KULTURË

Irma Libohova: Nostalgji e kujtime nga”Pragu im i vegjëlisë”, çfarë më thoshte Agim Krajka

13:25 - 16.05.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli – Kam kujtime e nostalgji me të. E gjithë performanca ime do të jetë nostalgji dhe uroj që me orkestrimet e reja që janë bërë, t’i sjell bukur. Ky koncert edhe për mua ishte një gjë e mirë. Mua më shtoi diçka, më dha diçka, më mbushi. Kishte disa këngë të miat, që unë ndihesha sikur u ka ikur koha, por me orkestrimet që janë bërë, tani kanë ndryshuar, kanë riardhur në kohë dhe jam shumë e gëzuar, përveç asaj që mbaj në zemër, nostalgjisë”. Irma Libohova zhytet në kujtimet e kohëve kur emri i saj thirrej në festivale.




Ishte ende e re, me pak kohë në skenë, emocionohej e mbase edhe dridhej. Sot ka këngë të sajat që i kanë kaluar 30 vite, si ajo “Pragu i vegjëlisë”, që pothuaj e ka humbur lidhjen me autoren. Kur kanë kaluar tri dekada, një mbrëmje shënon rikthim në të shkuarën përmes vargjesh e tingujsh të paharrueshëm.


Sonte në mbrëmje në Pallatin e Kongreseve vijnë së bashku në skenë katër këngëtare me repertorin e tyre të zgjedhur dhe me kolazhe të tingujve më të mirë të muzikës shqiptare. “Divat” nis në orën 20:00, por do të jetë një natë e gjatë që premton surpriza, mes nostalgjisë, kujtimeve, e një koreografi që shoqëron koncertin nga fillimi në fund. Irma Libohova, Rovena Dilo, Eneda Tarifa dhe Besa Kokëdhima do të interpretojnë pothuaj 30 këngë – më të mirat e tyre ndër vite.

Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, Irma Libohova rrëfen kujtimet e saj me disa prej këngëve dhe zbulon detaje të natës së sotme.

-Sonte është nata e “Divave”. Ti këndon disa këngë në këtë koncert, ku vjen me tri kolege: Rovenën, Enedën dhe Besën. Keni natyra të ndryshme, muzikë të ndryshme. Si ka qenë bashkëpunimi mes jush?

Unë besoj se muzika nuk ka kufi dhe nuk ka moshë. Muzika është e bukur dhe kur është e bukur, e këndojnë të gjithë brezat. Megjithatë, ne këtu kemi një fashë moshe. Kemi zgjedhur këngët më të bukura dhe besoj që do të rrinë mirë edhe ata të brezit tim me këngët e gocave dhe do të rrinë mirë edhe brezi i ri me këngët e mia. Ky është perceptimi im, sepse ne i kemi risjellë bukur, duke qenë se janë bërë orkestrime të reja dhe do të përpiqemi të afrohemi me gjërat e reja që ka sjellë ky shekull për sa i përket muzikës, luleve, trilave, interpretimit. Me gocat është bërë një punë fantastike. Koncerti është sonte dhe nuk ka më kohë për të gjykuar se çfarë kemi bërë deri tani. Jemi pak orë para koncertit, pak orë para daljes në skenë.

Vajzat kanë zëra potentë, kanë këngë të bukura që mua më pëlqejnë pa fund, si të Enedës, të Besës dhe Rovenës. Ne të katërta do të këndojmë edhe bashkë, edhe veç. Nuk jemi vënë një rregull që Irma këndon këtë varg e Eneda atë varg. Sigurisht kemi organizim, por kur na e thotë shpirti do të këndojmë të katërta bashkë për të qenë pjesë e ‘show’-t.


-Ka këngë për të cilat një pjesë e publikut ka nostalgji, ka mall, ka kujtime. E nisim që nga “Pragu i vegjëlisë”. Ty vetë, çfarë të sjellin në mendje? Çfarë është për ty “Pragu i vegjëlisë”?

Është një këngë që mua më risjell në mendje kohën kur e kam kënduar. Më risjell emocionet e skenës, emocionet e sallës së Operas dhe Baletit, ku në mos gaboj është mbajtur festivali atë vit që kam kënduar këtë këngë. Është një këngë që është bërë virale, këndohet kudo dhe nga kushdo. Më vjen shumë mirë që i ka rezistuar kohës, sepse pothuaj ka humbur fillesa e saj. E kam kënduar edhe unë këtë këngë, edhe pse pakkush e di. E këndova dhe më pas mori tjetër kah.

-Është bërë pothuaj një këngë popullore, në sensin që duket sikur e ka humbur autorin, apo jo?
Po, është një këngë që e ka humbur. Më vjen mirë. Unë kam kujtime e nostalgji me të. E gjithë performanca ime do të jetë nostalgji dhe uroj që me orkestrimet e reja që janë bërë, t’i sjell bukur. Ky koncert edhe për mua ishte një gjë e mirë. Mua më shtoi diçka, më dha diçka, më mbushi. Kishte disa këngë të miat, që unë ndihesha sikur u ka ikur koha, por me orkestrimet që janë bërë tani kanë ndryshuar, kanë riardhur në kohë dhe jam shumë e gëzuar, përveç asaj që mbaj në zemër, nostalgjisë.

-Sa vite kanë kaluar nga hera e parë që ke kënduar “Pragun e vegjëlisë”? 30 vite?
Po besoj, ndoshta edhe më shumë. Nuk e kujtoj dot. Unë e kam pasur me një formacion të vogël, Myfaretja e ka pasur me një formacion më të madh. Prandaj unë nuk jam shumë e dëgjuar, nuk jam shumë… Më erdhi dita që ta këndoj unë me formacionin që kam ëndërruar, e që atëherë nuk ma dhanë; e këndoi Myfaretja sepse sa kishte dalë edhe Myfaretja dhe ishte edhe në modë dhe e ka kënduar shumë bukur në fakt. E ka kënduar më pas edhe Sandër Gjoka, e tani, a mund ta këndoj pak edhe unë se e kam kënduar edhe unë dikur (qesh).

-Këngët e tua të para kanë edhe histori të kohës kur u bënë, si u bënë, bashkë me pengjet që mbeten prej tyre, si çështja e formacionit të vogël që t’u dha. Ka qenë pra e vështirë të dalësh në skenë, ashtu siç do, atë që të takonte?

Unë kam dashur shumë që ta këndoja me formacion të madh “Pragun e vegjëlisë”, meqë po më pyet për këtë çështje. Ishte sistemi i tillë atëherë që këndohej një me formacion të madh e një me të vogël. Për mendimin tim, nuk më tingëlloi dhe disi sikur më humbi. Ja ku erdha prapë, fati im dhe do e bëj si kam dashur. Sigurisht që çdo këngë ka një histori më vete, si kënga “Më dhe dritë nga syri yt” që do ta këndoj.


-Cila është historia e saj?

Me këngën “Më dhe dritë nga syri yt” unë isha ende vetëm. Kisha kënduar “Ore, ore, Lule bore” dhe pastaj ishte kënga “Më dhe dritë nga syri yt” dhe pastaj nisëm të dalim bashkë unë dhe Eranda. Unë pata një dublant, Luan Zhegun dhe për shembull Agim Krajka më thoshte “Si i bën këto kalimet kështu, kaq të çuditshme”. Atëherë nuk kuptoja gjë, sot i kuptoj. Më kujtohen tani ato vrapimet që bënim te shtëpia e Krajkës, që bënim provat atje.
-Krajka ka qenë kompozitor i rreptë, apo jo, i ashpër në punë?

Unë nuk besoj që ka artist që në themel të shpirtit të vet të ketë rreptësinë. Artisti, në kuptimin e mirë të fjalës mund të jetë çakmak nga trutë – mirëpo i rreptë e me kërkesa profesionale, jo, nuk është Krajka ashtu.

-Një prej këngëve që këndoni sonte është “Kush ka goca- botën ka”. Duket, sikur e ka thyer disi atë paragjykimin shqiptar për vajzat, paragjykimin e një shoqërie që do të lindin vetëm djem, apo jo?

Unë këtë qëllim kam pasur. Me gjithë respektin që kam për djemtë, sepse nuk bëjmë dot pa ta, ka pasur shumë këngë ku këndohej vetëm për djemtë, gëzohej ku lindnin djem, shtihej pushkë kur lindnin djem, bëhej dasmë ku lindnin djemtë – të gjitha atributet i kanë vetëm djemtë. Unë e kuptoj që ne nuk bëjmë dot pa ta, por as ata nuk bëjnë dot pa ne. Ky maskilizmi mua nuk më rri shumë për shtat. Ndaj kam bërë një kondrapunt.

-Keni kohë që i keni nisur provat për koncertin “Divat”, por sonte në darkë, a ka vend ende për surpriza? Pse duhet të vijmë t’ju shohim sonte?
Të vini për faktin se jemi katër femra në skenë për shembull? Femra është gjithnjë e bukur në skenë. Edhe sikur të dalë në skenë e të mos bëjë asgjë, meriton të shihet, edhe sikur të dalë aty të bëjë një ecje si në pasarelë me një veshje të bukur; e jo më kur janë katër këngëtare që dalin në skenë e këndojnë këngët e tyre më të mira. Ne jemi katër veta, gocat kanë zëra potentë dhe unë nuk mund të parashikoj çfarë mund të bëjmë ne atje jashtë skenarit. Këtë nuk e di se ç’do bëjmë. E di që ne na rrëmben ajo magjia e sallës e skenës.

-Pra, ti mund të marrësh mikrofonin dhe të hysh nëpër sallën e të këndosh “a capella”?
Unë mund të bëj çfarë të më dojë qejfi mua. Kuptoj, brenda një logjike të skenarit dhe besoj se këtë do të bëjnë edhe shoqet e mia. Por kjo është ajo pjesë që ne nuk e parashikojmë. Pastaj sa për rregullat e skenës dhe etikën, ne i dimë shumë mirë. Por, këto gjërat që mund të ndodhin, të paparashikuara, na rri në ajër të katërtave. Të gjitha jemi njëra më e “marrë” se tjetra.

-Ka gjasa të këndoni edhe me publikun, siç ndodh në koncerte të mëdha si ky?
Po, patjetër. Kemi pjesë që do përfshijmë publikun, i cili shpresojmë të jetë i nxehtë e të na përkrahë, sepse ata na japin forcë ne. Pa shuplakat e sallës nuk ia dalim dot.

-A ka një veshje të veçantë të këngëtareve?
Të them të drejtën, me njëra-tjetrën nuk jemi parë as nuk jemi marrë vesh. Ne aty do të dalim secila me stilin e vet, unë brenda llojit tim, e secila sipas të vetit. Ju siguroj që do të ketë edhe këmbë përjashta, por jo shumë, mos kini frikë. Me masë çdo gjë. Unë jam e mbuluar kokë e këmbë për çdo rast. Unë i kam kushtuar shumë, shumë, shumë rëndësi çdo gjëje – këngëve që kam vetëm, këngëve që kam me gocat po ashtu.

-A do të keni edhe të afërm në sallë?
Do të kemi patjetër.

-Do të vijë Ataoli?
Djali im e ka marrë ftesën dhe e vendos vetë ai, se nuk dua ta ngarkoj me emocione.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.