Intervista

Klaudia Hajdari: Ju tregoj përjetimet e mia si kandidate për komunën në Belgjikë

13:35 - 29.08.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Egla Xhemali – Një personazh mjaft interesant vjen këtë herë në suplementin “Summer Pages’ të “Gazeta shqiptare”. Klaudia Hajdari na rrëfen për jetesën në Belgjikë, për postin e ambasadores në organizatën “YOUCA”, përjetimet e familjes për këto hapa si dhe për objektivat që ka në plan të realizojë në Vilvoorde. Në Belgjikë ka mundësi të mira për t’u arsimuar dhe jo vetëm. Organizata në të cilën Klaudia është e angazhuar dhe ka rol drejtues i jep rëndësi të madhe të rinjve e bën që atyre t’u dëgjohet zëri. Hajdari pohon se është fytyra e të rinjve belgë dhe se u tregon atyre për projektin dhe për gjendjen në El Salvador. Ajo ndan me ne një nga momentet më të lumtura kur kryetari i Bashkisë së Vilvoordes i kishte shfaqur dëshirën për ta bërë pjesë të listës së kandidatëve për t’u bërë këshilltare e komunës duke qenë e vetmja nga moshatarët e saj që ishte aktive. Prindërit e kanë pritur shumë mirë këtë lajm dhe po e mbështesin atë. Klaudia kërkon që ta votojnë pasi ndryshimi sipas saj është rinia. Hajdari pohon se do japi maksimumin që në komunën e Vilvoorde të kenë një jetë sa më të mirë. Ne i urojmë që Klaudia të ketë sukses dhe të realizojë vepra sa më të mira!




Sa vjet keni në Belgjikë ?
Kam lindur në Bruksel më datë 19 shator 2000.

Cili është stadi i arsimit tuaj?
Në shtator hyj në vitin e gjashtë ASO, që është stadi më i lartë i arsimit në Belgjikë.

Si është jetesa jashtë vendit tënd? (Favoret, vështirësitë..)
Në Belgjikë dëgjohet më shumë zëri i rinisë dhe i japin shumë rëndësi opinionit të të rinjve. Ka mundësira më të mira arsimi si dhe jetese, dhe mbi të gjitha infrastruktura është shumë e strukturuar.

Si erdhi dëshira apo propozimi për të qenë kandidate në zgjedhjet për këshill?
Unë isha 16 vjeçe kur u zgjodha si ambasadore e organizatës “YOUCA”. Ajo është një organizatë që dëshiron t’i përforcojë të rinjtë në të gjithë botën. YOUCA (Youth for Change and Action) mendon që të rinjtë kanë po aq rëndësi sa të rriturit dhe mendon që edhe zëri i të rinjve duhet dëgjuar. Në vitin 2017 kemi pasur një projekt të madh në El Salvador (Amerika Latine) ku unë kam shkuar për ta njohur jo vetëm projektin, por edhe të rinjtë që jetojnë aty. Kam parë në ç’gjendje jetojnë familjet në El Salvador dhe kam parë se si organizatat në El Salvador ndihmojnë njerëzit që të mos jetojnë më në kushte të mjerueshme jetese. Ato i stimulojnë njerëzit që të punojnë dhe të mbajnë jo vetëm veten, por edhe familjen.

YOUCA organizon çdo vit një YOUCA Action Day. Atë ditë ka shumë të rinj që shkojnë të punojnë për një ditë. Nxënësit që punojnë atë ditë shpërblehen me €50 dhe kjo shumë i shkon menjëherë organizatës. Në këtë mënyrë YOUCA ka mjaftueshëm fonde për t’i mbështetur organizatat salvadorane kështu që ata të kenë mjaftueshëm para për të organizuar aktivitete të ndryshme për të rinj për t’i mësuar se si mund të bëhesh (për shembull) një drejtor i suksesshëm. Si ambasadore e organizatës unë jam edhe fytyra e të gjithë të rinjve belg që punojnë atë ditë. Unë jam ajo që i tregon atyre për projektin dhe se si është gjendja në El Salvador.

Kur u ktheva nga Amerika Latine kisha një konferencë për shtyp në Bashkinë e Vilvoorde. Aty ishte i pranishëm dhe kryetari i bashkisë, Z. Hans Bonte (sp.a) bashkë me disa anëtarë të bordit drejtues të komunës. Pas konferencës folëm bashkë dhe ai ishte shumë i mahnitur nga angazhimet që kisha pasi që atëherë unë isha akoma vetëm 16 vjeç. Këtë vit kur partia sp.a po përgatiste listën e kandidatëve për këshillin e komunës vunë re që listës i mungonte rinia. Z. Hans Bonte më thirri personalisht në telefon për të me pyetur nëse kam dëshirë të kandidoj për këshilltare të komunës apo jo, sepse jam e vetmja nga moshatarët e mi ne Vilvoorde që është kaq e angazhuar. Nuk pranova menjëherë, sepse nuk e kisha menduar kurrë, por mendova që do ishte një eksperiencë e bukur dhe kjo është diçka shumë e madhe për dikë të moshës sime.

Si e priti familja juaj këtë lajm?
Ishin shumë të lumtur për mua dhe deri tani më kanë dhënë mbështetje maksimale.

Çfarë mendon se duhet të përmirësosh në drejtim lokal?
Nëse fitoj dua të dëgjoj njëherë se ç’nevoja kanë te rinjtë në Vilvoorde, sepse rinia dhe Vilvoorde gjithmonë mbetet prioriteti im. Do bëja çmos që Vilvoorde të bëhet një qytet edhe më i sigurt dhe edhe më i këndshëm se ç’është tani.

Ku mendon të fokusohesh më shumë, në çfarë problematike?
Dua të fokusohem më tepër tek problematikat e të rinjve pasi edhe unë jam vetë e re dhe arrijë t’i kuptoj më mirë se të rriturit.

A të paragjykojnë njerëzit për moshën që ke?
Jo aspak, përkundrazi, janë një mbështetje e madhe, sepse besojnë te gjërat që do bëjmë ne, të rinjtë.

Çfarë do u kërkoje dhe premtoje zgjedhësve të tu?
Do t’iu kërkoja që të besonin tek fuqia dhe idetë e te rinjve, sepse ne jemi ata që do bëjmë ndryshimin. Do t’iu premtoja që do jap gjithmonë maksimumin tim, jo vetëm për të rinjtë, por që të gjithë në komunën e Vilvoorde të kenë një jetë sa më të mirë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.