MILOSAO

Shënime për një kohë letrare

10:00 - 01.04.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Gazmend KRASNIQI  – 1. Se cila qe pamja e letërsisë që zhvillohej në Shqipëri para viteve ’90, na mjafton të kujtojmë parullën e kohës se një shkrimtar “duhet të kuptohet nga i gjithë populli”, e cila shoqërohej gjithmonë me emrat e caktuar. Vetë Kadareja do ta gjente kohën për t’u shprehur për atë situatë, kur do të thoshte në bisedat me Alain Bosquet: në vendet e Lindjes komuniste poezia ka shërbyer shpesh për të mbuluar gropat dhe djerrinat e letërsisë. Titujt e shumtë të librave, tirazhet, festivalet, çmimet, recitimet publike etj., bënin pjesë më shumë se proza në festën e zhurmshme të diktaturës. Ju e dini se me poezinë mund të bëhen spekulimet më të mëdha. Në poezi mungesa e talentit mund të fshihet më lehtë sesa në prozë ose në dramë. Çdo tyryfyl mund të mbrojë sajesën e tij poetike, domethënë kotninë e vet me “individualitetin poetik”.
Më kujtohet se e kisha lexuar dhe rilexuar botimin Antologji e poezisë franceze (1983), që kishte dalë në pikën më të vdekur për mendimin letrar shqiptar, derisa arrita në përfundimin se ishin dëmtuar (nuk e kam fjalën për autorët e ndaluar) edhe përkthimet: ai libër nuk më shërbente dhe ia fala një dashamirësi të këtij arti, pak më i ri në moshë. Kohë më vonë, pas rropatjesh të panumërta për të kuptuar natyrën e poezisë, u pendova për atë veprim, sepse u kujtova të kem edhe një herë në dorë dy përkthimet e vetme të Poradecit në atë vëllim: poezia Mulliri e belgut Verharen dhe Mesditë e Charles Leconte de Lisle.
Për përgjigjen e pyetjes se çfarë përfaqësonte përkthimi i kësaj të fundit për sistemin letrar të kohës, duhet të rikujtojmë pak prej saj:
Veç grunjat duke u pjekur, si det i praruar,
Shkëlqejnë andej matanë dhe s’duan gjumë fare;
Fëmijë paqësorë të tokës së bekuar,
Pa frikë i thithin diellit kupëzat dëfrimtare.
Ky tekst, i marrë në mirëbesim për shijen e tij ndaj origjinalit, të kujtonte poetikën parnasiane.
1. Një poezi tipike soditëse e natyrës
2. Nuk synohet ndonjë mesazh patriotik a shoqëror
3. Poezia është e paprekur nga politika apo ideologjia
4. Kemi një art universal
5. Formë e përkryer, gati një kthim te klasicizmi nga kjo pikëpamje
6. Poezi impersonale
7. Kemi autonominë dhe fisnikërinë e artistit, misioni i të cilit nuk i nënshtrohet askujt
8. Kemi një pasojë letrare të cilën duhet ta mbajnë parasysh ata që shkruajnë poezi
9. Ata që lexojnë poezi ta dinë se poezia nuk është një fjalim, po diçka që ekziston në vetvete dhe për vetveten
10. Poezia mund të reduktohet deri në një kotësi tingullore, siç do të thoshte Mallarme-ja
Përkthimi i kësaj poezie qe një argument më shumë në favor të konstatimit se Poradeci i mbronte këto koncepte të papranueshme për poetikën zyrtare dhe si pasojë e këtij fakti qe mbyllur në “kullën e fildishtë”. Nisur nga teoria e polisistemit, dhe e sistemit letrar brenda tij, mund të imagjinojmë që Lasgushi mendonte se nga disa pikëpamje
1. a) poezia shqipe qe në proces formimi
2. b) poezia shqipe qe periferike
3. c) poezia shqipe përballej me një krizë
Pa këtë vetëdije, punët e poezisë shqipe do të shkonin më keq. Ashtu siç shkuan.




2.
Në situatën letrare të paraqitur, cila do të qe rruga e brezit të viteve ’90, pra në kushte lirie?
A posteriori, pas kaq vitesh, duket se bëhet me gjak të ftohtë pyetja se çfarë ndodhte me mendimin letrar shqiptar në kapërcyellin e ndarjes me letërsinë e socrealizmit, pra me kalimin në një periudhë ku binin diktatet nga jashtë apo brenda, censura dhe autocensura, apo pyetja se çfarë poetike bindëse mund ta zëvendësonte socrealizmin e imponuar, i cili po binte bashkë me ideologjinë që e kishte mbajtur në këmbë. Sidoqoftë, edhe sot nuk është krejt pa vështirësi, sepse, në pamje të parë, meqë mungojnë studimet e mirëfillta dhe antologjitë serioze, krijohet ideja se ka munguar edhe mendimi letrar që duhej të përcaktonte poetikat e dekadave të fundit, ku poezia shqipe u zhvillua në liri, por kjo nuk mund të ishte e vërtetë për një proces që zhvillohej së brendshmi, sipas natyrës së vet.
Natyrisht, i artikuluar ose jo, mendimi letrar i kësaj periudhe nuk mund të harronte se poezisë shqipe të modernitetit (shfaqur në dy – tri dekadat e para të shekullit XX, kur Shqipëria e pavarur përpiqej të bëhej një shtet modern) mund t’i veçoheshin dy poetika më me ndikim, dy pole që tërhiqnin shumë nga vetja:
– ajo e kultit të formës (arti i kënaqësisë estetike);
– ajo e kultit të moralit të ri shoqëror dhe veprimit në emër të tij (arti i revoltës).
Siç jam munduar ta shpjegoj në një studim më të gjatë, Poetika e parë – arti është etern dhe nuk i shërben askujt – lidhej me krijimtarinë e Lasgush Poradecit (1899-1987), student dhe doktorant i Gracit (Austri). Ky art, ku në plan të parë dilnin mjetet, ndërsa burimi i poetikës duhej kërkuar te parnasistët francezë, po shembulli shqiptar i formës mbetej jezuiti i kulturuar Ndre Mjedja (1866-1937), përgjithësisht, ngrihej kundër patriotizmit të tejkaluar dhe folklorizmit, duke u karakterizuar nga stili aticist – i përmbledhur, lapidar, thelbësor.


Stili azianist – tepri, paqartësi, tensionim – një botë që lejon të shndërrosh gjithçka në gjithçka, ku një ngjarje artistike nuk buron prej botës së natyrës, por prej botës së përfytyrimeve, do të shfaqej më vonë. Ai e gjente modelin tipik te ndonjë poemë e veçantë e poetit nga Kosova, Fahredin Gunga (1936-1997). Mirëpo, në periudhën kur lulëzonte socrealizmi, për të shkruar me këtë poetikë duhej të jetoje jashtë Shqipërisë (Martin Camaj), apo në Kosovë, pjesë e ish-Jugosllavisë, ku frynte ndonjë fllad i lehtë lirie në planin përkatës.
Poetika e dytë – mbrojtja e njeriut nga ideologjia dhe institucionet e shtetit – lidhej me emrin e Migjenit. Kjo poetikë, ku mjetet nuk qenë në plan të parë, por mbeteshin të rëndësishme, mund të akuzohej se si ekspresionizmi, që më fort se një metodë mund të jetë një ndjenjë shpirtërore, nganjëherë binte në “Formylë logjike”, siç do të shkruante për Migjenin një bashkëkohës i tij (Qemal Draçini, 1922-1947). Të dyja poetikat mund të adhuronin të njëjtin poet, për shembull, Baudelaire-in (pranuar si shfaqja më e shquar e modernitetit perëndimor), por në pamje të ndryshme, të dyfishtë:
– Të prirë nga forma (veçse duhet thënë se Poradeci nuk e qaste errësirën simboliste);
– Të prirë nga problematika (veçse Migjenin e tërhiqte pjesa ku i këndohej skamjes njerëzore).
Poetika e parë, në kohën e quajtur të Realizmit Socialist, nuk mund të funksiononte, prandaj doli jashtë loje një poet si Lasgush Poradeci. Kjo periudhë impononte, duke filluar me urdhër nga lart, elemente të poetikës së dytë, atë pjesë që mund të vihej në shërbim, prandaj në këtë kohë Migjeni ishte poeti më i dashur dhe i popullarizuar, por jo për ato elemente të poetikës ekspresioniste, që mund t’i viheshin në dukje këtij poeti, megjithëse si formacion letrar ekspresionizmi qe parë si një farë revolte e rezistence ndaj krizës së moralit dhe psikikës evropiane të kohës. Pra, ai nuk mund të ndikonte me mbinjeriun niçean (filozofi që kishte luajtur rol vendimtar për ekspresionizmin), ekstazën, errësirën, klithmën apo groteskun, të cilat as vetë Migjeni nuk i kishte sjellë të plota, pasi ekspresionistët niseshin më fort nga një realitet shpirtëror, sesa fizik, siç ndodhte te poeti ynë.
Meqë moderniteti estetik “bashkëkohor”/”modern” ka nxjerrjen në plan të parë mjetin, siç thonë formalistët, Poradeci e plotëson më së miri këtë kusht, edhe pse me një formë thellësisht të mbyllur. Nëse ndodh e kundërta, pra i mëshon subjektit përballë formës, atëherë kemi poezitë e tij më të dobëta. (Është fjala për poezinë Më lini të flas unë, të cilën e tall edhe dishepulli i tij më i madh, Kuteli, etj.) Sabri Hamiti etj. në Kosovë, nuk e deshën për formën e tij, por pikërisht për këtë mision – shpërfaqjen në formë dhe idiomë më fort sesa në subjekt. Nga pikëpamja e formës, ai shërben si mbyllës i një epoke – formës së mbyllur – duke treguar pjekurinë e plotë të letërsisë kombëtare.
Pas tij, askush nuk do të bënte atë që kishte bërë ai: me Migjenin fillonte një epokë tjetër, që mund të emërtohet si epoka e formës së hapur. E veçanta është se te Migjeni shumë shpesh subjekti është më i fortë sesa forma, çka, për paradoks, në këto raste, e bën më fort “bashkëkohor” sesa “modern”, përmes një “egoje të vetëdijshme” (Stephen Spender, Struggle of Mondern, Calinesku, fq. 21).
– Migjeni është “bashkëkohor” (uni volterian – te Migjeni shfaqet si “ne”) që vepron te ngjarjet. Ajo që shkruan, është racionalizëm, politikë, sociologji e përgjithshme. Këtë na e tregojnë poezitë programatike, afishuese të ideve të caktuara (Parathanja e parathanieve, Birt e shekullit të ri etj.) Temat janë të reja, të forta, por rrinë mbi formën, mjetin, edhe pas përmbytjes me diksion (idiolekt) që nuk ishte parë më parë.
– Migjeni është “modern” (uni modern) që ndikohet nga ngjarjet (si Baudelaire e Rimbaud), e transformon botën, ndaj së cilës është i ekspozuar, përmes prirjes për të pranuar vuajtjen dhe plogështinë (Poezitë “Rezignata, Rima e tretun, cikli Kangët e fundit etj). Ai është i vetëdijshëm për këtë. Kujtojmë se Koliqi qe shprehur se me këto do të mbetej në poezinë shqipe. Po të mos harrojmë se Anton Pashku, autori i manifestit letrar “Mbi komunikimin poetik”, fliste për një antologji ku do ta largonte plotësisht.
Lexuesi mesatar, që e ka të vështirë përballjen me modernizmin, vazhdon të dojë Migjenin e parë – ku mbizotëron uni volterian. Arsye tjetër është se socrealizmi që e mohonte interesin për formën, parimet apo poetikat e “luhatshmërisë” dhe “papërcaktueshmërisë”, i vuri në shërbim të vetes, duke pjellë libra të trashë interpretimesh, krejt jashtë asaj që përmbanin tekstet e poetit.
(Për shembull: E ndjej nga dielli alegorik valën.)
Problem më vete, në krijimtarinë e këtij poeti, janë ato që A. Pipa do t’i quajë proza poetike, por në njërin prej botimeve qenë quajtur gabimisht, meqë nuk përmbushnin kriteret klasike të tregimit, skica. Në fakt, Migjeni as që e kishte çuar ndërmend tregimin, pasi ato nuk gjenden në fletoren ku bëhet lista e prozave të shkruara apo që mendonte të shkruante. Në gjuhën e pikturës, skica është studimi që mendohet në shërbim të veprës së ardhshme. Te Migjeni, ato tekste nuk kanë atë qëllim. Si te Baudelaire (Spleen i Parisit), ato janë domethënëse për krijimtarinë e tij.
(Bukuria që vret: Hana e zbetë, si fytyra e nji të vdekuri, kundron nga kupa e qiellës. Kundron botën e maleve të kristalizueme nga bora. Kundron kasollat e kristalizueme të katundit, të cilat as frymë nuk marrin.Të gjitha janë mbështjellë në bardhsin e borës. Vret shpirtin e malsorit siç vret shpirtin e artistit shtatorja e bardhë e nji grues së lakuriqët.)
Migjeni është poeti i parë i larguar thellësisht nga tradicionalja.
Me të fillonte aftësia ripërtëritëse e modernizmit, për të mohuar veten, “traditat” e tij të larmishme, por pa humbur identitetin. Edhe në rastin e poezisë, siç thuhet shpesh, ka modernizma sa ka modernistë.
Sidoqoftë, duhet thënë se hapi i parë në modernitet ishte hedhur me kohë: subjekti dhe forma shkonin paralel, herë-herë duke anuar nga forma (cikli Bukuria i Naimit, pjesa më e madhe e krijimtarisë së Mjedjes etj.). Për të mos u kthyer edhe më tepër në kohë, Variboba, që do të thotë se sistemi shtyhet deri te ajo që quhet letërsia parakombëtare.
Pra, tradita qe keqinterpretuar.
3.
Pas Luftës së Ftohtë, tashti që Shqipëria qe pjesë e një historie më globale, apo e një kohe të profetizuar “pa histori”, iluzioni se poezia mund të shndërronte shoqërinë njerëzore nuk mund të kthehej më në pozicionin e dikurshëm. Ngaqë, me anë të përkthimeve të shumta, kërkohej të plotësohej sistemi letrar shqiptar, binte më shumë në sy poetika e parë: kërkimi i poezisë në gjendjen e vet. Poetika e dytë nuk arrinte të imponohej vetë, edhe pse herë pas here ngrinte lart flamurin e migjenizmit (që ka lënë një emër të dashur për lexuesin), por më tepër duke i bërë jehonë pa argumente profesionale një nostalgjie, sepse qe huazuar nga socrealizmi krijimi i listave me emra që vjen pa studime reale, prandaj, për këtë periudhë, mund të flitet më shumë e më mirë për poetika, sesa për emra.
Cilido qe produkti, poetët prekën hapjen maksimale. Mirëpo eklektizmi stilistik i këtyre poetikave mbetej një çështje për zgjidhje: poetika e parë më tepër po u përkiste studimeve, ndërsa poetika e dytë më tepër po u përkiste lexuesve, të edukuar (nga një pjesë e kritikës apo shkollës) që të gjejnë te arti mbështetje për problemet sociale.
Sidoqoftë, megjithëse kohë lirie, koncepti zyrtar i letrares iu nënshtrua politikave të kohës. Universitarët e djeshëm i dhanë status asaj letërsie stereotipe dhe shabllone, me të cilën qenë mësuar dikur, duke ia nënshtruar interesave politike të momentit, me anë të vlerësimeve, shpërndarjes së çmimeve apo listave të leximeve shkollore nga institucione thellësisht të kapura nga politika apo nga njerëzit e saj. Kjo letërsi e cekët po i merrte frymën kulturës shqiptare, duke bërë të parespektueshëm, siç pranohet gjerësisht, çdo gjykim që jepet sot për të. Është pozitive që, së voni, përshëndeten – këtë e ka bërë edhe Kadareja – disa prej autorëve që, sipas mendimit zyrtar, qenë pjesë e “periferive” për shumë kohë, si Martin Camaj, Anton Pashku, Zef Zorba apo Frederik Rreshpja, poetë e shkrimtarë që zhvendosin dinamikën e gjithë letërsisë shqipe, edhe pse dukej se sistemi letrar qe shpartalluar në atë masë sa nuk linte asnjë hapësirë ndërhyrjeje.
Meqë dukej se në këto anë kishte shkelur poetika e postmodernizmit, ku autoriteti shpërfillej, çfarë e priste poetin shqiptar në këtë eklektizëm, që përcaktohej nga kjo traditë, nga diçka që vinte prej dominantes apo përtej dominantes së saj, por gëzonte lirinë të binte në kontakt me poetika të tjera, sepse sistemit dinamik letrar po i servireshin përkthime apo mundësi leximesh pa fund?
Përgjigja është personale (megjithëse prirja qe e gjerë):
– Kërkesa nga ana intelektuale përcaktonte një stil letrar përfshirës (duke thithur edhe lexuesin e prozës), ashtu siç pat kthyer Elioti historinë e nxjerrë jashtë nga simbolistët;
– Dekanunizimi i standardeve kulturore, veprave dhe autoriteteve të mëparshme përcaktonte mohimin e autoritetit të autorit, zhvlerësimit të qëllimeve dhe synimeve të tij;
– Kundërshtimi i së pritshmes, duke e tëhuajtur me qëllim lexuesin, përcaktonte shkatërrimin e burimet e veta me parodi, ironi, pastiche, si dhe fragmentimin e teksteve, duke i kthyer në kolazhe e montazhe;
– Shmangia e seriozitetit dhe përgjegjësinë, duke nxitur arbitraritetin dhe lojën, argumentonte që kuptimi është i papërcaktuar, duke mohuar një interpretim përfundimtar apo të parapëlqyer, përziente zhanret, zhvishte kontekstin, duke e zvogëluar përmbajtjen te një minimum i rreptë;
– Meqë poezia është një art intertekstual, ndërtimi i një teksti të ri mbi shtresat e teksteve të vjetra, përcaktonte funksionimin si një realitet i ri artistik, pra si një tekst i ri poetik, që të kujtonte parimin e përmendur të poetikës së “kaleidoskopit”.
Poetika qëndronte te të gjitha këto së bashku. Arsyeja për të thirrur retorikën (efekti i Qarkut Kulturor të Shkodrës, gjë që piktori Sezan e shprehte “ta bësh pikturën një art të muzeve”) si dhe, njëkohësisht, spërdredhja e qafës së saj (gardhet kulturore mund t’i pillte vetëm mendja) mund të shkonin bashkë, por kjo kërkonte punë pa fund. Kjo është arsyeja që nëpër intervista jam shprehur për “fletore ushtrimesh”, duke e përsëritur shpesh, sepse kjo shprehte thelbin e asaj që kërkoja dhe bëja (që kërkoj dhe bëj). E admiroj këtë metodë pune dhe poetët që e kanë praktikuar atë janë një shembull, edhe pse më fort se te një kodifikim, kjo rrugë mund të çojë te një poetikë individuale. Gjithsesi, në ujërat e postmodernes, por me vetëdijen se qe fjala për një poezi që e kishte njohur parakombëtaren – nga pikëpamja e qarqeve – si dhe pjekurinë formale të kombëtares, që qe mbyllur me Poradecin, për t’i bërë vend thyerësve të mëdhenj, të udhëhequr nga Migjeni, të cilët do të kalonin edhe nëpër metodat letrare, shpesh avangardiste të shek. XX.
Për fat të keq, letërsia zyrtare nuk ka qenë e përgatitur për ta institucionalizuar këtë.
Eklektizmi i madh stilistik, por edhe rezistenca e mendimit të paemancipuar, do ta pengojë edhe për ca kohë.
Disa dekada më parë, Ibrahim Rugova, një nga kontribuesit më të mëdhenj të kritikës letrare shqiptare në përgjithësi, fuste në Qarkun Kulturor të Kosovës një metodë konkrete për vlerësimin e poezisë shqipe në një sistem letrar që ai e njihte mirë. Është e qartë se kjo metodë mund të aplikohet aty ku mund të përfytyrojmë një sistem letrar.
Për ata që nuk e njohin këtë fakt, ia vlen të kujtohet nga fillimi kjo metodë të cilën Rugova e ilustroi praktikisht, për të parë më pas të përbashkëtat e poetëve vërtet të mirë, të cilat do të ndërtonin një kohë letrare:
Libër i dobët – është nën nivelin e asaj që është shkruar dhe shkruhet;
Libër i zakonshëm – nuk bie në sy, nuk sjell ndonjë element për t’u theksuar, që nxit diçka të re, por përfshihet në situatën e momentit;
Libër interesant – përmban elemente që tërheqin vëmendjen e kritikës, por si tërësi nuk është i realizuar;
Libër i mirë – ka mëvetësi artistike, por nuk ndihet shumë në procesin poetik;
Libër i mirë e me ndikim – me mëvetësinë artistike dhe elementet novatore ndikon në procesin e situatës poetike.
Në çdo kohë, do të na mundojë pyetja: a mund të imagjinojmë një tabelë të tillë Mendelejevi?
Nëse po, kemi hedhur një hap të rëndësishëm.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.