Gjatë tremujorit të parë janar-mars 2018 ka pasur një rritje të tregut të pensioneve private vullnetare në vlerën 10.06%. Këto statistika janë zbardhur ditën e djeshme nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare gjatë konferencës kombëtare për edukimin financiar. Tendenca e kësaj rritje modeste, por të qëndrueshme ka vite që është e tillë ndërkohë që ky treg cilësohet si një ndër ata me potencial për t’u zgjeruar.
Të dhënat tregojnë se në total asetet arritën në vlerën 14.48 milionë euro e numri i anëtarëve të regjistruar në tre fondet që ushtojnë aktivitetin në tregun shqiptar ishte 21,950 anëtarë duke shënuar rritje prej 4.79% krahasuar me 31.12.2017. Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare vlerëson se pavarësisht ecurisë pozitive në tregun e pensioneve private, rritja është modeste ndërkohë që Shqipëria nuk mund të krahasohet me vendet e rajonit të paktën nga vlera e aseteve edhe pse për të bërë këtë krahasim duhet të kemi parasysh edhe një seri elementësh shtesë si numri i popullsisë, ekonomia dhe incentivat fiskale dhe jetëgjatësia e skemave.
Në aktivitet u prezantuan punime të studentëve dhe profesionistëve rreth çështjeve që lidhen me tregjet nën mbikëqyrjen e AMF. Në fjalën e tij, kryetari i Bordit Drejtues, Pajtim Melani, tha se edukimi financiar është investimi më i sigurt për një rritje ekonomike afatgjatë. Ai iu bëri thirrjeve kompanive të sistemit financiar të investojnë më shumë te promovimi i edukimit. Ndërkohë drejtori i përgjithshëm ekzekutiv, Ervin Koçi, nënvizoi edhe njëherë se edukimi financiar është një nga prioritetet e punës së Autoritetit. Njohja më e mirë e tregjeve financiare është parakusht për zhvillimin, por edhe për stabilitetin e tyre.