EKONOMI

Forcimi i lekut “goditi” buxhetin, Ahmetaj: Arkëtuam 3.6 mld lekë më pak

15:18 - 07.07.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ornela Manjani  – Forcimi i lekut dhe rritja e masës së rimbursimeve janë dy arsyet kryesore që ka shkaktuar arkëtimin e më pak të ardhurave në buxhet në 6 muajt e parë të vitit. Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj, theksoi se goditja që i ka dhënë mbiçmimi i lekut buxhetit të shtetit, ka qenë rreth 3.6 miliardë lekë. Ndërsa bëri një panoramë të ecurisë ekonomike të vendit për gjysmën e parë të vitit, Ministri Ahmetaj bëri me dije se pavarësisht rënies së euros të ardhurat nga doganat u regjistruan në 3.3 miliardë lekë më shumë. Ahmetaj foli edhe për lehtësisë fiskale ndaj bizneseve, ku theksoi se në vjeshtë pritet një tjetër paketë në mbështetje të sipërmarrjes. Disa ligje fiskale që lehtësojnë barrën e bizneseve dhe nxitin zhvillimin e tyre pritet të votohen në parlament javën e ardhshme.




Analiza e ministrit
Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj mbajti konferencë për shtyp mbi zhvillimet e fundit ekonomike në vend. Gjatë fjalës së tij, Ahmetaj tha se vijon besimi tek rritja ekonomike. Për tremujorin e parë të 2018-s sipas INSTAT, Prodhimi i Brend-shëm Bruto shënoi një rritje prej 4.45%, ku kontributin kryesor e dha energjia. Ahmetaj u ndal edhe tek efekti që ka pasur përfshirja e biznesit te vogël në skemën e TVSH-së, ku nga te gjitha studimet e ekspertëve për ndryshimin e çmimeve është vënë re se indeksi i çmimeve për njësitë tregtare të marra në studim nuk është ndikuar nga përfshirja e tyre ne skemën e TVSH. Prej datës 1 prill të gjithë bizneset që kanë një xhiro vjetore më të madhe se 2 milionë lekë janë të përfshirë në skemën e TVSH-së. Përpara një prillit pragu për përfshirjen në skemën e TVSH ishte një xhiro vjetore më e madhe se 5 milionë lekë. Gjatë fjalës së tij për para mediave, ministri Ahmetaj u ndal edhe tek eksportet.

Duke iu referuar të dhënave Ahmetaj tha se eksportet u rriten 18.4%. “Këtë kemi parë në muajt e fundit me gjithë lëvizjen në kursin e këmbimit eksportet janë rritur që do të thotë eksportet kanë rritur produktivitetin dhe kemi një rritje 7% të importeve. Edhe pse me gjithë goditjen që kanë marrë nga luhatjet e kursit të këmbimit,” – shtoi ministri Ahmetaj. Një tjetër pikë që preku kreu i Financave është edhe rritja e numrit neto të bizneseve në vend. “Rritja e bizneseve neto, sipas statistikave zyrtare, duke marrë efektin neto, pra sa u krijuan dhe sa u mbyllen, tregon që ka një rritje për periudhën janar- qershor prej 7 mijë biznese të reja”, përfundoi ministri Ahmetaj. Për sa i përket emetimit të Eurobondit, ministri u shpreh se nëse do të vendosim të dalim në treg do të jetë një rezultat pozitiv. Pyetjes së gazetarëve si do të procedohet me taksen e pronës ministri u përgjigj se në 1 janar 2019 ka vetëm një metodologji dhe taksa vazhdon të mblidhet. Gjithashtu, ministri shtoi se janë në një proces zyrtar të skanimit me kontratën e aeroportit dhe shumë shpejt presin që të kenë rezultate me ministrinë e infrastrukturës me një urdhër zyrtar dhe kanë filluar inspektimin e detajuar.


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.