Intervista

Shembja e Teatrit, Suela Bako: Kult besimi dhe dashurie, aty pata 5 premiera

13:36 - 25.03.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli – Në këtë Tiranë kryeqytet duan të ekzekutojnë ngrehinën e vetme Kombëtare të Teatrit, me pretekstin e një teatri të ri modern?! Jo, është e patolerueshme”. Suela Bako vjen në “GSH” në një intervistë ku si pjesë e trupës që po luan “Maktbeth” në Teatrin Kombëtar, duket dhe sikur po i jep lamtumirën një teatri nga i cili dolën breza artistësh.




Si një njeri i lidhur me “të vjetrën”, me traditën me historinë, Bakos i dhemb shumë që fëmijërinë e saj nuk e gjen më askund. “Kam ndjerë shumë dhimbje për Stacionin e Trenit, që u zhduk një ditë të bukur pa e vrarë mendjen kurrkush, edhe pse shumë prej nesh kemi lidhje emocionale me të. Po ashtu Sheshi ‘Skënderbej’”, thotë aktorja. Në shfaqjen “Makbeth” ajo luan Malkolmin, princin që vjen në pushtet, me të cilin filozofia që Kledi Kzpexhiu ka dashur të nënvizojë dhe që sipas Suelës i flet kohës dhe vendit tonë shumë fort është: Froni i takon vrasësit më të mirë… Por kur ajo zhvishet nga roli dhe i duhet të heqë grimin e kostumin, kupton se t’i lësh lamtumirën godinës së teatrit “është ndjesi kaq e dhimbshme. Është si një fëmije t’i marrin lodrën e preferuar”.

– Si është të luash te “Makbeth”, një shfaqje për pushtetin, shtypjen?
Është si të jetosh i shtypur dhe prej saj të mësosh të shtypesh dhe ta kthesh shtypjen në mjeshtëri. Cila është arma jote? – Vrasja, asgjësimi. Cili është synimi? – Pushteti. Si e arrin këtë? – Duke shtypur edhe bashkëpunëtorin më të afërt. Tek vizioni i Kled Kapexhiut, kjo është tepër e nënvizuar; nisur dhe nga personazhi që luaj, Malkolm, princi që vjen në pushtet, filozofia që Kledi ka dashur të nënvizojë dhe që sipas meje i flet kohës dhe vendit tonë shumë fort është: Froni i takon vrasësit më të mirë… Këtë sprovë e kalon Malkolm i konceptuar nga Kledi, nën lëkurën e një aktoreje femër.

– Teksa ju jeni në skenë dhe shfaqja është premierë në TK, e ardhmja e godinës nuk dihet. A po i lini lamtumirën?
Pyetje e vështirë. Ajo për mua mbetet një kult besimi dhe dashurie. Kam pasur rastin të ngjitem në të, në 5 premiera dhe pastaj në shfaqje të veçanta shumë herë të tjera, është vërtetë e shenjtë, kjo jo për t’u bërë nostalgjik dhe as melankonik. Unë jam shumë e lidhur me “të vjetrën”, me traditën, me historinë; më dhemb shumë që fëmijërinë time nuk e improvizoj dot gati askund më.

Kam ndjerë shumë dhimbje për Stacionin e Trenit, që u zhduk një ditë të bukur pa e vrarë mendjen kurrkush, edhe pse shumë prej nesh kemi lidhje emocionale me të. Po ashtu sheshi “Skënderbej”, që merr forma nga më të ndryshmet sipas humorit në rastin më të mirë, apo interesave meskine në rastin më të keq. Gjithashtu për Pazarin e Vjetër që është bërë tepër i bukur, por që nuk nënkupton asgjë për atë që përfaqëson për kryeqytetin dhe historinë, e nuk po vazhdoj gjatë, se në fakt çdo gjë e rinovuar ha diskutim shumë, edhe pse ne si qytetarë të djegur për pastërti e rregull na zihen sytë dhe pëlqejmë edhe budallallëkun e parë që na zënë sytë, veç në emër të një nevoje minimale jetese mes “rregullit dhe pastërtisë”. Për t’u kthyer te pyetja juaj – …Po! Duket se po ndahem me të përgjithmonë! Uroj të jetë një ëndërr e keqe…

– Si është ta shohësh një skenë ku ke kujtime të shkërmoqet para syve, ose të të thonë se nuk do ketë më as nam e as nishan?
Më duket se jam shprehur disi pak më sipër. Është ndjesi kaq e dhimbshme. Është si një fëmije t’i marrin lodrën e preferuar.

– Keni qenë në shfaqje e role të ndryshme, në teatër e film – për Suelën sa e rëndësishme është kujtesa, tradita dhe liria për të thënë çfarë mendon e çfarë ndjen?
Me sa duket të kam paraprirë. Kujtesa në profesionin tonë është pikë kyçe. Kujtesa emocionale, kujtesa trupore, biologjike, historike… Ne jemi ca qenie që funksionojmë në profesionin tonë falë, pikë së pari KUJTESËS! Pastaj sigurisht kjo shoqërohet me formimin, përgatitjen, talentin, vullnetin etj., etj. Por është kujtesa, tulla, që na mban në këmbë ngrehinën, e cila po na shembet poshtë këmbëve.

Unë për arsye që varen prej meje apo jo, më është dashur të punoj larg teatrit dhe të rikthehem tek ai plotësisht përpara 5 vjetësh. Sigurisht që jam angazhuar sa herë kam mundur duke mbajtur gjallë atë pasion që më bëri sot të kthehem. Dhe ndihem kaq e humbur dhe e pafuqishme, që arsyet të cilat me bënë të tërhiqem rreth 20 vjet më parë janë njësoj të forta dhe shtypëse, madje më të egra tani. Për cilindo që mendon se kjo është patetike dhe thjesht një nostalgji, them që kjo është një vetëdije qytetare dhe profesionale ndaj profesionit dhe qytetit tim. Unë kam pasur rast të shoh teatro alternativë. Kam qenë në Greqi, Maqedoni, Broadway, Luksemburg, Francë dhe jam kaq e interesuar për këto salla alternative që shtetet e qytetet respektive kanë, por ato i kanë me shumicë dhe si t’i duash, një qytet me një popullsi prej 50 mijë banorësh ka më shumë teatro se sa ka Tirana sot dhe pikërisht në këtë Tiranë – kryeqytet duan të ekzekutojnë ngrehinën e vetme Kombëtare të Teatrit, me pretekstin e një teatri të ri modern?! Jo, është e patolerueshme.

Do të çmoja çdo lloj arkiteture moderne dhe shpikje arkitekturore që do të thotë diçka edhe për arkitekturën e qytetit tim, edhe për Teatrin, por kjo mund të jetë shumë mirë alternative, ose siç në botë kam parë – gërshetimin aq spektakolar të arkitekturës tradicionale me atë moderne, pa e prishur origjinalen, por vetëm duke i shtuar asaj funksionalitetin dhe lehtësirat.

Ndërkohë, që Tirana ka shumë nevojë për të tjera ndërtesa artistike, të cilat janë kaq shumë të domosdoshme dhe uroj shumë që kjo dëshirë e mirë për të na qenë pranë, të vazhdojë të shtrihet në hapësirën e pakët publike të mbetur të qytetit tim. Në lidhje me lirinë, ajo është njësoj e shenjtë si teatri. Në kohën e para ‘90-ës, diktatura diti ta mbajë lart Teatrin se e kishte mjet propagande, ndaj dhe kujdesej për artistët (lexo: për pushtetin) ndërkohë, sot mesa duket, ata nuk duhen as si propagandë. Liria vritet çdo ditë që ti lufton me ekzistencën dhe me tavolinën e fëmijëve të tu… dhe kjo gjendje nuk erdhi brenda ditës, as brenda natës. Ka kohë që punohet për këtë liri të munguar…


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. Perse mos te shkrihen skulpturat e bronzit te realizuara nga skulptori Kristaq Rama dhe me bronzin e perfituar te realizohet nje monument spektakolar nga skulptori Thomas Schütte?

    Përgjigju ↓