Homo Albanicus

Nostalgjia për ish-Byroistët, Enverin dhe Socializmin

16:37 - 28.04.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Ben Andoni




Vdekja e Liri Belishovës në ditët e fundit ka ngjallur një fushatë keqardhje dhe shumë dhimbje bashkë me patetizëm. Njerëzit, më shumë sesa me fatin tragjik të saj (të mendosh plot 31 vjet internime e denigrime), janë marrë me kujtimin e Enver Hoxhës, rolin e tij dhe sistemin. Në të gjitha, e ndjera Belishova ka qenë në sfond dhe përmes saj ka dalë dhe njëherë çka shqiptarët mendojnë për Byronë, Bllokun, Enverin dhe Socializmin. Veçse pak herë në të gjallë, zonjës së Byrosë, i kujtuan dhe bëmat e saj, arrogancën dhe mbi të gjitha flirtet e sikletshme me sovjetikët. Me zgjuarsi, ajo të gjitha i kaloi duke e kaluar vëmendjen në vdekjen ende të pazbardhur të ish-të fejuarit të saj Nako Spiru, fatin tragjik të familjes së vet dhe kuptohet te Enver Hoxha. Arroganca e saj ishte tashmë e padëmshme dhe e vonët, pasi Shqipëria ishte në hulli të tjera.

Sot, është për të ardhur keq se analizat e thella për vitet e shkuara i mungojnë kësaj kohe, mendimi ndryshe, ashtu si edhe rrëfimi i sinqertë i katrahurës, ku e përcollën vendin shumë nga njerëzit e Byrosë. Ata që janë munduar kanë marrë pas anatemën e një shoqërie të frustruar dhe tejet të bindur pas rrëgjimit. Mes tyre edhe e ndjera, që megjithë reflektimin mbeti shumë larg ndershmërisë për të treguar atë mënyrë lufte, që bënë komunistët mes vete. Në shumë dokumente që janë zbardhur tregohen se janë të pakët nga komunistët shqiptarë, në rangjet e larta, që nuk mbartnin mëkate, ashtu si pjesa më e madhe e nacionalistëve, që iu bashkuan fashizmit pa asnjë vrasje ndërgjegje.

Është më e trishtë se kanë mbetur gjallë dhe pak personazhe të asaj kohe, por për të gjithë ata ka fare pak brerje ndërgjegje, teksa faji kryesor dhe përgjegjësia është eksportuar te Enver Hoxha. Madje edhe e veja e tij dikur, në një intervistë për autorin, do të shprehej se ishte tepruar disi me spastrimet e bashkëshortit të saj, por pa i hequr asnjë presje akteve të tij. Hoxha, falë shumë prej këtyre byroistëve, por dhe makiavelizmit të vet ndërtoi një shtet eksperimental, që nuk mundi t’i jetojë dot qoftë zhvillimeve të kohës por edhe trendit normal të periudhave historike-njerëzore. Kjo, sot, kujtohet me gjysmë zëri.

Paradoksalisht, ndodhi që në një nga shtetet më spartane të botës, njerëzit e Bllokut kishin privilegje të mëdha, por edhe filluan të stigmatizonin popullin nga kishin ardhur, duke u diferencuar frikshëm. Fotot e kohës na i tregojnë në lukse por edhe të shëndetshëm ballë një populli gati asketik, që i ndjek i përdëllyer. Klasa e re e të pasurve të tyre, që vazhduan për inerci dhe pas ’90, duke ngritur një pjesë të kastës së sotme sunduese, ruajtën indiferencën dhe cinizmin, por edhe etjen e madhe për pasuri. Sot, në kapitalizmin shqiptar, i kalojnë disafish paraardhësit e tyre komunistë.

Larg këtyre, pyetja që mbetet është një dhe vetëm një: Nga buron kjo nostalgji e njerëzve për ish-Byroistët, Bllokun, Enver Hoxhën. Një përgjigje e japin sërish shtresat më të vuajtura. Të paktën, në atë kohë e kishim një strehë, e kishim një punë, kishim siguri, tashmë nuk kemi asgjë! Një përgjigje tjetër e japin kinse-origjinalët, që duke përmendur skajshëm atë kohë mundohen të tregojnë të metat e kësaj kohe, duke i shtuar në maksimum. Në fund, kanë një dhe vetëm një dëshirë. Të gjithë duan të imitojnë në subkoshiencë njerëzit e Bllokut, kanë nostalgji për ish-Byroistët, Enverin. Shikoje këtë në sjelljen e liderave tanë, shikojë këtë tek familjet e tyre dhe oborrin e tyre.

E kuptueshme për këtë nostalgji është vetëm një element. Asokohe, nëse do të dije të luaje me konjuktura dhe të bëjë militantin (jo që nuk e bëjnë tani), mund të shkoje më larg në piramidën e pushtetit dhe të kishe privilegje. Në ditët tona, vërtetë mund të kesh privilegje pafund, mund të jesh militant, por asnjëherë nuk do të ngjitesh dot në pushtetin e madh, që i takon vetëm kastës. Kjo e fundit tashmë e mbathur dhe me ndihmën e krimit të organizuar, me trafiqet, por edhe pushtetin e frikës sundon mbi gjithçka. Mbi të gjitha me kujtimin e udhëheqësit të dikurshëm në nënvetëdije, që edhe pse e kanë hequr nga artikulimi, na e sjellin përmes pushtetit të tyre.

Njerëzit e thjeshtë kanë ende të fiksuar vetëm kujtimin e Bllokut dhe përfitimet por edhe atë jetë të dikurshme, që mund të ishe si ata, pak më mirë se të tutë dhe i nderuar sipas konceptit shqiptar, por të gjithë të tjerët do të ishin gati njësoj. Dhe, kjo është më e mirë sesa sot, kur luksi është i paaarritshëm, po nuk shkele në udhë të këqija. Ndaj ndodh, që vdekja e komunistëve të fundit, po i ringjall shqiptarëve nostalgjitë, por edhe po tregon sesa të lidhur kanë qenë me Enverin dhe gjithçka të asaj kohe, qoftë dhe kur mundohen ta anatemojnë. (Homo Albanicus)


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.