Intervista

Minatorët në protestë: Stop nëpërkëmbjes së punëtorëve

08:21 - 02.05.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Në ditën ndërkombëtare të punëtorëve, minatorët zgjodhën të protestonin për të drejtat e tyre, sigurinë në punë, rritjen e pagave e pensioneve si dhe miratimin e statusit të minatorit. Ata zhvilluan një marshim ditën e djeshme pranë “Ushtarit të Panjohur” në kryeqytet, ku me pankarta në duar kërkuan më shumë dinjitet e kushte në punë




Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, kreu i Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë, Kol Nikollaj tregon se pagat në vendin tonë janë më të ulëtat në rajon e bën me dije se brenda 6 vitesh paga minimale është rritur vetëm një herë me 10%. Më tej ai shton se sindikatat do të ushtrojnë gjithë presionin e duhur pozitiv, në mënyrë që statusi i minatorit të miratohet sa më shpejt të jetë e mundur

Cili ishte shkaku i zhvillimit të protestës së djeshme?

Protesta jonë në 1 Maj ka si burim kërkesën për shpresë më të mirë, për jetë dinjitoze me orientim social dhe me integrim europian. Ne protestuam dhe artikuluam të gjitha kërkesat dhe  ankesat tona për më shumë liri dhe të drejta sindikale, për kontraktim kolektiv real dhe jo formal, për një vëmendje të shtuar të shtetit ndaj sindikatave dhe shqetësimeve të tyre. Ne protestuam për siguri e shëndet në punë, për punësimin e të rinjve, të grave dhe të të gjithë njerëzve në nevojë për rritjen e mirëqenies së pensionistëve, rritjen e pagës minimale dhe për shpalljen zyrtare të minimumit jetik zyrtar. Nisur nga pabarazia e krijuar ndërmjet shtresave të varfra dhe të pasura, protesta është zgjidhja më e mirë për ta ngushtuar këtë hendek dhe për të luftuar dhe eliminuar varfërinë, e cila po merr përmasa të frikshme me shtrirje si në thellë- si, ashtu edhe në gjerësi. Protestat dhe zgjimi i ndërgjegjes shoqërore është shpresë për punësimin. Vetëm punësimi do të bëjë realitet ëndrrën dhe sfidën tonë për mirëqenie sociale e integrim shoqëror të së gjithë shoqërisë sonë.

Cilat janë disa nga kërkesat e minatorëve ndaj shtetit shqiptar?

Punonjësit e nëntokës gjatë 25 viteve janë keqtrajtuar. Me këta punonjës është abuzuar me pagesën minimale të sigurimeve shoqërore e shëndetësore. Si rezultat i këtij veprimi abuzues, ata dalin në pension me vlerë minimale, ndërsa punonjësit që punojnë aktualisht janë më të mbrojtur, pasi është ulur mosha e daljes në pension në 55 vjeç dhe për ta paguhet 5% më shumë siguracion suplementar, që pensioni i pleqërisë së tyre të jetë me dinjitoz dhe më i pranueshëm.

Si paraqiten kushtet e punës për punonjësit e nëntokës?

Kushtet e punës e të sigurisë në punë janë relative. Në biznese serioze dhe që kanë numër të madh punonjësish e organizim sindikal janë të pranueshme. Ndërsa në disa miniera private të vogla apo që janë të shpërndara në zona të thella rurale situata është mjaft shqetë- suese. Pikërisht këtu janë edhe aksidentet e shumta

A janë të kënaqshme pagat e punonjësve të këtij sektori?

Pagat në vendin tonë janë më të ulëtat në rajon, ku për 6 vite paga minimale është rritur vetëm një herë me 10%. Pavarësisht detyrimit ligjor që çdo vit duhet rritur me ligj dhe duhet indeksuar në përputhje me rritjen ekonomike dhe normën e inflacionit. Ne jemi vendi i vetëm ku rritja ekonomike nuk përkthehet në rritje punësimi. Informaliteti tashmë e ka prishur ekuilibrin e mesa duket, qeveria po dështon në luftën ndaj informalitetit. Akoma po punohet me bilance të rreme dhe kemi një evazion fiskal të frikshëm. Nga studimet e KSSH-së, konkludojmë se 32 deri 40% e ekonomisë është akoma informale sipas rajoneve. Informalieti më i madh është në sektorin e bujqësisë, agro-përpunimit, turizmit e tregtisë.

Pse nuk është miratuar ende statusi i minatorit?

Në lidhje me statusin e minatorit, KSSH po punon prej 4 vitesh. Tashmë drafti përfundimtar është miratuar nga komisioni i posaçëm dhe është në sirtarët e qeverisë. Ne prisnim që të miratohej në parlament në prag të 1 majit, por diçka e tillë nuk ndodhi. Tashmë ne jemi të përgatitur dhe do të ushtrojmë gjithë presionin e duhur pozitiv që edhe kjo veprimtari e jona të përfundojë me sukses, ashtu si dhe statusi i naftëtarëve i cili pavarësisht miratimit, akoma vazhdojnë burokracitë shtetërore në zbatim të tij.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.