Intervista

Altin Çekodhima: Pirja e duhanit, rrezik i dyfishtë për kancerin në stomak

12:20 - 26.03.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Kanceri i stomakut po merr përmasa të mëdha në vendin tonë e është shkaktar për një numër të konsiderueshëm të vdekjeve. Rreziku për tu prekur nga sëmundja, është dy herë më i lartë te personat që konsumojnë duhanin.




Në një intervistë për “Gazetën Shqiptare”, mjeku gastroenterolog dhe endoskopisti, Altin Çekodhima tregon se meshkujt janë tri herë më të predispozuar për t’u prekur nga kanceri i stomakut, dhe krahasuar me femrat, gjithashtu, bën me dije se moshat më të riskuara janë ato 40-65 vjeç. Sipas mjekut pacientët me kancer të stomakut shpesh i shfaqin simptomat në stade shumë të avancuara.

Cilët janë disa prej shkaktarëve që ndikojnë në shfaqjen e kancerit të stomakut?
Kanceri i stomakut është një ndër tumoret malinje më të shpeshta, përgjegjës për një numër të madh vdekjesh në vit në Shqipëri. Infeksioni Helikobakter Pylorit mendohet se është një nga shkaktarët e shumicës së kancerëve të stomakut ndërsa gastriti atrofik autoimun, metaplazia intestinale dhe një sërë faktorësh të tjerë gjenetikë shoqërohen me rritjen e rrezikut për kancer në stomak. Shoqata Amerikane e Kancerit paraqet një listë të faktorëve të lidhur me dietën ushqimore (mishi, peshku i kripur dhe i tymosur dhe ushqimet e konservuara), nitratet dhe nitritet, të cilat gjenden kryesisht në mishin e konservuar rrisin rrezikun për kancer të stomakut.


Sa ndikon pirja e duhanit apo alkoolit në zhvillimin e sëmundjes?
Një faktor shumë i rëndësishëm që shkakton kancer të stomakut është pirja e duhanit. Ky faktor rrit rrezikun për kancer nga 40% te personat që e pinë në sasi të vogël, deri në 82% tek ata që e pinë duhanin për një kohë të gjatë, që do të thotë se dyfishohet rreziku për kancer në krahasim me personat që nuk e pinë duhanin. Alkooli është një shkak tjetër që rrit rrezikun për kancer, sidomos kur është i shoqëruar me duhanpirje.
Cilët janë më të predispozuar për t’u prekur nga kanceri i stomakut?
Kanceri i stomakut prek më shumë meshkujt se femrat, në një raport 3 meshkuj 1 femër. Estrogeni si hormon femëror mund të mbrojë gratë nga ky lloj kanceri. Shumica e pacientëve të diagnostikuar me kancer të stomakut janë të moshuar. Mosha e mesme është ndërmjet 40-65 vjeç. Diagnostikimi i kancerit tek moshat e reja ka qenë në format më agresive.

Cilat janë disa prej simptomave që shfaqin të sëmurët?
Shenjat dhe simptomat kanceri të stomakut përfshijnë: dhimbje abdominale (e barkut); humbje të pashpjegueshme në peshë dhe humbje të oreksit; dhimbje e papërcaktuar e barkut zakonisht sipër kërthizës; ndjesia e fryrjes së tepërmi pas një vakti të lehtë; djegie kraharori, urth ose shenjat e një ulcere, nauzea, të vjella me ose pa gjak si dhe ënjtje e barkut për shkak të grumbullimit të lëngjeve në kavitetin abdominal. Ndërkaq, humbja në peshë dhe dhimbjet e vazhdueshme janë shenjat me të shpeshta të kancerit. Dhimbja e barkut fillimisht mund të jetë e lehtë, por ajo forcohet me progresin e kancerit. Pacientët, gjithashtu, mund të shfaqin të vjella ose ndjenjën e mbingopjes për shkak të masave kanceroze, të cilat zënë një pjese të madhe të hapësirës së stomakut.

Si kryhet diagnostikimi i sëmundjes dhe në cilin stad paraqiten pacientët te mjeku?
Diagnostikimi i hershëm është i vështirë, sepse simptomat bëhen të pranishme kur situata ka përparuar. Mundësia e kurimit varet nga koha kur diagnostikohet kanceri. Sa më herët të kapet aq më shumë përfiton pacienti. Me video-endoskopi sidomos në ditët e sotme me aparatura të avancuara me rezolucion të lartë, mundësohet një ekzaminim i imtësishëm dhe vlerësim i situatave që në stadet fillestare. Fatkeqësisht, pacientët me kancer të stomakut shpesh kanë simptoma në stade shumë të avancuara. Kjo është një nga arsyet përse kanceri është shumë i vështirë për t’u diagnostikuar që në stadet fillestare.

Si procedohet nga ana juaj me pacientët gjatë diagnostikimit?
Gastroskopia është metoda e zgjedhur ekzaminuese për këtë sëmundje. Gjatë ekzaminimit me gastroskop merret biopsi, e cila dërgohet për ekzaminim histopatologjik ku shihet nga mjeku histopatolog në mikroskop për prezencën e qelizave kanceroze dhe llojin e kancerit. Nëse në ekzaminimin histopatologjik gjenden qeliza kanceroze, hapi tjetër është të gjendet stadi i zhvillimit në varësi të shtrirjes së sëmundjes. Për të bërë stadifikimin e kancerit, d.m.th shtrirjen dhe shpërndarjen në distancë të tij, bëhen teste të ndryshme. Duke pasur parasysh që kanceri i stomakut prek dhe organet e tjera si mëlçinë, pankreasin dhe mushkërinë, doktori, për të bërë stadifikimin kryen ekzaminime të tjera shtesë.

Cilat janë disa nga masat për parandalimin e sëmundjes?
Mund të përdoren disa teknika për të zgjatur jetën dhe për të përmirësuar simptomat. Në këto raste bëhet kirurgjia dhe stentet për të mbajtur traktin tretës të lirë prej bllokimit të masës dhe kimioterapi me medikamente si 5-fluorouracil, cisplatin, epirubicin, etoposide, docetaxel, oxaliplatin, capecitabine, ose irinotecan. Nga ana tjetër, ngrënia e frutave dhe zarzavateve të freskëta që përmbajnë vitamina antioksidante (vitamina A dhe C), mendohet se e ul rrezikun për kancer në stomak.

Stadet e sëmundjes

• Stadi 0. I limituar vetëm në shtresën e mukozës së stomakut. Trajtohet me endoskopi duke bërë heqje të shtresës të mukozës (pa operacion të hapur).
• Stadi I. Penetrimi në shtresën e dytë nga tre shtresa të stomakut (Stage 1A), ose prekja e shtresës së dytë dhe gjëndrave limfatike që janë përreth murit të stomakut (Stage 1B). Stadi 1A trajtohet me kirurgji ku përfshihet edhe heqja e omentumit. Stage 1B mund të trajtohet me kimioterapi (5-fluorouracil) dhe terapi me radiacion.
• Stadi II. Penetrimi në shtresën e dytë dhe në gjëndrat limfatike në distancë, ose në shtresën e tretë dhe në limfonodujt (gjëndrat limfatike) në afërsi, ose kur preken të katër shtresat e stomakut por pa prekur limfonodulat. Trajtimi bëhet si në stadin e parë por nganjëherë shtohet kimioterapi me neoadjuvant.
• Stadi III. Penetrimi në shtresën e tretë dhe prekja e gjëndrave limfatike në distancë, ose prekja e të 4 shtresave të stomakut si dhe e limfonodulave të afërta. Trajtimi bëhet si në Stadin II. Në disa raste është ende e mundur një kurë.
• Stadi IV. Kanceri është i shpërndarë në indet e afërta dhe në gjëndrat limfatike në distancë si dhe ka metastaza në organet e tjera. Në këto stade kura ndikon shumë pak.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.