AKTUALITET

Donald Lu lëshon “bombën”: Klement Balili fshihet në Shqipëri. Arrestohet së shpejti!

21:22 - 05.04.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

“Klement Balili ndodhet në Shqipëri dhe shumë shpejt do të arrestohet!” Deklarata e fortë është bërë  nga ambasadori i SHBA-ve në Tiranë Donald Lu.




I ftuar në emisionin “Opinion”, Lu tha se në bazë të informacioneve të agjencive amerikane, mësohet se “Escobari i Ballkanit”, vijon të fshihet në Shqipëri.

Por thekson se autoritetet janë shumë pranë lokalizimit dhe arrestimit të tij.

Duke folur për peshqit e mëdhenj, Lu tha se të tillë janë edhe Met Kanani, i arrestuar në Turqi, dhe Arbër Çekaj,  i dënuar dhe shpallur në kërkim për sasinë rekord të 613 kg kokainë.

Pjesë nga intervista:

Blendi Fevziu: Shpresoj që të jeni shumë i drejtpërdrejtë dhe i hapur në përgjigjet tuaja, por disa muaj më parë, ju mbajtët një fjalim ku flisnit për peshqit e mëdhenj dhe peshqit e vegjël…

Ambasadori Lu: Po, po..

Blendi Fevziu: Në 28 vite, ambasador – dhe unë kam informacion për çdo ditë në këto 28 vite – nuk kemi parë asnjë person të fuqishëm…

Ambasadori Lu: Po…

Blendi Fevziu: …ndonjë politikan, që të dënohet për problemet që i kanë shkaktuar vendit. Disa u dënuan por më shumë politikisht në vitet ’92 dhe ’93. E kam fjalën për personat që janë akuzuar për korrupsion, për probleme të tjera, për shkelje të ligjeve.

Ambasadori Lu: Po…

Blendi Fevziu: Pyetja ime është e drejtpërdrejtë. Kur do të dënohen këta persona për problemet që kanë shkaktuar?

Ambasadori Lu: Besoj, kam besim se do të ndëshkohen shumë shpejt. Shumica e peshqve të mëdhenj janë në det. Pak janë tashmë në rrjeta, por shoh të dhëna që shumë shpejt do të kemi më shumë rezultate. Më lejoni të jem specifik këtu. Met Kanani – Met Kanani është një trafikant droge i rrezikshëm, trafikant shqiptar, arrestuar në Bodrum, Turqi, dy javë më parë, me ndihmën e qeverisë shqiptare.

Blendi Fevziu: Dhe s’ia kishim dëgjuar emrin më parë …

Ambasadori Lu: Është një person vërtet i rrezikshëm dhe policia juaj, prokurorët tuaj, njerëzit tuaj që punojnë kundër narkotikëve e dinë shumë mirë se kush është. Arbër Çekaj, përgjegjës për trafikimin e 613 kg kokainë…

Blendi Fevziu: Ai u zhduk …

Ambasadori Lu: U zhduk por tani ka një mandat arresti ndërkombëtar për të dhe Shqipëria po e kërkon kudo në Europë dhe ne po ndihmojmë për këtë. Klement Balili, po ashtu me mandat arresti ndërkombëtar.  Ne, amerikanët, besojmë se është ende në Shqipëri dhe ka mundësi të arrestohet në ditët që vijnë. Po shtyjmë shumë fort për këtë. E dini, Z. Balili është dënuar tashmë në Greqi për trafik droge. …

Blendi Fevziu: Po…

Ambasadori Lu: Burgim të përjetshëm plus 15 vite. Tani duhet vetëm të kapet. Ne po shtyjmë shumë fort, me të gjitha burimet e Qeverisë së SHBA, për t’u siguruar që këta peshq të mëdhenj të shkojnë në burg. Le të flasim pak për politikanët.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.