OPINION

Demokracia liberale përballë nacionalizmit

07:20 - 30.09.18 Vasil Kureta
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Në zhvillimet e sotme globale evidentohet një problematikë komplekse e mprehtë, që afekton rëndë stabilitetin, sigurinë e paqen në shkallë botërore. Përveç aktorëve e faktorëve tashmë të njohur, si terrorizmi ndërkombëtar, aventurizmave politikë, qeverisjeve të dështuara autoritariste e diktatoriale, hendeqeve të thella në zhvillimet ekonomike e sociale mes rajoneve të ndryshme në botë, krizave ciklike ekonomike, por edhe krizave politike e konfliktet me burim e përmbajtjeje etnike, apo të problemeve të pazgjidhura, avancimi i interesave imperiale nga aktorë në rritje, thellimit të pabarazive ekonomike, sociale e rajonale, një problematikë shqetësuese konstatohet brenda hapësirës perëndimore. Një grindje brenda Perëndimit, në vend që të hyjë në rrugën e trajtimit të vëmendshëm e zgjidhjes, po i fryn mendësisë së ndarjeve, kontradiktave dhe principit “secili rrugën e vet”. Natyrisht që vetëvendosja e popujve është princip demokratik, siç është e drejtë e tyre të respektojnë historinë, zakonet e traditat e tyre, por modeli demokratik i zhvillimit ekonomik, politik e social ka rëndësi të veçantë. Dhe modeli perëndimor sot përfaqëson formën më të avancuar të zhvillimit, me gjithë problematikën që e shoqëron. Edhe pse modeli perëndimor është sot më i avancuari, ka dimension real e funksionues demokracinë e sundimin e ligjit, ndjen nevojën e perfeksionimit të tij. Çështja e përmbajtjes së lirive e të drejtave të njeriut është shumë e pasur dhe një liri e vërtetë mund të mendohet kur të mundësohet kalimi nga sundimi i sendeve mbi njeriun, në sundimin e njeriut mbi sendet.




Sot konstatohet fenomeni që nacionalizmi e sovranizmi, apo trysnia në rritje e interesave të shtetit-komb, po nxit mbylljen e po i kundërvihet bashkëpunimit e integrimit, madje ka prirje t’u hapë rrugë tensioneve dhe kjo ndodh në një kohë kur mbi kokën e stabilitetit botëror qëndron si “shpata e Demokleut” një rrezik i shpërthimit të një krize të re botërore ekonomike e financiare, më e rëndë se ajo e vitit 2008. Brenda kësaj problematike evidentohet edhe një kundërvënie në rritje ndaj demokracisë liberale, lirive e të drejtave të njeriut, sistemit të vlerave, demokracisë funksionale e sundimit të ligjit, globalizmit e multilaterizmit. Ka sot jo vetëm një rritje të ndjeshme të kundërvënies e goditjes së demokracisë liberale, lirive e të drejtave të njeriut e sundimit të ligjit, por edhe një prirje për të krijuar aleanca brenda hapësirës perëndimore, por edhe me aktorë përtej saj. Modeli perëndimor i zhvillimit, duke e bërë funksional sistemin e vlerave e demokracinë liberale, mbrojtjen e lirive e të drejtave të njeriut, e bëri shoqërinë e botën e sotme më moderne, e bëri modelin për ta ndjekur e sendërtuar. Modeli komunist pretendoi t’ia rrëmbente këtë flamur Perëndimit, duke shfrytëzuar edhe diskretitimin e modelit perëndimor nga dalja në vitet ‘30 të shekullit të kaluar, të monstrave të nazizmit e fashizmit, por dështoi dhe u rrëzua. Demokracia liberale u avancua dhe u fuqizua, duke funksionuar realisht. Demokracia liberale krijon realisht hapësirë për funksionim normal të institucioneve demokratike, për sendërtimin e standardeve demokratike, për mundësimin e mbrojtjen e lirive e të drejtave të njeriut, të lëvizjes së lirë etj., por krijon hapësirë, brenda vetes për kundërvënësit ndaj saj. Kundërvënia demokratike apo kritika nga brenda saj e fuqizon, e koregjon, nxit ndryshimin e përsosjen, e ushqen demokracinë liberale. Megjithatë, ajo krijon hapësirë edhe për goditjen nga brenda të saj, për motive e interesa krejtësisht kundër funksionimit të saj. Është fakt tashmë që realiteti demokratik në hapësirën perëndimore i krijoi mundësi një lloj kritike e rebelimi ndaj elitave liberale në hapësirën perëndimore, që u ushqye edhe nga strategji nga jashtë perëndimit, që përgatitën programe konkrete lufte ndaj demokracisë liberale. Kështu, në proces, por edhe nën ndikimin e ndjeshëm të krizës botërore e financiare të vitit 2008, dhe si pasojë e disa dështimeve të politikave liberale, ekonomike e financiare, u mundësua një shtrat konkret për kundërvënësit ndaj demokracisë liberale dhe rritjes së dallgëve të nacionalizmit e populizmit. Shpirti apo mendësia protektive, mbyllëse, u dhanë lëndë sovranizmit e qëndrimeve kundër demokracisë liberale.

Sot është fakt që brenda hapësirës e modelit perëndimor ka qëndrime, lëvizje e veprime konkrete, që i kundërvihen në mënyra të ndryshme demokracisë liberale, sistemit të vlerave, funksionimit të demokracisë e institucioneve të saj, zhvillimit e mbrojtjes së lirive e të drejtave të njeriut. Nuk është çështja për ekzistencë të koncepteve apo zakoneve që kanë frymëzime jodemokratike, por për veprime e platforma, që janë në kontradiktë të hapur me demokracinë liberale, thelbin, përmbajtjen dhe funksionimin e saj. Tashmë është fakt i njohur jo vetëm debatimi, por edhe fillimi i procedurave ligjore nga strukturat e BE ndaj disa dukurive e praktikave, që lidhen me sundimin e ligjit, funksionimin e demokracisë e mbrojtjen e të drejtave  të lirive e të drejtave të njeriut ndaj dy vendeve anëtare të BE, ish-pjesë e kampit socialist.

Ajo që tërheq vëmendjen e që tregon agravimin e situatës sa i përket respektimit të standardeve demokratike e të sistemit të vlerave, është jo vetëm një kundërshtim i vendosur e adresim kritikash ndaj strukturave të BE nga ato vende, por tash konstatohet edhe një solidaritet nga pozicione nacionaliste e sovraniste brenda BE ndaj tyre jo vetëm nga vende të ish-kampit socialist, por edhe Italia. Përballimi i krizës së refugjatëve, që është realisht edhe një armë gjeopolitike kundër BE e modelit të saj të zhvillimit, vuri në provë të plotë marrëdhënien ndaj sistemit të vlerave dhe demokracinë liberale. Ajo ndihmoi të dëshmohet se sa kanë avancuar prirjet e qëndrimet nacionaliste e sovraniste e që i kundërvihen kështu integrimit, sistemit të vlerave e projektit europian. Në fakt në gjithë hapësirën europiane nacionalizmi e sovranizmi ka prirje jo vetëm kundërshtuese, kryengritëse ndaj strukturave të BE e marrëveshjeve të dakordësuara, por edhe sa i përket sistemit të vlerave e ardhmërisë së projektit europian. Madje sot konstatohet prirja për t’u organizuar e dakordësuar në qëndrimet kundërvënëse, ku duket që po u vinë në ndihmë edhe “specialistë” nga jashtë hapësirës europiane. Nacionalizmi e populizmi në hapësirën perëndimore është bërë një fenomen endemik, që po e godet e gërryen nga brenda sistemin e vlerave, institucionet demokratike e në tërësi modelin perëndimor. BE po goditet nga brenda për interesa nacionaliste, populiste e sovraniste, nga forca separatiste, fenomeni “exit”, ekstremizmi i djathtë etj. Është vërtet tronditëse që politikat e antiemigracionit, nacionalizmi i djathtë, një kundërvënie ndaj respektimit të sistemit të vlerave po bëhen pronë edhe e një pjese të intelektualëve dhe sidomos e rinisë.

Qytetarët europianë e duan demokracinë liberale, veçanërisht ato që ajo u mundëson e përfitimet konkrete, që i mendojnë si të drejta të përhershme e të pacenueshme dhe duket se konstatohet një shkujdesje tronditëse për fatin e demokracisë liberale. Kjo shfaqet konkretisht, teksa nuk ka reagime nga poshtë ndaj goditjeve që po merr demokracia liberale e institucionet e saj, por edhe në faktin që është rritur numri i qytetarëve, që mbështesin në zgjedhje platformat nacionaliste e sovraniste, që haptazi i kundërvihen sistemit të vlerave dhe funksionimit të demokracisë e sundimit të ligjit. Kjo shkujdesje apo një mosnjohje e problematikës konkrete ka mundësuar rritjen e peshës dhe rolit të partive nacionaliste, populiste dhe antiestablishment në hapësirën e BE. Aktualisht, as partitë politike që rivalizojnë për të fituar zgjedhjet, por as edhe organizma joqeveritarë e sidomos sfera akademike, shkencore dhe intelektuale nuk po reagojnë, nuk po ndihmojnë në njohjen sa më mirë të së vërtetës, që po zhvillohet, si pa u vënë re. Vazhdon kështu fenomeni që qytetarët të bëhen pre e mashtrimit dhe e vetëmashtrimit nga partitë politike, qofshin të vjetra, qofshin të reja. Nuk ka aktualisht ndonjë program konkret të detajuar për përballimin e problemeve të mprehta, të rritjes ekonomike e përballimit të problemit shqetësues të papunësisë, apo për rishikimin e sistemit të taksave, për rritjen e mirëqenies në të gjithë strukturën sociale të shoqërisë e për zbutjen e pabarazive sociale, që kanë prirje të thellohen; për përballimin e problemit tepër të mprehtë e të rrezikshëm të emigracionit dhe lëvizjen e popullsisë. Është fakt se pushteti i korporatave monopoliste është fuqizuar në rrugën e kërkesave të ligjeve ekonomike të ofertës, kërkesës dhe fitimit maksimal.

Nuk ka as studime e ndonjë ide për perspektivën e zhvillimeve ekonomike, sociale e demografike, për perspektivën e shtresave e kategorive konkrete sociale. Pushteti i zmadhuar i korporatave në një farë mënyre ushqen autoritarizmin edhe të liderëve politikë. Zhvillimet më të fundit dëshmojnë se modeli perëndimor sot ka hyrë në fazën apo ka pjekur nevojën e një reformimi serioz, që të mos lejojë të futet në një krizë të pakthyeshme, që do t’u hapte rrugë formave radikale të ndryshimit. Polarizimi i mëtejshëm i shoqërisë krijon mundësi e ushqim për radikalizmin e goditjen e mëtejshme të demokracisë liberale. Kjo nevojë reformimi e gjithë modelit i shërben modelit perëndimor, por njëherësh i shërben të sotmes dhe të ardhmes së njerëzimit, stabilitetit botëror e sigurisë në botë.

Në shkallë botërore problemi i lirive e të drejtave të njeriut po bëhet një çështje më shumë e mprehtë. Jeta e liritë e njeriut kërcënohen seriozisht nga faktorë kompleksë, natyrorë, por edhe ekonomikë, politikë, socialë. Jeta dhe liritë e njeriut kufizohen e goditen jo vetëm nga qeverisje autoritariste, eklektike e diktatoriale, por edhe nga format e terrorizmit e racizmit, nga thellimi i prapambetjeve të mëdha ekonomike, sociale e kulturore. Sot evidentohet zgjerimi i hapësirës e vëllimi i dhunës edhe shtetërore, që ka nxitur edhe shpërthim të krizave të refugjatëve e të emigrimit. Pikërisht kriza e refugjatëve dhe emigracioni po përdoren sot edhe si armë gjeopolitike kundër hapësirës perëndimore. Demokracia liberale dhe modeli perëndimor po sulmohen me intensitet edhe nga jashtë për interesa imperiale e gjeostrategjike. Është fakt i pamohueshëm që si Rusia, ashtu dhe Kina e dëshirojnë një grindje të Perëndimit, ngecje të avancimit të projektit europian. Ato, duke pasur modele zhvillimi që ndryshojnë qartë nga ai perëndimor, nuk e mirëpresin një funksionim normal të demokracisë liberale në hapësirën perëndimore. Ata e kuptojnë mirë efektin në vendet e tyre të ndikimit të modelit perëndimor, të mbështetur në sistemin e vlerave, të funksionimit të demokracisë e mbrojtjen e lirive e të drejtave të njeriut. Mediat kanë evidentuar edhe një mbështetje konkrete ndaj partive nacionaliste, populiste e euroskeptike në hapësirën perëndimore. Tashmë është i njohur problemi apo shqetësimi i ndërhyrjes së Rusisë në zgjedhjet presidenciale të SHBA-ve, edhe pse investigimi vazhdon dhe Rusia e mohon dhe që tash, përmes presidentit Trump, bëhet publike edhe një përpjekje e Kinës për të ndërhyrë në zgjedhjet amerikane, që gjithashtu është mohuar nga Kina.

Si nga Rusia, por edhe nga Kina vihen re edhe përpjekje për të servirur argumente “teorike” mbi atë që e quajnë fund të demokracisë liberale, për fundin e Perëndimit etj. Duke parë edhe një rritje të dallgëve të nacionalizmit në të gjithë hapësirën perëndimore, mendohet se ka ardhur koha e rilindjes apo e ringjalljes nacionale. Një luftë tregtare SHBA-Kinë po i jep ushqim dhe argument Kinës e të tjerëve që të pohojnë se, veçanërisht SHBA-të janë kundër globalizmit, ndërsa Kina e mbron atë. Në fakt, globalizmi ka avancuar e ka pasuruar përmbajtjen e vet, madje është bërë edhe më i strukturuar e i rregulluar përmes rregullave e organizmave konkretë si OBT etj. Kontradiktat e shfaqura janë tregues i nevojës për ndryshime e përsosje të domosdoshme. Në një situatë të zhvillimeve botërore, që po bëhet më komplekse, kur nacionalizmat e radikalizmi shumëngjyrësh bëjnë presion në rritje ndaj demokracisë, sundimit të ligjit, mbrojtjes së lirive e të drejtave të njeriut e zgjerimi i hapësirës së dhunës e shkeljeve flagrante të lirive e të drejtave të njeriut po rrit valën e zemërimit e të revoltimit, merr rëndësi të veçantë mbrojtja e përsosja e mëtejshme e modelit perëndimor të zhvillimit.

(Titulli origjinal – Demokracia liberale përballë nacionalizmit dhe interesave imperial)

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.