Këngë, kujtime, çmim për mesazhin që na dha me jetën e saj dhe një bursë studimi për një vajzë të re. Mbrëmjen e së hënës u mbajt në “ArTurbina” koncerti humanitar “Në vend të Adelës”.
Vetëm pak ditë pas ditëlindjes së të ndjerës Adela Xhamani, mori jetë një kauzë që ishte menduar shumë më herët, në biseda tavolinash mes gazetares dhe miqve më të mirë të saj. Një koncert që si synim parësor kishte jo vetëm të kujtonte Adelën, por përmes emrit të saj, t’i sigurohej shkollimi një vajze tjetër, që si Adela ka ëndrra për një jetë të re. Salla e madhe e “ArTurbinës” ishte mbushur plot, duke kaluar çdo pritshmëri.
Njerëz që e njihnin nga afër, njerëz që e deshën nga ekrani u mblodhën bashkë në emër të saj. Eraldo Rexho, Iva Kalemi e Fatmira Nikolli dhe miq të tjerë të saj ishin kudo në sallë, duke mirëpritur të ftuarit, duke u marrë me çdo gjë që mbrëmja të shkonte siç e kishin planifikuar. Koncerti nisi dhe Arbana Osmani drejtoi koncertin. Mes emocionesh, ajo kujtoi kohën kur e takoi për herë të parë Adelën. Momentin e 10 viteve të shkuara, Arbana e tregoi me aq emocion sa lotët qe vështirë të mbaheshin.
“Adela ishte banorja më e frikësuar që kisha njohur dhe si për ironi, i gjithë ‘Big Brother’ mori emrin e saj”, – kujtoi Arbana. I gjithë koncerti iu dedikua Adelës që të gjithë njihnin. Adelës që transmetonte aq shumë pozitivitet dhe që erdhi me ëndrra të mëdha në Tiranë dhe që ia doli t’i realizojë shumë prej tyre. Adelës që njihnin miqtë e saj më të ngushtë, Adelës që adhuronte muzikën, që këndonte duke ecur nëpër zyrat e mediave ku ka punuar¸nga “Gazeta Shqiptare”, tek “News 24”, nga “Top Channel” tek revista “Who”, ku punoi si kryeredaktore dhe jetoi duke dashuruar gazetarinë, por mbi të gjitha jetën. Çdo këngë e kënduar në koncert kishte një domethënie të veçantë për Adelën dhe dukej sikur çdo melodi e sillte më afër me të gjithë të pranishmit. Ishin këngët që ajo dëgjonte me volum të lartë, e këngët që këndonte me zë të lartë. Ishin këngët që patën shënjuar jetën e saj, a këngët që përshkruanin ëndrrat e saj – ishin këngët e Adelës.
Teksa fundi i mbrëmjes afrohej, në emër të Bashkisë së Tiranës, Adela Xhamanit ju akordua “Medalja e Mirënjohjes së qytetit”, në nder të kontributit që ajo dha për shumë vite si gazetare dhe për rolin e rëndësishëm në emancipimin e femrës dhe mbrojtjen e të drejtave dhe lirisë së tyre. Ky titull u tërhoq nga tezja e saj, Flutura Dedgjoni, e cila mes lotësh falënderoi pjesëmarrësit dhe tregoi krenarinë që ndjen për mbesën e saj. Disa fjalë të ndjera i tha edhe vajza që fitoi bursën e akorduar nga një universitet privat. Elma Isufi, një vajzë e thjeshtë, me ëndrra të mëdha dhe me arritje të shkëlqyera në mësime. Teksa doli në skenë, plot emocion u zotua se do përpiqet aq shumë sa Adela për të arritur suksesin.
Me krenari ajo pranoi se mbi shpatulla tashmë mban edhe peshën e emrit të Adelës.
Artistët e ftuar e kujtuan Adelën me fjalët dhe me këngët e tyre, ndërsa me krenari treguan sa të lumtur ndiheshin për pjesëmarrjen në koncertin që kishte një qëllim aq human. Koncerti u mbyll me Irma Libohovën, ndërsa në skenë për të thënë fjalën e mbylljes doli edhe Eraldo Rexho, producenti dhe miku i ngushtë i Adelës. Në përpjekje për të mbajtur lotët, ai mundi të thoshte vetëm pak fjalë: “Faleminderit! Për Adelën, për njerëzit që jeni. Nuk ka kënaqësi më të madhe sesa ta shoh plot sot këtë sallë. Kjo tregon që ia dolëm! Ia dolëm Adela!”.