Show-Bizz

Deniza Miftari: Ëndrra ime, të punoj në Kombet e Bashkuara

15:00 - 07.11.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Pamela Aliaj – Të gjithëve mund t’u duket e pamundur për ta besuar, por edhe për t’u realizuar, por ja që vajza 23-vjeçare nga Gjilani ia doli që të kthejë ëndrrën në realitet. Vetëm para një jave në të gjithë mediat shqiptare u përhap lajmi se një vajzë shqiptare fitoi zgjedhjet lokale në Belgjikë duke u bërë asambleiste e zgjedhur e komunës së Roseslares, e vetmja kandidate e huaj. Në një intervistë ekskluzive për “Vip Pages” të “Gazeta Shqiptare”, Deniza Miftari na ka rrëfyer historinë e jetës së saj. Mesa duket, fitorja e zgjedhjeve në Belgjikë është vetëm fillimi, sepse ajo ëndërron të punojë në Kombet e Bashkuara një ditë. Më tej, ajo ka folur për përfshirjen e saj në politikë, motivet dhe forcën brenda vetes për të punuar dhe ngritur lart emrin e Shqipërisë dhe Kosovës. Deniza është studente dhe në qershor të 2019-ës diplomohet për shkenca sociale në Fakultetin VIVES në Kortrijk, Belgjikë, ku gjithashtu është kryetare e këshillit studentor prej 16 500 studentësh dhe anëtare e këshillit akademik dhe bordit të drejtorëve. Në qytetin e Roeselares, ajo është e angazhuar në shumë aktivitete vullnetare në mbështetje të fëmijëve që vijnë nga familjet jofunksionale dhe aktiviteteve tjera, duke ndihmuar komunitete të ndryshme në nevojë. Frymëzimi dhe idhulli i saj më i madh është babai i saj, i cili u nda nga jeta para disa muajsh.




“Ëndrra jonë e përbashkët ishte politika dhe parlamenti dhe kështu hapi i parë u hodh”, ka thënë Deniza.

Për më tepër në intervistën e mëposhtme.

Tashmë me fitoren e zgjedhjeve, ju fituat postin si asambleiste në zgjedhjet lokale të komunës së Roseslares në Belgjikë. Si nisi rrugëtimi juaj në politikë?
Filloi që kur isha e vogël dhe pashë një konferencë të Severn Suzukit kur ishte 12-vjeçare. Ajo dha një fjalim në Rio de Janeiro në vitin 1992 rreth ngrohjes globale. Doja të bëhesha si ajo dhe u bëra pjesë e këshillit studentore në shkollën time të mesme. Këtë e vazhdova edhe në fakultet, ku u zgjodha kryetare e 16 500 studentëve. Për mua, gjithmonë ishte me rëndësi që zëri i rinisë dhe i të ardhmes të dëgjohej. Më pengonte edhe fakti që nuk kishte përfaqësim të mjaftueshëm të grupeve të ndryshme në shoqërinë tonë. Prandaj e mora detyrën përsipër që të aktivizohem unë si femër e re, me prejardhje të huaj.

Kush ju nxiti të ndërmerrnit këtë rrugë?
Babi. Ai ishte i pari për mbështetje në çdo hap që mora në jetë.

Jeni vetëm 23 vjeçe dhe me një arritje jo të vogël për moshën tuaj. Ku e shihni veten pas disa vitesh? Për ku aspironi?
Aspiroj të punoj në parlamentin Flaman dhe një ditë të punësohem në Kombet e Bashkuara. Nëse politika nuk më shkon sipas planit, dëshiroj të bëhem profesoreshë e shkencave sociale.

Përse pikërisht zgjodhët të ishit ambientaliste në mbrojtjen e të drejtave në këtë fushë?
Jam një person që e vlerëson shumë drejtësinë dhe barazinë. Stili i jetës sonë është i pashëndetshëm për ambientin. Tani edhe po flitet për “the sixth mass extinction”.

A jeni ndjerë ndonjëherë e diskriminuar në Belgjikë për faktin se jeni refugjate?
Jo, nuk jam ndjerë kurrë e diskriminuar, sepse pata fatin të mos dallohem nga shoqëria belge. Por e kam vërejtur që shumë të tjerë kanë pasur të bëjnë me diskriminim. Për këtë arsye dua t’u tregoj të gjithëve se edhe unë jam e huaj si të gjithë të huajt, por vetëm sepse më kanë trajtuar ndryshe, më dhanë disa mundësi të cilat të tjerët nuk i morën kurrë. Për këtë arsye edhe insistoj që të më portretizojnë si kosovare dhe jo si belge.

Jeni lindur në Gjilan, por jeni larguar që në moshën 3- vjeçare. A mendoni të riktheheni në vendlindje e të kontribuoni në anën politike të saj?
Nuk mendoj të kthehem për momentin, por jam e gatshme të bëj bashkëpunime me rininë dhe organizata shqiptare. Kosova dhe Shqipëria shumë shpesh portretizohen në mënyrë negative dhe unë dua t’i theksoj gjërat pozitive në Kosovë, duke investuar në projekte pozitive.

Cilat janë pasionet e Denizës jashtë politikës?
Shkrimin dhe leximin e kam pasion, sepse është pjesë e imja. Më pëlqen muzika, teatri dhe arti. Në kohën e lirë kam dëshirë të shëtis në natyrë apo në një vend të qetë.

Edhe pse jetoni prej 20 vitesh në Belgjikë, ju nuk e keni harruar prejardhjen dhe gjuhën tuaj. Cili është zakoni që ruani me më fanatizëm në shtëpi?
Muzika dhe ushqimi shqiptar. Për familjen tonë ka qenë e rëndësishme që në shtëpi të jemi shqiptarë dhe jashtë shtëpisë të mos dallojmë nga banorët belg. Mund të them që gjuha është pika e dobët në shtëpinë tonë, sepse që kur ishim të vegjël, prindërit insistonin që të flisnim shqip ngaqë kishin frikë se mos ne e harronim gjuhën. Përmes leximit të librave shqip dhe shkrimit e letrave për familjen në Kosovë arritëm që të mos e harrojmë gjuhën e nënës.

Cili është personi që ju frymëzoi të ndërmerrnit hapa të tilla në politikë?
Babi ishte idhulli dhe fansi im më i madh, i cili më përkrahi në çdo ide që pata. Sado e çmendur që ishte ideja, ai më përkrahu. Ëndrra jonë e përbashkët ishte politika dhe parlamenti dhe kështu hapi i parë u hodh.

Së fundmi, nëse do të ishit pjesë e politikës së vendit tuaj, çfarë do të dëshironit të ndryshonit?
Do organizoja një konferencë me të rinjtë dhe do i pyesja se çfarë frike, çfarë ëndrre kanë dhe si mund t’i ndihmoja unë si politikane. Do i dëgjoja më shumë dhe do investoja më shumë për gjeneratat e reja, sepse ato janë e ardhmja jonë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.