OPINION

Presidenti nuk ka pse shpjegohet më për “Teatrin”!

15:49 - 04.08.18 Mero Baze
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Zakonisht kur përpiqesh të shpjegohesh e ke një hall. Ilir Meta nuk ka pse shpjegohet më për “Teatrin”. Të gjithë e kuptojmë arsyen e fortë politike që ai ka, për të mos e dekretuar projektin e shumicës në pushtet. Është një gjë aq e zakonshme dhe aq e pritëshme sa nuk kishte pse të pritej me aq emocion.




Shpjegimet e Presidentit po ashtu ishin aq të përgjithshme, doktrinare dhe referuar “frymës” dhe jo neneve, sa ishte e qartë arsyeja e atij akti.

Shpjegimi i sotëm që atë e kishte mahnitur një fakt nga një historian i ri, për bombardimet në qendër të Tiranës dhe se si anglezët kishin kundërshtuar Mehmet Shehun për bombardimet në qendër, ishte i tepërt.

Ishte i tepërt, jo për budallallëqet që ju referohet si histori, por se ai nuk ka nevojë të nxjerrë arsye të tjera për atë që ka bërë. Ka disa ditë që shpjegon dekretin, disa ditë që gjen nga një arsye tjetër, nga ato që ka shkruar për të bindur të gjithë pse e ka bërë .

Nuk është e nevojshme. Por dhe nëse ka nevojë edhe për argumente historiko-militare, një President ka arkiva zyrtare, ka histori zyrtare, ka Akademi dhe mbi të gjitha nuk ka pse pyet një njeri që çuditet se ka lexuar një libër.

Po të lexosh dhjetra, ose qindra nuk çuditesh më. As Presidenti nuk ka pse çuditet pse ka dëgjuar një broçkull të servirur si fakt historik.

Po të lexojë pak më shumë, por dhe në rast se përton, nëse dëgjon pak më shumë, nuk do të infektohet nga deliri i njerëzve që e caktojnë veten historian.

Kur Presidenti i një vendi merr një vendim si ai që ka marrë, duhet të jetë i qartë dhe unë mendoj se Ilir Meta ka qenë shumë i qartë kur ka firmosur.

Më i paqartë është pasi e ka firmosur dhe po përpiqet të shpjegohet sikur ka ndonjë hall. Ndoshta dhe ka, por ajo që u bë, u bë. Nuk është ndonjë hata e madhe.

Presidenti nuk ka pse shpjegohet më, për “Teatrin”. Nuk besoj se dikush është i paqartë. Më shumë dëm bëjnë këto shpjegimet, sidomos kur bazohen në broçkulla delirantësh.


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. Cudi sa na qenka merzit Mero-humi se paska dhene spjegime per nje ligj Presidenti….Amon mor jahu si nuk e kupton ky njeri qe tremb njerzit me foton e tij shoqeruese….me mire pa foto. te gjithe te njohin se cfar……je/

    Përgjigju ↓