OPINION

Shkatërrimi i memories

07:40 - 11.03.18 Aqif Gjokutaj
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

I mbërthyer nga ethet e Champions dhe duke bërë tifo për Juven, më bie zilja e celularit. Telefononte kolegu im, mjeku i njohur Renato Osmanaj. “Profesor, – më thotë – e more vesh? QFR-ja do të shembet…”.




Zëri i tij filloi të më vinte gjithnjë e më i mekur. Mbylla telefonin. QFR-ja do të shembet! Vetëm pasi e përsërita disa herë, fillova të kuptoj çfarë kisha dëgjuar, aq e pabesuar më dukej. Çdo gjë drejt shkatërrimit, drejt fshirjes së kujtesës, në funksion të harresës. Sigurisht që bashkë me ndërtesën, nuk do përtojnë të hedhin edhe pllakën e emërtimit të QFR-së, me emrin e profesor Petrit Selenicës.

QFR-ja nuk do të ketë më memorie! Mendoja dhe shpresoja që, të paktën, QFR-në do e kursenin. Por jo, edhe kësaj i erdhi radha. Edhe QFR-ja pa memorie. Edhe QFR-ja me Alzaimer! Njësoj si sporti, kultura, akademia, arsimi…

Ankthi që më kishte pushtuar po më merrte frymën. Mbylla sytë dhe në çast u zhyta në memorien e kohës. Rikujtova një bisedë që kisha bërë kohë më parë, te hyrja e QFR-së, kur unë isha drejtues i këtij institucioni, me një mesoburrë që po shikonte pllakën e emërtimit të vendosur te hyrja, i cili m’u drejtua me shumë mirësjellje:

– Doktor mund të të pyes diçka?

– Po, – i them.

– Kush ka qenë Petrit Selenica?

– Petrit Selenica ka qenë pionieri dhe themeluesi i këtij institucioni që kur u ndërtua dhe u pajis me aparaturat e teknologjisë më të përparuar të kohës dhe u quajt Qendra e Fuqishme Radiologjike (QFR).

– Më gëzon fakti që kjo qendër paska marrë emrin e një personaliteti në fushën e mjekësisë, se në këtë kohë që jetojmë, dëgjojmë vetëm emra politikanësh pa vlera.

Pastaj m’u kujtuan mëngjeset e punës, kur profesor Petriti, me një trup të bëshëm, me gjyzlykët e errëta mbi kokë dhe me mjetin e udhëtimit, një biçikletë “Mifa” të vjetër, vinte në punë ku e priste një grumbull i madh pacientësh, të cilët sapo e shikonin, i pëshpëritnin njëri-tjetrit “erdhi, erdhi profesori!”, ndërsa në fytyrat e tyre ravijëzohej gëzimi, besimi dhe respekti për profesor Petritin.

Në atë kohë, ne ishim mjekë të rinj, specializantë në radiologji dhe sapo dilnim korridoreve, ishte e pamundur t’u shmangeshe pyetjeve të të sëmurëve: “E ke parë profesor Petro Canin?”. Dhe pastaj vijonin me radhë: “Po profesor Petrit Gaçen, profesor Besimin, profesor Papariston, Xhumarin…”?

Të gjithë këta profesorë, edhe pse nuk punonin në QFR, përsëri vinin aty çdo ditë për të kryer ekzaminimet e të sëmurëve dhe ndjekur diagnostikimin e tyre.

Në këtë godinë, në pamje të parë të zakonshme, puna kryhej me dashuri e profesionalizëm të jashtëzakonshëm. Falë këtij përkushtimi, ajo u shndërrua në mësonjëtoren e parë të mjekësisë shqiptare, ku u mbollën dhe u rritën filizat e shkencës së imazherisë shqiptare. Nëse doni të kërkoni rrënjët, gjurmët, zanafillën e punës së mirëfilltë të mjekësisë shqiptare, ato do t’i gjeni në QFR. Në këtë institucion ruhen gjurmët që kanë lënë korifenjtë e mjekësisë shqiptare, ashtu si në bulevardin e famshëm të yjeve të Hollivudit. Në këtë qendër u hodhën hapat e para, por të sigurta, në rrugën e gjatë dhe të vështirë të shkencës mjekësore shqiptare, arritjet e së cilës janë vlerësuar edhe nga kolegët e huaj. Në këtë qendër radiologjike u realizuan ekzaminimet diagnostike dhe intervencionuse nga profesorët Hysen Karaj, Krenar Preza, Vangjush Golloshi, Tahir Hysa, Astrit Hoxhaj, Vangjush Nastas, Maksim Çela, arritjet mjekësore të të cilëve janë vlerë për mjekësinë shqiptare dhe kontribut për mjekësinë e huaj.

Botës nuk i vjen e keqja nga bëmat e budallenjve, por nga heshtja e të diturve, se problemi me botën në të cilën jetojmë është se njerëzit e ditur pajtohen me  indiferencën e tyre, duke ua lehtësuar punën rufjanëve me besim të plotë në veprimet e tyre.  Mbrojtja e vlerave të trashëgimisë kombëtare në rrafshin mjekësor është respekt për punën, mundin dhe djersën  e  brezave paraardhës dhe detyrim për brezat pasardhës.

QFR-ja do të shembet! Dhe në vend të saj, do të ndërtohet një ndërtesë gjigante, pa memorie për historikun e mjekësisë shqiptare, por me vlera monetare për ndërtuesit dhe drejtuesit e institucionit të “rilindur”, që e vetmja dhunti që kanë është të jenë largpamës për fitimin e vlerave monetare.

Brezat që do të vinë do të lexojnë në vend të një pllake që mbartte vlera mjekësore memoriale, një pllakë mermeri, ku do të shkruhet: Ndërtuar me Partneritetin Publik-Privat (PPP).

*Profesor doktor Aqif Gjokutaj

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.