OPINION

Kur ikin shkrimtarët…

07:30 - 12.10.18 Sulejman Mato
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ndryshe nga njerëzit e zakonshëm, kur ikin shkrimtarët, lënë një boshllëk të madh brenda zemrës së çdo njeriu që i ka lexuar dhe i ka dashur veprat e tij. Shkrimtari vetëm ikën, nuk vdes. Fatos Arapi ishte dhe do të mbetet një nga poetët më të shquar të letërsisë shqipe. Fatos Arapi e ndezi pishtarin e poezisë së tij kur poezia shqipe ishte në gjysmerrësirën e saj… I ri, simpatik, plot ëndrra kthehet nga studimet e tij, nga Bullgaria. Shumë shpejt do të paraqitet para lexuesit me librin e tij “Shtigje poetike” dhe  shumë shpejt kritika letrare e asaj kohe do ta rendiste në treshen poetike, në kostelacionin e ri të poezisë shqipe: Kadare-Agolli-Arapi… Ky konstelacion i poezisë shqipe do të ndriste mbi  Shqipërinë e vogël, e rrethuar me gjemba dhe të mbyllur nga bota, për tri dekada.




Tashmë, kur shkruaj këto rreshta, ndjej trishtim të madh dhe një boshllëk në shpirt si shumëkush që e ka njohur dhe e ka pasur mik Fatosin, edhe si i gjithë brezi i ri i viteve gjashtëdhjetë, që u rrit me  poezitë e tij dhe me emrin e tij në gojë…

Lamtumirë, profesori ynë i nderuar i fakultetit, lamtumirë, mik, shok, vëlla, Fatosh! Kështu të thërrisnin në fëmijëri… Kështu të kemi thirrur të gjithë ne dikur, me dashuri, kështu e kishe poezinë dhe shpirtin, djaloshar.

Fillimisht Fatosin e kemi njohur si profesor i lëndës së ekonomisë politike… Një profesor si aktor filmash, simpatik, me një temperament të veçantë, poetik. Pas orëve të mësimit, ai nuk ishte më profesori ynë, profesori i Minush Jeros, Musa Vyshkës, Vath Koreshit, Helena Kadresë, Ruzhdi Pulahës, Sadije Agollit, por ishte thjesht miku ynë i veçantë, që na vizitonte në konviktet tona dhe polemizonte me ne, me zjarr, për çështjet e letërsisë… Më vonë, me Fatosin do të kalonim një jetë të gjatë. Si koleg pune, në Lidhjen e Shkrimtarëve… Kujtimet janë të shumta, por ajo që e forcoi miqësinë tonë dhe më tepër ishte aksidenti automobilistik që na ndodhi ne dhe familjeve tona, në hyrje të Sarandës. Viti 1968, Fatosi u shtrua në spitalin e Sarandës për dy muaj …Shpëtuam mirë. Pjesa tjetër e jeta që do të vazhdonte do të na quhej jetë e dytë… Kujtimet me Fatosin janë të shumta, por më emocionueset dhe më të paharrueshmet kemi pasur ditët e metingut të poezisë së Gjakovës. Viti 1878. Në ato vite ishte rast i rrallë, por dhe fat i madh që dy poetë nga Shqipëria të merrnin pjesë në një festival Ballkanik në Kosovë. Nga këto 15 ditë që jetuam së bashku midis vëllezërve kosovarë, Fatosi ishte shumë emocional. Prekej shpejt… Sidomos mbrëmjeve kur i kujtohej vëllai i tij Vllasi, që i kishte vdekur para kohe. Kur poeti Fatos Arapi përshëndeti publikun kosovar me fjalët “Të fala nga Vlora”, u ngrit i gjithë publiku në këmbë dhe u një ulërimë kaq e madhe, pasuar me fishkëllima dhe zëra që nuk e përmbanin dot gëzimin për praninë e  poetit nga  Vlora, të cilën, në bisedat tona do ta  quanin  “Jerusalemin e shqiptarëve”. Në kthim, në kufijtë e dy shteteve të ndarë padrejtësisht nga viti i mallkuar 1913, pamë një ngjarje të pazakontë. Shqiptarë nga të dyja anët e kufirit. Në largësi. Merreshin vesh me gishta dhe shami të lëkundura në erë… Në atë çast Fatosin e mbyti ngashërimi… Shkuam dhe i takuam anëtarët e familjes nga ana e kufirit malazes, Fatosi u premtoi se sa të kalonim kufirin, do t’i takonim pjesëtarët e fisit të tyre. Dhe ashtu bëmë…

Fatosi iku. Fatosi nuk është më… Por ai e ka lënë veprën e tij të madhe, në poezi dhe në prozë, në dramë dhe në kujtimin e gjithë atij brezi, që është rritur me poezitë e poetit të madh. Ndaj, tani them se ndryshe nga të tjerët, poetët vetëm ikin, por nuk vdesin. Poetët e mëdhenj si Fatos Arapi i përkasin kujtesës së kombit… Ata mbeten në piedestalin e këtij kombi… I dashur Fatos! Ti i dhe shumë dashuri këtij vendi, por qeveritarët që e kanë qeverisur këtë vend të dhanë pak dashuri, pak respekt dhe aspak përkujdesje, as ty, as krijimtarisë sate. Ti ishe i vetëdijshëm për këtë gjë. Ti e dije se kjo gjë nuk ndodhte vetëm me ty, por edhe me shumë shkrimtarë dhe artistë të tjerë. Se kjo shpërfillje nuk fillonte me ty dhe nuk mbaron me emrin tënd… Ti e dije se në vendin e vet nuk nderohen poetët… Lamtumirë o më i madh poeti i madh i viseve Jonike!

Atdheu është dhimbje, është dhimbje

Një prill i pikëlluar në shpirt.

Atdheu është kryqi, është kryqi.

E mban… dhe të mban ty në shpirt.

 

Atdheu është varr i hapur, është varr.

Një jetë drejt tij shkon me besë që lind.

Në një pikë loti mbyt lotin fatvrarë,

Në një pikël loti lirinë lind.

 

Atdheu yt, i vogli, i vogli…

Si hyjori, i pavdekshmi, si loti.

Fatos Arapi i kushtoi jetën poezisë, e cila kohët e fundit u përmblodh dhe u botua në këtë vëllim poetik… Poezia e tij metaforike është një koncentrat i mendimit të lirë dhe i lirikës filozofike, që buron nga peizazhi shqiptar i tokës që e lindi… Zvërneci, vendlindja e tij, është një nga fshatrat më të bukur të Ballkanit. Të tillë fat kishte poeti. Të ishte biri i kësaj vendlindjeje dhe të mbartte me vete reflekse të peizazheve jonike, të cilat e bënë poezinë e tij sa brilante, aq edhe të veçantë… Poezia “Deti” e Fatos Arapit është një perlë e papërsëritur e poezisë shqipe, ku Zvërneci dhe shpirti i tij lirik piqen në një pikë…

“Poeti Fatos Arapi, – shkruan publicisti Azis Gjergji – lindi duke shpresuar, u burrërua duke thirrur dhe u plak duke derdhur lot mbi komunizmin shqiptar, që kishte lindur i vdekur”.

“Nga sot e tutje atje në Zvërnecin e tij, Hëna do të shëtisë e trishtë”, shkruan në ‘FB’ poeti dhe bashkëfshatari i tij, Jani Malo… dhe “pulëbardhat në fluturim do të shkruajnë metaforat e pathënë të Arapit”.

Qysh me librin e tij të parë “Shtigje poetike”, Arapi do të publikonte kredon e tij poetike:

Unë nuk erdha në jetë që të lus perënditë

që profetët e mykur mësonjës t’i kem,

Unë erdha në jetë që t’i blatoj,

këngë të gëzuara mejtimit të lirë..

Poezia e Fatos Arapit është kënga e lirë e njeriut të lirë, një poezi entuziaste, e fuqishme, optimiste, me figuracion të veçantë dhe shërthyes… Poeti Preç Zogaj e cilëson Fatosin “si një Sovran i poezisë, që ka përndritur rininë  e tij dhe ka modeluar konceptet e tij për të bukurën”.

Lavdi guximit të heshtjes! Ky varg më së shumti  do t’i shkonte vetëm poetit Fatos Arapi, i cili  për dy dekada e sfidoi kohën me heshtjen e vet… Ndërkohë, shkrimtarë të tjerë përpunojnë opinionin për lavdinë e tyre gjatë gjithë jetës, Fatos Arapi bëri tri dekada që e lartësoi veten me heshtjen  dinjitoze, prej shkrimtari, duke qenë i vetëdijshëm për vlerat e krijimtarisë së tij…

Në fillim të viteve nëntëdhjetë, Arapi u rreshtua përkrah disa intelektualëve që luftonin për një demokraci të vërtetë. Por, me intuitën e vet prej shkrimtari, ai e kuptoi shpejt se në Shqipëri kjo demokraci e vërtetë do të vonohej, ndaj dhe heshti. Arapi nuk ka qenë asnjëherë anëtar  partie. Kështu që ai nuk ka dashur t’i gëzojë frytet partiake që u janë afruar disa intelektualëve… Fatos Arapi i mbeti besnik krijimtarisë së tij të veçantë si një intelektual i vërtetë dhe i pavarur, ai i mbeti besnik i parimeve njerëzore, jo vetëm në krijimtari, por edhe në jetën e përditshme. Arapi ka vlera të veçanta, si intelektual i pavarur dhe si një opozitar i  heshtur, ndaj ai do të mbetet gjatë në kujtesën tonë.


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.