OPINION

Kampionati njëvjeçar i integrimit

07:30 - 01.07.18 Fatos Çoçoli
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Në vend të këtij 28 qershori, sikurse i kishte rekomanduar Komisioni Evropian, Këshilli Evropian (organ i përbërë nga 28 kryetarët e Shteteve Anëtare të BE-së) vendosi që për Shqipërinë dhe Maqedoninë ta shtyjë një vit datën e nisjes së bisedimeve për anëtarësim. Pse? Arsyet janë tërësisht jashtë nesh. Kush rreket t’i gjejë jo te qeveria e krimit, tek narko-shteti e me radhë, e ka kot. Opinionin teknik për përparimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë, të 28 shtetet anëtare të Bashkimit Evropian e morën më 17 prill 2018 nga Komisioni Evropian. Ata nuk e diskutojnë më atë. I besojnë plotësisht. Nuk janë si ne. Por disa shtete nuk na besojnë ne. Ose, më mirë, disa nga politikanët e tyre kryesorë. Cilat? Franca, Holanda, Danimarka. Franca, në personin e Presidentit të saj Emanyel Makron nuk e ka tamam me ne, por me shqetësimin se hapja e negociatave me Shqipërinë e Maqedoninë do të rrisë elektoratin e forcave kundër emigracionit, në prag të zgjedhjeve për Parlamentin Europian. Politikanët e Holandës dhe Danimarkës thjesht nuk besojnë se jemi gati. Kanë një dyshim të fortë ndaj aftësisë sonë për një shtet më ligjor. Është e drejtë kjo? Sigurisht që jo. Në vitin 2012, Malit të Zi, vendimi për hapjen e bisedimeve iu shty vetëm me 6 muaj. Për Serbinë, hapja ishte e menjëhershme. Por kjo ka pak rëndësi tani. Në Bashkimin Evropian ka shumë politikanë të rëndësishëm që nuk na besojnë, janë skeptikë ndaj nesh. Është faji i tyre? Jo. A ka paragjykime pse jemi një vend me shumicë myslimane? Jo, pse vendimi u shty edhe për Maqedoninë, që nuk ka shumicë të popullsisë myslimane. Kurse papërgjegjësitë e politikës sonë nuk kanë fund. Duhet të ndërgjegjësohemi mirë për këtë, pse rrallëherë jemi shqetësuar si na shohin dhe konsiderojnë të huajt. Sidomos ata që na matin nga mëngjesi e deri në darkë, nga Brukseli. Me gjithë mosbesimet, vendi ynë ka bërë hapa të fortë përpara. Shqipëria u vlerësua për nisjen e reformës në drejtësi, ndërsa vende si Serbia e Mali i Zi, që i kanë nisur bisedimet nuk e kanë filluar ende këtë reformë. Prej kohësh, brenda Bashkimit Europian ka një diskutim që sa vjen dhe bëhet edhe më i fortë: BE duhet të vijojë të zgjerohet, apo të mbyllet e të mos hapet më? Ky diskutim është real. Ofensiva e partive dhe politikanëve populistë është rreziku kryesor i mbylljes brenda kufijve të tanishëm të Bashkimit Evropian. Ne duhet t’i ndihmojmë forcat zgjeruese brenda Bashkimit Evropian, si politika e sotme gjermane në qeverisje, ajo austriake, greke e me radhë. Lind pyetja, në këtë situatë, ç’duhet të bëjmë ne për një vit: korrik 2018-qershor 2019? Atë që nuk e kemi bërë, për fat të keq, kurrë deri tani. Të bashkohemi për t’u treguar të gjithë mosbesuesve në qeveritë e vendeve anëtare të BE-së, sidomos tek Holanda dhe Danimarka, por edhe Franca, se e meritonim nisjen e bisedimeve që këtë qershor edhe po na e shtyjnë me pa të drejtë. Kuvendi të dalë me një rezolutë të përbashkët, mundësisht brenda kësaj legjislature (i mbyll dyert në fund të korrikut). Të firmoset rezoluta edhe po të mos votojë opozita. Një plan konkret veprimesh në nivel të çdo institucioni kushtetues dhe ministrish të qeverisë, të përcaktohet për masa të forta në tri drejtimet ku na janë vendosur kushtet-kritere për t’u plotësuar në këto 12 muaj. Në reformën në drejtësi, në luftën kundër korrupsionit dhe në luftën kundër krimit të organizuar. Nëse në reformën në drejtësi kanë nisur të duken rezultatet e para të ndrojtura, nga mungesa e strukturave shtyllë të kësaj reforme si SPAK, etj., si dhe në luftën kundër krimit të organizuar ka disa lëvizje konkrete, me ofensivën shtetërore kundër korrupsionit jemi në vendnumëro. Madje, butaforia qeveritare se gjoja po e lufton nga themelet atë, është veprimi më i dëmshëm, që nuk bind jo vetëm çdo qytetar shqiptar, por as edhe Brukselin. Me portale dhe me ligje në letër nuk luftohet nga rrënjët korrupsioni. Korrupsioni luftohet në sistem, me struktura dhe institucione të pavarura, jo me berihaj qeveritare. Institucione si ILDKPKI, që ka denoncuar shumë fort me dokumentacion profesional jo pak herë, apo KLSH që në 6 vjet e gjysmë, e cila po me dosje të kopsitura mirë ka bërë nga një denoncim çdo javë, duket sikur anashkalohen nga politika e ditës, sidomos nga poterja qeveritare për gjoja masa efektive kundër korrupsionit. Duhet të ndihemi në garë me kohën, si në një kampionat me dyluftime përjashtuese. Duhet të nisim kampionatin kombëtar njëvjeçar i integrimit, ndryshe e kemi pisk punën.





Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.