OPINION

Mësimet që nxjerrim nga revolta e kuksianëve

07:20 - 13.04.18 Dr. Valbona Nathanaili
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Rebelimi i kuksianëve, në kundërshtim të vendosjes së një tarife absurde për të kaluar në oborrin e shtëpisë së tyre, brenda pak orëve degjeneroi në shkatërrimin e pikës të mbledhjes së parave, ndërtuar nga firma koncesionare. Rezultati ishte që më shumë se arsyet e protestës, në qendër të medias dhe të vëmendjes së publikut u vendos shkatërrimi. Fakt është që protestat dhe rebelimet shpesh dalin jashtë edhe çdo plani për kontroll e vetëpërmbajtje, që mund të jetë ndërtuar më parë. Veçanërisht në vendin tonë, ku dhuna në grumbullime të tilla është shndërruar në normë. Kujtoni protestën e 21 janarit 2011, kur Partia Socialiste ishte në opozitë, e cila u mbyll jo vetëm me dëme materiale, por për fat të keq, edhe me katër të vrarë.




Pyetja që shtrohet është: A duhet që opozita aktuale të përqafojë po atë strategji dhune e proteste që kishte edhe pozita e sotme kur ishte në opozitë, afro pesë vite më parë? Revolta e kuksianëve ka çfarë të na mësojë.

Në një vështrim të parë, duket sikur opozita ka të drejtë: një pushtet që ka rrëshqitur në zonën gri të autoritarizmit, arsyeton më mirë kur njerëzit ngrihen në revoltë. Socialistët dje e përdorën dhunën për të ardhur në pushtet, edhe demokratët duhet të veprojnë në të njëjtën mënyrë. Akoma ekziston perceptimi se opozita duhet të përgjigjet me të njëjtën monedhë: socialistët dje nuk njihnin institucionet, edhe demokratët nuk duhet t’i njohin; socialistët dje nuk pranonin rezultatin e zgjedhjeve, edhe demokratët nuk duhet t’i njohin; socialistët fyejnë dhe denigrojnë demokratët, edhe demokratët duhet të fyejnë dhe të denigrojnë…

Protesta publike është një e drejtë themelore dhe përbën një aktivitet të rëndësishëm në çdo demokraci, por synimi i saj duhet të jetë mbrojtja e të drejtave dhe e institucioneve e jo shkatërrimi i tyre. Djegiet dhe shkatërrimet në hyrje të tunelit të Kukësit u përdorën nga pozita për të degjeneruar jo pretekstin, se ishte e pamundur të bëhej (tarifa e papërballueshme për banorët e Kukësit), por arsyet kryesore të rebelimit: mungesën e një pozite që ka në vëmendje edhe interesat e njerëzve të thjeshtë, të një pozite që nuk përpiqet ta mbajë në ekuilibër peshoren e pushtetit dhe nuk tregohet e matur në vendimmarrje.

Djegiet dhe shkatërrimet në hyrje të tunelit të Kukësit treguan se pozita e sotme ka dy standarde: dëshmorët e djeshëm janë banditët e sotëm.

Por, apeli këtu është për opozitën! Në një vend ku ekzistojnë institucionet, ku ka gjykata dhe media, me atë shkallë lirie e demokracie që janë të afta të manifestojnë, zgjidhja gjendet kryesisht te to. Strategjia e të bërit opozitë nuk duhet të ndërtohet vetëm me opsionin e revoltës, sepse më shumë se inkurajon, frenon, më shumë se motivon, ngjall pakënaqësi. Veçanërisht kur shoqërohen me shkatërrime! Partia Demokratike duhet të tregojë se është demokratike, duke filluar dialogun me institucionet. Duke çuar në gjykatë çdo abuzim me pushtetin, i çfarëdo natyre qoftë. Duke vënë në pikëpyetje legjitimitetin e çdo vendimi që kërkon miratimin në parlament, por merret me firmën e kryeministrit. Duke denoncuar në media çdo politikë që mendon se është e padrejtë. Duke iniciuar referendum për çdo koncesion a shitje të pasurisë publike. Duke demaskuar çdo përpjekje të qeverisë për të sabotuar demokracinë. Duke “kërcënuar” jo me fuqinë e revoltës, por me atë të arsyetimit e dialogimit me institucionet. Duke na treguar se edhe duke qenë në opozitë, funksionon me rendiment të plotë, njësoj si nesër kur do të jetë në pushtet.

 

 


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. Uau…te ndiqet rruga institucionale thote, po me ke !!!
    -me policine qe arreston ne dy te nates!!
    -me prokurorine qe shkel K.Pr.Penale…
    -me poziten qe i thur poezi…”mikut”te Rames…
    Ke marre persiper te besh zjarrfikesen dhe kjo eshte e dhimbshme…sepse tregon degjenerim moral e intelektual.

    Përgjigju ↓