OPINION

Dhéshkronja njerëzore e Samiut dhe gjeopolitika shqiptare

08:20 - 01.11.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Pano Hallko – Në vendin tonë, sidomos njëzetë vitet e fundit, është derdhur shumë bojë në letër, sa për problemet e strategjirave, aq edhe për çështjet e gjeopolitikës. Strategjira (brenda dhe jashtë thonjëzave), janë printuar shumë, aq shumë dhe aq të shpëlara, saqë asnjëra prej tyre nuk i ka hyrë e nuk do t’i hyjë në punë këtij vendi. E me to janë mbrojtur grada shkencore, e me to janë pushtuar kolltukë të rëndë të pushtetit, e me to janë vjedhur në mënyrën më të pa skrupullt gjithçka pati të mirë e prodhoi ky vend në tridhjetë vitet e fundit. Po kështu, edhe për gjeopolitikën.




Por te gjeopolitika gjërat ishin më me këmbë në tokë. E kjo falë institucionit që patëm dikur, Akademisë Ushtarake, e cila kishte tagrin e Akademisë së Sigurisë. Në të cilën punonin dhe krijonin njerëz të përkushtuar, në të cilën zinin fill, edhe fjalitë e Strategjisë sonë Kombëtare. Pavarësisht shtrembërimeve që pësonin ato fjali, në zyrat e “institucioneve” të tjera shtetërore.

U fshi me një të rënë të lapsit bordi i profesorëve, pa pyetur asnjë ushtarak para pesë vitesh, a thua se merrnin vesh nga këto punë ata, që u ulën në kolltukët e godinës asokohe. Kuptohet, për llogari të ca dyqaneve private të Tiranës, që printojnë edhe… “mastera” e “doktoratura” për… Sigurinë!
Ashtu siç, me të njëjtën alergji, ai staf “menaxhues”, mbylli organet e shtypit ushtarak, të cilat shtypeshin me shaptilograf, edhe në ditët më të zeza të Luftës së II Botërore. Ashtu siç mbyllën masterat e të dy niveleve për Sigurinë…

Stafi i ri që erdhi shtatorin e kaluar në Ministrinë e Mbrojtjes pati meritën që të zhbllokonte mbrojtjen e doktoraturave të bllokuara. Kjo, edhe falë punës së intelektualit ushtarak në krye të Komandës së Doktrinave, Prof. dr. Gjeneralbrigade, Bajram Bega. Pasi ato ishin bllokuar në çastin kur ishin përfunduar temat, madje ishin depozituar të gjitha materialet në sekretarinë e Akademisë, ishin paguar edhe lekët, në bankën përkatëse në llogarinë e Akademisë së Mbrojtjes.
Sivjet, më në fund u realizua ajo “e pamundura”, u mbrojtën disertacionet, që ishin përgatitur prej vitesh. Doemos, që ka ndonjë “ujk”, që kërkon mjegullën. Ashtu siç ka edhe ndonjë “dhelpër”, që preferon vapën… Por le të mos humbasim “nordin”, sepse përjashtimet mbeten përjashtime….
Temat që u mbrojtën para komisioneve pas kaq shumë kohësh, doemos që kishin prurjet e tyre, interesante dhe me vlera. Në të gjithë zhanrin e tyre.
Por vetëm për njërën prej tyre, u tha: -Ky punim duhet të jetë…

…LIBËR NË TAVOLINËN E SHTETIT
Dhe këtë e tha me zë të lartë kryetari i Komisionit shtetëror, e jo shkruesi i këtyre radhëve…
Bëhet fjalë për emrin që citohet në titullin e shkrimit, për Disertacionin e Albert Hitoaliaj, me temën “Antropogjeografia shqiptare dhe gjeopolitika”.
Në fakt, është hera e parë e punimi i parë i plotë, i një natyre të tillë në serinë e studimeve. Thënë ndryshe, ky studim është guri i parë në këtë disiplinë, por edhe një gur i rëndë në themelet e shkencës së gjeopolitikës. Sepse bota ku duam të shkojmë, ka më se një shekull, të paktën institucionalisht, që në themel të gjeopolitikës, ka antropogjeografinë, apo gjeo-grafinë njerëzore, apo njeriun e gjeografisë. E njeriu, nuk është njësoj në të gjithë botën, por është i ndryshëm. Ashtu siç ndryshon ambienti gjeografik në cilin është ngjizur geni i tij, atje ku ka origjinën, qoftë edhe atë të të parëve të tij. Është një kod që mbartet në shekuj, një kod që është shumë e vështirë, për të mos thënë e pamundur, të ndryshojë dot. Pavarësisht përshtatjeve, pavarësisht arsimimit e nivelit të kulturës që ai ka.
Punimi i gazetarit të mirënjohur Hitoaliaj në faqet e kësaj gazete, është një esse e stërmadhe, shumë përtej, edhe cakut të parametrave që kërkohen sot, për disertacionin në kërkim të gradës Doktor.

Kjo ese e stërmadhe, i ka të gjithë elementët brenda. Edhe pse është studim mirëfilli shkencor, aty shpalosen aftësitë e shprehjes letrare të argumentit shkencor, si edhe guximi intelektual në opinionet e shfaqura.

Antropogjeografia ose Dhéshkronja njerëzore (Samiu kështu e quante gjeografinë), është degë fare pak e njohur në Shqipëri. Janë pak botime lidhur me gjeografinë njerëzore nga autorë shqiptarë e të huaj për Shqipërinë. Trajtimi në mënyrë të organizuar sipas koncepteve që jep Ratzel nuk është realizuar, por gjëra të vogla shfaqen të botuara veçmas nga autorë shqiptarë.

Mund të përmendet si botimi i hershëm që ka lidhje me këtë fushë, ai i Gaspër Gugës, i vitit 1909.
Ashtu siç meriton vëmendje Branko Merxhani, ky mendimtar i madh në botimet e revistës së tij, “Përpjekja shqiptare”. Ai ka trajtuar edhe antropogjeo-grafinë e Ratzel-it si një disiplinë e re. Fatkeqësisht, artikulli i tij mbeti një zë në shkretëtirë. Ndërkohë që ekziston një varfëri trajtimi nga autorë shqiptarë, të antropogjeografisë si e tërë dhe në përputhje me parimet raceliane, duhet thënë se studime që trajtojnë shqiptarët dhe Shqipërinë janë bërë nga të huajt.
Studimi më i kompletuar antropogjeografik, vjen nga studiuesi dhe biologu italian, Antonio Baldaçi. Vepra e tij “L’Albania”, përbën studim antropogjeografik për Shqipërinë dhe shqiptarët. Analiza e tij shtrihet nga Iliria antike, e deri te pasardhësit e ilirëve, shqiptarët. “L’Albania” trajton strukturën gjeologjike të truallit shqiptar, natyrën e terrenit dhe format e veçanta të tij, brigjet, portet, faret, bimësinë, relievin, hidrografinë, lumenjtë, liqenet, klimën, bimësinë. Aty ai trajton antropogje-ografinë shqiptare, zhvillimet historike shqiptare, kufijtë politikë dhe etnografikë, minoritetet dhe kolonitë shqiptare.
Meqë synimi ishte shtrirja e influencës të Italisë përtej “mare nostrum”, studimet e tij për Shqipërinë, janë mirëfilli radioskopia e interesave të kohës, në syrin e një studiuesi rigoroz. Hahn e Nopsca si pjesëtarë të elitës europiane, me studimet e tyre, ushqenin vizionin perëndimor për shtrirjen dhe komunikimin me rajonet pranë tij. Ami Boue qëndron përkrah tyre, ashtu si edhe Edith Durham e shumë të tjerë. Këta dhe studiues të tjerë, janë parë vetëm si albanologë prej shqiptarëve, por në të vërtetë studimet e tyre janë plotësuese për Shkencën e Shtetit, natyrisht të shtetit të tyre. Edhe pse të vërtetat tona, ata i thanë me forcë. Merita e Dr. Hitoaliaj qëndron pikërisht këtu, se ai në studimin e tij kërkon dhe arrin të shkojë, në gjenezë, aty ku u ngjiz bërthama e këtij kombi, trollin, me gjithë ç’përmban ai. E nga 420 burime që ka bibliografia e tij, vetëm 50 janë shqiptare. Ndoshta edhe për këto arsye, Profesori tha se ky punim, duhet të jetë një libër në tavolinën e shtetit…

KAFKA, BEKIMI DHE MALLKIMI YNË…
Kohët e fundit, Prof. Paolo Rognini, i departamentit të Shkencave Politike të Universitetit të Pizas, botoi rezultatet e një studimi të tij në revistën shkencore “Biological Theory”.
“Po zbulojmë se kafka jonë mban pjesë të trurit që ende japin reagime antike, të cilat nuk i përshtaten epokës ku jetojmë.
Në praktikë, kemi disa sjellje, mbetje nga reagimet arkaike, që do të na bëjnë të shkatërrojmë planetin e për pasojë veten tonë, duke realizuar kështu një version krejt të pazakontë të evolucionit, vetëshkatërrimin e llojit. Truri ynë është “program rudimentar”, i gjeneruar në fillim të historisë njerëzore, e që sot nuk është i përshtatshëm për t’iu përgjigjur informacioneve të një ambienti krejtësisht të ndryshëm.
Jemi bartës të një sjelljeje grabitqare në raport me botën që na rrethon”, thotë Rognini. Nuk mund të presim edhe 300.000 vite. Pra, vetëm duke modifikuar kulturën tonë, do mundemi të ruajmë qenien njerëzore”, theksoi ai.

Nuk di nëse profesori i nderuar ka parasysh trurin e shqiptarëve, ashtu siç Baldaçi para një shekulli. Por nëse e ka fjalën për trurin e italianëve apo të njerëzimit në përgjithësi, do të thotë se ne jemi edhe më rëndë akoma.

Darvini, mbasi botoi Veprën e tij, deklaroi: “Sipas gjykimit tim, gabimi më i madh që kam bërë, është mosdhënia e rëndësisë së duhur, ndikimit të drejtpërdrejtë të ambientit(truallit-ushqimit, klimës etj.), në mënyrë të pavarur nga fenomeni i selektimit natyral”.

E prandaj anglezi Rusell, në vitin 1874 kur kaloi këtej nga ne, shkroi: – “Shqiptarët nuk kanë ndonjë besim apo adhurim të theksuar. Myslimanët shqiptarë i ndezin qirinj Shën Gjergjit dhe Shën Nikollës. Perëndia është për ta një qenie e mëshirshme, e jo një natyrë eprore. Dhe perënditë mund të jenë të shumta, e njëra po aq e mirë sa edhe tjetra. Kjo shpjegon mosfanatizmin fetar, një tipar i dukshëm me sy të lirë në Dalmaci dhe në Shqipëri. Kështu shpesh herë është e vështirë që të merret vesh nëse një banor është i krishterë apo mysliman”.

Kurse “Hylli i Dritës” i vitit 1944, sjell përshkrimin domethënës të mbijetesës së qenies sonë: “Shkambij të gjallë, shkrepa të lamë, curra të zdeshun, fortesa e gjithmonshme e njij fisit kreshnik. Shkambi e lindi dhe e ushqeu, e shkambi i ruejti n`gjij të vet të mbetat e tija. Iliri leu roje e vdiq roje e shkambit-babë; konglomerat shpirti dhe guri. E kur në shekullin e XIX, kerkuesat e mbeturinave të qytetnimevet të perendueme banë apelin e popujve të vdekur:-“Jam këtu!”-ushtoi nji za prej brigjeve t`Adriatikut; -“Këtu jam!”-përsëriti jehona neper qandrat e jetës s`Europës së qytetnueme. E zani qi delte shi prej Prizrenit, tingëlloi n`atë Berlinin e famshëm, ku trashgimtarë të rrejshëm dojshin me pervetsue tokat ilire. Iliri nuk ka vdekë, asht gjall nder krepat e maleve, nder shpellat e bjeshkvet, nder humbnerat e luginave, e pa vdekë unë, kërkujt nuk i trashëgohet e drejta e pronsis!”.

Autori Hitoaliaj, duke krahasuar ekzistencën shtetërore shqiptare pas rënies së perandorisë osmane, me periudhën e pas viteve `90, arrin në konkluzionin se… “Shqiptarët ndërtojnë atë, ‘shtetin e lashtë’ të tyre, i cili ka mbizotëruar gjithnjë mes shqiptarëve, në çdo rast kur ka pasur liri e mungesë administrimi nga perandoritë pushtuese, apo kur sistemi bie”…

…Doktor Hitoaliaj ishte i vetmi gazetar që pati Shtypi i Forcave të Armatosura në vitin jo aq të largët -2013. E pikërisht për këtë arsye, “menaxherët” e Mbrojtjes e përzunë me pretendime idiote! Emëruan një individ në prag pensioni, për të pasur pagën e lartë, mblodhën edhe ca hallexhinj për ditën e punës, kuptohet, të përzgjedhur edhe me kritere regjionale e religjioze. Asnjëri gazetar, ndër ta. Alberti do fitojë edhe gjyqin e shkallës së dytë e do marrë pagat. Ashtu siç gjeneralbrigade Vladimir Qiriazi mori këto ditë, të gjitha pagat, qysh nga 16 dhjetori i 2011-ës e këtej, e do të vazhdojë të marrë pagën e plotë të gjeneralit, derisa të mbushë moshën e pensionit. Sepse ashtu iu tek ish “menaxherit” të asaj kohe, emri i të cilit nuk më kujtohet. Pasi gjenerali nuk kishte firmosur privatizimin e Klubit “Partizani”, e të disa objekteve të tjera me rëndësi strategjike… Por rrogat merren dyfish; një ai i ndjekuri, e një ky që është në detyrë.

Albert Hitoaliaj sot hijeshon me dijet e tij, Akademinë e Rendit, e cila mori edhe Sigurinë. Sektori i Sigurisë në atë Akademi u ngrit me materialin njerëzor dhe intelektual të Akademisë së Mbrojtjes, i cili u përzu nga aty ku kishte folenë e tij të kahershme. Dhe mirë u veprua që u rihap, atje, në shtet.
Në sytë e njerëzve të shumtë që erdhën nga Akademia e Rendit në mbrojtjen e Doktoraturës së Albertit lexohej qartë gëzimi, e pse jo, edhe krenaria. Sepse ata kanë tre vjet, që e kanë lektor në auditorë dhe gjenerator në botimet e tyre. Kurse tek udhëheqësi i temës, Prof.dr Pajtim Ribaj, krenaria ishte legjitime.
…Nuk di nëse Prof. Paolo Rognini ka parasysh trurin e shqiptarëve, ashtu siç bashkëtdhetari i tij, Antonio Baldacci para një shekulli. Por nëse e ka fjalën për trurin e italianëve apo të njerëzimit në përgjithësi, kjo do të thotë se ne jemi edhe më rëndë akoma…


Shfaq Komentet (2)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. U entuziazmova nga ky artikull, shkruar me nje gjuhe e fjalor letrar te shkelqyer te Pano Hallkos per nje punim shkencor te nivelit te larte te Albert Hitoaliaj, punim qe sipas artikullshkruesit eshte i pari ne llojin e vet. U entuziazmove sepse doktori i sapobere i shkencave Albert Hitoaliaj eshte origjine vranishioti, bashkfshatari im, qe nderon veten por edhe ne te gjitheve per kapacitetin dhe arritjet shkencire te studimeve te veta te ketij klasi. Urime Albertit, udheheqesit te studiimit te tij prof. dr. Pajtim Ribaj por edhe artikullshkruesit Pano Hallko qe na e beri te njohur kete arritje shkenore te cunit te ri vranishiote Vlore. Le te jete ajo edhe nje reflektim i strukturave shteterore dhe akademike per evidentimin dhe promovimin e ketyre figurave te reja shkencore, ne te mire te vendit por edhe punes e performances se tyre shtetformuese te vendit e shoqerise tone me kriteret, standardet, dijet dhe kulturen boterore.

    Përgjigju ↓