Intervista

“Luarasi” diplomon brezin e parë në masterin profesional “Siguria dhe Rendi Publik”

09:30 - 31.07.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Ditën e djeshme, në Kolegjin Universitar “Luarasi” është finalizuar me sukses përfundimi i studimeve të programit master profesional “Siguria dhe Rendi Publik. Të diplomuarit e brezit të parë në këtë fushë u shprehën tejet të kënaqur, pasi “Luarasi” u ofroi mundësinë e artë për të thelluar dijet akademike e për të ndryshuar këndvështrimin e tyre, përsa i përket sigurisë dhe rendit publik. Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, dekania e Fakultetit Juridik pranë këtij institucioni elitar, Rezana Konomi tregon se pas rezultateve të shkëlqyera të brezit të parë, janë optimistë për vijimësinë e programit. Më tej Konomi thekson për të gjithë maturantët se ata duhet të përzgjedhin “Luarasin” për të siguruar kështu një të ardhme brilante. Dekania e Juridikut pohon se ky institucion siguron cilësinë dhe standardet më të larta të certifikuara tashmë, por ofron edhe mundësi shumë të mira punësimi pas studimeve.




Sot (dje) është zhvilluar ceremonia e diplomimit për studentët e masterit profesional në programin “Siguria dhe rendi publik” në “Luarasi”. Ky ishte brezi i parë i të diplomuarve në këtë program studimi?
Sot (dje) pranë Kolegjit Universitar “Luarasi” u finalizua përfundimi i studimeve të programit të ciklit të dytë, master profesional me kohëzgjatje një vit kalendarik “Siguria dhe Rendi publik”. Ky ishte brezi i parë i studentëve dhe natyrisht, vëmendja dhe përkushtimi ka qenë maksimal dhe i dyanshëm, nga stafi akademik, por edhe nga të diplomuarit e këtij programi.

Si e vlerësojnë të sapodiplomuarit Kolegjin Universitar “Luarasi”?
Një vit më parë kur startoi ky master profesional, i pari dhe i vetëm i këtij lloji, megjithëse i kishim paraprirë me një studim të detajuar të tregut, ishim para një sfide se çfarë do të ofronim në këtë program studimi, a do të ishim koherentë me kërkesat e tregut dhe sa efiçent do të ishte vetë programi, pra me çfarë vlere të shtuar do t’i pajiste studentët. Në këtë ditë të shënuar, të diplomimit të brezit të parë patëm kënaqësinë të dëgjonim pohimin e studentëve se ajo çfarë kishin përfituar i ka vlejtur, jo vetëm se kanë thelluar dijet akademike, por ka ndryshuar edhe këndvështrimin e tyre për vetë konceptin e sigurisë dhe rendit publik.

Sa do t’u vijë në ndihmë studentëve një master i tillë? Cili target-grup mund ta ndjekë këtë fushë studimi?
Natyrisht, në ndjekjen e këtij programi kryesisht të interesuar ishin punonjësit aktualë të policisë në të gjitha segmentet. Por target-grupi që mund të ndjekë këtë master është shumë më i gjerë se kaq, madje jo vetëm brenda vendit, por edhe ata që shërbejnë në këto organe në gjithë trojet shqiptare, kjo edhe për faktin se është i vetmi program masteri i këtij lloji. Sot që morëm rezultatet e para të brezit të parë jemi shumë të motivuar dhe mjaft optimistë për vijimësinë dhe benefitet e programit të adresuar nga kërkesat e vetë tregut të punës.

Prej 30 korrikut kanë nisur aplikimet në universitete. Pse maturantët duhet të zgjedhin Kolegjin Universitar “Luarasi”?
Por sot është një ditë e veçantë edhe për maturantët, për të cilët nis procedura e aplikimit të zgjedhjes së degës së studimit, por edhe të universitetit. Maturantët janë para një momenti shumë të rëndësishëm të jetës së tyre, sepse duhet të marrin vendime me peshë e përgjegjësi, sepse nga kjo zgjedhje fillon të shkruhet historia e tyre e së ardhmes. Si prind, si edukator, së pari do t’u uroja shumë suksese dhe do t’u këshilloja të jenë të vëmendshëm dhe të përgjegjshëm duke zgjedhur atë degë studimi që iu pëlqen, ku ata shohin të ardhmen e tyre dhe që dinë të bëjnë më mirë dhe me pasion. Por një rëndësi të veçantë ka dhe ku do të studiojnë. Shpesh gabojmë, sepse nuk vlerësojmë si dhe sa duhet treguesit që e bëjnë një institucion të arsimit të lartë të konsiderohet me standarde dhe cilësi të larta. Do t’u këshilloja maturantëve të informohen për akreditimin e programeve mësimore dhe akreditimin institucional. Këto janë indikacione shumë të rëndësishme dhe për transferimin e krediteve dhe të studimeve brenda vendit, por edhe njohjen e programeve jashtë vendit.

Çfarë ofron ky institucion i arsimit të lartë për studentët?
Iu bëj thirrje maturantëve që ta shohin Kolegjin Universitar “Luarasi” si një zgjedhje të tyren, sepse jo vetëm që sigurojmë cilësinë dhe standardet më të larta të certifikuara tashmë, por edhe një mundësi shumë të mirë punësimi pas studimeve në të tria fakultetet: Drejtësi, Ekonomi, IT dhe inovacion dhe më larmi programesh studime në të dyja ciklet, ku gjithkush mund të gjejë fushat e veta të interesit.
“Luarasi” ka një traditë të shkëlqyer 15-vjeçare në fushën e arsimit të lartë, ka përballuar sfida dhe ndoshta edhe konkurrencë të pandershme dhe ka ditur të qëndrojë në krye të rankimit të institucioneve të arsimit të lartë, duke siguruar një akreditim institucional maksimal 6-vjeçar. Duhet zgjedhur “Luarasi” sepse është i vetmi me tregues që bëjnë diferencën, sepse është i vetmi që ka nxjerrë studentë që kanë ndjekur studimet në shkollën e magjistraturës dhe sot janë magjistratë apo kandidatë për magjistratë.

Në bazë të statistikave, sa i sigurt është punësimi pas përfundimit të studimeve në Kolegjin Universitar “Luarasi”?
“Luarasi” është i vetmi që në tregun e punës është preferencial dhe me një shkallë punësimi 80% që vitin e parë pas përfundimit të studimeve. Duhet të zgjidhni “Luarasin” sepse pas tij qëndron një grup i fuqishëm biznesi, i cili e suporton, por është edhe një urë e rëndësishme lidhëse midis teorisë dhe praktikës, sepse mundëson intershipe gjatë gjithë kohës së studimeve. Të zgjedhësh “Luarasin” është dhe një zgjedhje e zgjuar, sepse aktualisht ofron tarifa studimi nga më konkurrueset dhe ka një politikë bursash për disa kategori studentësh. Pra, të zgjedhësh këtë emër të madh ke zgjedhur një të ardhme të sigurt dhe ke vendosur themele të forta nga ku mund të ndërtosh të gjithë karrierën profesionale për të qenë të spikatur, duke bërë diferencën me gjithë të tjerët që kanë kryer studime të ngjashme.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.