OPINION

Presidenca Austriake e BE 2018: Siguria dhe Ballkani në fokus

23:30 - 19.09.18 G.SH.
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Johann Sattler *




“Ballkani fillon në Rennweg (rrugë në qendër të Vjenës)” – vështirë se mund të ketë austriak që nuk e di këtë frazë, e cila i atribuohet ish-kancelarit austriak Metternich në shekullin e XIX. Që prej asaj kohe, kjo deklaratë është cituar shpesh për të ilustruar lidhjet gjeografike, historike, ekonomike dhe kulturore të Austrisë me rajonin e Ballkanit, si dhe për të treguar rolin ndërmjetësues që Austria ka luajtur përgjatë historisë, si një urë lidhëse midis Ballkanit dhe Evropës Qendrore dhe Perëndimore. Përkrahja për formimin e shtetit shqiptar është një shembull i mirë i rolit ndërmjetësues të Austrisë midis vendeve të Ballkanit dhe Fuqive të Mëdha.

Këtë rol, Austria synon ta luajë edhe gjatë Presidencës së saj të Këshillit të BE-së. Austria e ka marrë Presidencën e Këshillit të BE-së në një periudhë, kur Evropa po përballet me sfida të mëdha dhe ndryshime politike. Austria, në këtë gjysmë viti të Presidencës së saj, do të bëjë më të mirën e vet, për të qenë një urë lidhëse midis vendeve të BE-së dhe përtej, në mënyrë që të zgjidhen tensionet brenda saj dhe të mundësohet një Evropë akoma më të fortë.

  1. Prioritetet e Presidencës Austriake të Këshillit të BE-së

Me marrjen e Presidencës Austriake të BE-së (1 korrik – 31 dhjetor), nën moton ”Një Evropë që mbron”, Austria është vendosur edhe njëherë përpara mundësisë dhe sfidës për të luajtur rolin ndërmjetësues midis kontrasteve që e karakterizojnë Bashkimin Evropian: kriza ekonomike dhe e refugjatëve, nevoja për ristrukturim dhe forcim të brendshëm të BE-së, implementimi i axhendave kombëtare dhe ruajtjes së unitetit, negocimi i Brexit, por edhe zgjerimi i BE-së me vendet kandidate. Presidencës Austriake i duhet të veprojë dhe ndërveprojë brenda një Evrope me dinamika të ndryshme dhe në këtë ndërveprim forcash, fokusi i Presidencës qëndron në tre prioritete kyçe:

  1. Siguria: Presidenca Austriake synon forcimin e kufijve të jashtëm të Bashkimit Evropian, duke luftuar emigracionin e paligjshëm, duke forcuar “Frontex-in” dhe duke punuar për një Sistem të Përbashkët Evropian të Azilit.
  2. Prosperiteti: Sigurimi i prosperitetit dhe konkurrencës nëpërmjet digjitalizimit është një tjetër prioritet i Presidencës Austriake. Për të ruajtur konkurrencën dhe qëndrueshmërinë e ekonomisë evropiane edhe në të ardhmen, Evropa ka nevojë për një politikë inteligjente të transformimit digjital.
  3. Stabiliteti: Stabiliteti merr formë dhe strukturë kur nuk ekzistojnë rreziqe dhe kërcënime në zonën gjeografike të Evropës. Prandaj një prioritet shumë i rëndësishëm për Austrinë do të jetë perspektiva e besueshme e BE-së për Ballkanin Perëndimor. Procesi i integrimit me fuqinë transformuese unike do të mbetet forca lëvizëse për nxitjen e reformave në rajon. Është në interesin ekonomik dhe të sigurisë së BE-së dhe të rajonit, që Ballkani Perëndimor të bëhet pjesë e BE-së. Ky rajon ka dëshmuar të jetë një partner i besueshëm për sa i përket krizës së emigrantëve. Gjithashtu, referuar edhe lidhjeve të përbashkëta historike dhe kulturore, ky rajon është pjesë e rëndësishme e Evropës.

Ballkani Perëndimor në fokus të Presidencës Austriake të Këshillit të BE-së

Viti 2018 filloi me Presidencën Bullgare të Këshillit të BE-së, për t´ia lënë stafetën në gjysmën e dytë të këtij viti Presidencës Austriake, e për të vazhduar vitin tjetër me atë rumune. Është vërtetë një mundësi mjaft e mirë për Ballkanin, që Presidencën e BE-së do ta mbajnë me radhë tri shtete, të cilat kanë në fokus Ballkanin Perëndimor, duke bërë kështu që me gjithë sfidat gjeopolitike, me të cilat po përballet Evropa, Ballkani Perëndimor të qëndrojë në qendër të vëmendjes.

Në këtë kontekst Austria ka qenë dhe mbetet një ndër vendet më të angazhuara në favor të integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE, duke artikuluar qartazi, se BE-ja është e paplotë pa Ballkanin Perëndimor dhe se këto vende nuk meritojnë vetëm perspektivën evropiane, por me plotësimin e kushteve dhe kryerjen e detyrave të shtëpisë meritojnë akoma më shumë, anëtarësimin në BE. Duhet theksuar se vendet e Ballkanit Perëndimor kanë ecur përpara. Maqedonia dhe Shqipëria kanë marrë parimisht një dritë jeshile për hapjen e negociatave me BE-në vitin që vjen, edhe pse Austria bashkë me vende të tjera evropiane do të kishin dashur që kjo të ndodhte që këtë vit.

Prioritetet e Shqipërisë në sezonin e ri politik – A little less conversation, a little more action
E rëndësishme për Shqipërinë është që këtë periudhë më pak se një vit, ta shfrytëzojë në mënyrë maksimale, duke iu përkushtuar pjesës teknike të procesit të integrimit (screening process), por ç`është më e rëndësishme edhe reformave të nisura, që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe krimin e organizuar, si dhe duke u fokusuar tek reforma zgjedhore.

Për të përmbushur këto detyra, qytetarët shqiptarë presin që përgjegjësit politikë në vend, qeveria dhe opozita dhe të gjithë përfaqësuesit e zgjedhur prej qytetarëve, të përveshin mëngët dhe të japin maksimumin.
Për këtë nevojitet një qeveri që përpiqet të mbyllë gropat dhe jo t´i thellojë ato, që është e orientuar drejt gjithëpërfshirjes dhe përulësisë dhe jo drejt përjashtimit dhe të drejtës së më të fortit.

Nga ana tjetër, nevojitet një opozitë, aksioni i së cilës të ketë si parim bazë kontrollin e punës së qeverisë dhe parashtrimin e kundërpropozimeve realiste brenda institucioneve ligjore, për të qenë konkurruese në zgjedhjet e ardhshme. Dhe të dyja palët, për sa i përket çështjeve me rëndësi kombëtare, për të cilat nevojitet bashkëshpunim, duhet të lënë mënjanë retorikat partiake dhe të arrijnë një kompromis në të mirë të vendit.

Për mendimin tim, prioritare për këtë sezon të ri politik janë çështjet si: konstituimi i institucioneve si KLP, KLD dhe SPAK (pasi në këtë mënyrë mund të fillojë edhe vetting-u i nevojshëm për politikanët), miratimi i ligjit të magjistraturës, si dhe bërja bashkë për reformën zgjedhore, duke marrë parasysh kërkesat e OSBE/ODIHR.

Nisur nga kjo, të dyja kampet politike duhet ta përdorin fushatën zgjedhore që do të nisë për zgjedhjet lokale, më shumë për të prezantuar konceptet dhe kandidatët e besuar, duke përfshirë fytyrat e reja, sesa për të akuzuar njëri tjetrin. Shqipëria është një ndër vendet me popullsi më të re në Evropë dhe një ripërtëritje politike do t´i shkonte shumë për shtat, sidomos ripërtëritja e atyre që përballen drejtpërdrejt me shqetësimet e qytetarëve, pra të kryebashkiakëve.

Ajo çka nuk i duhet vendit, është miratimi me nxitim dhe pa u shqyrtuar mirë i ligjeve veçanërisht të debatuara, si dhe një bojkot ose mosprezencë parlamentare. Në të kundërt, duhet një aksion i përqendruar në interes të qytetarëve.

Pra me pak fjalë dhe sipas të madhit Elvis Presley, “a little less conversation, a little more action, please!” (pak më pak fjalë, pak më shumë punë, ju lutem!).

Për të arritur këtë pjekuri demokratike është mjaft e vështirë, jo vetëm në Shqipëri, por e njëjta gjë vlen edhe në Austri ose vende të tjera. Për të gjithë, rruga drejt idealit të aftësisë për kompromis dhe pjekurisë demokratike është një përpjekje e përditshme. Kjo rrugë është thelbësore, sidomos në Shqipëri, ku polarizimi i forcave politike dhe sociale është veçanërisht i fortë. Kontributi i shoqërisë civile, i organizatave dhe grupeve të interesit, është po aq i domosdoshëm sa edhe ai i mediave të pavarura.

Angazhimi i Austrisë në procesin e integrimit të Shqipërisë në BE

Pavarësisht ndryshimeve në kontekstin historik, ekonomik, apo të rrethanave gjeopolitike të të dyja vendeve, bërthama e marrëdhënieve mes Austrisë dhe Shqipërisë ka mbetur po e njëjtë: ne jemi dhe mbetemi një partner i fortë dhe i besueshëm për Shqipërinë dhe një ndër mbështetësit më të besuar të përafrimit të Shqipërisë me Bashkimin Evropian. Shqipëria nga ana e saj e ka futur Austrinë në katërshen e partnerëve strategjikë të vendit, gjë që thekson edhe më shumë veçantinë e marrëdhënieve tona.

Në kuadër të Procesit të Berlinit, Austria ka qenë që në fillim një pjesëmarrëse shumë aktive, duke nxitur një sërë projektesh rajonale, veçanërisht ato infrastukturore, si ndërtimi i Autostradës së Paqes (Nish – Prishtinë – Durrës). Gjithashtu ne kemi qenë mjaft aktivë edhe për sa i përket firmosjes së dy marrëveshjeve kufitare, si dhe kemi ndërmarrë nisma për përfshirjen e shoqërisë civile në projektet e Procesit të Berlinit.

Në këtë kontekst, në vazhdën e angazhimit të saj, Austria, në kuadër të Presidencës së Këshillit të BE-së, do të ndërmarrë një sërë nismash me fokus Ballkanin Perëndimor dhe integrimin e tij në BE. Ndër to mund të përmendim takimin e Gymnich-ut (31 gusht 2018), ndërmjet Ministrave të Jashtëm të vendeve të BE-së dhe vendeve kandidate, ku një ndër pikat e rëndësishme të takimit ishte integrimi i Ballkanit Perëndimor. Gjithashtu, prezenca austriake do të dominojë fillim-vjeshtën e këtij viti në Tiranë përmes dy konferencave ministeriale: Konferenca e Ministrave të Evropës, që do të ketë në qendër mbeshtetjen reciproke në procesin e anëtarësimit dhe Konferenca e Ministrave të Brendshëm dhe të Drejtësisë, që do të ketë në fokus bashkëpunimin në çështjet për shkëmbimin e të dhënave dhe të migracionit.

Kjo nxjerr në pah jo vetëm rëndësinë e Ballkanit dhe të Shqipërisë për Austrinë, por tregon gjithashtu që Austria ia ka dalë që gjatë Presidencës së saj të vendosë Ballkanin në qendër të politikës së BE-së. Në vijim priten vizita dypalëshe. Përveç ministrave të Jashtëm, të Drejtësisë dhe të Brendshëm, Tiranën pritet ta vizitojnë edhe Kancelari Federal i Republikës së Austrisë, z. Sebastian Kurz dhe Kryetari i Parlamentit, z. Wolfgang Sobotka. Pika kulmore e vizitave diplomatike do të jetë vizita e Presidentit Meta në tetor në Austri.

  1. Roli i Evropës në botë

Që nga koha e themelimit të saj, Bashkësia Evropiane e Qymyrit dhe Çelikut dhe më pas Bashkimi Evropian ka siguruar paqe dhe prosperitet të pandërprerë për qytetarët e vet, duke u përpjekur t´i eksportojë ato edhe në vendet që e rrethojnë. Bashkimi Evropian ofron për qytetarët e tij sistemin më të mirë në planet të mbrojtjes sociale dhe me diferencë nga të tjerët është kontribuesi më i madh i ndihmës për zhvillim në botë.

Por, ashtu siç shprehet edhe Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, gjatë fjalimit të tij në 60-vjetorin e Traktatit të Romës: “për të ndërtuar një botë të lirë, duhet kohë, duhen përpjekje të mëdha dhe sakrifica, dhe Evropa ia ka dalë. Por asgjë nuk mund të merret e mirëqenë. Evropa si një entitet politik, ose do të ekzistojë si e bashkuar, ose nuk do të ekzistojë fare”. BE ka nevojë për punë të vazhdueshme dhe angazhim për të mbështetur projektin paqësor më të suksesshëm të përjetuar ndonjëherë në historinë e Evropës. Në një botë dhe shoqëri dinamike nevojitet që ky projekt i suksesshëm paqeje të zhvillohet e të përmirësohet gjithmonë e më shumë.

Evropa gjendet në një kohë sfidash dhe ndryshimesh, në një botë të trazuar, në një kohë kur nga Amerika vjen një pasiguri në rritje, kur Kina dhe Rusia po shfaqen gjithmonë e më të pushtetshme dhe më me vetëbesim, por modeli i të cilave ndryshon thelbësisht nga ai i BE-së. Tensionet brenda Bashkimit Evropian janë rritur. Me Brexit, BE përjetoi për herë të parë, vullnetin e një populli që dëshiroi të dalë nga BE. Evropa mund ta shohë Brexit si një mundësi, si një model bashkëpunimi me vendet e tjera jo-anëtare. Pro-evropianët ndihen të sfiduar në dhënien e përgjigjeve të qarta dhe konkrete në zbatim të politikave të tyre. Pra, ka ardhur koha për të luftuar me bindje për atë çka Evropa ka arritur deri më sot; ka ikur koha e mbrojtësve të vakët të Evropës. Ajo çfarë i nevojitet BE-së në këtë kohë, është të ndalojë lojën e fajit, të fokusohet në gjërat thelbësore si siguria, prosperiteti dhe stabiliteti. Koha e evropianëve të vakët ka përfunduar.

Evropa ka nevojë të rrisë efektshmërinë e parimit të subsidiaritetit apo të thellojë kompetencat e saj mbi shtetet anëtare?

Reformimi i BE-së ka çuar në diskutimin, nëse BE duhet të thellojë kompetencat e saj mbi shtetet anëtare, pra të thellojë integrimin mes shteteve anëtare, apo të rrisë efektshmërinë e parimit të subsidiaritetit, që do të nënkuptonte ndarjen e kompetencave dhe përjashtimin e ndërhyrjes së BE-së, kur një çështje mund të trajtohet në mënyrë efektive nga shtetet anëtare në nivel qendror, rajonal ose lokal.

Nevoja për reformimin e BE-së jo domosdoshmërisht çon në përjashtimin e njërit prej këtyre parimeve. Thellimi i integrimit mes vendeve anëtare nuk bie ndesh me parimin e subsidiaritetit, përkundrazi ato mund të zbatohen paralelisht përmes reformimit të marrëveshjeve mes BE-së dhe shteteve anëtare. Austria nën moton “më pak, por më eficientë” mbështet reformimin e brendshëm të BE-së paralelisht në këto dy drejtime. Thellimi i kompetencave të BE-së është po aq i nevojshëm në disa fusha, sa edhe distancimi i saj në disa fusha të tjera. Pikërisht për këtë, diskursi brenda BE-së duhet të orientohet se në cilat fusha do të ishte i nevojshëm thellimi i kompetencave të BE-së ndaj shteteve anëtare dhe se në cilat fusha do të ishte më efikase vendimmarrja lokale.

Parimi i subsidiaritetit do të rriste rolin e shteteve anëtare për të marrë vendime sa më afër interesave dhe pikëpamjeve të qytetarëve, në fushën e shëndetësisë, industrisë, kulturës, turizmit, arsimit të përgjithshëm dhe profesional, sportit, në çështjet e përfshirjes së të rinjëve, në mbrojtjen nga katastrofat dhe bashkëpunimin administrativ.

Nga ana tjetër, mendoj se thellimi i integrimit mes vendeve anëtare do të ishte i nevojshëm në aspekte të tilla, si mbrojta e kufijve të jashtëm, siguria e brendshme dhe e jashtme, përfaqësimi i Evropës në botë, si dhe në fushat e hulumtimit, inovacionit dhe digjitalizimit.

Reformimi i BE-së paralelisht në këto dy drejtime do të ishte një përpjekje për të balancuar interesat e shteteve anëtare dhe të BE-së. Kjo do të çonte nga njëra anë në një Evropë më efeciente dhe më të fokusuar dhe nga ana tjetër në rritjen e subsidiaritetit. Megjithatë, vlen të theksohet se për shkak të paqartësisë së zbatimit të tij, subsidiariteti është i vështirë për t´u zbatuar në praktikë prandaj është e rëndësishme të shikohet qasja e parlamenteve të vendeve anëtare ndaj këtij parimi. Nënvlerësimi i këtij parimi nga BE-ja u përdor nga mbështetësit e Brexit kundër vetë BE-së. Por deri tani maksimumi që ka mundur të bëjë BE-ja në këtë drejtim ka qenë përshtatja “ad-hoc”.

Austria mbështet fuqishëm njëkohësisht edhe zgjerimin e BE-së duke nxitur procesin e integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor, për të realizuar anëtarësimin sa më shpejt të jetë e mundur. Me probleme të tilla të brendshme themelore në BE, patjetër që kërkohen kohë më të mira për zgjerimin, por do të ishte dritë-shkurtër nga ana e BE-së, nëse do të hiqej vëmendja nga rajoni i Ballkanit, pasi qytetarët mund të humbasin shpresën, gjë që do të çonte në rritjen e numrit të emigrantëve nga ky rajon. Këto vende rrezikojnë të humbasin vrullin në modernizimin e tyre dhe mund të hyjnë nën ndikimin në rritje të aktorëve të tretë. Popujt e BE-së dhe rajoni i Ballkanit kanë një trashëgimi dhe histori të përbashkët dhe një të ardhme të përcaktuar nga mundësitë dhe sfidat e përbashkëta, për këtë arsye duhet të bëhen pjesë e Bashkimit Evropian sa më shpejt.

Ballkani nuk duhet ta humbasë këtë mundësi, por edhe Evropa nuk duhet ta humbasë këtë rajon.
* Ambasadori i Austrisë në Tiranë. Ky artikull është shkruar enkas për “Gazetën Shqiptare”


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.