DOSSIER

Ekskluzive/ Spiro Koleka: Kuadrot e Pogradecit që folën për Mehmetin e Kadriun si armiq

14:56 - 31.08.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Dashnor Kaloçi – Vetëm pak javë pas ngjarjes së 18 dhjetorit të largët vitit 1981, kur kryeministri Mehmet Shehu u gjet i vdekur në dhomën e tij të gjumit nga plumb-a pistolete në rrethana tepër misterioze për të cilat dhe sot pas 37 vjetësh vazhdohet të diskutohet ende, me porosi të Komitetit Qendror të PPSH-së, në të gjitha organizatat bazë të Partisë, në mbarë vendin, u mbajtën dhe u zhvilluan mbledhje të shumta, ku diskutohej; “nën frymën e fjalës së shokut Enver Hoxha, për armikun Mehmet Shehu”, të cilat do t’i shërbenin më pas Enverit për të shkruar “Tablonë sinoptike për poliagjentin Mehmet Shehu”?!




Në të gjitha këto mbledhje, veç të tjerash, ashtu siç bëhet e ditur edhe nga një mori dokumentesh me siglën “Tepër sekret”, që gjenden në Arkivin Qendror të Shtetit, Arkivin e Ministrisë së Brendshme dhe Ministrisë së Mbrojtjes, pjesëmarrës e diskutantë të shumtë që kanë marrë fjalën aty, kanë hedhur lloj-lloj akuzash, me të vërteta dhe të pavërteta, denoncime, spiunime, shpifje, trillime, thashetheme, intriga, sajesa e gjithfarë u kanë ardhur për shtat, të gjitha këto në drejtim dhe kundër ishkryeministrit të vdekur, Mehmet Shehu, familjes së tij dhe atyre që u konsideruan bashkëpunëtorë të tyre, duke përmendur me dhjetëra emra, ushtarakë, funksionarë të lartë, etj. etj.

Po kështu, këto mbledhje u intesifikuan së tepërmi, sidomos pas tetorit të vitit 1982, kur u arrestua dhe ministri i Mbrojtjes Kadri Hazbiu, (i cili për gati tri dekada me radhë kishte mbajtur postin delikat të ministrit të Brendshëm), ku dhe ndaj tij, u përsërit e njëjta tablo, si me ish-kryeministrin Mehmet Shehu. Dhe pas zhvillimit të këtyre mbledhjeve, komitetet e partisë të rretheve përkatëse, kanë hartuar një sërë raportesh me përmbledhje nga “problemet më kryesore”, të cilat më pas ia kanë dërguar Komitetit Qendror të PPSH-së. Për të gjitha këto mbledhje, gazeta “Panorama” disponon një numër të madh dokumentesh të nxjerra nga një dosje voluminoze me siglën “Tepër sekret”, ku ish-anëtarë të Byrosë Politike, sekretarë të Komitetit Qendror të asaj kohe, si Spiro Koleka, Enver Halili, Vangjel Çerrava etj., etj., informojnë Komitetin Qendror për mbledhjet ku kanë marrë pjesë, duke dhënë me detaje dhe hollësira gjithçka është thënë dhe diskutuar aty.

Po kështu përveç këtyre raporteve, në dosjen në fjalë, gjenden edhe një sërë raportesh të hartuara nga funksionarë të rangjeve më të ulta që nga Komiteti Qendror e më poshtë, apo dhe raporte kolegjiale të Degëve të Punëve të Brendshme në rrethe, shtabeve, komandave dhe komiteteve të partisë së Korpusve ushtarake, që ishin edhe njësitë më të mëdha që kishte Ushtria shqiptare asokohe.

Nga kjo dosje voluminoze që “Gazeta Shqiptare” e disponon të plotë, në numrin e sotëm fillimisht po publikojmë raport-informacionin e ishanëtarit të Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSH-së, Spiro Koleka, dërguar Komitetit Qendror, lidhur me aktivin e partisë të rrethit të Pogradecit, ku ai ka marrë pjesë si i deleguar, më 25 shtator të vitit 1982. Për të vazhduar në numrat në vijim, (në tri shkrime radhazi) me raport-informacionin “Tepër sekret” të sekretarit të parë të Komitetit të Partisë të Korçës, Enver Halili, dërguar Komitetit Qendror të PPSH-së (personalisht Enver Hoxhës) lidhur me punën dhe veprimtarinë e Sigurimit të Shtetit në rrethin e Korçës si dhe “implikimin” e Mehmet Shehut, Kadri Hazbiut, Feçorr Sheut etj, me punonjës të Sigurimit dhe persona të tjerë në atë rreth dhe më gjerë.

(vijon nga numri i kaluar).

PARTIA E PUNES SHQIPERISE

Tepër sekret

KOMITETI I PARTISE RRETHIT Ekz. Nr. 1

Nr. 675 Prot. Pogradec, më 28.9.1982

L ë n d a: Informacion

“Mbi punimin e vendimit të Pleniumit të KQ të PPSH” KOMITETIT QENDROR TE PPSH SHQIPERISE GRUPIT TE INSTRUKTOREVE TIRANE

N j o f t i m

Mbi zhvillimin e Aktivit të Partisë të Pogradecit datë 18 tetor 1982 rreth veprimtarisë armiqësore të Kadri Hazbiut. Sapo mora porosinë, udhëzimet përkatëse dhe raportin e Byrosë Politike mbi veprimtarinë armiqësore të Kadri Hazbiut, të mbajtur në Pleniumin e V-të të Komitetit Qëndror të Partisë, njoftovë menjëherë në telefon sekretarin e I–rë të Komitetit të Partisë të rrethit se rreth orës 17 do të isha atje.

Dhe në orën 17 e 15 të datës 16 m.v. mbrita në vënd. Shoku Stili Kaskaviqi më priste. E vura në dijeni pasi shkova atje. Ai ishte njoftuar për aktivin nga Komiteti Qëndror i Partisë dhe kishte marrë masat për të lajmëruar ata që do të merrnin pjesë në aktiv. Shoku Stili më vuri në dijeni se paradite në Pleniumin e zgjeruar të rrethit, ku kishin marrë pjesë rreth 180 veta, sekretarët e Byrosë së Partisë etj, u kishte folur shoku Enver Halili mbi punimet e Pleniumit të V-të të Komitetit Qëndror të Partisë, në veçanti mbi veprimtarinë armiqësore të Kadri Hazbiut e mbi vendimet që morri pleniumi.

Bashkë me shokun Stili Kaskaviqi e Spiro Pici nga ora 19.00 deri në ora 20.30’ shkuam në mbrëmjen e kolektivit të Parkut Autombilistik me rastin e ditëlindjes së shokut Enver Hoxha e të kremtimit për marrjen e flamurit të Ministrisë së Komunikacionit. Për dorëzimin e këtij flamuri kishte qenë në vënd një ditë më parë shoku Luan Babameto, i cili u kishte u kishte folur rreth raportit mbi zhvillimin e mëtejshëm të transportit, që shqyrtoi Pleniumi i V-të i Komitetit Qëndror të Partisë.

Gjatë mbrëmjes shumë të gëzuar të shoferëve dhe punëtorëve të këtij Parku pararojë u ngritën shëndete plot zjarr për Partinë e shokun Enver Hoxha. Në shëndetin që ngrita unë për shokun Enver, theksova fitoren e madhe që vulosi Pleniumi I V-të i Komitetit Qëndror të Partisë me zbulimin e tradhëtisë së Kadri Hazbiut dhe vendimet e tjera për spastrimin e Komitetit

Qëndror të Partisë nga anëtarë, të cilëve u kishte munguar vigjëlenca dhe masat e tjera për forcimin e Partisë. Të pranishmit pritën me brohëritje të stuhishme këtë fitore tjetër kundër varmiqëve të betuar të Partisë dhe morrën zotime luftarake për rritjen e vigjilencës e për plotësimin e të gjitha detyrave që u ngarkonte Kongresi i 8-të i Partisë e Pleniumi i V-të i Komitetit Qëndror të saj. Mbrëmja u elektrizua edhe më shumë nga sihariqi që u njoftua. Aktivi zhvilloi punimet më datën 18 m.v. nga ora 9.00-12.00. Në aktiv merrnin pjesë rreth 480 veta anëtarët e Pleniumit të Komitetit të Partisë së rrethit, sekretarët e byrove dhe të organizatave bazë të Partisë, kuadro me parti e pa parti të organeve të pushtetit nga rrethi e nga baza, kuadro të organizatave të masave, veteran e pensionistë etj.

Pasi i njoftoi shoku Stili Kaskaviqi mbi qëllimin e aktivit e i porosit të mbanin shënime, pse raporti i Byrosë Politike nuk do të punohej në organizatat bazë, por ato do të njoftoheshin në

mbledhjen e tyre të rregullt të parë, do të njoftoheshin gjithashtu edhe punonjësit, fillova këndimin e raportit mengadalë e me theksimin që kërkon rasti. Raporti, për afro një orë e njëzet minuta, u ndoq me vëmendje të veçantë.

Pastaj shoku Stili dha porosi që, kush kishte pyetje, t’i dorëzonte në sekretari dhe u bënë 20 minuta pushim.

1-Pas pushimit ishin dhënë vetëm këto dy pyetje me shkrim: 1. A ka dalë gjë për Nako Spiron? 2. Të sqarohet përgjegjësia që ka Veli Llakaj, Nazar Berberi dhe Ndreçi Plasari. Njoftuam aktivin mbi këto dy pyetje e kërkuam prapë “kush ka pyetje të tjera”? Ndërkaq unë dhashë sqarime për të dy pyetjet e para: Për Nako Spiron nuk ka dalë ndonjë gjë e re e si rrjedhim mbetet gjykimi i njohur i Partisë rreth tij. Për Veli Llakajn, Nazar Berberin e Ndreçi Plasarin, thashë se atyre u ka munguar vigjëlenca e janë përlyer me superagjentin Mehmet Shehu etj. Sa janë përlyer, këtë do ta tregoj jeta. Sot këto dihen, etj. Pas sqarimeve që dhashë unë u bënë edhe këto pyetje me gojë: I.Enver Halili na tha I “këlyshë” për Veli Llakajn e Nazar Berberin. Si t’u themi? 1.Kemi dëgjuar se Nesti Nase është arrestuar? Pse? 2.A kanë vrarë shokë besnikë të partisë këta superagjenta dhe agjentë? U dhashë këtë gjegje:

Veli Llakaj e Nazar Berberinga Pleniumi u dënuan për mungesë vigjëlence dhe unë u thashë “janë përlyer” e “këlyshë” mund të thuhen, por ende për ata nuk ka dalë ndonjë gjë që të tregojë se kanë qenë bashkëpunëtorë të ndërgjegjshëm, ose qen që kanë kafshuar bashkë me ustanë, që të merrej edhe masa për t’ua dorzuar organeve të drejtësisë.

Për Nesti Nasen, thashë, se ai është arrestuar si bashkëpunëtorë i Mehmet Shehut në punët e tij agjenturore me jashtë. Veli Llakaj e Nazar Berberi nga Pleniumi u dënuan për mungesë vigjilence dhe unë thashë “janë përlyer”, shoku Enver Halili tha “janë këlyshë”, “përlyer”, e “këlyshë” mund të thuhen, por ende për ata nuk ka dalë ndonjë gjë që të tregojë se kanë qënë bashkëpuntorë të ndërgjegjshëm, ose qen që kanë kafshuar bashkë me ustanë, që të merrej edhe masa për t’ua dorzuar organeve të drejtësisë.

Për Nesti Nasen, thashë se ai është arrestuar si bashkëpuntor i Mehmet Shehut në punët e tij agjenturore me jashtë. Që këta stëragjentë e agjentë kanë vrarë njerëz besnikë të Partisë s’ka se çe luan, sepse ata për 40 vjet me rradhë, por sa, cilin, kur, e ku kanë vrarë, kjo ende nuk ka dalë. Sapo kemi futur gishtin në kërkimet rreth veprimtarisë armiqësore të kësaj bande. Kërkimet janë në vazhdim e do të vazhdojnë. Në sqarimet që dhashë përmënda të gjitha ato që dolën në Plenium rreth bastuneve-pushkë të preçizionit e pushkëve të Mehmet Shehut e diplomës mbi rrëshqitjen që lidhen me Veli Llakajn e atë të tankeve për Nazar Berberin, për të cilat një pjesë u kishte folur edhe shoku Enver Halili. Kështu edhe për Ndreçi Plasarin thashë ato që dolën në Plenium. Nga këto pyetje, e nga këmbëngulja sidomos rreth Veli Llakajt e Nazar Berberit, kuptova se Partia është e shqetësuar e kërkon të vihet në dijeni në vazhdimësi e më shumë nga Komiteti Qëndror mbi këtë komplot të madh.

Pyetja rreth arrestimit të Nesti Nases, sipas meje, do të thotë: “fjala mbi arrestimin e tij ka dalë por neve Partia nuk na ka thënë gjë deri më sot”. Një pyetje tjetër (e gjashta) doli gjatë kohës që folën disa shokë: A kishte dijeni Kadri Hazbiu për zbritjen në anë të detit të bandës së armiqve? Për këtë u thashë se logjika të çon të mendosh që Kadri Hazbiu, krahu i djathtë i Mehmet Shehut e vazhdues besnik i tradhëtisë së tij të madhe, mund edhe të ketë kërkuar nga ata që e drejtojnë të dërgojnë një bandë, pikërisht në ato ditë që në Parti punohej fjala e shokut Enver Hoxha në Pleniumin e IV-të të Komitetit Qendror. Këtyre u shtova ato që kisha dëgjuar: ai ishte dërguar në rrethin e Elbasanit për aktivin e Partisë dhe sapo e mbaroi shkoi në Rrogozhinë si shumë i shqetësuar e kërkoi të hynte në shtëpinë, ku ishte futur e bënte qëndresë kryetari i bandës, por këtë nuk e pranoi shoku Hekuran. Këto dëshmojnë, përfundova, se Kadri Hazbiu kishte dijeni për bandën, e kërkonte dhe donte të dilte si heroi i ditës e shpëtimtari i situatës, me qëllim që të mashtronte edhe më tej Komitetin Qendror të PPSH-së e të humbiste gjurmët.

II. Në aktiv folën tetë  shokë: Të gjithë i gjetën shumë me vënd masat e marra nga Pleniumi kundër armikut të betuar Kadri Hazbiu e dorzimin e tij organeve të drejtësisë dhe ato kundër katër antarëve të K.Q. të Partisë. Të gjithë i mbështetën njëzëri ato, raportin e Byrosë Politike e zhvillimin e punimeve të Pleniumit. Të gjithë shprehën urrejtjen më të madhe kundrejt kësaj bande armiqësore në shërbim të të gjithë agjenturave imperialiste-revizioniste dhe kërkuan që shpata e drejtësisë proletare të bjerë e pa mëshirë mbi ta. Të gjithë ata që folën kërkuan që gjërave t’u shkohet në fund e të spastrohen me fshesë të hekurt aparati i Ministrisë së Punëve të Brëndshme, në qëndër e në rrethe, dhe ai i Ministrisë së Mbrojtjes, por edhe ai i Ministrisë së Jashtme.

Shokët folën me zjarr, dashuri e mirënjohje të pafund për Partinë e në veçanti për shokun Enver Hoxha, që ka shpëtuar gjithmonë Partinë e diktaturën e proletariatit nga rreziqe shumë të mëdha që i kanë kërcënuar gjatë këtyre 41 vjetëve të lavdishëm të jetës së Partisë. Të gjithë ata që folën, falenderuan K.Q. të Partisë për këto njoftime, premtuan se do të rritnin shumë më shumë vigjilencën ashtu siç e lypin koha e qënia e tyre rreth kufitar me titstë jugosllavë dhe morën zotime të plotësojnë detyrat për fushatën e zgjedhjeve për deputetë, për përgatitjen e tyre ushtarake e për përmbushjen e planit. Aktivi u kthye në një shfaqje të zjarrtë të unitetit të Partisë rreth K.Q. me shokun Enver Hoxha në krye. Nga ato që thanë shokët që folën mendoj se mund të shërbejnë këto:

Çelik Toro: Drejtor i Ndërmarrjes së Përpunimit të Drithit tha: “Rreth vitit 1960, Kadri Hazbiu ka ardhur në Pogradec me ish tregtarin milioner nga Durrësi Manushi. Ka pasur miqësi të madhe me të, pse ka qënë mik i ngushtë i të birit në Shkollën Tregtare, pse vetë Kadri Hazbiu ka qënë djalë i një pasaniku”. Behar Çela: Behar Çela Sekretar i byrosë së Kooperativës Buçimasit kërkoi: “të dënohet çdo veprimtari që çon në privilegje”.

Syrja Çarçani:  Sekretar i byrosë së Degës së Punëve të Brëndshme tha: “Të thellohen kërkimet për të gjitha ato kuadro që kanë qënë në Ministrinë e Punëve të Brëndshme, sa e si janë përlyer këta armiq të betuar. Të shihet mirë edhe politika e kuadrit, pse nuk janë vënë veçse nga njerëz në këto ose ato vënde ku ndodhen sot kuadrot”.

Nuçi Tira:  Pensionist, pasi tha se e ka njohur Kadri Hazbiun që në vitin 1945 si njeri të zgjuar e gjarpër, shtoi: “Në vitin 1956 në Durrës është goditur një grup intelektualësh i njohur me emrin “gjyqi i inxhinierëve”, këta thoshin “në krye kemi njerëzit tanë të mëdhenj”. Këtë e kapi menjëherë Mihallaq Ziçishti e Kadri Hazbiu i cili shkonte dy herë në ditë në Durrës, e mbuluan”. Nuçi, pas kësaj shtoi: “Të shikohet dosja e Gjyqit të Inxhinierëve në Durrës në 1956.

Ajo ndodhet në Ministrinë e Brëndshme”. Më tej Nuçi tha: “Mehmet Shehu ka vrarë njerëz të pafajshëm. Këtë e kam parë gjatë Luftës për çlirimin e Tiranës, pushkatoi pa gjyq një puntor dhe katër inxhinierë”.(Me këtë rast, shoku Stili i tha: “Mendohu mirë e thellohu mbi këtë që thua, e na i jep me shkrim më të saktë këto”).

Polikron Cane: Ish Drejtor i Minierës së Alarupit, tani në pension, pyeti Nuçi Tirën:”A ia ke thënë Partisë atë që ke dëgjuar atëherë nga nxhinierët që kemi njerëz tanët të mëdhenj në krye”? Nuçi iu përgjigj: “Unë tani e kam marrë vesh se Mehmet Shehu, Kadri Hazbiu, Mihallaq Ziçishti etj, janë armiq”. III. Rezoluta që paraqiti III Komiteti i Partisë u miratua me brohoritje për Partinë e për shokun Enver Hoxha. Pas kësaj fola edhe vetë, rreth 20 minuta, në frymën e porosive që na dha shoku Enver në hyrje e në mbyllje të punimeve të Pleniumit, krejtësisht rreth çështjes së veprimtarisë armiqësore të Kadri Hazbiut.

1.Po kështu nuk kishte problem përkatësisht me fushatën e zgjedhjeve për deputetët. Ditën e dielë kaloi edhe shoku Rita Marko për në Korçë dhe la porosi që në kthim të mblidhej grupi i rrethit që ndjek punët e zgjedhjeve për t’i raportuar. Disa mendime dhashë edhe vetë për t’i forcuar punën në komisionet e zgjedhjeve të zonave që të japin më shumë ndihmë të organizuar qëndrave të votimit. Nga shkëmbimi i mendimeve me shokun Stili del se gjëndja politike në rreth është e mirë. Nuk qarkullojnë parulla armiqësore por armiqtë ndërmjet tyre tani kanë marrë në mbrojtje armikun Mehmet Shehu, e kundërta e asaj që bënin kur ishte gjallë, atëherë e shanin. Gjëndja në kufi ishte e qetë. Ditën e dielë pati një rënie zileje në klon por ngatërrimi në një gjatësi 5 km. sipas rregullave nuk u gjend asnjë gjurmë. Po kështu gjatë pushimit në aktiv erdhi një njoftim se në afërsi të një pylli (ku kanë kaluar bandit e kanë pasur strehë) ishin parë tre të panjohur. Me lejen e sekretarit të pare, Kryetari i Degës së Brëndshme iku nga aktivi për në vënd. Pasdreke pieta shokun Stili: “Ç doli? Më tha asgjë. Duke folur me shokun Stili i thashë se Tirana në televizion shihej mirë në Pogradec. Shoku Stili më tregoi se përpara nuk shihej mirë. Kontrolluam stacionin përforcues dhe duke lëvizur antenën gjetëm vendosjen që duhej e prej atëherë e shohim shumë mirë Tiranën.

Por që atëherë kemi dëgjuar ankime nga shqiptarët tej kufirit, të cilët antenat e tyre i kanë drejtuar nga përforcuesit e Tv të Tiranës. Tani jemi duke ndërtuar antenën e Çervenakës, e cila do të shërbejë rretheve Kolonjë, Korçë, e Pogradec dhe më gjërë e më mirë shqiptarëve të Maqedonisë e atyre përtej Devollit. E pieta:”A është bërë rruga për në stacionin e antenës dhe kur mbaron”. Rruga është e bërë më tha, e luftojmë ta mbarojmë për festat e Nëntorit. Mendoj se K.Q. të urdhërojë të shpejtohen sa më shumë punimet për vënien sa më parë të kësaj antene në shfrytëzim sidomos për shqiptarët e Jugosllavisë e të Greqisë. Tiranë më 19.10.1982 Enver Hoxha, Kadri Hazbiu Spiro Koleka

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.