OPINION

Rrëshqitja e palumturisë

07:20 - 19.03.18 Fatos Çoçoli
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Data 20 mars është caktuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB), që nga viti 2013, si Dita Botërore e Lumturisë. Aktivitete për këtë ditë promovohen nga OKB si një mënyrë dhe shtysë për të nxitur barazinë mes shtresave shoqërore dhe një vëmendje të shtuar ndaj vendeve dhe shtresave në nevojë. Po si vijmë ne shqiptarët në këtë ditë? Nga anketa e zhvilluar po nga OKB, duke angazhuar ndër strukturat më të njohura dhe të besueshme sot në botë përsa u përket pyetësorëve (sondazheve), institutin “Gallup”, dalim në vendin e 112-të nga 156 shtete të intervistuara. Praktikisht të fundit në Evropë. “Gallup” ka intervistuar nga 1 mijë qytetarë në çdo shtet. Treguesit ku bazohet pyetësori i “Gallup” janë gjashtë: të ardhurat për frymë, pritshmëritë për një jetë të shëndetshme, mbështetja nga miqtë dhe të afërmit, të dhënat për bamirësi, liria për të bërë zgjedhje në jetë dhe niveli i perceptuar (që ndjen çdo qytetar) i korrupsionit. Duke i parë këto kritere, të ngjan paradoksale, pse ne, si traditë, kemi një familje shumë të konsoliduar dhe që bën për anëtarët e saj. Pra, tek kriteri “mbështetja nga të afërmit” duhet realisht të shkëlqejmë. Po ashtu, lindim dhe rrisim fëmijë të mrekullueshëm, pra te treguesi “pritshmëritë për një jetë të shëndetshme”, sërish duhet të ishim mirë.




Po ashtu, tek të ardhurat për frymë renditemi më mirë se Bosnje-Hercegovina, Moldavia, Kosova, etj.. Ndërkohë, në tërësi në këto intervista të “Gallup” shfaqemi më pak të lumtur se shtetasit e këtyre shteteve dhe të të gjitha shteteve evropiane. Po pse? Cilat janë shkaqet që ndryshe nga vitet 2008-2010, në periudhën 2015-2017 jemi përkeqësuar, kemi zbritur në renditje me 17 vende (në vitin 2016 renditeshim në vendin e 95-të në botë). Në atë që në gjuhën teknike të ekspertëve të “Gallup” cilësohet si “rrëshqitja e palumturisë”, jemi ndër 10 vendet në botë që kemi përkeqësimin më të madh (të nëntët në botë). Dhe lind e natyrshme pyetja: pse duhet të zbresim në renditje kaq fort, gati si vende në luftë civile, si Siria? Çfarë i bën qytetarët tanë kaq të palumtur? Pse ndjehen kaq të stresuar, të pashpresë ata? Ndoshta përgjigjen e jep vetë njëri nga nën-treguesit kryesorë të anketës së “Gallup”, ai për konsideratën e qytetarëve ndaj korrupsionit. Nëntë ndër dhjetë qytetarë, shqiptarë të Shqipërisë mendojnë se korrupsioni tek ne është në rritje. Se ai nuk është frenuar. Korrupsioni dhe abuzimi i pandëshkuar me pronën dhe shërbimin publik vret çdo shpresë për një të ardhme më të mirë të vendit. Mjafton të shikojmë arrestimet e fundit për masakrën në Lezhë në tokat e bregdetit shqiptar dhe abuzimet e përbindshme me 610 kilometrat bregdet që kemi. Lezha është vetëm maja e ajsbergut. Dhe ndodh një dukuri, që nuk e vëren as edhe në vende të ngjashme për nga fuqia dhe zhvillimi ekonomik me ne, si Maqedonia dhe Mali i Zi. Tek ne nuk ankohen vetëm qytetarët, por edhe sipërmarrësit, ata që normalisht duhet të jenë më të lumturit, pse kanë para me qindra, në mos mijëra herë më shumë se shtetasit e zakonshëm dhe kanë siguruar edhe të ardhmen financiare të nipërve. Ankohemi të gjithë, pa dallim, për shërbimet e munguara apo të një cilësie shumë të keqe, të administratës sonë publike.

Në këtë situatë stresi të gjithëgjendur në çdo pore (ind) të shërbimit publik, sigurisht që ndjesia e të qenit i plotësuar apo i lumtur është inekzistente, zero. Prandaj dhe vendi ynë i ka qytetarët e tij më të palumturit e Evropës dhe po ashtu, edhe më të pashpresët. Në duart e kësaj qeverie të sotme është shansi, sfida e jashtëzakonshme e kthimit të shpresës. Deri tani lëvizjet-spektakël, si dorëheqja e imponuar e të gjithë drejtuesve të hipotekave, apo të spitaleve publike, edhe pse fillimisht ngjallën shpresë, nuk e kanë zgjuar gjigantin, kthimin e përgjegjshmërisë në administratën tonë publike, frikën ndaj ndëshkimit nga ligji. Kanë qenë më shumë një shfrim i mërzisë kryeministrore, ndaj një administrate publike që vijon të jetë kokëfortë dhe mospërfillëse në abuzimet e saj. Formula dhe qasja e qeverisjes me qytetarët, si dhe platforma e bashkëqeverisjes me dhe për qytetarin, rrezikojnë të ngelen butafori me disa raste-spektakël zgjidhjesh hallesh të qytetarëve me administratën, ndërkohë që mijëra raste të tjera presin me ditë, javë dhe muaj një zgjidhje që nuk vjen. Koordinatorët e bashkëqeverisjes, nëse kërkojmë të jenë efektivë, duhet të dhjetëfishohen. Ambasada e SHBA-ve në Shqipëri është efektive, pse ka një personel sa një ministri e shtetit tonë dhe mirë bën, pse po na shërben edhe ne (krahas vendit të vet) me gjetjet dhe informacionin që mbledh. Nëse bashkëqeverisja nuk shndërrohet në një shtet brenda shtetit, që kontrollon dhe jep rrugëdalje për interes të çdo qytetari që i ankohet (aty ku ankesa është e bazuar), ajo rrezikon të jetë thjesht një shashkë, butafori më shumë.

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.