Albert Veliu, i njohur dhe si “Babalja” është arrestuar në Kosovë për llogari të drejtësisë shqiptare.
Veliu akuzohet për kallëzim të rremë. Ai është personi i cili pak muaj më parë realizoi videopërgjimin ku pretendohej se vëllai i ministrit të Brendshëm, Agron Xhafaj, ishte duke bërë pazare droge.
Nga verifikimet e deritanishme, rezulton se ky audio përgjim është i montuar dhe se personi që shfaqet duke folur për pazare droge nuk është Agron Xhafaj.
Në këtë videopërgjim i cili u publikua nga PD, pasi u dërgua atje nga gazetari Jetmir Olldashi është përfshirë dhe deputeti i partisë demokratike Ervin Salianji i cili do të hetohet për kallëzim të rremë.
Akuzat
Pak ditë më parë, ndaj Veliut, të njohur edhe si “Babalja”, është vendosur masa e arrestit me burg nga Gjykata e Krimeve të Rënda me kërkesë të Prokurorisë. Organi i akuzës e akuzon Albert Veliun për veprat penale “Kallëzimi i rremë” kryer në bashkëpunim dhe “Kalimi i Paligjshëm i Kufirit”.
Akuza e parë lidhet me rolin e tij në audio-përgjimin që u akuzua se implikon në trafik droge vëllanë e ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj. Ndërsa akuza e dytë me kalimin e “Babales” nga Shqipëria në Kosovë në mënyrë të jashtëligjshme.