MILOSAO

Kumte luftëtarësh të Gjergj Kastriotit

11:00 - 01.04.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Autori është një vëzhgues i thellë dhe në një lloj forme poezia duket si një emocion përshkrues me sinteza historike-sociologjike për vendin e tij…




Nga Zyhdi Dervishi

Në kryqin e udhëkryqit

Në vendin tim
morgu është mbushur me të gjallë
dhe ndërtesa të tjera
me kufoma.

Nuk kuptoj: cilët përreth meje
janë të fjetur përgjithnjë
apo të zgjuar?

Jam i gozhduar në kryqin
e udhëkryqit të eklipsit
që s’ka të mbaruar.
Tiranë, 28.10.2017

Melodi Suedeze

Në Goteborg
hijet flu të reve të prillit
më përkëdhelin flokët
dhe nxitimthi ikin
drejt veriut.

Në këtë qytet
ndërtesat dhe rrugët
urat dhe faltoret
kafenetë dhe lulet shumëngjyrëshe
janë harmonizuar
për t’ia bërë më të magjishme
çdo frymëmarrje
çdo shikim
njeriut.
Goteborg, 10.4.2017

Drunjëzim

Populli im
në theqafjet e thepisura
ke ecur shpesh me patericat
që të ofruan të tjerët
në zheg, në shi
në borë e në ngricë.

Tash për të tjerët
je bërë vetë
patericë.
Tiranë, 7.10.2017

… Krahëthyer

Shkretëtira e urisë më përzhit
çdo muskul e kockë.

Tufani i akullt i borëtimeve
më mjegullon çdo vështrim.

Këmbëçjerrë ngjitem maleve me derte
ku në çdo skutë
më ngre pusi të gjithëligshme
një shpirtlugat.

Për t’i mbijetuar
batakut të mizerjes
një sekondë në ditë
rrekem të mendoj
fisnikërisht
si aristokrat.
Tiranë 06.09.2017

Në rrethim

Njerëzit – vullkane hallesh
shpërthejnë çdo ditë
te këmbët e mia.

Çdo ditë përballem me
furinë e përzhitur të halleve
dhe magmën e ngurtësuar
nga injoranca
dhe pangopësia.
Pogradec, e premte 11.8.2017

Isa Boletini
– bareliev lirie

Qielli – ekran dixhital
ku çdo njeri rreket
të projektojë veten
në perspektivë përjetësie:
Dikush projekton sharmin e syve
një tjetër siluetën e një trimërie
një i tretë një akuarel gazmor
një i katërt një tablo ngjarjeje epike
e shumë vdekatarë të zakonshëm
struken pas një skute frike.

Shirat e kohës këto kompozime dixhitale
i fshijnë ose i shndërrojnë
thjeshtë në hije.

Me plumbat që shkrepi për liri
Isa Boletini blindoi
gjithë kupën e qiellit
me një bareliev
të dritshëm lirie.
Mitrovicë, 19.8.2017

Në urë të Ibrit

Në syprinën e dallgëzuar
të lumit Ibër reflektohet
e përmbysur kupa e qiellit
si kafkë e stërmadhe
e zbrazur nga trutë
e veremosur
vrarëlije.

Tash një vjet
kjo kupë-kafkë
nuk po ngopet me gjak
të pastër shqiptarësh
me gjak lirie.
Mitrovicë, 19.8.2017

Zgrip

Koha – ortek zbraztësie.

Çdo ditë mijëra shpirtra
i rrokullis nëpër qefine
i zbeh si hije.
Tiranë, 19.3.2017

Erërënda

Thellësi të pafundme
honesh të horrllëkut.

Hapësira paanë
ligatinash ligësie.

Kreshta dunash shkretie
me kocka të kërleshura
në furinë e luftërave lokale.

Në podiumet më të larta
fjalimet patetike
për paqen –
erërënda
si fekale.

Portret i trishtë nëne

Para duarve të rreshkura të nënës
përgjunjen vargmalet
e gjithë krenarive.

Para shikimit të turbulluar të nënës
verbohen yjet e të
gjitha yjësive.

Para honeve – rrudha në ballin e nënës
shtangin vrullet
e gjithë stuhive.

Para psherëtimave trishtuese të nënës
heshtin bubullimat
e gjithë gjëmimeve.
Tiranë, 30 qershor 2015

 

 

Kuja e gjysmave

Vendi im – dhimbja ime
vetëngujuar brenda mureve
hijerëndë të vetëmarrisë
ende jeton si eremit.

Padashur gjysmën e pasurive
e shpenzon për të blerë eksplozivë
dhe gjysmën tjetër
e shpërthen me dinamit.

Tiranë, 27.9.2017
Himn për brumbullin

Njerëzit stërviten për të vrarë njëri-tjetrin
në xhunglën e ndjenjave kobtare
në moçalishten e interesave të ndyra dhe
në llogoret moderne
të poligonit.

Një brumbull përpiqet të ngrejë një top
baltë nga buzëliqeni i Pogradecit
përpjetë Malit të Thatë.

Brumbulli – Sizif ëndërron
t’i zërë frymën
vrimës vrastare
të ozonit.
Pogradec, qershor 2015

 

Dialog me veten

Hija ime
herë më prin përpara
herë më mbron
mozaikun e plagëve
ndër shpatulla.

Herë më mban
nga krahu i majtë
herë më ruan
të mos bjerrem
në anën
e djathtë.

Të përulem hija ime:
Nuk lejove askënd
siluetën time të trishtuar
të ma përbaltë.
Tiranë, 11 maj 2015

 

Ethet e varreve

Kobhataja e kokuljes së burrave
si murtajë e kohës së droguar
kudo po bën kërdinë.

Nën dhè bashkëluftëtarëve të Gjergj Kastriotit
të thinjur betejave
iu rihapën plagët
dhe flokët
iu rinxinë.
Tiranë, 7 shkurt 2014

 

Rapëllimë

Në truallin tim
çdo krijesë ka filluar
të ecë së prapthi
duke kthyer përmbys udhët
si trajektore të çoroditura
nga haluçinacionet
në trurin e të marrit.

Vetëm kufomat
ende nuk janë ngritur më këmbë
për të shkelmuar tabanin
e përbaltur të varrit.

Tiranë, 11 mars 2015

 

Arrati

Të çdo njeri fle
skeleti i një kufome.

Dhe kufoma ka
një ves të vjetër:
merr e merr dhe
asgjë nuk jep.

Përpiqem të largohem
nga vdekatarët e zakonshëm
drejt një ferri tjetër.

Tiranë, 5.4. 2017

 

Ndjesë një shkrimtari për fëmijë
– Sazan Golikut –

Nga librat tuaj sytë e fëmijëve
marrin më shumë dritë
më shumë ëmbëlsi.

Unë i gëzohem lumturimit të tyre
se vetë këta libra
nuk i kuptova kurrë.

Më ndje: nuk kam lindur i rritur, por
nuk kam pasur fëmijëri.

Tiranë, 10.11.2017

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.