Intervista

Hapet faza e dytë e aplikimit për studime në Itali

11:55 - 29.06.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Dje është çelur faza e dytë e aplikimeve për të gjithë të interesuarit që dëshirojnë të ndjekin një program studimi Bachelor, Master apo Doktoraturë në Itali. Në një intervistë për ‘Gazeta Shqiptare’, drejtuesja e patronatit INAS Albania, Beskida Aliaj tregon të gjitha hapat që duhet të ndjekin aplikantët për t’u shpallur fitues si dhe dokumentacionin e plotë që duhet të paraqesin.




Studentët duhet të dinë se kërkohet një llogari rrjedhëse personale e hapur në një bankë italiane e pranishme në Shqipëri, që vërteton zotërimin nga ana e aplikantit, të një shume minimale prej 5890 euro/vit. Gjithashtu, kandidatëve iu kërkohet edhe një deklaratë për vendbanimin në Itali, sigurimi shëndetësor si dhe certifikimi i njohjes së gjuhës italiane të një niveli jo më të ulët se B2.

Cilat janë hapat që duhet të ndjekin studentët në fazën e dytë të aplikimit për të studiuar në Itali?
Studentët që i përkasin juridiksionit të Zyrës Konsullore të ambasadës italiane në Tiranë dhe kanë aplikuar për regjistrim universitar në Zyrën Konsullore mund të aplikojnë për një vizë studimi “në regjistrimin universitar” duke lënë takim me Zyrën e Vizave, nëpërmjet prenoto Online, duke filluar nga data 1 gusht 2018.

A ndryshon procedura për ata që aplikojnë për degët me numër të mbyllur?
Studentët që dëshirojnë të regjistrohen “Në degët me numër të mbyllur” mund të paraqesin kërkesën për vizë vetëm në momentin që e kanë kaluar testin e pranimit. Për ta marrë këtë provim, studentët me shtetësi shqiptare do të mund të shkojnë në Itali pa vizë. Studentët duhet të prezantojnë në momentin që bëjnë kërkesën për vizë një vërtetim të lëshuar nga vetë universiteti i përzgjedhur që tashmë janë pranuar nga universiteti.

Cili është dokumentacioni që duhet të paraqesin kandidatët?
Kandidatët duhet të paraqesin formularin për kërkesën e vizës, të plotësuar saktë në çdo faqe të tij dhe të firmoset në sportel. Gjithashtu, kërkohet: një pasaportë e vlefshme me afat skadence të paktën tre muaj nga afati i skadencës së vizës së kërkuar; një kopje e faqes së pasaportës me të dhënat personale; 2 fotografi me ngjyra për dokument të kohëve të fundit si dhe një certifikatë lindjeje (modeli shumëgjuhësh) e apostiluar, nëse tashmë nuk është dorëzuar gjatë fazës së para-regjistrimit. Të interesuarit duhet të paraqesin edhe një deklaratë vlefshmërie të titujve të studimit të marra, të përshtatshme për regjistrim në universitetet italiane (nëse nuk janë dorëzuar tashmë në fazën e para-regjistrimit) si dhe një deklaratë mbi të dhënat personale, e plotësuar saktë dhe e firmosur nga student.

A është e nevojshme të dorëzohet një vërtetim mbi vendbanimin në Itali?
Kërkohet një deklaratë për vendbanimin në Itali e në rast qëndrimi pranë një personi privat kërkohet një deklaratë strehimi; fotokopje e një dokumenti identiteti me firmë nga pritësi. Ndërsa në rast qëndrimi pranë enteve apo institucioneve fetare duhet një deklaratë strehimi nga enti mikpritës me fotokopje të dokumentit të identitetit me firmë të ftuesit. Sakaq, në rast qëndrimi në hotel ose pension duhet një prenotim hoteli për qëndrim jo më të shkurtër se një muaj.

Si mund ta bëjnë studentët sigurimin shëndetësor?
Sigurimi shëndetësor mund të bëhet pranë shoqërive të sigurimit si shqiptare ashtu dhe italiane, për periudhën e vitit akademik 2018-2019. Në rast të sigurimit shqiptar, nuk duhet të përmbajë në asnjë rast kufizime ose përjashtime të asnjë lloji (as për sëmundjet e mbuluara nga siguracioni as për sa i përket tarifave të përcaktuara për një shtrim spitalor urgjent) i vlefshëm për gjithë kohëzgjatjen e saj.

Sa lekë duhet të kenë kandidatët në llogarinë e tyre bankare në mënyrë që mos hasin problem gjatë aplikimit?
Kërkohet një llogari rrjedhëse personale e hapur në një bankë italiane e pranishme në Shqipëri, që vërteton zotërimin nga ana e studentit, të burimeve financiare të vendosura nga rregullorja MIUR (me një shumë minimale prej 5890 euro/vit), që i referohet drejtpërdrejt studentit. Për demonstrimin e kësaj kërkese nuk është e përshtatshme shfaqja e parave kesh ose garancive ekonomike të ofruara nga personat që nuk i përkasin bërthamës familjare, ose nëpërmjet një garancie bankare. Kërkohet ndër të tjera edhe dokumentacion tjetër, i apostiluar dhe i përkthyer në gjuhën italiane, që vërteton gjendjen ekonomike të përgjithshme të familjes (vërtetime pune të anëtarëve të familjes, vërtetime mbi pronat, mbi të ardhurat).

Cili nivel i gjuhës italiane duhet të jetë i mbrojtur e i certifikuar nga ana e aplikantëve?
Aplikantëve iu nevojitet certifikimi i njohjes së gjuhës italiane të një niveli jo më të ulët se B2 (i nevojshëm vetëm për kurset në gjuhën italiane). Studentët që duan të regjistrohen në degët që zhvillohen në gjuhë huaj (anglisht), është e nevojshme të paraqesin një certifikatë njohjes së asaj gjuhe. Vlen të theksoj se duhet edhe një deklaratë e lëshuar nga Universiteti i përzgjedhur që vërteton kalimin e (vetëm për degët me numër të mbyllur) si dhe një deklaratë që student përjashtohet nga testet e pranimit në Bachelor ose Master e lëshuar nga universiteti (vetëm për degët me hyrje të lirë).

Po të interesuarit për Master apo doktoraturë në Itali, si duhet të procedojnë?
Për regjistrimin në programet Master universitar dhe doktoraturë, aplikantët paraqesin kërkesën drejtpërdrejt në universitete sipas procedurave dhe afateve të përcaktuara në Rregulloren e secilit universitet. Pas konfirmimit të pranimit, aplikantët kërkojnë vizë hyrjeje për qëllime studimi. Dokumentacioni i kërkuar është i njëjtë por kërkesës prej 5,890 € i shtohet shuma totale e kursit të studimit.

Dokumentacioni

1) Formulari për kërkesën e vizës, i plotësuar saktë
2) Pasaportë e vlefshme
3) Kopje e faqes se pasaportës me të dhënat personale;
4) 2 fotografi me ngjyra për dokument të kohëve të fundit
5) Certifikatë lindjeje;
6) Deklaratë vlefshmërie të titujve të studimit të marra , të përshtatshme për regjistrim në universitetet italiane
7) Deklaratë mbi të dhënat personale;
8) Deklaratë për vendbanimin në Itali:
9) Sigurimi shëndetësor:
10) Mjete ekonomike : llogari rrjedhëse personale e hapur në një bankë italiane e pranishme në Shqipëri;
11) Disponibilitet te shumes se nevojshme për riatdhesim (me avion rreth 200 euro) i provueshem dhe me paraqitjen e biletës se kthimit.
12) Certifikimi i njohjes së gjuhës italiane të një niveli jo më të ulët se B2 (i nevojshëm vetëm për kurset në gjuhën italiane).
13) Deklaratë e lëshuar nga Universiteti i përzgjedhur që vërteton kalimin e (vetëm për degët me numër të mbyllur)
14) Deklaratë që përjashtohet nga testet e pranimit në Bachelor ose Master e lëshuar nga Universiteti (vetëm për degët me hyrje të lirë)
15) Mbrojtje e përshtatshme për nxënësin e mitur


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.