kulturën, nr. 10352, datë 18.11.2010”, që të këshillohet me të gjithë të interesuarit mbi propozimet për projektligjin”.

Sipas MK, ky shqyrtim me publikun, të cilin mund ta gjeni në ‘web’-in zyrtar të Ministrisë së Kulturës ju jep mundësinë që të lini sugjerimet tuaja mbi propozimet në secilën prej 12 faqeve, nen për nen. Thirrja do të qëndrojë e hapur për një muaj, deri me datë 5 prill 2018.

Më herët Ministria e Kulturës ka sqaruar se ky projektligj nuk synon ndryshimin e varësisë institucionale të institucioneve qendrore të artit dhe kulturës, por parashikon lehtësira/thjeshtëzim në procedurat ligjore për realizimin e veprimtarive artistike kulturore që kryhen me ligjin e artit dhe kulturës.

I njëjtin njoftim shton se nga ligji QKK dhe AQSHF dhe BK do të përfitojnë nga lehtësimi i procedurave si pjesë e varësisë nga MK, pasi me projektligjin e ri për artin dhe kulturën u lehtësohen procedurat e projekteve, çka nënkupton funksionim të dyfishtë, do të kryejnë veprimtarinë e tyre me ligjin e kinematografisë, edhe me ligjin për artin që propozohet sa u përket procedurave ligjore për realizimin e veprimtarive artistike.

Më tej, MK vëren se projektligji lehtëson në masën 100%, procedurat ligjore për projektet artistike në institucionet publike që në fushën e tyre të veprimit nuk kanë objekt artin dhe kulturën, ku do të përfitojnë njësitë e qeverisjes vendore dhe institucionet e tjera publike.

REAGIMI I ARTISTËVE

Po dje, 1 orë më vonë, ka reaguar edhe Sindikata e Artistë. Përmes një letre drejtuar deputetëve, anëtarë të Komisionit Parlamentar për Edukimin, ata parashtrojnë si më poshtë.

“Më 8 shkurt 2018, Sindikata e Artistëve të Skenës dhe Ekranit (SASE) thirri një mbledhje të hapur në sallën ‘Black Box’ të Universitetit të Arteve, me pjesëmarrjen e artistëve, pedagogëve dhe studentëve të artit, për të diskutuar dy çështje shumë të rëndësishme:

  1. Ndryshimet e propozuara nga Ministria e Kulturës në Ligjin “Për Artin dhe Kulturën” (i miratuar më 2010 dhe i ndryshuar më 2014).
  2. Transparencën për rindërtimin ose ndërtimin e Teatrit Kombëtar (TK), ndërkohë që ishte njoftuar zhvendosja e TK tek salla e ashtuquajtur “Turbina” dhe vendosja e TOB në sallën e TK”.

Në emër të Sindikatës së Artistëve, letra që mban emrin e kreut të SASE, Alert Çeloaliaj, thotë se “pjesëmarrësit në këtë takim shprehën pakënaqësi të thellë për politikat e Ministrisë së Kulturës gjatë viteve të fundit dhe i kërkuan kësaj të fundit, përmes një peticioni të nënshkruar nga 90 artistë, një takim të hapur, në sallën e TK”.

Shtohet se Ministria e Kulturës u deklarua publikisht pro konsultimeve për ndryshimet në Ligjin “Për Artin dhe Kulturën”, por refuzoi kategorikisht transparencën për çështjen e TK. “Një përfaqësi jona shkoi në Ministrinë e Kulturës, ku dorëzoi origjinalin e peticionit, që ishte bërë publik më parë përmes mediave dhe nguli këmbë në hapjen e konsultimeve për ndryshimet në ligj. Ndërkohë, kryetari i Bashkisë Tiranë, i cili më parë kishte njoftuar Këshillin Bashkiak se arkitekti Bjarke Ingels i kishte dërguar një projekt-ide për ndërtesën e re të TK, u shfaq në media dhe deklaroi se tashmë kishte një “ofertë”, autorin e së cilës nuk e zbuloi, për partneritet publik privat për ndërtimin e TK në një sipërfaqe 3 mijë m2”, thuhet në letrën e SASE.

Ajo shton se “po atë ditë, më 22 shkurt 2018, SASE u dërgoi dy letra të veçanta ministres Kumbaro (me propozime konkrete për ndryshimet në Ligjin “Për Artin dhe Kulturën” dhe kryebashkiakut Veliaj (me kërkesën për transparencë mbi projektin e ndërtimit të TK). Të dyja këto letra janë ende pa përgjigje”.

Sipas sindikatës, duke qenë se Ministria e Kulturës po demonstron mungesë vullneti për përfshirjen e grupeve të interesit në konsultime për ndryshimet ligjore, ndërsa Bashkia Tiranë po refuzon të bëjë transparencën për projektin e ndërtimit të TK dhe duke qenë se po bëhet një muaj nga fillimi i reagimit të komunitetit për këto çështje, ne ju ftojmë për një dëgjesë publike me artistët e skenës dhe ekranit, të enjten, më 8 mars 2018, ora 10, në sallën Black Box të Universitetit të Arteve.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.