OPINION

MASR nevojitet të rishikojë normat e punës mësimore në arsimin parauniversitar

07:30 - 09.07.18 Zija Lika
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nisur nga dëshira dhe motivi për t’i shërbyer sa më mirë procesit të mësimdhënies/mësimnxënies, arritjes së standardeve të përparuara bashkëkohore në sistemin arsimor parauniversitar të vendit tonë, përmirësimit të akteve përkatëse ligjore e nënligjore me synim funksionimin sa më normal, efiçent e me cilësinë e kërkuar të këtij sistemi, po paraqes disa mendime dhe sugjerime, në funksion të rishikimit të normave të punës mësimore – edukative dhe numrit të nxënësve për klasë në arsimin e mesëm të lartë, të përcaktuara në udhëzimin në fuqi nr. 44, datë 16.10.2014 të MAS.




Në bazë të udhëzimit në fuqi nr. 44, datë 16.10.2014 të MAS, për disa ndryshime në udhëzimin e MASH nr. 21, datë 23.07.2010, “Për normat e punës mësimore–edukative dhe numrin e nxënësve për klasë në institucionet e arsimit parauniversitar”, pika I.2(b), mësuesi i lëndëve Histori- Gjeografi e ka normën punës mësimore javore 20 orë mësimore, ndërsa sipas pikës I.2(c) mësuesi i lëndëve të tjera si: Ekonomi, Qytetari, Filozofi, Sociologji, Psikologji e Teknologji e ka këtë normë të barabartë me 22 orë mësimore.

Mendoj se norma e punës mësimore javore e mësuesit përkatës të këtyre lëndëve, në varësi me analizimin realist, profesional e kompetent të çdo rasti konkret duhet të barazohet me atë të mësuesit të Histori– Gjeografisë (20 orë mësimore), ose të paktën duhet të ulet 1 orë mësimore, duke u bërë 20 ose 21 orë mësimore në javë nga 22, pasi nuk ekzistojnë arsye dhe argumente thelbësorë, që të justifikojnë këtë diferencë aktuale prej 2 orësh më shumë.

Arsyetimi i mundshëm për shembull, se lënda e Ekonomisë zhvillohet vetëm në klasën e 12 të gjimnazit dhe programi mësimor vjetor në këtë rast zgjat 34 javë, nga 36 që zgjat për klasat 11 e 12, qëndron pjesërisht duke e justifikuar maksimalisht deri në 1 orë mësimore  më shumë normën e punës mësimore javore të mësuesit përkatës dhe jo 2 të tilla.

Në mbrojtje të asaj ç’ka themi, po argumentojmë si më poshtë:

  • Norma e punës mësimore vjetore për mësuesin e lëndëve: Histori, Gjeografi në kushtet kur jep mësim vetëm në klasat 10 e 11, (ndërkohë që kjo gjë ndodh shumë rrallë, pasi ai përgjithësisht jep mësim njëkohësisht edhe në klasën e 12) është maksimalisht 720 orë mësimore = 36 x 20.

Nëse mësuesi i lartpërmendur jep mësim vetëm në klasën 12 (kur ka shumë paralele), apo përveç klasave 11, 12 edhe në atë 12, ngarkesa e mësimore vjetore e mësuesit të këtyre lëndëve, varion nga 680 orë deri në më pak se 720, në varësi të numrit të orëve mësimore që jep edhe në klasën e 12, të llogaritura me 34 javë mësimore të kohëzgjatjes së programit mësimor vjetor.

  • Nga ana tjetër, norma e punës mësimore vjetore për mësuesin e lëndës Ekonomi, bazuar në udhëzimin e lartpërmendur në fuqi nr. 44, datë 16.10.2014 të MAS, është 748 orë mësimore = 34 x 22, ose e thënë ndryshe 28-68 orë mësimore më shumë në varësi me rastin konkret, krahasuar me mësuesin e sipërcituar të lëndëve Histori, Gjeografi.
  • Pa dashur të nënvlerësoj rëndësinë e zhvillimit në gjimnaze të lëndës “Edukimi Fizik, Sporte dhe Shëndeti, ku mësuesi përkatës e ka normën e punës mësimore javore 22 orë mësimore, gjykoj se mësuesi i lëndëve Ekonomi, Qytetari, Filozofi, Sociologji, Psikologji e Teknologji, duhet ta ketë sipas rastit konkret 1–2 orë mësimore më pak, normën e punës mësimore javore, nga 22 orë që vazhdon të jetë aktualisht.

Në lidhje me këtë mjafton të përmend faktin se mësuesi i lëndës “Edukimi Fizik, Sporte dhe Shëndeti” zhvillon orën mësimore vetëm me gjysmë klase (veç djemtë nga vajzat sikurse dihet) dhe për rrjedhojë  investon më pak kohë efektive pune përgjatë orës mësimore për realizimin e procedurave përkatëse mësimore në lidhje me trajtimin dhe vlerësimin e nxënësve sipas linjave respektive (i vazhduar, me test/detyrë përmbledhëse dhe portofol), regjistrimin e të dhënave, plotësimin e dokumentacionit përkatës, e të tjera, ndërkohë që nisur nga karakteri më shumë praktik sesa teorik i kësaj lënde, koha dhe angazhimi gati i përditshëm (zakonisht pas orarit zyrtar të punës), që i nevojitet mësuesit për t’u përgatitur në këtë lëndë për zhvillimin normal të procesit mësimor të ditës pasardhëse është relativisht më i vogël nga koha përgatitore, studimore, angazhimi i nevojshëm e të tjera, që i duhet çdonjërit prej mësuesve të lëndëve të lartpërmendura, në funksion të realizimit efektiv e me cilësinë e kërkuar të qëllimit të sipërcituar. Nga ana tjetër, në periudhën e deritanishme (sikurse është bërë më parë e njohur nga media të ndryshme qendrore apo lokale vendëse), një pjesë jo e vogël e institucioneve arsimore parauniversitare në shkallë vendi (përfshirë edhe ato të arsimit të mesëm të lartë), kanë pasur vetëm pjesërisht ose jo, mjediset e nevojshme e të përshtatshme për zhvillimin sipas standardeve dhe cilësisë së kërkuar, të orëve mësimore në lëndën “Edukimi Fizik, Sporte dhe Shëndeti”, veçanërisht përgjatë ditëve mësimore me kushte të pafavorshme klimaterike.

  • Ndodh jo rrallë që mësuesi i emëruar me kohë të plotë pune, me qëllim që të plotësojë normën përkatëse javore të punës mësimore-edukative, ngarkohet të zhvillojë orë  mësimore në lëndë të ndryshme, tek të cilat ai është brenda profilit të kërkuar, ose të përafërt në përputhje me aktet përkatëse ligjore e nënligjore në fuqi të MASR, por nga ana tjetër ato lëndë iu përkasin aktualisht normave të ndryshme të punës mësimore javore, sipas përcaktimeve të bëra në udhëzimin në fuqi nr. 44, datë 16.10.2014 të MAS.

Në këtë rast ky udhëzim apo ndonjë tjetër në fuqi, nuk jep formulën apo rregullin e përcaktimit të saktë të normës së punës mësimorë javore.

Kështu për shembull, në kushtet e përcaktimeve ligjore në fuqi, nëse një mësues në varësi me profilin e tij ngarkohet të zhvillojë orë mësimore të lëndëve: “Histori, Qytetari”, “Matematikë, Teknologji”; “Gjeografi, Sociologji”, “Histori, Gjeografi, Filozofi, Ekonomi” e të tjera kombinime të lejueshme lëndësh, me norma të ndryshme të punës mësimore javore, atëherë kush do të ishte saktësisht  norma e punës mësimore javore për këtë mësues?

Në këtë rast me synimin për të qenë sa më të saktë në përcaktimin e normës së punës javore mësimore– edukative, pasi me këtë tregues lidhet drejtpërsëdrejti menaxhimi efektiv i burimeve njerëzore arsimore, pagesa financiare normale dhe /ose suplementare, mendoj se lind e nevojshme të përllogaritet norma e lartpërmendur e trajtës së ndërmjetme.

Një ndër formulat përkatëse që unë sugjeroj për të llogaritur normën ndërmjetëse javore të punës mësimore–edukative (Nnp), kur mësuesi në përputhje me profilin e kërkuar apo të përafërt, ngarkohet të zhvillojë lëndë që u përkasin dy normave javore të ndryshme pune:N1, N2, ku (N1 < N2), jepet si më poshtë:

 

Nnp  = [n1 + (N1 – n1) x N2/N1] = (n1 + n2) ; nga rrjedh se: (n1/N1 + n2/N2) = 1

 

ku: n1 – numri i orëve mësimore javore, që mësuesi ngarkohet për t’i zhvilluar në lidhje me lëndën/ lëndët, me normën e punës javore Ndhe (N1 – n1) x N2/N1 = n– numri i orëve mësimore javore, që mësuesi ngarkohet për t’i zhvilluar në lidhje me lëndën/ lëndët, me normën e punës javore N2.

Në ngjashmëri me formulën e mësipërme, mund të ndërtohet formula përkatëse në referim të rastit që ndodh më rrallë, kur mësuesi në përputhje me profilin e kërkuar apo të përafërt, ngarkohet të zhvillojë lëndë që u përkasin tri normave javore të ndryshme pune: N1, N2, N3, ku (N1 < N2 < N3). Edhe në këtë rast prej kësaj formule, do të plotësohej relacioni si më sipër: (n1/N1 + n2/N2 + n3/N3) = 1.

Sqarojmë se në të gjitha ato raste kur treguesi “Nnp”, është numër dhjetor, atëherë ai rrumbullakoset i plotë bazuar në rregullin përkatës matematikor, në funksion të shpërndarjes midis mësuesve të normave respektive javore mësimore në prag të fillim vitit përkatës shkollor, ndërsa për efekt të llogaritjes së normës vjetore të planifikuar të punës mësimore– edukative (veçanërisht në rastet e kryerjes së pagesave financiare për realizim orësh suplementare), ky tregues duhet të merret saktësisht aq sa rezulton nga përllogaritjet përkatëse.

Në lidhje me situatat e problematikat e ndryshme, që mund të shoqërojnë përcaktimin e saktë të normave javore të punës mësimore–edukative për mësuesit e ciklit të mesëm të lartë, konstatoj se neni 105 i dispozitave normative, hartuar e miratuar në zbatim të ligjit nr. 69, datë 21.06.2012 “Për sistemin arsimor parauniversitar në RSH”, ndërsa është i zbatueshëm për tri lëndët përkatëse: Gjuhë Shqipe dhe Letërsi, Gjuhë e Huaj e Parë dhe Matematikë (të cilat kanë qenë dhe do vazhdojnë të jenë provim i detyruar i maturës shtetërore për nxënësit e klasës 12), për lëndët e tjera, të cilat zgjidhen nga nxënësit për t’u dhënë provim me zgjedhje në Maturën Shtetërore, pika nr. 2 e këtij neni ku në të cilën citohet se: “Orët e konsultimeve i përkasin ngarkesës vjetore të mësuesit”, nuk mund të zbatohet gjatë gjithë vitit shkollor, për sa i takon përfshirjes së orëve të konsultimeve në këto lëndë, në normën e planifikuar javore të punës mësimore të mësuesit, pasi këto lëndë zgjidhen apo nuk zgjidhen për provim mature shtetërore nga nxënësit, të paktën 6 muaj mbrapa çdo fillim viti shkollor.

  • I motivuar nga dëshira dhe obligimi për të pasur arritje cilësore dhe rezultate komplekse sa më të larta, në fushën e zbatimit të reformës së re arsimore–kurrikulare në gjimnaze (e cila në vitin e ardhshëm shkollor 2018-2019 e vazhdim do të funksionojë në të tre vitet e tij), mendoj se gradualisht në të ardhmen, në varësi edhe të  kapaciteteve buxhetore financiare në dispozicion të  arsimit publik parauniversitar, duhet shikohet me përparësi dhe realizohet mundësia e uljes së numrit  të nxënësve për klasë, krahasuar me kriterin përkatës të përcaktuar në udhëzimin në fuqi nr. 44, datë 16.10.2014 të MAS, pika 4.a, ku në të cilën citohet se: “Klasat në gjimnaze formohen me 30–35 nxënës”. Përvoja e deritanishme e një pjese jo të vogël mësuesish të gjimnazeve të ndryshme (kryesisht të rretheve jugore të vendit), me të cilët kontaktoj dhe/ose mbaj marrëdhënie bashkëpunimi pune, shkëmbimi eksperiencash profesionale e të tjera, si dhe opinionet e ndryshme të dhëna në shumë media të  vendit nga prindër, nxënës gjimnazistë, apo intelektualë të tjerë njohës të problematikave arsimore tregojnë se zbatimi i reformës së re arsimore – kurrikulare në gjimnaze ka rritur ndjeshëm në krahasim me më parë, volumin dhe kohën e punës që duhet të investojë mësuesi dhe nxënësi. Nëse ky konstatim arrihet të provohet në shkallë vendi, atëherë gjykoj se ulja graduale në të ardhmen e numrit të nxënësve për klasë (sikurse themi më  sipër), deri në një nivel optimal të arsyeshëm në përputhje me studimet përkatëse paraprake dhe që  mund të përballohet nga buxheti përkatës financiar shtetëror, do të krijojë më shumë mundësi për arritjen e rezultateve më të mira e cilësore, në  aspektin e mësimdhënies, mësimnxënies dhe treguesve të tjerë të rëndësishëm arsimorë. Nga ana e tjetër, në të ardhmen, mbështetur në përvojat e ngjashme ndërkombëtare e të suksesshme bashkëkohore, studimet përkatëse të institucioneve shkencore vendëse apo të huaja dhe anketimet apo marrjen e mendimeve të mësuesve, nxënësve, prindërve e të tjerë duhet të shikohet mundësia e zvogëlimit ose eliminimit nga programet mësimore (në dobi të nxënësve), të ngarkesave të tepërta e të padobishme mësimore, që mund të konstatohen në lëndë të ndryshme.
  • Nisur nga sa më sipër, duke qenë se problematika e përcaktimit të saktë të normave javore të punës mësimore – edukative, të mësuesve në sistemin arsimor publik parauniversitar (cikli i mesëm i lartë), është tepër e rëndësishme për mirëmenaxhimin e burimeve njerëzore arsimore dhe kapaciteteve përkatëse intelektuale, në mënyrë që çdokush të ngarkohet me punë dhe shpërblehet financiarisht në masën që i takon, gjykoj se këto mendime e sugjerime apo të tjera që mund të ketë, duhet të analizohen me realizëm e kompetencë profesionale, si dhe të merren në konsideratë, në funksion të rishikimit të normave të punës mësimore – edukative dhe numrit të nxënësve për klasë, të përcaktuara në udhëzimin në fuqi nr. 44, datë 16.10.2014 të MAS.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.