OPINION

Mos e braktisni PD-në?

07:20 - 28.04.18 Ben Andoni
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Shqipëria ka gjasat më të mëdha këtë vit të hapë negociatat pas disa orvatjeve të vështira e të pasuksesshme në vitet e shkuara. Nëse do të gjesh fajtorët, ata janë të mirëditur dhe i ke në të dyja krahët e politikës. Paradoksalisht, ashtu si më parë, ka një dëshirë të madhe politike që hapja e negociatave të konsiderohet si fitore politike dhe jo si hap normal i zhvillimit të vendit. Kjo i bën politikanët të bëhen qesharakë në deklarata dhe në kundërshtimet dhe këtë e kanë demonstruar në ditët e fundit me një batërdi ofendimesh ndaj njëri-tjetrit!




E ndërsa PS-ja e quan si fitore të saj dhe po mundohet ta trumbetojë kudo procesin si arritje të zhvillimeve të saj, nga PD-ja ka gjithnjë thënie e kundërthënie me theksin e qartë, por edhe indirekt se: ‘Shqipëria nuk e meriton hapjen e negociatave’. Si në një apel, në këtë formacion në forma të ndryshme po gjejnë argumente sesi Shqipëria ka ende shumë punë dhe se vendi është i kapur nga krimi i organizuar dhe droga. Duket sikur janë dy Shqipëri, njëra që synon anëtarësimin dhe tjetra, e etur ta shikojë atë jashtë dyerve të Evropës. Anipse Shqipëria është një dhe e vetme me vokacion të plotë evropian dhe këtë trend nuk e shkëpusin dot militantët, që nga ana tjetër lehtësisht po manipulohen. Më së shumti ata të PD-së, që së fundmi gjithçka e identifikojnë si luftë me Ramën dhe entourage e tij. Edhe vetë hapjen e negociatave!

Dhe, në vend të merren me të ardhmen e PD-së, që sot po katandiset gjithnjë e më larg imazhit të saj të dikurshëm, prej sherreve të brendshme dhe manovrimeve aspak demokratike të lidershipit të saj, janë përfshirë në një kaos, ku të gjithë duken kundër të gjithëve. Dëshmia e fundit ka të ngjarë të jepet këtë fundjavë. PD-ja parashikoi një Kuvend Zgjedhor, por ka të ngjarë të jetë vetëm një Kuvend Statutor dhe ajo që pritet për momentin është gati e dukshme: do të bëhet plotësisht kapja e partisë nga Lulzim Basha. Që do të thotë se këtej e tutje, njerëzit nuk do kenë më argument Berishën, si thelbin e PD-së dhe simbolin e saj, por vetëm Lulzim Bashën. Ndërkohë kritikët e PD-së kanë paralajmëruar bojkotin dhe ka gjasë që ata realisht të mos jenë në Kuvend. I vetmi, Eduart Selami vazhdon luftën vetjake për të treguar se nuk mund të vazhdohet më kështu, por edhe me kurajën për të shprehur idetë e tij në mënyrë institucionale.

Një vit pas zgjedhjeve, PD-ja me të gjithë këtë vrer të mbledhur nuk bëri një transparencë të hapur për humbjen, nuk ka reaguar për analizën, ashtu si ka lënë për më vonë zgjedhjet dhe të gjithë strukturimin e partisë, që këtej e tutje me shumë gjasë do të bëhen nën hijen Basha.

Kuptohet hapur se konservatorët dhe ish-drejtuesit e lartë janë kundër liderit të ri. Në një frymë të tillë dukej dikur edhe PS, kur ishte në opozitë derisa Rama i dha të gjithë hijen e vet, por edhe mënyrën sesi do të vazhdohej. Madje, lideri socialist shkoi një hap më tej, sepse ndryshoi deri edhe simbolikat e PS-së. Një gjë e tillë pritet të ndodhë shpejt edhe me PD-në, kur Basha të sanksionohet në të gjitha strukturat e partisë dhe të bëjë realisht reformën e tij.

Si në rastin e Ramës edhe prej kësaj fundjave me Bashën, kemi një fenomen që po tentohet dhe po arrin të ndryshojnë në thelb dy partitë kryesore për t’i përshtatur me interesat e reja të kryetarëve të tyre. Teksa në rastin e PS-së tranzitimi u bë me problematika, por edhe me kujdes, në rastin e PD-së, ai po vuan nga shumë pasaktësi dhe mbi të gjitha nga moskonsolidimi si duhet i Bashës. Këtij të fundit i duhet që veçse me çrrënjosjen e njerëzve të Berishës, t’i shkojë deri në fund edhe heqjes së simbolit të kryetarit historik në çdo aspekt, kuptohet që hë për hë pa e shmangur de jure.

Në këtë hulli, Lulzim Basha i sotëm ka një parti pa bosht, e cila është shumë konfuze dhe pa kauza reale, përveç atyre që lë Edi Rama në çdo moment me drejtimin e dobët të vendit dhe kapjen e vendit nga krimi. Kjo e bën Lulzim Bashën, në të gjithë këtë luftë të shpenzojë shumë energji, duke lënë mënjanë platforma dhe ide reale për ndryshimin e vendit, që bëhet me struktura dhe jo me fjalë.

Shumë po e konsiderojnë këtë moment si fundin e PD-së, por në fakt PD-ja është në një transformim të natyrshëm, që do të tregojë veten në përballjen e ardhshme në zgjedhjet lokale. Deri më atëherë, kjo parti është një zhgënjim shumë i madh, për mënyrën e pakët demokratike si po vepron, por edhe se ka vrarë shpresën e shumë shqiptarëve, njësoj si PS-ja në fuqi.

Ky është trishtimi kur dëgjon kritikët e Bashës dhe njerëzit, që po e bojkotojnë PD-në. Si do që të jetë Basha, ai mbart tani trashëgiminë e saj dhe fytyra e PD-së është fytyra e ideve të tij. Ndaj kritikët nëse nuk kanë mundësi për një formacion të ri, nuk duhet ta braktisin PD-në përballë pushtetit absolut të Edi Ramës. Vetë kritikët e PD-së duhet t’u venë barrierë ideve dhe entourage pa formë të Bashës, që jo pak herë janë treguar konfuzë dhe thjesht zhurmaxhinj pa arritur të krijojnë personalitete, ku Shqipëria do të besojë në të ardhmen. PD-ja e sotme është larg njerëzve dhe deri militantët e saj janë të trishtuar me këtë formacion apatik, që po del blof me dëshirën gati perverse, që Shqipëria të mos hapë negociatat. Sido që të jetë, mos e braktisni PD-në!(“Gazeta Shqiptare”)

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.