MILOSAO

Filozofia e revoltës në vargjet e një poeti

14:00 - 25.03.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Dr. Zejnepe ALILI REXHEPI* – Dimensioni tematik i vargjeve të Bislim Ahmetajt, me shtjellimin midis një koncepti filozofik mendimesh dhe origjinalitetit të përkapjeve jetësore e përbëjnë tërë vëllimin poetik “Edhe zogjtë i mashtrojmë”. Trajektorja e përshkrimit të tyre është si një nismë pa mbarim dhe një fund pa fillim, midis së cilës mbizotëron revolta. Mesazhi jetësor brenda këtij trazimi mbetet sërish i qëndrueshëm në kohë.
Ahmetaj shkruan me masë, edhe kur shpesh ndodhet para dilemash jetësore, dhe një simbioze shpresash, ndonëse kaherë atë e mbërthen dëshira për rebelim e nxitur nga revolta dhe ironia. Me këtë, poeti e bashkëdyzon ndjenjën vetjake me preokupimin ndaj kaosit shoqëror, duke e shtyrë filozofinë deri te mosbesimi, me synimin për të gjetur të vërtetën, si përpjekje për t’I sfiduar situatat. Ritmin e jetës e transmeton me të gjitha ulje-ngritjet e individit që bredh në kërkim të jetës më të mirë, në rigjetjen e shpresës së humbur, për të arritur ndryshimin e pritshëm gjithëshoqëror. Kontrastet e theksuara shoqërore, vëzhguar në prizmin e realitetit social, ekonomik, politik… e shtyjnë poetin që të gërmojë midis copash të fashitura të vendit të tij, për ta pikturuar të vërtetën me të gjitha ngjyrimet emocionale që ia ka imponuar koha.
Vëllimi “Edhe zogjtë i mashtrojmë” në realitet, të duket si rrugëtim drejt furtunash, ku individi i pabindur me fatin “e imponuar” lundron i pasigurt në lumin e dhembjes, padrejtësive, papunësisë e mjerimit social, mirëpo asnjëherë nuk duhet humbur kuptimin e jetës. Ndonëse tejet kritik, poeti shkruan me gjuhë zemre, sepse horizont frymëzimi e ka Atdheun – si kult i tokës dhe brenda tij e portretizon shqiptarin e kohës, megjithëse nganjëherë jeta e vetë shqiptarit ka vlerën e hiçit, duke përshkuar rrathë golgote.
Vëllimi nis me poezinë “Fëmijëve jetimë”, në të cilën “njeriu” ndeshet sy më sy me jetën, edhe pse jeta nuk e ka për këdo vlerën e zakonshme, për të cilën gjakon individi, i mbetur vetëm përballë sfidave. Rrjedha e jetës metaforizohet me ca dozë optimizmi, ani pse për të, janë kohë të vështira “…Në mëngjes herët/ Dal rrugëve të qytetit/ E mbledh dromca buzëqeshjesh…/ …Të mbetura pa u “pastruar” nga fshesarët e përgjumur”. Kjo ndjesi pasqyrohet me faktin e hënës dritëpakët që i bie në qafë errësirës.
Shumica e poezive të Ahmetajt janë përshkrim situatash e përsiatjesh të realitetit, janë përplasje e guximshme me ato dukuri të dëmshme që duhen tejflakur sa më larg. Fundja, poezitë janë linja jete nëpër të cilat domosdoshmërisht kalon individi dhe kolektiviteti, edhe kur pas vetes lënë silueta ëndrrash të përgjakura. Ironia e fatit s’ka të sosur edhe atëherë kur njerëzit “…Janë thjesht gjysma të prera fotosh/ Që shërbejnë edhe si pasaporta edhe si bileta/ Fati i tyre shndërrohet në tituj gazetash/ Copa letrash që bredhin trotuareve të pista…” (“Kalorësit e zinj të vdekjes”).




Është mbresëlënëse poezia “Për udhëheqësit tanë”, e cila të nxit pamje të skicuara nga jeta shqiptare, një aktualitet i hidhur që tipizon ambiente autoktone… Përshkruhen portrete udhëheqësish, si në një pikturë plot efekte ngjyrash të përziera pa kurrfarë harmonie, sikurse kur të kaplon ndonjë “trishtim kozmik” dhe pa ndonjë shpresë për më tej, deklaron: “Më ka humbë busulla”. Aftësia perceptuese e poetit që kaq hollësisht ta përditësojë jetën, bën të mundur që asnjë grimcë përjetimi të mos fshihet gjatë nga kujtesa. Edhe banalizimi i përditshmërisë me “shije” festash të (pa)zakonshme përshkruhet si “ode” për gruan shqiptare. Dhe kjo nuk ka si të tipizohet më qartazi në “Ditë gruaje në Tiranë”, një poezi që reflekton “shpresa” të varura nga efekte ngjyrash, shumësia e të cilave të ngjall neveri deri në absurditet.
Në këtë vëllim, Ahmetaj, sikur në çdo hap vëzhgon dhe mbledh vëmendshëm ato grimca ndjesish që e arnojnë forcën e jetës për një të nesërme të domosdoshme, por gjithsesi ndryshe. Vargu i tij nuk është kaq i thjeshtë, as për kah kthjelltësia e mendimit, as për kah vlerat gjuhësore. Përgjithësisht, janë poezi që kërkojnë lexim të vëmendshëm, për një zbërthim dhe interpretim të duhur. S’do mend se pakufishmëria e gjuhës që e elaboron mendimin e kthjellët, e i rrah fort fenomenet politiko – sociale, nuk e prish bashkëjetesën e kësaj gjuhe, herë të ashpër e thumbuese, herë të ëmbël e të këndshme, pothuajse lyer në lyer këngën e zogut, sikurse në poezitë: “Arratia e këngës së zogjve”, “Tinguj harrese”, “Kanga e mbrame e plakut”., “Bbilbili, lypsari dhe qyteti i ngratë”…
“Edhe zogjtë i mashtrojmë” është pasqyrim në vargje i atyre tablove jetësore, me të cilat ngeshëm shihemi sy më sy. Janë ata histori të dëgjuara nëpër shekuj, që po i gërryem pakës, do shpërthejnë ama gjaku, si dëshmi dhembjesh të pa stisura. Janë e sotmja rënduese që na lodh deri në ngulfatje dhe fatkeqësisht mund të bartet në të nesërmen e pafajshme. Dhe ne, nuk mund të bëjmë asgjë, me bindjen se “të vegjlit” janë të destinuar për “durim” ose “humbje”. Janë po ajo e nesërmja, ku shpresat metaforikisht, janë ndrydhjet emocionale nëpër kohë. Për këtë të fundit duhet një mal durim, që bashkë me lexuesin të ecet shtigjeve të gjata sa pafundësia e jetës!
* Profesore e Letërsisë së Krahasuar në Universitetin Shtetëror të Tetovës


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.