OPINION

Bisedë e lirë me një shoqe. Bëj ç’të duket më e bukur…

12:33 - 30.08.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

In Memoriam/ Studenti i Filozofi së Atjon V. Zhiti sot, në 30 gusht, do të ishte 23 vjeç. Ai la pas një libër me ese, një album me piktura dhe shumë ilustrime të tijat në botime të ndryshme. Ishte dhe një veprimtar në Parlamenti Europian Rinor dhe ëndërrimtar i një Shqipërie më të bukur. Kemi zgjedhur pjesë nga libri i tij “Për atë që dua(m)”, përsiatje dhe ndjesi të një djaloshi, që të mrekullojnë me sinqeritetin dhe mençurinë rinore…




KËRKIMI ËSHTË ZHVESHJE:

Ne i futemi thellë të vërtetës. Sa thjeshtë e zhveshim atë. Preferojmë sinousitetin e elegancën ndaj mbulesës, por në fund del që lëkura lakuriq është më e komplikuar se mbulesa dhe fundi pastaj bëhet i thjeshtë… Por rruga është keq. Ka shumë gropa. Kërkimi është zhveshje. Ti je bionde në shpirt… si feministë e flaktë që je, duhet të mbroje biondet dhe të flisje për barazinë e tyre gjinore… Mënyra më e mirë sot për të bërë equality është që lëvizjet feministe të mos ekzistojnë. Sa do të forta ose jo, nqs një organizatë e tillë e ekziston, detyrimisht kuptohet që femra në përgjithësi ndihet e subordinuar.

…ndjej një antipati për shkollën. Më duken orë të humbura. Mos ma përmend fjalën shkollë. E urrej shkollën dhe librat që na jep për të lexuar… Shkolla ime nuk më stimulon, nuk më mëson gjë të re, nuk mendon në nivelin tim, më fal për modestinë…

PËR OPINIONIN, SPEKTAKLI SI REALITET:

Duhet kuptuar shoqëria për të folur për një fenomen shoqëror, të paktën sado pak. Sot në shoqërinë tonë, tërë jeta e shoqërive, ku mbretërojnë kushtet moderne të prodhimit, prezantohet si një akumulim i madh spektaklesh. Spektakli, në këtë rast programi juaj, për shembull, nuk është më një bashkësi imazhesh, por një raport social që ka imazhin si medium. Realiteti kështu lindte spektaklin dhe spektakli bëhet real.

Imazhi është mall dhe malli kështu ngarkohet me imazhe, imazhe spektakolare, të cilat e mbushin mallin plot jetë dhe çojnë konsumatorin e pamundur për shumë në iluzion.

Ky mall i kthyer kështu nuk e ka çliruar njeriun nga nevoja, por i ka ushtruar një presion të ri, një kusht të ri, konsumizmin. Në saje të kthimit në mallit në parësi, malli ngarkohet me alegori e kuptim simbolik. Malli konsumohet me dukjen, nuk duhet më për mbijetesën dhe kështu pra kemi një mbijetesë të mbingarkuar. Akoma më e shterpët se nevoja e mbijetesës. Në shoqërinë tonë është dramatike se si të qenit zëvendësohet nga dukja.

PATRIOTIZMI I ARENËS MODERNE:

Nuk e gëlltis dot shumë patriotizmin e lindur befas nga një ndeshje, ka një të qenë të zbehtë, të shtirur e të pavlerë. Atdhetarizmi i vërtetë, kur ndihet, arrihet të shprehet në të gjitha mënyrat e manifestimit që ka, qoftë të heshtura dhe të padukshme. Nëpër mend më kalon kënaqësia e krenaria për progreset e arritura, për kulturën që ekziston në dheun, ku kjo ndjenjë të përket, për dëshirën për të ruajtur karakteristikat, trashëgiminë e pse jo dhe traditat…

Patriotizmi ama nuk është vetëm kaq, patriotizmi ka dhe një fizionomi etike, sepse bashkë me atdheun dhe tek atdheu shihet një standard, një vlerë morale më vete që duhet forcuar vazhdimisht, duhet përkryer e rrezatuar në çdo akt tonin. Ndërkaq një individ i tillë, që në të vërtetë ndihet i përfshirë në këtë “rrymë”, vendos interesat e kombit përpara atyre personale, diçka e tillë “leverdis” shumë e më shumë, se sa të varfrat nevoja vetjake. Për mendimin tim ajo ndeshja e asisojshme e paradokohshme vetëm ndeshje nuk qe, por jam tejet i lumtur që çunat mbrojtën simbolet tona, eventi ama ishte një gati-shfryrje politike e vendeve, të cilat plot me probleme nuk arrijnë të shprehen e të mbërrijnë rezultate në arenën politike… Ne arritëm të tregojmë diçka, por ama betejën e radhës përsëri se si bën dhe e fiton kundërshtari. Ata vazhdimisht vazhdojnë të hedhin baltë, pa ia treguar kush dhëmbët e të vërtetës siç duhet. Ne, si gjindje, nuk kemi një ndjenjë kush e di sa të fortë atdhetare, si një zeje të brendshme do të thosha, jo si shpërthime.

Ajo çka fatkeqësisht dimë të bëjmë më mirë, është të tejçojmë vuajtjet e të parëve tanë brez mbas brezi, të flasim me mllef (me të drejtë në shumë raste, po jo e drejtë gjithashtu, sepse politika nuk përbën një popull të tërë, edhe vetë nuk besohem të jam ndjerë i përfaqësuar nga politikat e vendit tim.)

…ndjenja e dashurisë kundrejt vendit rritet ende më shumë bashkë me njohjen, qoftë dhe duke parë më shumë e më shpesh trojet…

LIVIAS CA FJALË PËR FILOZOFINË:

Shumë herë kemi thënë të filozofojmë, por asnjëherë nuk e kemi bërë tamam. Direkt ndjej atë frymën, atë entuziazmin dhe atë dëshirën e të bërit atë çka do e më pëlqen. Po lexoja një libër dhe nënkuptonte se jeta nuk duhet mbivlerësuar duke menduar se është e gjatë dhe e përjetshme, nuk kemi kohë për gjithçka, por njëkohësisht nuk duhet nënvlerësuar duke thënë se është e kotë, e shkurtër dhe e pavlefshme, jeta është një hua dhe ne duhet ta lajmë atë duke bërë mirë. Të bësh mirë ti e di ça dmth, nuk flitet vetëm për nota e sjellje.

Flitet për pasion, dëshirë, këmbëngulje, sakrifica ndoshta dhe vuajtje, por pasioni është kryesori. Nqs ti vërtet ndjen dhe ke dëshirë të bësh filozofi, jo vetëm si degë, ti duhet patjetër ta bësh atë. Dashuria për dije është e pakohë dhe e tillë do të jetë. Do doja të zgjatesha më shumë me “filozofinë”, por s’di a duhet. Shkurt nqs do ta bësh, bëje atë, por më mirë do ishte, mendoj, mos ta ndaje, filozofia është gjithçka, por jo gjithçka është filozofi.

Dostojevskij thoshte se bukuria do të shpëtojë botën, nuk flitet vetëm për atë fizike dhe shpirtërore. Bëj çka të duket më e bukur!


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.