Brikena Metaj – Çudirat nuk kanë fund! Në një ambient në pronësi të xhamisë (komunitetit mysliman), me vendndodhje “Lagjja e Zejtarëve”, Pazar, ushtrohej aktivitet i paligjshëm i tregtimit të mishit nga shtetasi Bledar Guri.
Operacioni u zhvillua nga AKU Gjirokastër, në bashkëpunim me Hetimin Tatimor dhe Sektorin e Krimit Ekonomik, Drejtoria Vendore të Policisë Gjirokastër.
Prej kontrollit rezultoi se subjekti, ishte i paregjistruar në QKB dhe tregtonte mish të pasigurt, pa certifikatë veterinare dhe dokumente të tjera shoqëruese.
Trupa inspektuese e Drejtorisë Rajonale të AKU Gjirokastër, menjëherë mori masën urgjente për ndërprerje të menjëhershme të aktivitetit, si dhe masën administrative gjobë ne vlerën 200.000 lekë.
Ndërkohë u mor edhe masa e sekuestrimit të 43 kg mish gjedhi dhe u bllokuan mjetet e punës: frigorifer, 2 peshore, makine grirëse, 2 thika, 2 hanxharë.
Këto të fundit me përfundimin e procedurave te shqyrtimit administrativ, kalojnë për ruajtje në rezervat materiale të shtetit.