Intervista

Alarmi, 540 hidrocentrale të reja buzë lumenjve e përrenjve

14:20 - 07.05.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Numri i projekteve të hidrocentraleve që do të ndërtohen buzë lumenjve apo përrenjve, ka arritur në 540 në vendin tonë, ndërkohë që ekspertët ngrenë alarmin për ndikimin negativ të HEC-eve në mjedis. Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, drejtori ekzekutiv i organizatës mjedisore Eco Albania, Olsi Nika tregon se qeveritë ndër vite kanë koncesionarizuar lumenjtë pa ndërtuar e konsultuar më parë një strategji të qartë e një koncept të zgjuar të balancuar të përftimit të energjisë. Më tej Nika thekson se në pjesën dërrmuese të rasteve koncesionet për HEC-et u janë dhënë kompanive që kanë pothuajse zero përvojë në ndërtimin e veprave të tilla.




Sa është numri i projekteve të hidrocentraleve që do të ndërtohen buzë lumenjve?
E propozuar si e tillë kjo skemë “pa skemë” u shndërrua shumë shpejt në një “cunam” shkatërrimtar ndaj natyrës ku padyshim si katalizatorë kanë shërbyer edhe faktorë të tjerë që lidhen me demokracinë e brishtë, mungesën e monitorimit nga autoritetet publike, pse jo edhe korrupsionin në proceset e tenderimit dhe te koncesionarizimit ku roli i shtetit dhe qeverisjes nuk ka qenë në lartësinë që kërkon koha dhe ligji. Projektet e planifikuara të HEC-kanë arritur në 540 të tillë, po t’i referohesh shifrave zyrtare të AKBN. Ashtu si djathtët edhe të majtët kanë koncesionarizuar lumenjtë pa ndërtuar e konsultuar më parë një strategji të qartë e një koncept të zgjuar të balancuar të përftimit të energjisë.
A janë këto investime të leverdishme apo miqësore me mjedisin dhe a ka të bëjë gjithë kjo lëvizje me energjinë?
Këtu ka vend për pak diskutim e për më shumë dyshim. Aq më tepër ku në pjesën dërrmuese të rasteve koncesionet për HEC-et u janë dhënë kompanive që kanë pothuajse 0 përvojë në ndërtimin e veprave të tilla.
Cili është ndikimi që do të ketë ndërtimi i këtyre HEC-eve?
Sa i përket ndikimit të këtyre HEC-eve nuk mund të flitet në mënyrë përgjithësuese, por sidoqoftë një shifër prej 540 HEC-esh (ndoshta edhe më tepër në vitet e ardhshme), në një rrjet hidrografik prej rreth 3.000 km padyshim që është një ngarkesë e papërballueshme. Megjithatë nga përvoja jonë e deritanishme si EcoAlbania, nuk është vetëm problemi i sasisë shumë të madhe të projekteve të HEC-eve, por edhe vendosja e tyre pa i marrë parasysh të gjitha konsekuencat e sidomos mënyra e ndërhyrjeve si pjesë e procesit të zbatimit të këtyre projekteve. Mjafton të përmendim se vë Shqipëri rreth 39% e të gjithë HEC-eve janë planifikuar/ndërtuar apo janë në ndërtim në rrjetin e Zonave të Mbrojtura. Në këtë optikë ndikimi i HEC-eve në integritetin e këtyre zonave më ekuilibra mjaft të brishtë do të jetë në shumë raste i pakthyeshëm. Nga ana tjetër, pjesa më e madhe e këtyre HEC-eve janë shumë të vegjël dhe, nëse do të ndërtoheshin kontributi i tyre në buxhetin e energjisë do të ishte jo më shumë se 10-15%, ndërkohë që gjurma e tyre ekologjike është aq e madhe sa nuk e justifikon sakrificën e natyrës për pak MË energji. Sa i përket ndikimit të ekonomi, gjithashtu, kontributi është mjaft i vogël si nga prodhimi i energjisë ashtu edhe nga punësimi ndërkohë që orientimi drejt turizmit natyror do të ishte disa herë më i leverdishëm për politikat e zhvillimit dhe në respekt të natyrës.


A është në dijeni Ministria e Mjedisit, nëse e dispononi këtë informacion?
Ministria e Turizmit dhe Mjedisit jo vetëm është në dijeni, por është një ndër hallkat e procesit të miratimit të këtyre projekteve. Ministria dhe nënstrukturat e saj si Agjencia Kombëtare e Mjedisit apo Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura janë autoritetet që certifikojnë dhe praktikisht japin dritën jeshile për këto projekte si për të gjitha projektet e zhvillimit përmes lejeve mjedisore të cilat lëshohen pas miratimit të Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis. Si çdo hallkë tjetër edhe këto autoritete nuk kanë qenë dhe nuk janë në lartësinë që kërkon përmbushja e detyrimeve të tyre ligjore në shumë raste. Kritikë për performancën e tyre nuk janë vetëm organizatat e shoqërisë civile në Shqipëri, por edhe institucionet e BE-së ku në aderojmë e kanë ngritur disa herë shqetësimin për cilësinë e VNM-ve.
Cilat janë kompanitë që do të procedojnë për vazhdimin e punës buzë lumenjve?
Edhe pse ka pasur disa raste sporadike për pezullimin e lejeve apo koncesioneve nga ana e qeverisë, përsëri këto mbeten aq të shkëputura dhe shumë larg qëllimit për përmirësimin e situatës aq sa të lënë përshtypjen se në fakt janë “goditje” të njërës palë kundrejt tjetrës duke shfrytëzuar pushtetin. Në fakt, ende sot nuk ka një hap konkret për ndërmarrjen e një periudhe refraktare pezullimi sa i përket HEC-eve në mënyrë që të analizohet me shumë kujdes dhe në mënyrë të gjithanshme e gjithë situata edhe pse kjo i është kërkuar qeverisë aktuale shumë raste dhe nga shumë aktorë e palë interesi. Në këtë frymë duket se të gjithë ato kompani që kanë siguruar një kontratë koncesioni për ndërtimin e HEC-eve do të vazhdojë të kontribuojë shumë pak në prodhimin e energjisë dhe shumë më shumë në përforcimin e valës shkatërrimtare të lumenjve, të cilët në fakt janë rrugët e jetës për vlerat e jashtëzakonshme të biodiversitetit që bartin.
A mund t’i jepet një zgjidhje situatës?
Megjithatë edhe pse e zymtë tabloja nuk duket fare e pashpresë po të mendosh që jo më shumë se 2% e planeve për ndërtimin e HEC-eve janë bërë realitet. Kjo do të thotë ne jemi ende ne kohë për të pezulluar, marrë kohën e duhur për të analizuar nëse ja vlen të shkatërrojmë çdo lumë për hir të energjisë. Integrimi drejt BE-së është më afër se kurrë dhe është një proces i pakthyeshëm. Në kuadër të këtij procesi monitorimi i BE-së ndoshta do të ishte një ekuilibrues që jep shpresë mes politikave të zhvillimit kaotik dhe zhvillimit të qëndrueshëm.
A është e vërtetë që ekspertët e fushës kanë nisur firmosjen e një peticioni, për bankat, ndaj të cilave kërkohet mosdhënia e kredive për ndërtimin e hidrocentraleve?
Bankat janë një ndër faktorët thelbësorë të kësaj situate në Ballkan. Së bashku me lobin e ndërtimit dhe atë të hidroenergjisë ato krijojnë një trekëndësh mjaft të fortë të konsoliduar në 100-150 vitet e fundit. Është pikërisht ky trekëndësh i bashkuar nga interesa për qëllime fitimi, i cili absolutisht mund të sfidojë edhe demokracitë më të forta në botë. Për këtë arsye në kuadër të fushatës “Të shpëtojmë zemrën blu të Europës” dhe me ndihmën e gjigandit amerikan të prodhimit të veshjeve sportive “Outdoor”, Patagonia, është anonçuar prej rreth një muaji një peticion i cili iu drejtohet Bankave të Zhvillimit të mos financojnë projektet që shkatërrojnë natyrën, siç është rasti i hidrocentraleve. Deri tani janë mbledhur më shumë se 100.000 firma dhe peticioni vazhdon.
EcoAlbania e ka ngritur këtë shqetësim pranë instancave përkatëse?
Në kuadër të fushatës “Të shpëtojmë zemrën blu të Evropës”, EcoAlbania i ka ndjekur pothuajse të gjitha rrugët që të ofrojnë mjetet demokratike sidomos për rastin e lumit Vjosa, i cili është lumi i fundit natyror në Europë. Shqetësimi i është përcjellë disa herë qoftë Ministrisë së Mjedisit, qoftë asaj të Energjisë, por edhe drejtpërdrejt kryeministrit të Shqipërisë, përmes ankesave shkresore, letrave, peticioneve, protestave publike etj. Sigurisht që nuk është konsideruar asnjë zgjidhje për situatën, përkundrazi mospërgjigjja ka qenë e vetmja përgjigje. Përveç kësaj EcoAlbania së bashku me komunitetet e prekura nga ndërtimi i HEC-it të Poçemit kanë nisur një betejë ligjore të cilën e kemi fituar në shkallën e parë në Tiranë. Beteja ligjore është shtrirë edhe në Konventat ku Shqipëria është pjesë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.