DOSSIER

“Një njeri i paskrupullt!”- Dëshmitë e ish-ministrit që vuajti 15 vjet në Burrel: Enver Hoxha, profesoruc që aksidentalisht u gjend në mbledhjen e PKSh-së për gabimet trashanike të…

13:22 - 10.05.24 gsh
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Gjergj Titani




Për herë të parë, kemi mundur të sigurojmë rrëfimin e dëshmitarit të shumë ngjarjeve historike. Bashkëbisedimi me Pandi Kriston, personalitet i lartë i Partisë Komuniste të Shqipërisë dhe shtetit shqiptar, u zhvillua në Tiranë, në shtëpinë e dhëndërrit të tij, Robert Vullkani, ku ishte i detyruar të banonte, kur u lirua nga internimi, pasi shteti demokratik shqiptar, nuk i dha kurrë shtëpi. Regjimi, për të cilin luftoi, e vuri në shënjestër, për ta likuiduar Pandi Kriston, duke e radhitur atë në grupin e Koçi Xoxes, dënuar për “veprimtari armiqësore”. Për 42 vjet me radhë, do të endej burgjeve të diktaturës komuniste dhe internimeve të njëpasnjëshme, deri kur u rrëzua përgjithmonë komunizmi, në fillimin e viteve ´90-të. Intervista është realizuar në vitet 1992 – 1993 dhe me kalimin e viteve, është plotësuar, sipas kujtimeve dhe arkivit familjar të vajzës së Pandit, Asamble Kristo (Vullkani), motrës, veterane e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, dhëndërrit të tij, Robert Vullkani dhe kujtimeve të bashkëkohësve të shumtë. Ja rrëfimi i Pandi Kristos.

Zoti Pandi, për shumë shqiptarë ka mbetur enigmë likuidimi fizik i Niko Xoxit, njërit prej anëtarëve më aktivë të Grupit Komunist të Korçës, i cili kaloi në kryesinë e Grupit Komunist të Shkodrës, si e kujtoni ju këtë rast interesant dhe të mistershëm?

Niko Xoxi, ishte një punëtor-pronar këpucar, siç ishin shumë prej anëtarëve të grupit tonë. Niko, kishte një kulturë marksiste fillestare të mjaftueshme, ishte i shkathët, organizator aktiv dhe me mendime tepër racionale, të pavarura. Me kujtohet, që ky luftëtar i çështjes komuniste, ishte shok i vjetër i bërthamës drejtuese të Grupit Komunist të Korçës. Ai nuk ndahej nga Sotir Vullkani, Miha Lako, Pilo Peristeri dhe ne të tjerët. Niko, kishte disa arsye të fuqishme që e bënë të ndahej me grupin tonë.

Ky komunist, këmbëngulte se, para zgjerimit të lëvizjes komuniste dhe punëtore, duhet të ishin krijuar kuadrot e aftë teorikisht dhe me aftësi organizative drejtuese, e pastaj të merrej përsipër drejtimi i klasës punëtore dhe shtabit të saj drejtues, Partisë Komuniste të Shqipërisë. A nuk kishte të drejtë Niko Xoxi me këtë ide të tij? Sigurisht që po. Atëherë, për hir të kujt ky kuadër, kaq i vyer dhe me përvojë revolucionare, disavjeçare, u likuidua?

Megjithëse ishte i martuar e me dy fëmijë, e zhvendosi aktivitetin e tij në Grupin Komunist të Shkodrës. Me të mbërritur në Shkodër, Niko, jo vetëm u aktivizua në mënyrë të vrullshme, por atje e zgjodhën edhe në kryesinë e Grupit. Në gjyqin kundër komunistëve, në fillim të vitit 1939, në të cilin u gjykova e u dënova edhe unë, ishte edhe Niko Xoxi, që u dënua dhe u dërgua në Mbrezhdan të Beratit.

Duhet thënë se, qëndrimi i Nikos, jo vetëm në hetuesi, por edhe para arrestimit, ishte dinjitoz. Menjëherë, sapo dolëm nga burgu i Mbrezhdanit, Niko, Zef Mala, e shumë të tjerë, u arrestuan nga policia e fshehtë italiane dhe u internuan në Ventotene të Italisë. Fatkeqësia më e madhe, për këtë pionier të Lëvizjes Komuniste Shqiptare, ishte se, sipas një vendimi të vjetër dhe të fshehtë të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Shqipërisë, iu organizua një atentat dhe u likuidua fizikisht në Korçë, i akuzuar si: “element arkeomarksist, spiun, e armik i Partisë”. Kjo vrasje makabër, u realizua me porosinë dhe këmbënguljen e Miladin Popoviçit, Dushan Mugoshës dhe Enver Hoxhës, të cilët drejtonin të vetëm punën e Komitetit Qendror të Partisë Komuniste, në Tiranë.

Duke e njohur mirë Niko Xoxin, gjithmonë kam menduar se; përse ky qëndrim ndaj tij? Pse ky sektarizëm kaq ekstrem, ndaj një komunisti si ai?! Po kështu, i njëjti qëndrim është mbajtur edhe me punëtorin rrobaqepës, Taqo Plaku, me origjinë nga Hoçishti, veteran i Lëvizjes Komuniste Shqiptare. Taqo Plaku, u vra me atentat të organizuar nga një njësit gueril i Korçës, përpara derës së shtëpisë së tij, për të njëjtat akuza, si edhe Niko, duke lënë jetime dy vajza, që jetuan, u rritën dhe jetuan nën ndrydhjen e kësaj vrasjeje, tepër të padrejtë. Këto metoda terroriste, për likuidimin e kuadrove revolucionarë dhe shokëve të një ideali, pavarësisht se nga ç´qytet e krahinë ishin ata, apo kujt Grupi Komunist i përkisnin, deri në ardhjen e grupit jugosllav pranë Partisë Komuniste Shqiptare, nuk kishte patur asnjë lloj praktike të tillë.

Ky dëm i madh, që e ndoqi hap pas hapi zhvillimin e lëvizjes komuniste shqiptare dhe Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, erdhi si rezultat i formave dhe metodave bizantine ballkanase të importuara nga Partia Komuniste Jugosllave, por edhe nga qëndrimet subjektive të përfaqësuesve jugosllavë, në përgjithësi, e Miladin Popoviçit e Dushan Mugoshës, në veçanti. Ndaj, unë nuk jam kurrë në një mendje, me ato që shkruan Enver Hoxha, në librin “Kur Lindi Partia”, sepse për ambiciet e tij dhe komplekset e inferioritetit Enveri dhe Miladini, shumë shokët tanë që përmenda më lart, i vë në një radhë me elementë armiq, si Zef Ndoja e ndonjë tjetër, ç’ka është e pafalshme.

Si e pritët ju në Korçë ditën e 8 nëntorit 1941, që përkon me krijimin e Partisë Komuniste Shqiptare?

Ne mezi po e prisnim lajmin e formimit të Partisë. Ato ditë, Koçi Xoxe, ish-nënkryetar i Grupit Komunist të Korçës, ndodhej se bashku me ne, për të organizuar të vetmen demonstratë antifashiste, që do të shënonte pagëzimin e parë luftarak të Partisë Komuniste Shqiptare, që pritej të formohej nga çasti në çast. Më 8 nëntor 1941, në qendër të qytetit, nën hundën e pushtuesve, shpërtheu e fuqishme demonstrata e organizuar nga komunistët.

Le të mos harrojmë që, një ditë më parë, pra më 7 nëntor të po atij viti, ishte dita përkujtimore e Revolucionit Socialist të Tetorit, ndaj policia sekrete fashiste dhe spiunët e gatshëm vendas, po nuhasnin gjithçka, që bënim ne. Ndërkohë, që në Tiranë kishte filluar mbledhja themeluese, në qytetin e Korçës, ne, me në krye Koçi Xoxen, të pajisur me parulla patriotike dhe flamurin kombëtar në krye, shpërthyem në bulevardin qendror nga monumenti i Luftëtarit Kombëtar, drejt monumentit të Themistokli Gërmenjit.

Në qendër të demonstruesve, ishte Koci Bako dhe Muharrem Butka, i cili simbolikisht, i veshur me një gunë të zezë të bukur që përfaqësonte popullin patriot, mbante në dorë flamurin e demonstruesve. Pikërisht atje, ku ndodhej monumenti i luftëtarit të shquar, rilindasit Themistokli Gërmenji, u krye përplasja me forcat e milicisë fashiste. Nga kjo përplasje, u vra komunisti i vjetër Koci Bako, dëshmor i parë e “Heroi i Popullit”, dhe u plagos rëndë flamurmbajtësi, Muharrem Butka. Në demonstratë merrnin pjesë gjerësisht punëtorë, fshatarë, studentë, qytetarë të ndryshëm të revoltuar, që protestonin kundër pushtuesit dhe në të njëjtën kohë, kremtonin themelimin e Partisë Komuniste Shqiptare.

Menjëherë, unë dhe shokët e tjerë, bëmë ç´mos për tërheqjen e trupit të Koci Bakos dhe njësiti gueril, i drejtuar nga djaloshi me origjinë nga Dardha e Korçës, gjenerali i ardhshëm, Vaskë Gjino dhe nxënësit e Shkollës Teknike; Dino Kalenja (“Hero i Popullit”), Abaz Fejzo, gjeneral i ardhshëm i Ushtrisë Popullore, e plotësuan me sukses këtë detyrë. Motra ime, Vangjeli Tona (Kristo), së bashku me nënën time, dhanë një ndihmesë të veçantë, duke e mbushur shtëpinë plot me pjesëmarrës demonstrues, kryesisht studentë, të cilët, nuk mund të ktheheshin në shtëpitë apo konviktet e tyre. Me marrjen e masave për mbylljen e demonstratës, Koçi Xoxe, si delegat i Grupit Komunist të Korçës, në mbledhjen themeluese të Partisë Komuniste Shqiptare, u nis me sihariqin se populli i Korçës i dha një mësim të mirë pushtuesve.

Të gjitha mburrjet e tjera, që shpif në mënyrë të paskrupullt Enver Hoxha, janë të pavërteta dhe trillime. Sikur ky profesoruc, që s’ja varte njeri dhe aksidentalisht u gjend në mbledhjen tonë, ishte epiqendra e këtij shtabi. Enver Hoxha, ndoshta për neglizhencën tonë, të pafalshme dhe gabimet trashanike të kryetarit të Grupit Komunist të Korçës, Koço Tashko, i cili kishte një afeksion të pashpjegueshëm për këtë njeri, që për ironi të fatit, duke shfrytëzuar të gjitha rastet dhe mundësitë që i dha koha, na shkatërroi të gjithëve, duke e futur edhe Koço Tashkon në burg, e internuar për një kohë të gjatë dhe i rrëmbeu nga duart klasës punëtore shqiptare, partinë e vet.

Ç’mund të na thoni për konsultën e parë të aktivit të PKSH-së, e cila u mblodh në Tiranë, nga 12-14 prill të vitit 1942?

Ishte i domosdoshëm një aktiv këshillimor në shkallë vendi, pasi Miladini me Enverin, sidomos pas arrestimit të Koçi Xoxes dhe një grupi të madh veteranësh të Partisë Komuniste të Shqipërisë, ishte mëse i domosdoshëm. Po bëhej një kohë e gjatë, rreth 5-mujore, që ishte formuar Partia Komuniste. Ishin krijuar çetat e para të armatosura dhe njësitet e fuqishme guerile, nëpër qytete. Duheshin ricikluar detyra të reja lufte dhe organet drejtuese të partisë. Një nga detyrat kryesore të kësaj konsulte, të parë të aktivit të Partisë Komuniste të Shqipërisë, ishte zgjedhja e anëtarëve të rinj. Këta ishin: Ymer Dishnica dhe Nako Spiru. Më kot ankohet Enveri, në materialet dokumentare të kësaj konference, për Gjin Markun dhe Bedri Spahiun, të cilët kishin ndezur flakë Skraparin dhe Zonën e Parë Operative, Vlorë-Gjirokastër dhe përlesheshin fyt më fyt me pushtuesit.

Gjin Marku, kishte ngritur në këmbë Skraparin, nahijen e Beratit, Fierin, Kuçovën dhe Lushnjën, duke pasur rreth vetes luftëtarë të mrekullueshëm, për çështjen e atdheut si; Karahman Yllin, xha Hysen Zaloshnjen, Skënder Malindin, Hysen Rogun, Neshat Hysin, Sokrat Bufin, Mafuz Lazen e të tjerë, kurse Enver Hoxha, kapardisej nëpër bazat ilegale në Tiranë dhe akuzonte se nuk kishte shkuar në Konsultën e Partisë. Po të braktiste Gjin Marku luftën, atëherë përse mblidhej aktivi i PKSH-së?!

Bedri Spahiu, i ndihmuar fuqimisht nga patriotët e Kurveleshit, Labërisë, Vlorës e Përmetit, si: Islam Radovicka, Shefqet Peçi, Abaz Shehu, Dashnor Mamaqi, Hajrulla Muhametaj, e të tjerë, kishte organizuar luftën e armatosur, në Qarkun e Gjirokastrës dhe të Vlorës përfshi, Tepelenë, Përmet e Mallakastër, kurse Enveri, si të ishte supremi dhe sekretari i përgjithshëm i PKSH-së, që drejtonte këtë luftë të madhe, lëshonte rrufet e perëndisë Mars, nga Olimpi i Tiranës, sikur këto ngjarje të kishin ndodhur sot, ndërkohë që kishte kaluar plot gjysmë shekulli.

Dhe më e keqja është, se këto dokrra, jo vetëm që i besonte ai që i trillonte, por i besonte e gjithë Partia e Punës së Shqipërisë. Qëllimi kryesor i konsultës, ishte çuarja deri në fund e idesë së spastrimit të Partisë Komuniste Shqiptare, nga elementët e padëshirueshëm të Miladinit dhe Enverit, në një kohë që Koçi Xoxe dhe shumë shokë kryesorë të udhëheqjes së PKSH-së, ndodheshin në burg. Duhet theksuar se, “Grupi i të Rinjve” kishte bazat e tij të rëndësishme në qytetin e Tiranës, Korçës, Vlorës, Beratit e të tjerë. Për shembull, Shkolla Teknike e Korçës, ishte plotësisht nën ndikimin e këtij grupi, madje Anastas Lula, me sa mbaj mend unë, ka qenë strehuar për vite të tëra në shtëpinë e Vangjo Vangjelit, një intelektual korrekt dhe i mirë korçar.

Ai, vetëm për faktin që; në shtëpinë e tij, kishte të strehuar Anastas Lulën dhe shokë të tjerë të “Grupit të të Rinjve” është parë me sy të dyshimtë. Gjithashtu, Neki Çakërrin, ndryshe e thërrisnin me pseudonimin “Vangjo”, për faktin se, e zonja e shtëpisë, Frosina Karapanço, nuk e shqiptonte dot këtë emër. Gjithsesi, të dy këta djem dhe dhjetëra të tjerë shokë të tyre, të të njëjtit grup, ishin të lidhur edhe nëpërmjet kushërinjve apo të afërmve të tyre. Në këto kushte, e dija mirë aktivitetin e këtij grupi dhe lidhjet e anëtarëve të tij në qytetin e Korçës, dhe vazhdimisht më ka bërë përshtypje persekutimi dhe likuidimi fizik i dënueshëm, që iu është bërë këtyre djemve të mrekullueshëm të Shkollës Teknike.

Pas konsultës së parë të aktivit të PKSH-së në prill të vitit 1942, tre muaj më vonë u thirr konferenca e jashtëzakonshme e Partisë Komuniste të Shqipërisë, ç’situatë krijoi kjo konferencë në Parti?

Konferenca e jashtëzakonshme, u mblodh më 28-29 qershor 1942 dhe mori në shqyrtim, punën që duhej bërë për asgjesimin e rrymës fraksioniste të “Grupit të të Rinjve”. Në këtë kohë, kur ne kishim humbur shumë kuadro, të arrestuar, të internuar në Itali dhe në kampet e tjera të internimit si edhe kuadro shumë të çmuara të udhëheqjes, të cilët kishin dhënë jetën për çështjen tonë të madhe. Për shumë nga shokët tanë, ishin marrë masat më ekstreme nga pushtuesit e huaj. Atëherë, ishin dënuar me varje, Hamdi Mëzezi, Ferit Xhajko, Nikolla Tupi, Muhamet Gjollesha, në Tiranë, e më pas Midhi Kostani, Kiço Greço, në Korçë e shumë të tjerë. Ndërkohë ne mblidheshim në Tiranë, për të likuiduar kryetarët e “Grupit të të Rinjve” dhe drejtues të tjerë, duke i quajtur: “armiq të partisë, gjarpërinj, nepërka” e të tjera.

Jam shprehur edhe më lart dhe po shprehem përsëri, se nuk ishte aspak e domosdoshme, që në kohën kur ne kishim humbur: Qemal Stafën, Jordan Misjen, Branko Kadinë, Perlat Rexhepin, Sotir Nokën dhe shokët që ishin ekzekutuar me varje nga pushtuesit, të shpërthenin brenda partisë, pa vendimin kolegjial, të ndonjë organi madhor të PKSH-së që nuk ekzistonte, e përsëris, ne nuk kishim zgjedhur ende Sekretar të Përgjithshëm, apo Sekretar Organizativ, për të bërë likuidimin e një grupi të tërë komunist siç ishte “Grupi i të Rinjve”, ndaj të cilëve kishte filluar terrori i organizuar nga brenda, me vendim të Miladin Popoviçit, Dushan Mugoshës dhe Enver Hoxhës, sepse shokët e tjerë të Komitetit Qendror provizor, të PKSH-së, ndodheshin në terrenin e luftës apo në qarqet e tyre përkatëse.

Si ishte i mundur një veprim i tillë, thuajse banditesk i një të tretës së shokëve të partisë, të cilët vullnetarisht, ishin bashkuar dhe kishin pranuar programin dhe statutin tonë. Për të përligjur këto veprime, Miladinit dhe Enverit, u është dashur të kooptojnë shpejt e shpejt, Ymer Dishnicën dhe Nako Spirun, Gjin Markun me Bedriun, nuk merrnin pjesë në këtë konferencë të jashtëzakonshme, sepse, nuk kishin kohë të merreshin me llafollogji, por luftonin së bashku me efektivat e tyre, ku ishin komandantë të guximshëm e trima dhe cilësoheshin në komunikata luftarake, që lëshonte partia, Koçi Xoxja, e të tjerë, ishin arrestuar dhe kërcënoheshin me jetën në burgun e ri të Tiranës, atëherë lind pyetja e logjikshme se; çfarë Komiteti Qendror dhe me ç’të drejt e mblodhi Enveri dhe Miladini këtë forum të lartë të Partisë, pa pasur asnjë vendim paraprak?!

Kush e thërriste në mbledhje Plenumin e Komitetit Qendror, Miladini, që s’ishte as anëtar i tij, apo Enveri, që nuk kishte asnjë atribut, për të kryer një veprim të tillë? E vazhdoj pyetjen; si mundi të krijojë shumicën e Komitetit Qendror të PKSH-së, Enveri me Miladinin, kur Qemali ishte vrarë, Gjini dhe Bedriu, nuk merrnin pjesë, Koçi ndodhej në burg, Vasil Shanto, Kristo Themelko e Ramadan Çitaku, gjithashtu ndodheshin më tepër në zonat e luftës, sesa në “kancelaritë” e Miladinit? Në këto kushte, a nuk kam të drejtë të shtroj këto pyetje?! Si është e mundur që; një Komitet Qendror, që s’kishte as tetë muaj që ishte zgjedhur, të vendoste me aq këmbëngulje, spastrimin masiv të Partisë dhe “shëndoshjen” e saj, nga luftëtarët e vet?

Në një kohë kur po përgatitej Konferenca e Parë e Vendit, e cila merrte përmasat e një kongresi të vogël partie, sepse do të zgjidhte Komitetin Qendror të përhershëm të PKSH-së dhe ky komitet, do të funksiononte këtej e tutje me atribute të plota dhe të ligjshme, do të zgjidhte Sekretarin e Përgjithshëm dhe atë Organizativ, e do të kryente më pas detyrat e Shtabit Luftarak, të forcave të majta për Luftën Antifahsiste Nacional Çlirimtare.

Pikërisht kur lufta po merrte përmasa gjithnjë e më të gjera, kur po përgatitej goditja kombëtare, kundër pushtuesve, siç ishte sulmi i përgjithshëm dhe asgjësimi i rrjetit radio-telefonik kombëtar të pushtuesve italianë, goditja dhe asgjësimi i organeve të Partisë Fashiste Shqiptare, si: zyrat, komandat e policisë dhe xhandarmërisë, nëpër qytete dhe lokalitete, e qendra të banuara e të tjera.

Në këtë kohë, Miladinit dhe Enverit, na i qenkësh mbushur mendja, se kjo parti e re, që kishte nevojë për sa më shumë njerëz të devotshëm dhe simpatizantë antifashist, duhej spastruar, madje pas një Konference të Jashtëzakonshme?! Nuk ka logjikë që ky veprim, terrorist do të thoja, të “qëndrojë në këmbë”, aq më tepër, të mburresh se këto veprime, janë themelet e historisë së Partisë Komuniste të Shqipërisë. Ky ishte bilanci i periudhës fillestare të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe aktivitetit të PKSH-së…! Memorie.al


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.