DOSSIER

“Shkrimtarët Matuka, Shehu e Gani s’e ngritën dollinë e parë për partinë”

14:00 - 30.03.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Dashnor Kaloçi – Shefqet Peçi ish-komandanti “legjendar” partizan me origjinë nga fshati Picar i Tepelenës, ku dhe ka lindur më 1 maj të vitit 1906, pas vitit 1945 e deri në shembjen e regjimit komunist të Enver Hoxhës, mbajti dhe ushtroi një sërë detyrash të larta shtetërore. Nga grada e aspirantit të cilën e kishte fituar që në fillimin e viteve ’30-të gjatë periudhës së Monarkisë së Zogut ku ndoqi një kurs specializimi për armën e Artilerisë, falë kontributit të tij gjatë periudhës së Luftës Antifashiste, si komandant i njësive të mëdha partizane, (më 1944 komandant i Brigadës së II-të dhe zëvendëskomandant i Divizionit I-rë. Komandant i shtabit të forcave partizane që shkuan në Kosovë. Më 1944 – 1946 anëtar i Këshillit Antifashist Nacional Çlirimtar. Më 1945 – 1949 komandant i Korparmatës III-të, Komandant i Divizionit I-rë të Drejtorisë së Mbrojtjes së Popullit, etj.), menjëherë pas vitit 1944 iu akordua grada e gjeneralit dhe shërbeu në Ministrinë e Mbrojtjes deri në vitin 1949 kur u emërua në postin e Ministrit të Komunikacioneve, detyrë të cilën e ushtroi deri në vitin 1951 kur u emërua si ministër i Minierave. Ndërsa nga viti 1953 deri në vitin 1966, Shefqet Peçi ka ushtruar detyrën e kryetarit të Komisionit të Planit të Shtetit, (detyrë tepër e rëndësishme të cilën nga 1945-sa deri në vitin 1947 e ushtroi Nako Spiro dhe vite më vonë, Abdyl Këllezi), kurse nga viti 1966 deri në 1971-in, Shefqeti ishte në detyrën e Ministrit pa Portofol. Ndërsa nga viti 1970 deri në 1982-in, ai shërbeu edhe si nënkryetar i Presidiumit të Kuvendit Popullor, pasi ishte deputet që nga legjislatura e parë e vitit 1945 e deri në 1991-in, kur u shemb regjimi komunist. Po kështu veç këtyre detyrave shtetërore, nga viti 1950 deri në 1991-in, Shefqet Peçi ishte dhe anëtar i Komitetit Qendror të PPSH-së.




Por përveç gjithë këtyre detyrave dhe ofiqeve të larta shtetërore dhe partiake, Shefqet Peçi ishte dhe një “poet”, apo më saktë e konsideronte veten të tillë dhe, gjithashtu, autor i disa librave me temë nga “Lufta Nacional-Çlirimtare”. Shefqeti nuk shkruante vetëm poezi me temë nga lufta, por edhe ato me temë nga politika ku ai “demaskonte” imperializmin amerikan dhe revizionizin sovjetik. Kështu në një nga poezitë e tij, ai shkruante: “Them ku është parajsa / thonë në Washington/ Ku Shtëpi e Bardhë, veç katran kullon”. Po kështu përveç poezive që Shefqeti shkruante vetë, disa poetë të tjerë i kanë thurur atij këngë, balada dhe poezi për “trimëritë” e tij të treguara gjatë periudhës së luftës, të cilët para viteve 90-të ishin botuar edhe në tekstet shkollore të ciklit të shkollës 8-vjeçare. Në një nga ato poezi kushtuar Shefqet Peçit, midis të tjerash poeti…..shkruante: “Si naganta nuk na ngeci në Kuç e në Korab / Kur na thërriste në sulm përpara Shefqet Peçi, komandant ynë lab/”. Në këtë kontekst, Shefqet Peçi gëzonte dhe një popullaritet të madh në zonën e tij të Kurveleshit ku ishte dhe deputet e ai shkonte herë pas here për të takuar zgjedhësit e tij dhe për të “zgjidhur problemet e hallet” që ata kishin. Shefqeti kurrë nuk shkonte vetëm në zonën e tij elektorale, por ai gjithnjë merrte me vete disa nga miqtë e shokët e tij më të afërt, kryesisht ata që ishin me origjinë nga krahina e Kurveleshit. Dhe më shpesh atë e shoqëronin edhe disa poetë e shkrimtarë me origjinë nga ajo zonë, bashke më të cilët ai merrte pjesë si në mbledhje, ashtu dhe në dreka e darka që shtronin për të si “populli” i asaj krahine, ashtu dhe organet e pushtetit lokal, ku rakia shkonte lumë me dolli për “Partinë dhe shokun Enver”. Lidhur me këtë, bën fjalë dhe dokumenti që po publikojmë në këtë pjesë të librit dhe që mban datën 13.VIII.1973, ku sekretari i Komitetit të Partisë së Tepelenës, Ali Manaj, ka informuar sekretarin e Komitetit Qendror të PPSH-së, Hysni Kapon, me anë të një letre “personale” me siglën sekret. Ajo çka e ka detyruar sekretarin e Komitetit të Partisë së Tepelenës, t’i shkruante Hysni Kapos, apo më saktë Enver Hoxhës, (pasi ai e dinte fare mirë që letrën e tij, Kapo do t’ia dërgonte menjëherë Enverit), ka qenë problemi i dollive të rakisë, ku miqtë shkrimtarë nga Tirana që kanë shoqëruar Shefqet Peçin në atë darkë, nuk e kanë ngritur fillimisht për Partinë, por për popullin e Kurveleshit. Sepse sipas “zakoneve të reja” të asaj zone dhe, gjithashtu, gjithë Shqipërisë, dollia e parë ngrihej për “Partinë dhe shokun Enver”. Ndërsa në krahinën e Kurveleshit dhe disa të tjera në Jug të vendit, ishte bërë zakon që në dreka dhe darka, ngrihej dolli me gota uji për 13 anëtarët e Byrosë Politike dhe kandidatët e saj. Gjë e cila shpesh herë i vinte në vështirësi miqtë e ftuar që nuk ishin mësuar me ato “zakone”, aq sa i bënte ata që jo pak herë të zinin spitalin. Kështu ka ndodhur edhe në darkën ku ka qenë i ftuar Shefqet Peçi me miqtë e tij nga Tirana, gjë e cila është shkruar me detaje nga Ali Manaj. Madje nga njëri prej të ftuarve në atë darkë, mësohet se me nota humori i është drejtuar Shefqet Peçit, duke i thënë: “Shoku Shefqet, ishalla ky kongres i Partisë që po vjen, do t’i reduktojë pak numrin e kandidatëve të Byrosë Politike, se po na zënë spitalin burrat e fshatit”. (Por çuditërisht kjo gjë, nuk është shkruar në raport-informacionin në fjalë). Por problemi kryesor që e ka “shqetësuar dhe preokupuar” së tepërmi sekretarin e Partisë së Tepelenës, Ali Manaj, nuk ka qenë vetëm sasia e dollive të rakisë që janë ngritur aty, “por dollia e parë” që nuk është ngritur për Partinë, që e thënë më saktë nënkuptonte dollinë për Enver Hoxhën. Dhe po kjo ka qenë edhe arsyeja kryesore që atë letër, Hysni Kapo ia ka dërguar menjëherë Enver Hoxhës, i cili ka bërë aty edhe një shënim lidhur me atë “ndodhi” ku ka qenë “protagonist” vetë Shefqet Peçi. Edhe pse Enveri nuk ka qenë shumë i rreptë në ato që ka shkruar, nuk dihet me saktësi nëse ka ndikuar kjo letër në dënimin që iu bë po atë vit, poetit Agim Shehu dhe poetit, gazetarit e shkrimtarit ushtarak, Ibrahim Gani, të cilët u përjashtuan nga Partia dhe iu hoq e drejta e botimit. (Gjë e cila pasqyrohet edhe në një nga kapitujt paraardhës e këtij libri). Ndoshta qenia e Shefqet Peçit në atë darkë, i ka shpëtuar shkrimtarët që e shoqëronin atë, nga andralla të tjera që mund t’ju vinin edhe nga një dolli rakie e ngritur pa kujdes. Po kështu sipas dokumentit në fjalë (shiko dhe faksimilen përkatëse), edhe Hysni Kapo nga ana e tij ka bërë një shënim ku thuhet: “E thirra shokun Bato Karafili dhe e këshillova që të kenë kujdes me trajtimin e çështjeve në bazë të shënimit që ka bërë shoku Enver”. Ashtu si dhe pjesa më e madhe e dokumenteve të këtij libri, edhe ku publikohet i plotë.

 

 

PARTIA E PUNES E SHQIPERISE Personale
KOMITETI I PARTISE RRETHIT S E K R E T
TEEPELENE Ekz. Nr. 1
Nr. 619. Prot. Tepelenë, më 13.8.1973

KOMITETIT QENDROR TE P.P.SH.
(Sh. Hysni Kapo)
T I R A N E

Ju informojmë se prej datës 6/8/1973 deri më 8/8/1973, zona e Progonatit dhe sektori i Salarisë së kooperativës së bujqësore të bashkuar Dukaj, pritën për takime deputetin e zonës së tyre anëtarin e K.Q të P.P.SH.-së dhe N/kryetarin e Presidiumit të Kuvendit Popullor, shokun Shefqet Peçi. Të cilin e shoqëroja unë, shoku Fuat Loloçi e Dilaver Pinderi. Gjatë takimit me shokun Shefqet, populli dhe komunistet e kësaj zone shprehën edhe njëherë dashurinë e madhe që ushqejnë për Partinë dhe shokun Enver. Dëgjuan me kujdes porositë që dha shoku Shefqet për detyrat e mëdha që na dalin përpara për të vënë në jetë vendimet e Pleniumit të 4-të të K.Q. të Partisë dhe mësimet dritëdhënëse të shokut Enver.
Por neve e shikojmë të nevojshme t’ju informojmë për disa veprime e koncepte që u shfaqën në një darkë të organizuar me këtë rast në kooperativën bujqësore të Progonatit, të cilat na duken se nuk janë të drejta.
Shoku Shefqet gjatë ditëve që ndejti në Progonat kishte marrë me vete për ta shoqëruar edhe disa shokë si p.sh. shokun Xhaferr Matuka, oficer, shkrimtar, në Ministrinë e Mbrojtjes Popullore, shokun Ibrahim Gani, oficer dhe punonjës në redaksinë e gazetës “Luftëtari”, shokun Agim Shehu, punonjës në gazetën “Zëri i Popullit”, shokun Musa Daci, nga Progonati dhe sot me banim në Tiranë, shokun Maksut Drrasa, mjek kirurg në Spitalin Ushtarak në Tiranë, Faik Dedën nga Nivica, por tani mjek në zonën e Krahësit në Tepelenë.
Gjatë darkës që u organizua me këtë rast në Progonat, siç shpjeguam edhe më lart, kur u ngritën shëndet (dolli) me gotën e ujit e cila i detyroi që të dehen shumë shokë nga rakia, kështu p.sh. nga pirja e rakisë në këtë formë, anëtari i Pleniumit të Komitetit të Partisë së rrethit dhe kryetari i Këshillit Popullor të Bashkuar Progonat, shoku Gjysho Ruci, humbi ndjenjat dhe si rezultat u hodh nga penxherja e katit të dytë dhe sot ndodhet në spital, por me ndihmën e dhënë, duket se dolli jashtë rrezikut.


Gjithashtu gjatë darkës u çfaqën edhe disa koncepte të dëmëshme që Partia vazhdimisht i ka luftuar dhe i Lufton, kështu p.sh. shoku Xhaferr Matuka ngriti shëndetin për popullin e Kurveleshit. Kur unë bashkë me shokët e tjerë e shoqëruam këtë shëndet duke shtuar edhe shëndetin e të gjithë popullit Shqiptar, e të shokut Shefqet Peçi, të Partisë së Punës së Shqipërisë me shokun Enver Hoxha në krye, shoku Xhaferr Matuka i nisur nga pozita lokaliste, më bëri presion në mënyrë të padrejtë. Ai u shpreh: “Se dollia duhet pirë vetëm për popullin e Kurveleshit”.
Unë me gjakftohtësi e korrektësi, u përpoqa se ato që thashë ishin të drejta, që shprehnin dashurinë për popullin e Kurveleshit dhe popullin Shqiptar, për shokun Shefqet, për Partinë dhe shokun Enver, të cilët na siguruan ditët e bardha që gëzojmë ne sot. Por disa nga shokët e ardhur nga Tirana nuk më mbështetën si duhet. Por përkundrazi: shoku Musa Daci, përsëri nga pozitat e lokalizmit, u ngrit menjëherë në mbrojtje të Xhaferr Matukës, bile duke kaluar më tej konceptin e tij duke u shprehur: “Dollinë do ta pimë për popullin e Kurveleshit, i cili sot nuk është më i bashkuar, lanet të kenë ata që u bënë sebep për ta ndarë”. Kjo e prishi edhe më keq atmosferën e gëzuar, sepse u përsërit një problem, që nuk ekziston në popullin e Kurveleshit, por që e hedhin hera herës, njerëz të veçantë që janë Kurveleshas dhe banojnë në Tiranë e gjetkë. Ne prisnim që këtyre mendimeve të shtrembëra t’ju jepej përgjigjie, por asnjeri nuk e bëri.
Në mbledhjen e popullit të Salarisë, (sektori i kooperativës bujqësore Dukaj), kur shoku Shefqet Peçi foli në parim kundër shfaqjeve të huaja, vjedhjeve dhe shpërdorimeve të pasurisë shtetërore e kooperativiste, ne mendojmë se do të ishte më mirë dhe do të ndihmonte më tepër organizatën e Partisë në rreth e sidomos të kooperativës së bashkuar Dukaj, po të ishte konkretizuar kjo me ato shpërdorime dhe vjedhje të mëdha që kanë bërë kuadrot e kësaj kooperative, për të cilat shoku Shefqet, u intersua dhe ja shpjeguam me hollësi përpara se të merrte takimet. Këtë e themi në një kohë kur opinion i përgjithshëm në Parti e në popull aprovon plotësisht qëndrimin e mbajtur nga organet përkatëse ndaj shkaktarëve.

SEKRETARI I KOMITETIT TE PARTISE RRETHIT
(ALI MANAJ)
………………………………………………………………………………………………………………………………………………………..
SHENIMI I ENVER HOXHES NE LETREN E ALI MANAJT

Nuk besoj se, në atë darkë dollitë të kenë filluar me “shëndetin e popullit të Kurveleshit”, dhe të ishte injoruar të ngrihej dolli, për popullin, për Partinë, etj., sa që duhej të bënte letrën shoku Ali Manaj. Shoku Ali si udhëheqës i vendit ku ishte ai, sa herë të ngrinte dollinë e parë për popullin dhe për Partinë etj. Në qoftë se të tilla dolli janë ngritur sa herë…(nuk kuptohet shkrimi) ky e pa e shoku Ali, ishte pa vënd, por ishte me vënd ta ngrihej dolli për popullin e Kurveleshit, që meriton jo një dolli, por njëqind dollira.
Enver
……………………………………………………………………………………………………………………………………………………………….
SHENIMI I HYSNI
KAPOS PER BATO
KARAFILIN
Thirra shokun Bato Karafili dhe e këshillova të kenë kujdes me trajtimin e çështjeve në bazë të shënimit që ka bërë shoku Enver.
Hysni Kapo
27.9.1973


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.