Kronikë

Tentuan të kultivonin hashash në Dukagjin, zbulohet grupi kriminal

14:00 - 15.04.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Senad Nikshiqi- Trafikantët e drogës nuk kanë të ndalur. Pavarësisht masave të rrepta të marra nga policia e Shkodrës dhe fluturimeve të avionëve të Guardia di Finanza, ata vazhdojnë të tentojnë për kultivimin e kanabisit në zonën e Dukagjinit. Mesnatën e së premtes, policia e Shkodrës ka goditur një grup të dyshuar si kriminal që po tentonte të bëhej gati për kultivimin e bimëve narkotike në Dukagjin. Ngjarja ndodhi vetëm pak orë pas takimit në njësinë administrative Gur i Zi, ku zëvendësdrejtori i Policisë së Shtetit, Gjovalin Loka dhe kreu i bluve të Shkodrës, Vehbi Bushati deklaruan se do të kapin organizatorët dhe financuesit e kultivimit të kanabisit. Mësohet se rreth orës 23:30, një grup prej 5-6 personash kanë shmangur postbllokun e policisë në rrugën Shkodër-Dukagjin. Ata janë futur tek ura e Mesit dhe më pas kanë marrë rrugën malore të Shllakut (pjesë e bashkisë Vau i Dejës). Nga aty, ky grup bashkë me materialet dhe mjetet për kultivim kanë mbërritur në fshatin Drisht të Postribës duke shmangur kontrollin policor. Përmes urës së Telit, ata kanë menduar që ngarkesën që iu duhej për të nisur kultivimin e kanabisit ta kalonin me krahë përmes urës së Telit duke ecur në këmbë. Sipas planit të tyre, në anën tjetër të urës sipas tyre do të shkonte një tjetër makinë për të marrë personat, materialet dhe pajisjet për kultivim për t’i çuar më pas drejt Dukagjinit. Falë informacioneve të siguruara në rrugë operative, blutë kanë zbuluar dhe identifikuar pjesëtarët e këtij grupi dhe janë vënë në ndjekje të tyre.




Ndërkaq, burime nga policia e Shkodrës bënë me dije se autorët mundën të merrnin arratinë, ndërsa braktisën dy automjetet që kishin në fshatin Drisht. Në vendngjarje ka mbërritur edhe vetë kreu i bluve të Shkodrës, Vehbi Bushati bashkë me shefin e komisariatit, drejtues të tjerë, forcat Shqiponja dhe dhjetëra efektivë për të mos lejuar grupin prej 5-6 personash që të realizonin planin e mirëmenduar për nisjen e punës për kultivimin e kanabisit në zonën e Dukagjinit. Forcat e policisë janë vënë në ndjekje dhe po punojnë për kapjen e këtyre personave që dyshohen se do të mbillnin hashash. Prej disa ditësh, policia e qytetit verior ka ngritur një postbllok në rrugën Shkodër-Dukagjin për të pasur nën kontroll të gjithë ata që kalojnë në atë aks për të mos lejuar transportimin e materialeve dhe mjeteve për kultivimin e kanabisit.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.