OPINION

PD nuk është më parti, e demokratit kuksian

12:28 - 01.05.18 Mero Baze
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

lbsen Elezi është një delegat i PD nga Kukësi që u bë popullor për fjalimin e tij të sinqertë në Kuvend. Ka shumë ligësi rreth fjalimit të tij nga kupola e PD, ashtu siç ka shumë adhurim nga anëtarët e thjeshtë të saj. Por në një analizë të thjeshtë, fjalimi i Elezit, më shumë se sa tregon problemet e brendshme të PD, tregon se PD nuk është më parti e njerëzve si ai.




Ai bëri publike pesë sëmundje të rënda të PD-së, të cilat nëse shërohen, vdes lidershipi i Bashës, dhe nëse injorohen, siç po ndodh, ruhet lidershipi i Bashës dhe vdes PD-ja.

E para, është fakti që PD ka një elitë të korruptuar me deputetë milionerë, për shkak të pushtetit, çka është pengesë për t’u bërë të besueshëm si njerëz që luftojnë korrupsionin. Dhe këtu në krye të listës është Lulzim Basha e në fund Flamuri me Ristanin, të gjithë ata që janë gati të vdesin për Bashën.

E dyta, është PD si parti e kapur nga oligarkët. Elezi e ilustroi me përpjekjet e Flamur Nokës për të sabotuar protestën në Kalimash. Por ka dhe qindra raste të tjera që po ashtu janë publike.

E treta, është aleanca me LSI, të cilën PD e ka shpallur prioritet, ndërsa Elezi e shpalli fatkeqësi. Por pa atë, Basha s’ka asnjë shans.

E katërta, është PD si parti e kapur nga e shkuara komuniste dhe Sigurimi i Shtetit. Elezi thotë se “duhet ndarja e qartë me të shkuarën, por persekutorët i kemi në selinë tone”.

Dhe e pesta, që është dhe më kryesorja, është demokracia e brendshme në PD, ndërprerja e karrierës dhe katapultimi i klientëve të kryetarit, që e kanë bërë PD një parti që nuk ka më lidhje me historinë e saj.

Janë pikërisht këto probleme të artikuluara qartë dhe me guxim nga një delegat Kuvendi, që të shtyjnë tek pyetja madhore se kush është sot më popullor në PD, Lulzim Basha apo Ibsen Elezi?

E sigurtë është se është ky i dyti. Por nuk është si rival i Lulzim Bashës, as si pretendent për kryetar, por si përfaqësues i një partie që nuk ekziston më, si sinonim i një diçkaje që PD e ka të pamundur të jetë.

Ai është popullor sot, jo se ka demaskuar Bashën, por se u ka kujtuar shumë shqiptarëve, se si duhet të jetë një parti politike.

Pra simpatia për të, ka lidhje me modelin që do shumica e shoqërisë tek një parti politike.

Por Elezi u duartrokit dhe fërshëllye në sallë, u bë popullor në Shqipëri, por në fakt është një armik i atyre që drejtojnë PD, pasi të gjitha arsyet që përmendi Elezi, nuk janë arsye për të ndryshuar PD, por për të zbuar nga PD këta që e drejtojnë.

Kështu që Elezi thjeshtë nuk ka lidhje me këtë PD. Ai dhe shumë të tjerë kanë keqkuptimin se mund ta ndryshojnë PD-në me kritika të tilla, por në fakt ato nuk janë kritika. Ato janë thirrje për një ndryshim të fortë, që është i pamundur.

PD është një parti e kalbur dhe çdo përpjekje për ta ndryshuar, thjesht e shpërbën. Njerëzit që e kanë pëlqyer Elezin, duhet të zgjedhin të jenë ose me atë, ose me PD-në, pasi PD dhe ai nuk kanë punë me njëri- tjetrin.


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. Me kete PD nuk ka lidhje asnji demokrat I ndershem ,I dashur mero, le ta gezoje edhe pak kohe lulushi me grida kurven dhe Horin salianus,me vokshin e strazimirin ,PSE me kete analfabete do jetoje PD.?!?!

    Përgjigju ↓